Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pushimet më të mira!

Pushimet më të mira!

Letër nga Irlanda

Pushimet më të mira!

«DUHET të bësh diçka interesante që ta heqësh mendjen nga provimet,—më thanë prindërit.—Le të shkojmë për vizitë te kushërinjtë në Irlandë dhe t’u predikojmë njerëzve që rrallë e dëgjojnë lajmin e mirë për Mbretërinë.»

S’besoja se ishte ide e mirë. Përveçse duhej të studioja për provimet, ndihesha nervoze për udhëtimin, pasi kurrë s’kisha dalë jashtë Anglisë ose të kisha udhëtuar me avion. Si do të arrinte një 17-vjeçare energjike nga një periferi e vrullshme e Londrës t’ia dilte me jetën e ngadaltë në një qytet të vogël në kepin jugperëndimor të Irlandës?

S’duhej të isha merakosur. Që në momentin kur u ul avioni, mbeta pa fjalë. Mirëpo, ngaqë e filluam herët atë ditë, më zuri gjumi fill pasi nisëm udhëtimin me makinë. Herë pas here, zgjohesha të shihja terrenin e thyer por të bukur që rrëzëllente përtej mureve me gurë anash rruginave.

Natën e parë arritëm në qytetin e Skiberinit dhe kaluam një mbrëmje të këndshme e besimforcuese me një familje që ishte transferuar në Irlandë për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. Luajtëm lojëra biblike. Nga një çantë, çdonjëri nxirrte emrin e një personazhi biblik dhe me anë të gjesteve tregonte një ngjarje që lidhej me personazhin. Të tjerët duhej ta gjenin kush ishte.

Ditën vijuese, bashkë me prindërit, vëllanë e vogël, kushërinjtë dhe një familje tjetër morëm një traget për në ishullin e vogël të Heirit, ku banojnë më pak se 30 veta. Vetë Jezui tha se lajmi i mirë duhet predikuar në gjithë tokën e banuar. Prandaj e kaluam ditën duke folur me njerëzit miqësorë e mikpritës e u jepnim zemër nga Shkrimet, si edhe admironim natyrën e mrekullueshme e të virgjër.

Dielli shndriste në qiellin e pastër kaltërosh. Ajri ishte i mbushur me një aromë të lehtë e të ëmbël, që vinte nga një tufë gjineshtrash verdhoshe me erë arre kokosi. Lulet pranverore kishin veshur qendrën moçalore të ishullit. Gjiret ranore priteshin thikë nga shkrepat ku ngrinin folenë karabullakët dhe sulat e detit me të vegjlit e tyre. Deri ku të hante syri shihje dhjetëra ishuj të vegjël, shumë prej tyre të pabanuar, që mbajnë emrin Gjiri i Ujërave Vrumbullitëse. Sa shumë që e çmonim harmoninë e përsosur në krijimit të Jehovait!

Kur u kthyem në Skiberin, u kënaqa duke zënë shoqëri të mira në kongregacionin vendës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe u përpoqa të bëja gjëra që s’i kisha bërë kurrë më parë. Vozitja me kajak më pëlqeu më tepër nga të gjitha. Të shohësh bregdetin e Irlandës ndërsa vozit me kajak, s’ka të krahasuar! Shkuam të peshkonim për darkën, por fokat që na erdhën për vizitë peshkuan para nesh. Shpikëm disa lojëra në plazh dhe madje kërceva valle irlandeze.

Kaluam pak kohë për të mësuar ca gjëra edhe për Skiberinin. Kur të mbjellat e patateve në Irlandë u prishën në vitet 40 të shekullit të 19-të, qyteti me rrethinat e tij ishin ndër zonat më të prekura. Mijëra vetë vdiqën nga uria dhe rreth 9.000 viktima ishin varrosur në një varr masiv. Na ngushëllonte dijenia se së shpejti nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, nuk do të ketë më kurrë zi buke dhe gjithë këta që vdiqën në mënyrë kaq tragjike do të jetojnë sërish në një tokë parajsore.

Bashkë me Dëshmitarët vendës vizituam njerëz që zor se arrihen në territorin e madh të kongregacionit. Zbritëm me makinë nëpër një rrugë të ngushtë e të rrëpirët që të shkonim te shtëpitë e ngritura buzë një shkëmbi me pamje nga deti i Irlandës. Edhe këtu njerëzit që takuam ishin miqësorë e mikpritës. Siç kishim bërë në ishullin e Heirit, bisedat i fillonim duke treguar se ishim me pushime dhe se po kalonim ca kohë duke folur me të tjerët për një mesazh biblik që të ngroh zemrën.

Mamaja foli me një grua që i pranoi me qejf revistat tona Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kur e takuam sërish pas pak ditësh, tha se i kishin pëlqyer revistat.

«Ju lutem, më sillni prapë revista dhe më tregoni më tepër»,—na kërkoi ajo. I thamë se së shpejti do të ktheheshim në shtëpinë tonë, por do të dërgonim dikë tjetër.

«E po mirë, kur të ktheheni hajdeni më takoni, ju lutem. Irlandezët nuk e harrojnë kollaj dikë!»—u përgjigj ajo.

Ditën e fundit të pushimeve e kaluam në plazh me vëllezërit dhe motrat e kongregacionit vendës. Bëmë një skarë me gurë dhe copa drurësh e poqëm midhjet që kishim marrë nëpër shkëmbinjtë e rrahur nga deti i kristaltë. Kjo vajzë qyteti e shijoi çdo minutë atje!

Pra, mendimi im për atë javë në Irlandë? Ishin pushimet më të mira që kam kaluar ndonjëherë! Jo vetëm që ishin pushime të papara, por më kënaqte dijenia se po bëja diçka që gëzonte Jehovain dhe i sillte lavdi atij. Sa shumë dua t’i shërbej Perëndisë tonë, dhe gëzimi të shtohet më tepër kur ke miq e familje fantastike që mendojnë njësoj dhe që të mbështetin! Kur mbërrita në shtëpi, e falënderova Jehovain për gjithë këta miq të dashur të cilët e duan Atë, dhe për kujtimet e bukura që do t’i ruaj gjithmonë si thesar.

[Burimi i figurës në faqen 25]

Pullë poste, Irlandë