Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse judenjtë ishin kaq të interesuar për gjenealogjitë e tyre?

▪ Dokumentimet gjenealogjike luanin rol kyç në përcaktimin e lidhjeve fisnore dhe familjare. Ato nevojiteshin edhe për të bërë ndarjen e tokës e të trashëgimisë. Rëndësi të veçantë kishte trungu familjar i Mesisë së premtuar. Judenjtë e dinin shumë mirë se Mesia duhej të ishte pasardhës i Davidit nga fisi i Judës.​—Gjoni 7:42.

Përveç kësaj, «ngaqë detyra e priftit dhe levitit trashëgohej . . . kishte shumë rëndësi që gjenealogjia të mbetej e pastër, pa pikë njolle»,—thotë studiuesi Joakim Jeremiasi. Grave izraelite që martoheshin në familje priftërinjsh, u kërkohej të vërtetonin gjenealogjinë e tyre, që priftëria të mbetej «e papërzier dhe e pastër». Në kohën e Nehemisë, familje të tëra levitësh nuk u kualifikuan për shërbimin priftëror kur «kërkuan regjistrin e tyre për të vërtetuar para të gjithëve gjenealogjinë, por nuk u gjet».​—Nehemia 7:61-65.

Për më tepër, sipas Ligjit të Moisiut «asnjë bir i paligjshëm» dhe ‘asnjë amonit ose moabit nuk mund të bëhej pjesë e kongregacionit të Jehovait’. (Ligji i përtërirë 23:2, 3) Për këtë arsye, Jeremiasi shton: «Që dikush të ushtronte ndonjë të drejtë civile duhej të vërtetohej prejardhja e pastër, dhe ky fakt konfirmon përfundimin tonë se . . . edhe izraeliti më i thjeshtë e dinte cilët ishin paraardhësit më të afërt dhe mund të tregonte cilit prej dymbëdhjetë fiseve i përkiste.»

Si i përpilonin dhe i ruanin judenjtë gjenealogjitë?

▪ Shkrimtarët e Ungjijve, Mateu dhe Luka, shkruan gjenealogji të hollësishme të prejardhjes së Jezuit. (Mateu 1:1-16; Luka 3:23-38) Janë ruajtur edhe regjistrime të tjera gjenealogjike. Për shembull, një midrash ose vepër shpjeguese judaike, thotë për Hilelin, një rabin të kohës së Jezuit: «Në Jerusalem u gjet një rrotull gjenealogjike, në të cilën shkruhej se Hileli rridhte nga Davidi.» Jozef Flavi, historian jude i shekullit të parë, thoshte në veprën e tij Jeta se paraardhësit i kishte priftërinj dhe se, nga ana e nënës, kishte «gjak mbretëror». Ai thoshte se këtë informacion e gjeti «të dokumentuar në regjistrat publikë».

Jozefi thoshte në veprën Kundër Apionit se kombi i tij ia besonte regjistrimin e familjeve priftërore «burrave me reputacionin më të mirë». Një enciklopedi thotë: «Me sa duket, këto regjistrime i besoheshin një zyrtari të veçantë dhe ka të ngjarë që në Jerusalem të kishte një gjykatë që dëgjonte dhe u përgjigjej pyetjeve rreth gjenealogjive.» (The Jewish Encyclopedia) Judenjtë jopriftërorë regjistroheshin në qytetet e etërve të tyre. (Luka 2:1-5) Duket se shkrimtarët e Ungjijve u konsultuan me këta arkiva publikë. Gjithashtu disa familje mund t’i kenë ruajtur vetë regjistrimet e tyre.