Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetëshkrim

Një mësim i çmuar nga shërbimi i shenjtë

Një mësim i çmuar nga shërbimi i shenjtë

Treguar nga Olivier Randriamura

«Në të vërtetë, di të rroj kur jam ngushtë dhe di të rroj në bollëk. Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar të jem i ngopur [dhe] të jem i uritur . . . Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—Filip. 4:12, 13.

PREJ kohësh, këto fjalë të apostullit Pavël na kanë dhënë mjaft zemër mua dhe gruas sime, Olit. Ashtu si Pavli, kemi mësuar të mbështetemi plotësisht te Jehovai ndërsa i shërbejmë këtu në Madagaskar.

Kur Dëshmitarët e Jehovait filluan të studionin Biblën me mamanë e Olit, më 1982, ne ishim tashmë të fejuar. Edhe unë pranova një studim biblik, kurse Oli e filloi më vonë. U martuam më 1983, u pagëzuam më 1985 dhe menjëherë më pas nisëm shërbimin si pionierë ndihmës. Në korrik të vitit 1986, u bëmë pionierë të rregullt.

Në shtator të vitit 1987, nisëm të shërbenim si pionierë specialë. Caktimi ynë i parë ishte një qytezë në veriperëndim të Madagaskarit ku s’kishte asnjë kongregacion. Në Madagaskar ka rreth 18 grupe etnike, si edhe klane pa fund. Po ashtu, zakonet dhe traditat ndryshojnë jashtëzakonisht. Gjuha malagase është gjuha zyrtare, por ka edhe shumë dialekte. Prandaj, filluam të mësonim dialektin që flitej në caktimin tonë të ri dhe kjo na ndihmoi të pranoheshim më lehtë nga komuniteti.

Në fillim, mbaja një fjalim publik çdo të diel, pas të cilit Oli duartrokiste nga respekti. Ishim të vetmit të pranishëm. Gjithashtu, trajtonim programin e plotë të Shkollës së Shërbimit Teokratik, ku Oli fliste me një të interesuar imagjinare. Sa u lehtësuam kur mbikëqyrësi qarkor që na vizitoi, me dashamirësi na sugjeroi t’i modifikonim mbledhjet!

Ngaqë posta nuk ishte e besueshme, nuk e merrnim rregullisht ndihmën mujore. Prandaj mësuam si të rronim kur ishim ngushtë. Në një rast, nuk kishim mjaft para për biletën e autobusit që të shkonim në një asamble qarkore, e cila do të mbahej rreth 130 kilometra larg. Na erdhi ndër mend një këshillë e mirë nga një vëlla: «Tregojani Jehovait problemet tuaja. Në fund të fundit, po bëni veprën e tij.» Kështu, u lutëm dhe vendosëm të shkonim në këmbë. Por, sapo do të niseshim, papritur erdhi për vizitë një vëlla, i cili na bëri dhuratë ca para​—aq sa na duheshin për biletat e autobusit.

VEPRA QARKORE

Në shkurt të vitit 1991, u emërova mbikëqyrës qarkor. Atëherë grupi ynë i vogël ishte rritur e kishte 9 lajmëtarë, 3 prej të cilëve ishin të pagëzuar, dhe mesatarisht në mbledhje kishim 50 të pranishëm. Pas stërvitjes, shërbyem në një qark të kryeqytetit, Antananarivos. Më 1993 u caktuam përsëri në një qark në lindje të vendit. Kushtet e jetesës atje ishin shumë ndryshe nga ato të qytetit.

Që të shkonim në kongregacionet dhe grupet e izoluara, udhëtonim në këmbë, disa herë deri në 145 kilometra, nëpër malet me pyje të dendura. Merrnim me vete sa më pak gjëra. Natyrisht, kur fjalimi publik i mbikëqyrësit qarkor përfshinte një prezantim me diapozitiva, siç bëhej ndonjëherë në atë kohë, ngarkesa jonë ishte më e rëndë. Oli mbante projektorin, kurse unë mbartja me mundim një bateri makine 12 voltëshe.

Shpesh bënim 40 kilometra në ditë që të shkonim në kongregacionin tjetër. Gjatë udhës, ecnim lart e poshtë shtigjeve malore, përshkonim lumenj dhe llapashiteshim nëpër baltë. Ndonjëherë flinim rrugës, por zakonisht përpiqeshim të gjenim ndonjë fshat ku mund të kërkonim strehim për natën. Hera-herës u kërkonim njerëzve fare të panjohur që të kalonim natën tek ata. Pasi gjenim strehim, fillonim të përgatitnim për të ngrënë. Oli merrte hua një tenxhere dhe shkonte në lumin ose liqenin më të afërt për ujë. Ndërkohë unë merrja hua një sëpatë që të pritja dru për të gatuar. E gjithë kjo kërkonte kohë. Me raste blinim një pulë të gjallë që pastaj e thernim dhe e rripnim.

Pasi hanim, merrnim prapë ujë për t’u larë. Disa herë flinim në kuzhinë. Kur binte shi, flinim ngjeshur pas murit duke u përpjekur të mos lageshin nga çatia që pikonte.

Gjithmonë vinim si synim t’u dëshmonim atyre që na strehonin. Kur mbërrinim në destinacion, dashamirësia e mikpritja e vëllezërve dhe e motrave të krishtere ishte e mahnitshme. Çmueshmëria e tyre e përzemërt për vizitën tonë na bënte të harronim çdo siklet që kishim pasur gjatë udhës.

Kur rrinim në shtëpitë e Dëshmitarëve, me kënaqësi i ndihmonim me punët e shtëpisë. Kështu që ata ishin më të lirë të dilnin me ne në shërbim. Nuk pritnim luks ose ushqim të veçantë, pasi mikpritësit tanë s’mund t’ia lejonin vetes.

VIZITOJMË GRUPE TË IZOLUARA

Kënaqeshim duke vizituar grupe të izoluara, ku vëllezërit na mirëpritnin me një program të ngjeshur me aktivitete. Rrallë kishim kohë ‘të pushonim pak’. (Mar. 6:31) Në një vend, një çift Dëshmitarësh kishin ftuar në shtëpi të gjithë studentët e tyre të Biblës, 40 veta, që të merrnim pjesë gjatë studimeve. Oli dhe motra drejtuan rreth 20 studime, kurse unë dhe vëllai 20 të tjerat. Sapo mbaronte një student, menjëherë fillonte studimi tjetër. Më vonë atë ditë, i ndërpremë pak që të mbanim mbledhjet e kongregacionit dhe më pas rifilluam studimet biblike. Dita-maratonë shpesh përfundonte pas orës tetë të mbrëmjes.

Gjatë vizitës në një grup tjetër, u nisëm të gjithë drejt një fshati fqinjë rreth orës tetë të mëngjesit. Të gjithë kishim veshur rroba të vjetra. Pas një udhëtimi të gjatë nëpër pyll, arritëm në territor rreth mesditës. Veshëm rroba të pastra dhe menjëherë filluam të predikonim shtëpi më shtëpi. Kishte pak shtëpi, por ne ishim shumë lajmëtarë. Prandaj e mbaruam territorin për 30 minuta. Pastaj shkuam te fshati tjetër. Pasi predikuam atje, duhej të bënim rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi. U ndiem paksa të shkurajuar, sepse harxhuam tërë atë kohë që të shkonim në territor, por predikuam vetëm rreth një orë. Sidoqoftë, Dëshmitarët vendës nuk u ankuan, por e ruajtën entuziazmin.

Një grup i izoluar në Taviranambo ndodhej pranë majës së një mali. Atje gjetëm një familje Dëshmitarësh që jetonte në një dhomë të vetme. Një strukturë tjetër e vogël aty afër shërbente si vend për mbledhjet. Papritur, mikpritësi ynë nisi të thërriste me zë të lartë: «O vëllezër!» Nga maja e malit tjetër u dëgjua një zë: «Po!» Mikpritësi thërriti përsëri: «Erdhi mbikëqyrësi qarkor!» Përgjigjja ishte: «O, sa mirë!» Me sa duket mesazhi iu dërgua të tjerëve që jetonin edhe më larg. Shpejt njerëzit filluan të mblidheshin dhe kur nisi mbledhja ishin të pranishëm më tepër se 100 veta.

SFIDAT E TRANSPORTIT

Më 1996, u caktuam përsëri në një qark më afër Antananarivos, në zonat malore qendrore. Edhe ky qark kishte sfidat e veta unike. Nuk kishte transport publik të rregullt për në zonat e thella. Sipas programit duhej të vizitonim një grup në Bejankanë (Bejsakej), rreth 240 kilometra larg Antananarivos. Pasi ramë në ujdi me shoferin, hipëm në një kamion të vogël që shkonte andej. Brenda dhe sipër kamionit kishte rreth 30 pasagjerë, disa prej të cilëve ishin shtrirë mbi çati, kurse të tjerë ishin kapur prapa.

Si zakonisht, shpejt kamioni u prish dhe vazhduam në këmbë. Pasi kishim ecur me mundim për disa orë, erdhi një kamion i madh. Ishte tashmë i stërmbushur me njerëz dhe mallra, por shoferi ndali gjithsesi. Hipëm, megjithëse nuk kishte vend për t’u ulur. Më vonë mbërritëm te një lumë, por ura po riparohej. Përsëri u nisëm në këmbë dhe në fund arritëm te një fshat i vogël ku jetonin disa pionierë specialë. Edhe pse nuk kishim në program ndonjë vizitë aty, e kaluam kohën duke predikuar me ta, ndërsa pritnim që ura të riparohej dhe të kalonte një mjet tjetër transporti.

Vetëm pas një jave erdhi një mjet dhe vazhduam udhëtimin. Rruga ishte plot gropa të mëdha. Shpesh na u desh të ndihmonim për të shtyrë kamionin nëpër ujin që na arrinte gjer në gju, duke u penguar e duke u rrëzuar shumë herë. Në orët e para të mëngjesit, mbërritëm te një fshat i vogël ku zbritëm. Pasi lamë rrugën kryesore, vazhduam në këmbë në drejtim të destinacionit tonë nëpër orizore, të zhytur deri në mes në ujin me llucë.

Ishte hera e parë që vizitonim këtë zonë, prandaj vendosëm t’u dëshmonim disave që po punonin në orizore dhe t’i pyetnim se ku jetonin Dëshmitarët vendës. Sa u gëzuam kur morëm vesh se ata punëtorë ishin në të vërtetë vëllezërit tanë frymorë!

INKURAJOJMË TË TJERËT TË FILLOJNË SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

Gjatë viteve, kemi inkurajuar shumë veta që të shërbejnë në kohë të plotë. Jemi kënaqur shumë duke parë rezultatet. Ndërsa vizitonim një kongregacion që kishte nëntë pionierë të rregullt, e nxitëm çdo pionier që të kishte si synim të ndihmonte një lajmëtar tjetër të bëhej pionier. Kur e vizituam kongregacionin pas gjashtë muajsh, numri i pionierëve kishte arritur në 22 veta! Dy pioniere kishin inkurajuar baballarët, të dy pleq, që të bëheshin pionierë të rregullt. Nga ana e tyre këta vëllezër kishin nxitur një plak të tretë që të bashkohej me ta. Pak kohë më vonë, plaku i tretë u emërua si pionier special. Më pas, ai dhe gruaja filluan në veprën qarkore. Po dy pleqtë e tjerë? Njëri shërben si mbikëqyrës qarkor, kurse tjetri si vullnetar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.

Falënderojmë çdo ditë Jehovain për ndihmën e tij, pasi e kuptojmë se s’bëjmë dot asgjë vetëm me forcat tona. Vërtet, ndonjëherë ndihemi të lodhur dhe sëmuremi, gjithsesi gëzohemi kur mendojmë për rezultatet e shërbimit tonë. Jehovai bën që vepra e tij të përparojë. Jemi të lumtur që bëjmë pjesën tonë të vogël, duke i shërbyer atij tani si pionierë specialë. Po, kemi nxjerrë një mësim të çmuar: të mbështetemi te Jehovai, i cili ‘na jep fuqi’.

[Diçitura në faqen 6]

Kemi nxjerrë një mësim të çmuar: të mbështetemi te Jehovai

[Harta dhe figurat në faqen 4]

Madagaskari, i quajtur Ishulli i Madh i Kuq, është ishulli i katërt më i madh në tokë. E ka dheun të kuq dhe gëlon nga lloje të shumta unike

[Figura në faqen 5]

Udhëtimi ishte një nga sfidat më të mëdha që hasnim

[Figurat në faqen 5]

Kënaqemi duke drejtuar studime biblike