Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është «zbulues i të fshehtave»

Jehovai është «zbulues i të fshehtave»

Jehovai është «zbulues i të fshehtave»

«Vërtet, Perëndia juaj është Perëndi i perëndive, Zot i mbretërve dhe Zbulues i të fshehtave.»​—DAN. 2:47.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Cilat hollësi për të ardhmen na ka zbuluar Jehovai?

Cilët përfaqësojnë gjashtë kokat e para të bishës së Zbulesës 13:1?

Ç’lidhje ka mes bishës së Zbulesës 13:1 dhe shëmbëlltyrës që pa Nabukodonosori?

1, 2. Çfarë na ka zbuluar Jehovai dhe pse?

CILAT qeveri do të jenë fuqi botërore kur Mbretëria e Perëndisë t’i japë fund sundimit njerëzor? E dimë përgjigjen​—na e ka treguar ‘Zbuluesi i të fshehtave’, Perëndia Jehova. Ai na ndihmon ta kuptojmë identitetin e këtyre qeverive nëpërmjet shkrimeve të profetit Daniel dhe të apostullit Gjon.

2 Jehovai u zbuloi këtyre burrave një sërë vegimesh në lidhje me daljen njëra pas tjetrës të disa bishave. Gjithashtu, ai i shpjegoi Danielit kuptimin e një ëndrre profetike ku përshkruhej një shëmbëlltyrë tejet e madhe prej metali. Jehovai bëri që këto tregime të shkruheshin dhe të ruheshin në Bibël për dobinë tonë. (Rom. 15:4) E bëri këtë që të na forcojë shpresën se së shpejti Mbretëria e tij do t’i thërrmojë të gjitha qeveritë njerëzore.​—Dan. 2:44.

3. Ç’duhet të kuptojmë pikësëpari që të dimë kuptimin e saktë të profecive dhe pse?

3 Të marra së bashku, tregimet e Danielit dhe të Gjonit jo vetëm identifikojnë tetë mbretër ose sundime njerëzore, por tregojnë edhe radhën në të cilën do të shfaqeshin shumë nga këto fuqi. Megjithatë, mund të dimë kuptimin e saktë të këtyre profecive vetëm nëse kuptojmë profecinë e parë të regjistruar në Bibël. Pse? Sepse realizimi i kësaj profecie është tema që e bashkon Biblën. Në njëfarë mënyre ajo është litari tek i cili varen të gjitha profecitë e tjera.

FARA E GJARPRIT DHE BISHA

4. Nga cilët përbëhet fara e gruas? Çfarë do të bëjë së shpejti kjo farë?

4 Shumë shpejt pas rebelimit në Eden, Jehovai bëri një premtim sipas të cilit nga ‘një grua’ do të vinte ‘një farë’. * (Lexo Zanafillën 3:15.) Në fund, kjo farë do t’ia shtypte kokën gjarprit, Satanait. Më vonë Jehovai zbuloi se fara do të vinte nga Abrahami, do t’i përkiste kombit të Izraelit, do të ishte nga fisi i Judës dhe do të ishte pasardhës i mbretit David. (Zan. 22:15-18; 49:10; Psal. 89:3, 4; Luka 1:30-33) Pjesa kryesore e kësaj fare ishte Krishti Jezu. (Gal. 3:16) Pjesa dytësore e farës përbëhet nga pjesëtarët e mirosur nga fryma të kongregacionit të krishterë. (Gal. 3:26-29) Jezui dhe këta të mirosur formojnë së bashku Mbretërinë e Perëndisë, mjetin me anë të të cilit Perëndia do të dërrmojë Satanain.​—Luka 12:32; Rom. 16:20.

5, 6. (a) Sa fuqi të mëdha identifikojnë Danieli dhe Gjoni? (b) Çfarë përfaqësojnë kokat e bishës së Zbulesës 13:1?

5 Profecia e parë që u dha në Eden thoshte se edhe nga Satanai do të vinte një ‘farë’. Fara e tij do të shfaqte armiqësi ose urrejtje për farën e gruas. Cilët përbëjnë farën e gjarprit? Të gjithë ata që imitojnë urrejtjen e Satanait për Perëndinë dhe i kundërvihen popullit të Tij. Përveç organizatave fetare dhe ushtarake, Satanai e ka organizuar farën e tij edhe në qeveri të shumta ose mbretëri. (Luka 4:5, 6) Sidoqoftë, relativisht pak mbretëri njerëzore kanë ushtruar ndikim të rëndësishëm te populli i Perëndisë, qoftë te kombi i Izraelit, qoftë te kongregacioni i të krishterëve të mirosur. Pse është domethënës ky fakt? Sepse shpjegon përse vegimet e Danielit e të Gjonit përshkruajnë vetëm tetë fuqi të tilla të mëdha.

6 Në fund të shekullit të parë të e.s., Jezui i ringjallur i dha apostullit Gjon një sërë vegimesh mahnitëse. (Zbul. 1:1) Në një prej tyre, Gjoni pa Djallin, të paraqitur si një dragua, tek qëndronte në breg të një deti të paanë. (Lexo Zbulesën 12:17-13:1, 2.) Gjithashtu, Gjoni pa një bishë të çuditshme që doli nga deti. Ajo kishte shtatë koka dhe mori autoritet të madh nga Djalli. Më pas Gjoni pa një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur që kishte po ashtu shtatë koka. Ajo ishte një shëmbëlltyrë e bishës së Zbulesës 13:1. Një engjëll i tha Gjonit se shtatë kokat e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur përfaqësojnë ‘shtatë mbretër’ ose qeveri. (Zbul. 13:14, 15; 17:3, 9, 10) Kur Gjoni shkroi Zbulesën, pesë prej këtyre mbretërve kishin rënë, njëri ishte akoma në fuqi, kurse tjetri ‘nuk kishte mbërritur ende’. Cilat ishin këto mbretëri ose fuqi botërore? Le të shqyrtojmë secilën prej kokave të bishës që përshkruhet te Zbulesa. Do të shohim edhe se si shkrimet e Danielit jepnin hollësi për këto mbretëri, disa herë shekuj para se të vinin në ekzistencë.

DY KOKAT E PARA​—EGJIPTI DHE ASIRIA

7. Çfarë përfaqëson koka e parë dhe pse?

7 Koka e parë e bishës përfaqëson Egjiptin. Pse? Sepse Egjipti ishte fuqia e parë e madhe që shfaqi armiqësi kundër popullit të Perëndisë. Pasardhësit e Abrahamit​—nëpërmjet të cilit do të vinte fara e premtuar e gruas—​u bënë të shumtë në Egjipt. Pastaj Egjipti e shtypi Izraelin. Satanai u orvat ta shfaroste popullin e Perëndisë para se të vinte fara. Si? Duke e shtyrë faraonin të ekzekutonte tërë fëmijët meshkuj të Izraelit. Jehovai bëri që të dështonte kjo orvatje dhe e çliroi popullin e tij nga skllavëria e Egjiptit. (Dal. 1:15-20; 14:13) Më vonë, i vendosi izraelitët në Tokën e Premtuar.

8. Cili është identiteti i kokës së dytë? Çfarë u përpoq të bënte ajo?

8 Koka e dytë e bishës përfaqëson Asirinë. Edhe kjo mbretëri e fuqishme u përpoq të zhdukte popullin e Perëndisë. Vërtet Jehovai e përdori Asirinë si mjet që të ndëshkonte mbretërinë dhjetëfisëshe për idhujtarinë dhe rebelimin e saj. Megjithatë, më pas Asiria sulmoi Jerusalemin. Satanai mund të ketë pasur si synim të shfaroste linjën mbretërore nga e cila në fund do të vinte Jezui. Ky sulm nuk bënte pjesë në qëllimin e Jehovait, prandaj ai e çliroi popullin e tij besnik me anë të një mrekullie duke i shkatërruar pushtuesit.​—2 Mbret. 19:32-35; Isa. 10:5, 6, 12-15.

BABILONIA​—KOKA E TRETË

9, 10. (a) Çfarë lejoi Jehovai të bënin babilonasit? (b) Çfarë duhej të ndodhte që të përmbushej profecia?

9 Koka e tretë e bishës që pa Gjoni përfaqëson mbretërinë që kishte si kryeqytet Babiloninë. Jehovai i lejoi babilonasit të mposhtnin Jerusalemin dhe të merrnin në robëri popullin e tij. Por, para se të lejonte këtë poshtërim, Jehovai i paralajmëroi izraelitët rebelë për këtë tragjedi që do t’i godiste. (2 Mbret. 20:16-18) Po ashtu, Jehovai u tha izraelitëve se nuk do t’i lejonte më mbretërit e tyre të uleshin në «fronin» e tij në Jerusalem. (1 Kron. 29:23) Gjithsesi, Jehovai premtoi edhe se një pasardhës i mbretit David, një që kishte «të drejtën ligjore», do të vinte dhe do ta rimerrte këtë autoritet.​—Ezek. 21:25-27.

10 Një profeci tjetër tregonte se judenjtë do të ishin ende duke adhuruar në tempullin e Jerusalemit kur të vinte Mesia ose i Mirosuri. (Dan. 9:24-27) Një profeci e mëparshme, që ishte shkruar para se Izraeli të merrej rob në Babiloni, thoshte se ky person do të lindte në Betlehem. (Mik. 5:2) Që të përmbusheshin këto profeci, judenjtë duhej të çliroheshin nga robëria, të ktheheshin në vendin e tyre dhe të rindërtonin tempullin. Por Babilonia nuk e kishte zakon t’i çlironte robërit. Si do të kapërcehej kjo sfidë? Jehovai ua zbuloi përgjigjen profetëve të tij.​—Amo. 3:7.

11. Në cilat mënyra të ndryshme është paraqitur Perandoria Babilonase? (Shih shënimin.)

11 Profeti Daniel ishte ndër robërit që u çuan në Babiloni. (Dan. 1:1-6) Jehovai e përdori atë që të zbulonte se cilat mbretëri do të dilnin pas kësaj fuqie botërore. Jehovai i zbuloi këto të fshehta duke përdorur disa simbole të ndryshme. Për shembull, bëri që mbreti babilonas, Nabukodonosori, të shihte në ëndërr një shëmbëlltyrë tejet të madhe që përbëhej nga metale të ndryshme. (Lexo Danielin 2:1, 19, 31-38.) Me anë të Danielit, Jehovai zbuloi se koka e artë e shëmbëlltyrës simbolizonte Perandorinë Babilonase. * Fuqia botërore që do të pasonte Babiloninë paraqitet nga gjoksi dhe krahët prej argjendi. Cila do të ishte kjo fuqi dhe si do ta trajtonte popullin e Perëndisë?

MEDO-PERSIA​—KOKA E KATËRT

12, 13. (a) Çfarë zbuloi Jehovai për rënien e Babilonisë? (b) Pse Medo-Persia është përshkruar me të drejtë si koka e katërt e bishës së Zbulesës 13:1?

12 Më shumë se një shekull para kohës së Danielit, Jehovai zbuloi nëpërmjet profetit Isaia hollësi për fuqinë botërore që do të mposhtte Babiloninë. Jehovai zbuloi jo vetëm mënyrën si do të pushtohej qyteti i Babilonisë, por edhe emrin e pushtuesit. Ky udhëheqës ishte Kiri i Persisë. (Isa. 44:28–45:2) Danielit iu dhanë dy vegime të tjera për fuqinë botërore medo-perse. Në njërin, mbretëria përshkruhej si një ari që ishte ngritur mbi një anë. Atij iu tha ‘të hante shumë mish’. (Dan. 7:5) Në vegimin tjetër, Danieli pa këtë fuqi botërore dyshe të simbolizuar nga një dash me dy brirë.​—Dan. 8:3, 20.

13 Jehovai përdori Perandorinë Medo-Perse që të përmbushte profecinë duke përmbysur Babiloninë dhe duke i rikthyer izraelitët në atdhe. (2 Kron. 36:22, 23) Sidoqoftë, po kjo fuqi, më vonë për pak sa nuk e shfarosi popullin e Perëndisë. Në librin biblik të Esterës është regjistruar një komplot që thuri kryeministri i Persisë, i quajtur Haman. Ai i organizoi gjërat për të shfarosur të gjithë judenjtë që jetonin në Perandorinë e paanë Perse dhe caktoi një datë specifike kur të kryhej ky genocid. Vetëm falë ndërhyrjes së Jehovait, populli i Tij shpëtoi edhe një herë nga armiqësia e farës së Satanait. (Est. 1:1-3; 3:8, 9; 8:3, 9-14) Pra, me të drejtë Medo-Persia është përshkruar si koka e katërt e bishës së Zbulesës.

GREQIA​—KOKA E PESTË

14, 15. Çfarë hollësish zbulon Jehovai për Perandorinë e lashtë Greke?

14 Koka e pestë e bishës së Zbulesës 13:1 përfaqëson Greqinë. Siç kishte zbuluar më parë Danieli kur shpjegoi ëndrrën e Nabukodonosorit, kjo fuqi simbolizohet nga barku dhe kofshët prej bakri të shëmbëlltyrës. Edhe Danieli mori dy vegime që sigurojnë hollësi të jashtëzakonshme për natyrën e kësaj perandorie dhe për sundimtarin e saj më të shquar.

15 Në një vegim, Danieli pa Greqinë të përshkruar si një leopard me katër krahë, dhe kjo tregonte se perandoria do të pushtonte me shpejtësi. (Dan. 7:6) Në vegimin tjetër, Danieli përshkroi se si një cjap me një bri të madh vrau me shpejtësi një dash me dy brirë, Medo-Persinë. Jehovai i tha Danielit se cjapi simbolizonte Greqinë, kurse briri i madh paraqiste një nga mbretërit e saj. Më tej Danieli shkroi se briri i madh do të thyhej e në vend të tij do të dilnin katër brirë më të vegjël. Ndonëse kjo profeci u shkrua rreth dy shekuj para se Greqia të bëhej fuqi sunduese, çdo hollësi doli e vërtetë. Aleksandri i Madh, mbreti më i shquar i Greqisë së lashtë, i priu sulmit kundër Medo-Persisë. Por, ky bri u thye shumë shpejt, pasi mbreti i madh vdiq në kulmin e pushtetit të tij, vetëm 32 vjeç. Pastaj mbretëria u nda mes katër gjeneralëve të tij.​—Lexo Danielin 8:20-22.

16. Çfarë bëri Antioku IV?

16 Pasi mundi Persinë, Greqia sundoi mbi vendin e popullit të Perëndisë. Në atë kohë, judenjtë ishin rivendosur në Tokën e Premtuar dhe kishin rindërtuar tempullin e Jerusalemit. Ishin ende populli i zgjedhur i Perëndisë dhe tempulli i rindërtuar ishte ende qendra e adhurimit të vërtetë. Megjithatë, në shekullin e dytë p.e.s., Greqia, koka e pestë e bishës së Zbulesës 13:1, sulmoi popullin e Perëndisë. Antioku IV, një nga trashëgimtarët e perandorisë së ndarë të Aleksandrit, vendosi një altar pagan në tempullin e Jerusalemit dhe e shpalli praktikimin e fesë judaike si krim që dënohej me vdekje. Ç’akt urrejtjeje nga ana e farës së Satanait! Por, shpejt dikush tjetër do t’ia zinte vendin Greqisë si fuqi botërore. Cila do të ishte koka e gjashtë e bishës së Zbulesës 13:1?

ROMA​—KOKA E GJASHTË, ‘E FRIKSHME DHE E TMERRSHME’

17. Ç’rol kyç luajti koka e gjashtë në përmbushjen e Zanafillës 3:15?

17 Roma ishte fuqia mbizotëruese kur Gjoni mori vegimin e bishës. (Zbul. 17:10) Koka e gjashtë luajti një rol kyç në përmbushjen e profecisë së shkruar te Zanafilla 3:15. Satanai përdori autoritetet romake për ta plagosur farën «në thembër». Në ç’mënyrë? Ata e gjykuan Jezuin në bazë të akuzës së rreme për kryengritje dhe urdhëruan ta ekzekutonin. (Mat. 27:26) Por shpejt kjo plagë u shërua, sepse Jehovai e ringjalli Jezuin.

18. (a) Cilin komb të ri zgjodhi Jehovai dhe pse? (b) Si vazhdoi të shfaqte fara e gjarprit armiqësi kundër farës së gruas?

18 Udhëheqësit fetarë të Izraelit thurën një komplot me Romën kundër Jezuit dhe shumica e kombit e hodhi poshtë Jezuin. Prandaj, Jehovai e braktisi Izraelin natyror duke mos e konsideruar më si popullin e tij. (Mat. 23:38; Vep. 2:22, 23) Ai zgjodhi një komb të ri, «Izraelin e Perëndisë». (Gal. 3:26-29; 6:16) Ky komb ishte kongregacioni i të krishterëve të mirosur që përbëhej nga judenj dhe jojudenj. (Efes. 2:11-18) Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, fara e gjarprit vazhdoi të shfaqte armiqësi kundër farës së gruas. Më shumë se një herë, Roma u përpoq të zhdukte kongregacionin e krishterë, pjesën dytësore të farës. *

19. (a) Si e përshkruan Danieli fuqinë e gjashtë botërore? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Në ëndrrën që Danieli i interpretoi Nabukodonosorit, Roma paraqitet nga pjesa e sipërme e këmbëve prej hekuri. (Dan. 2:33, BR me referime, angl.) Danieli pa edhe një vegim që përshkruan mirë jo vetëm Perandorinë Romake, por edhe fuqinë botërore vijuese që do të dilte nga Roma. (Lexo Danielin 7:7, 8.) Prej shekujsh Roma kishte qenë për armiqtë e saj ‘e frikshme, e tmerrshme dhe jashtëzakonisht e fortë’. Por sipas profecisë, nga kjo perandori do të dilnin «dhjetë brirë». Pastaj do të dilte «një bri tjetër i vogël» që do të bëhej më i fuqishëm se të tjerët. Cilët janë këta dhjetë brirë dhe cili është briri i vogël? Në ç’mënyrë briri i vogël përputhet me përshkrimin e shëmbëlltyrës së madhe që pa Nabukodonosori? Në artikullin në faqen 14 do të jepen këto përgjigje.

[Shënimet]

^ par. 4 Kjo grua përfaqëson organizatën e Jehovait dhe përbëhet nga krijesa frymore në qiell.​—Isa. 54:1; Gal. 4:26; Zbul. 12:1, 2.

^ par. 11 Babilonia është paraqitur edhe me anë të kokës së shëmbëlltyrës në librin e Danielit, edhe me anë të kokës së tretë të bishës së përshkruar te Zbulesa 13:1. Shih figurën në faqet 12-13.

^ par. 18 Megjithëse Roma e shkatërroi Jerusalemin në vitin 70 të e.s., ky agresion nuk bënte pjesë në përmbushjen e Zanafillës 3:15. Në atë kohë, Izraeli natyror nuk ishte më kombi i zgjedhur i Perëndisë.

[Pyetjet]