Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai zbulon gjërat që «do të ndodhin së shpejti»

Jehovai zbulon gjërat që «do të ndodhin së shpejti»

Jehovai zbulon gjërat që «do të ndodhin së shpejti»

«Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet ato që do të ndodhin së shpejti.»​—ZBUL. 1:1.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Cila pjesë e shëmbëlltyrës tejet të madhe simbolizon fuqinë botërore anglo-amerikane?

Si e përshkruan Gjoni lidhjen midis fuqisë botërore anglo-amerikane dhe Kombeve të Bashkuara?

Si e paraqitin Danieli dhe Gjoni fundin e sundimeve njerëzore?

1, 2. (a) Çfarë mund të kuptojmë kur krahasojmë profecitë e Danielit dhe të Gjonit? (b) Çfarë përfaqësojnë gjashtë kokat e bishës së Zbulesës 13:1?

KUR krahasojmë profecitë e Danielit dhe të Gjonit, kuptojmë shumë gjëra që po ndodhin sot në botë dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ç’mund të mësojmë duke krahasuar vegimin e Gjonit për bishën e Zbulesës 13:1, tregimin e Danielit për bishën e frikshme që kishte dhjetë brirë dhe interpretimin e Danielit për shëmbëlltyrën tejet të madhe? Gjithashtu, për çfarë duhet të na nxitë një kuptueshmëri e qartë e këtyre profecive?

2 Le të shqyrtojmë vegimin e Gjonit për bishën. (Zbul., kap. 13) Siç pamë në artikullin e mëparshëm, gjashtë kokat e para të kësaj bishe përfaqësojnë Egjiptin, Asirinë, Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë dhe Romën. Të gjitha shfaqën urrejtje për farën e gruas. (Zan. 3:15) Roma, koka e gjashtë, mbeti forcë politike mbizotëruese për shekuj me radhë pasi Gjoni hodhi me shkrim vegimin e tij. Në fund, Romës ia zuri vendin koka e shtatë. Cila fuqi botërore politike ishte kjo dhe si do ta trajtonte farën e gruas?

BRITANIA DHE SHTETET E BASHKUARA BËHEN SHUMË TË FUQISHME

3. Çfarë përfaqëson bisha e frikshme me dhjetë brirë? Çfarë paraqitin dhjetë brirët?

3 Mund ta identifikojmë kokën e shtatë të bishës së kapitullit të 13-të të Zbulesës duke krahasuar vegimin e Gjonit me vegimin e Danielit për bishën e frikshme me dhjetë brirë. * (Lexo Danielin 7:7, 8, 23, 24.) Bisha që pa Danieli përfaqësonte fuqinë botërore romake. (Shih figurën në faqet 12-13.) Në shekullin e pestë të e.s., Perandoria Romake nisi të copëtohej. Dhjetë brirët që dolën nga koka e kësaj bishe të frikshme përfaqësojnë mbretëritë që dolën nga kjo perandori.

4, 5. (a) Çfarë bëri briri i vogël? (b) Cili është identiteti i kokës së shtatë të bishës së Zbulesës 13:1?

4 Në profecinë e Danielit për bishën me dhjetë brirë thuhet se midis tyre doli një bri i vogël që u zuri vendin tre brirëve. Kjo u përmbush kur Britania, që dikur gjendej në skajet e Perandorisë Romake, fitoi epërsi. Deri në shekullin e 17-të, Britania kishte qenë një fuqi jo aq e rëndësishme. Tri rajone të tjera të Perandorisë Romake​—Spanja, Holanda dhe Franca—​kishin shumë më tepër ndikim. Britania ‘i këputi’ këto fuqi një nga një duke i hequr nga pozitat e tyre prestigjoze. Në mes të shekullit të 18-të, Britania po bëhej fuqia mbizotëruese në skenën botërore. Por, ajo nuk ishte bërë ende koka e shtatë e bishës së Zbulesës 13:1.

5 Ndonëse Britania fitoi epërsi, kolonitë e Amerikës Veriore u shkëputën. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara u lejuan të fuqizoheshin, të mbrojtura nga flota e fuqishme detare britanike. Në kohën kur filloi dita e Zotërisë më 1914, Britania kishte ndërtuar perandorinë më të madhe në histori dhe Shtetet e Bashkuara ishin bërë fuqia më e madhe industriale në tokë. * Gjatë Luftës I Botërore, Shtetet e Bashkuara farkëtuan një ortakëri të veçantë me Britaninë. Tanimë koka e shtatë e bishës kishte dalë si fuqia botërore anglo-amerikane. Si e trajtoi kjo kokë farën e gruas?

6. Si e ka trajtuar koka e shtatë popullin e Perëndisë?

6 Pak kohë pas fillimit të ditës së Zotërisë, koka e shtatë nisi një sulm kundër popullit të Perëndisë​—vëllezërve të Krishtit që kishin mbetur në tokë. (Mat. 25:40) Jezui tregoi se gjatë pranisë së tij një mbetje e farës do të ishte aktive në tokë. (Mat. 24:45-47; Gal. 3:26-29) Fuqia botërore anglo-amerikane luftoi me të shenjtët. (Zbul. 13:3, 7) Gjatë Luftës I Botërore, ajo e shtypi popullin e Perëndisë, ndaloi disa botime të tyre dhe burgosi përfaqësues të klasës së skllavit të besueshëm. Koka e shtatë e bishës së Zbulesës 13:1 pothuajse e ndali veprën e predikimit për njëfarë kohe. Jehovai e parashikoi këtë ngjarje dramatike dhe ia zbuloi Gjonit. Gjithashtu, Perëndia i tha Gjonit se pjesa dytësore e farës do të rigjallërohej dhe do ta shtonte aktivitetin frymor. (Zbul. 11:3, 7-11) Historia e shërbëtorëve të sotëm të Jehovait pohon se këto ngjarje ndodhën vërtet.

FUQIA BOTËRORE ANGLO-AMERIKANE DHE PJESA E POSHTME PREJ HEKURI DHE ARGJILE E KËMBËVE

7. Ç’lidhje ka midis kokës së shtatë të bishës së Zbulesës 13:1 dhe shëmbëlltyrës tejet të madhe?

7 Ç’lidhje ka midis kokës së shtatë të bishës së Zbulesës 13:1 dhe shëmbëlltyrës tejet të madhe? Britania​—e në një kuptim më të gjerë edhe Shtetet e Bashkuara—​dolën nga Perandoria Romake. Por, ç’të themi për pjesën e poshtme të këmbëve të shëmbëlltyrës? Ajo përshkruhet si një përzierje prej hekuri dhe argjile. (Lexo Danielin 2:41-43.) Ky përshkrim përkon me kohën kur koka e shtatë​—fuqia botërore anglo-amerikane—​do të fitonte epërsi. Ashtu si një strukturë prej hekuri të përzier me argjilë është më e dobët se hekuri i pastër, edhe fuqia botërore anglo-amerikane është më e dobët se fuqia nga e cila doli. Në ç’kuptim?

8, 9. (a) Si e shfaqi forcën e saj të hekurt fuqia e shtatë botërore? (b) Çfarë përfaqëson argjila në pjesën e poshtme të këmbëve të shëmbëlltyrës?

8 Hera-herës, koka e shtatë e bishës ka shfaqur karakteristika të hekurta. Për shembull, e tregoi fuqinë e saj duke fituar Luftën I Botërore. Edhe gjatë Luftës II Botërore, fuqia e hekurt e kokës së shtatë ishte e dukshme. * Pas kësaj lufte, ndonjëherë koka e shtatë ka shfaqur sërish karakteristika të hekurta. Gjithsesi, që në fillim ky hekur është përzier me argjilën.

9 Shërbëtorët e Jehovait kanë kërkuar prej kohësh të kuptojnë domethënien simbolike të pjesës së poshtme të këmbëve të shëmbëlltyrës. Danieli 2:41 e përshkruan përzierjen prej hekuri dhe argjile si një ‘mbretëri’ e jo si shumë mbretëri. Prandaj, argjila përfaqëson elementet brenda fuqisë botërore anglo-amerikane, të cilat e bëjnë më të dobët se hekuri i papërzier i Perandorisë Romake. Argjila u referohet ‘pasardhësve të njerëzve’ ose njerëzve të thjeshtë. (Dan. 2:43) Në fuqinë botërore anglo-amerikane njerëzit janë ngritur për të kërkuar të drejtat e tyre nëpërmjet fushatave për të drejtat e njeriut, sindikatave dhe lëvizjeve për pavarësi. Njerëzit e thjeshtë ia minojnë fuqisë botërore anglo-amerikane aftësinë për të vepruar me forcë të hekurt. Gjithashtu, ideologjitë e kundërta dhe rezultatet e ngushta elektorale që nuk përfundojnë me një shumicë dërrmuese votash, ua kanë dobësuar bazën e pushtetit madje edhe udhëheqësve me popullaritet. Për këtë arsye nuk kanë autoritet të plotë për të zbatuar politikat e tyre. Danieli paratha: «Mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.»​—Dan. 2:42; 2 Tim. 3:1-3.

10, 11. (a) Çfarë e pret ‘pjesën e poshtme të këmbëve’? (b) Në ç’përfundim mund të arrijmë për sa i përket numrit të gishtave të këmbëve?

10 Në shekullin e 21-të, Britania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë vazhduar ortakërinë e tyre të veçantë, duke vepruar shpesh bashkë në çështjet botërore. Profecitë për shëmbëlltyrën tejet të madhe dhe bishën e Zbulesës 13:1 vërtetojnë se fuqia botërore anglo-amerikane nuk do të zëvendësohet nga ndonjë fuqi botërore në të ardhmen. Kjo fuqi botërore e fundit mund të jetë më e dobët se ajo që paraqitet nga pjesa e sipërme prej hekuri e këmbëve, gjithsesi nuk do të shpërbëhet vetë.

11 A ka ndonjë kuptim të veçantë numri i gishtave të këmbëve të shëmbëlltyrës? Mendoni këtë: në vegimet e tjera, Danieli përmend numra specifikë, si për shembull numrin e brirëve në kokat e bishave të ndryshme. Këta numra kanë domethënie. Megjithatë, kur përshkruan shëmbëlltyrën, Danieli nuk e përmend numrin e gishtave të këmbëve. Prandaj, ky numër duket se nuk ka ndonjë domethënie të veçantë, ashtu siç nuk ka domethënie numri i krahëve, i duarve, i gishtave të duarve dhe i këmbëve që kishte shëmbëlltyra. Danieli përmend në mënyrë specifike se gishtat e këmbëve do të ishin prej hekuri dhe argjile. Nga përshkrimi i tij mund të nxjerrim përfundimin se, kur ‘guri’ që përfaqëson Mbretërinë e Perëndisë të godasë pjesën e poshtme të këmbëve të shëmbëlltyrës, fuqia botërore anglo-amerikane do të jetë pikërisht fuqia politike mbizotëruese.​—Dan. 2:45.

FUQIA ANGLO-AMERIKANE DHE BISHA ME DY BRIRË

12, 13. Ç’përfaqëson bisha me dy brirë dhe çfarë bën ajo?

12 Në vegimet që Jezui i dha Gjonit tregohet se, megjithëse është një përzierje prej hekuri dhe argjile, fuqia botërore anglo-amerikane do të vazhdonte të luante një rol kyç gjatë ditëve të fundit. Në ç’kuptim? Gjoni pa në një vegim një bishë me dy brirë që fliste si dragua. Çfarë përfaqëson kjo bishë e çuditshme? Ajo ka dy brirë, prandaj është fuqi dyshe. Gjoni po sheh sërish fuqinë botërore anglo-amerikane, por në një rol të veçantë.​—Lexo Zbulesën 13:11-15.

13 Kjo bishë nxit bërjen e një shëmbëlltyre të bishës së Zbulesës 13:1. Gjoni shkroi se kjo shëmbëlltyrë e bishës do të shfaqej, do të zhdukej dhe më pas do të ngrihej përsëri. Pikërisht kështu ndodhi me organizatën që nxitën Britania dhe Shtetet e Bashkuara, e cila kishte si qëllim të bashkonte e të përfaqësonte mbretëritë e botës. * Kjo organizatë u shfaq pas Luftës I Botërore dhe njihej si Lidhja e Kombeve. Ajo u zhduk kur filloi Lufta II Botërore. Gjatë kësaj lufte, populli i Perëndisë shpalli se sipas profecisë së Zbulesës, shëmbëlltyra e bishës do të ngrihej përsëri. Dhe faktikisht kështu ndodhi, ajo u shfaq si Kombet e Bashkuara.​—Zbul. 17:8.

14. Në ç’kuptim shëmbëlltyra e bishës është «një mbret i tetë»?

14 Gjoni e përshkroi shëmbëlltyrën e bishës si ‘një mbret të tetë’. Në ç’kuptim? Ajo nuk paraqitet si një kokë e tetë e bishës së Zbulesës 13:1. Është vetëm një shëmbëlltyrë e kësaj bishe. Çdo fuqi që ka, vjen nga kombet anëtare, sidomos nga përkrahësi i saj kryesor fuqia botërore anglo-amerikane. (Zbul. 17:10, 11) Megjithatë, ajo merr autoritet për të vepruar si një mbret që të kryejë një detyrë specifike, detyrë e cila ndez shkëndijën e një sërë ngjarjesh që do të ndryshojnë historinë.

SHËMBËLLTYRA E BISHËS GLLABËRON PROSTITUTËN

15, 16. Çfarë simbolizon prostituta? Çfarë ka ndodhur me mbështetjen që gëzonte?

15 Sipas Gjonit, mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur​—që është shëmbëlltyra e bishës së Zbulesës 13:1—​rri ulur një prostitutë simbolike, e cila e drejton atë. Kjo prostitutë quhet «Babilonia e Madhe». (Zbul. 17:1-6) Në mënyrë të përshtatshme ajo përfaqëson gjithë fetë e rreme, më kryesoret ndër të cilat janë kishat e krishterimit të rremë. Organizatat fetare i kanë dhënë bekimin shëmbëlltyrës së bishës dhe janë përpjekur të kenë ndikim tek ajo.

16 Gjithsesi, gjatë ditës së Zotërisë, Babilonia e Madhe ka parë se ujërat, pra popujt që e mbështetin, janë tharë në mënyrë dramatike. (Zbul. 16:12; 17:15) Për shembull, kur shëmbëlltyra e bishës u shfaq për herë të parë, krishterimi i rremë​—një pjesë me influencë e Babilonisë së Madhe—​kishte shumë pushtet në Perëndim. Sot, kishat dhe klerikët e tyre e kanë humbur respektin dhe mbështetjen e masave. Në fakt, shumë veta besojnë se feja kontribuon në konfliktet që ndodhin ose madje i shkakton ato. Të tjerë e thonë publikisht se të gjitha fetë duhen zhdukur.

17. Ç’do të ndodhë së shpejti me fenë e rreme dhe pse?

17 Sidoqoftë, feja e rreme nuk do të shuhet vetvetiu. Prostituta do të vazhdojë të jetë e fuqishme dhe të përpiqet t’i shtyjë mbretërit që të bëjnë vullnetin e saj, derisa Perëndia të mbjellë një ide në zemrën e tyre. (Lexo Zbulesën 17:16, 17.) Së shpejti, Jehovai do t’i nxitë elementet politike të sistemit të Satanait, të përfaqësuara nga Kombet e Bashkuara, që të sulmojnë fenë e rreme. Ato do ta eliminojnë ndikimin e saj dhe do t’ia shkretojnë pasuritë. Dekada më parë, një ngjarje e tillë mund të jetë dukur e pamundur. Sot prostituta po lëkundet mbi kurrizin e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur. Gjithsesi, ajo nuk do të rrëshqasë dalëngadalë nga vendi i saj. Plandosja e prostitutës do të jetë e papritur dhe e dhunshme.​—Zbul. 18:7, 8, 15-19.

BISHAT MARRIN FUND

18. (a) Çfarë do të bëjë bisha e Zbulesës 13:1 dhe cilat do të jenë pasojat? (b) Sipas Danielit 2:44, cilat mbretëri do të shkatërrojë Mbretëria e Perëndisë? (Shih kutinë në faqen 17.)

18 Pasi feja e rreme të shkatërrohet, bisha e Zbulesës 13:1, organizimi politik tokësor i Satanait, do të nxitet të ndërmarrë një sulm kundër Mbretërisë së Perëndisë. Duke mos pasur mundësi të arrijnë në qiell, mbretërit e tokës do ta shfrejnë zemërimin kundër njerëzve në tokë që mbështetin Mbretërinë e Perëndisë. Pasojat do të jenë të pashmangshme. (Zbul. 16:13-16; 17:12-14) Danieli përshkruan një aspekt të betejës përfundimtare. (Lexo Danielin 2:44.) Bisha e Zbulesës 13:1, shëmbëlltyra e saj dhe bisha me dy brirë, do të shkatërrohen.

19. Ç’siguri mund të kemi? Çfarë duhet të bëjmë tani?

19 Po jetojmë në ditët e kokës së shtatë të bishës së Zbulesës 13:1. Asaj nuk do t’i dalë më asnjë kokë tjetër derisa të asgjësohet. Fuqia botërore anglo-amerikane do të jetë fuqia botërore mbizotëruese kur feja e rreme të çrrënjoset. Profecitë e Danielit e të Gjonit janë përmbushur deri në hollësinë më të vogël. Jemi të sigurt se shkatërrimi i fesë së rreme dhe beteja e Harmagedonit do të vijnë së shpejti. Perëndia i ka zbuluar këto hollësi që më përpara. A do t’u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve profetike? (2 Pjet. 1:19) Tani është koha të marrim anën e Jehovait dhe të mbështetim Mbretërinë e tij.​—Zbul. 14:6, 7.

[Shënimet]

^ par. 3 Në Bibël numri dhjetë shpesh simbolizon plotësi​—në këtë rast, grupin e plotë të të gjitha mbretërive që dolën nga Perandoria Romake.

^ par. 5 Ndonëse elementët përbërës të fuqisë botërore dyshe kanë ekzistuar që në shekullin e 18-të, Gjoni e përshkruan atë fuqi siç do të shfaqej në fillim të ditës së Zotërisë. Në fakt, përmbushja e vegimeve të dokumentuara te Zbulesa ndodh gjatë ‘ditës së Zotërisë’. (Zbul. 1:10) Gjatë Luftës I Botërore, Britania dhe Shtetet e Bashkuara filluan të bashkëpunonin si një fuqi e vetme botërore.

^ par. 8 Danieli parashikoi shkatërrimin e tmerrshëm që do të shkaktonte ky mbret gjatë asaj lufte: «Ai do të shkaktojë rrënim në mënyrë të mrekullueshme [të tmerrshme].» (Dan. 8:24) Për shembull, Shtetet e Bashkuara shkaktuan një rrënim të tmerrshëm në shkallë të paparë kur hodhën dy bomba atomike kundër një armiku të fuqisë botërore dyshe.

^ par. 13 Shih librin Zbulesa​—Plotësimi i saj madhështor është afër!, faqet 240, 241, 253.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 17]

CILËVE U REFEROHET SHPREHJA «TË GJITHA KËTYRE MBRETËRIVE»?

Profecia te Danieli 2:44 thotë se Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive». Kjo profeci u referohet vetëm mbretërive të paraqitura me anë të pjesëve të ndryshme të kësaj shëmbëlltyre.

Por, ç’të themi për të gjitha qeveritë e tjera njerëzore? Profecia paralele te Zbulesa tregon një tablo më të gjerë. Ajo zbulon se «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen kundër Jehovait në ‘ditën e madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. (Zbul. 16:14; 19:19-21) Kështu, në Harmagedon nuk do të shkatërrohen vetëm mbretëritë e shëmbëlltyrës, por edhe të gjitha qeveritë e tjera njerëzore.