Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të vësh në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait?

Pse të vësh në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait?

Pse të vësh në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait?

«Me gojën time do të tregoj drejtësinë tënde, veprat e shpëtimit tënd gjithë ditën.»​—PSAL. 71:15.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

Cilët faktorë përcaktuan rrjedhën e jetës së Noesë, Moisiut, Jeremisë dhe Pavlit?

Çfarë do të të ndihmojë të vendosësh se ç’do të bësh në jetë?

Pse je i vendosur të vësh në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait?

1, 2. (a) Ç’tregon një person kur i kushtohet Jehovait? (b) Ç’dobi nxjerrim duke shqyrtuar zgjedhjet që bënë Noeja, Moisiu, Jeremia dhe Pavli?

KUR bëhesh ithtar i kushtuar dhe i pagëzuar i Jezuit, hedh një hap shumë të rëndësishëm. Kushtimi ndaj Perëndisë është vendimi më i rëndësishëm që mund të marrësh. Është njësoj sikur të thuash: «Jehova, dua që ti të jesh Zotëria im në çdo aspekt të jetës. Unë jam shërbëtori yt. Dua që ti të përcaktosh si do ta përdor kohën, cilat duhet të jenë përparësitë e mia dhe si duhet t’i përdor talentet e gjithçka që kam.»

2 Në thelb, ky është premtimi që i ke bërë Jehovait nëse je një i krishterë i kushtuar. Je për t’u lavdëruar për këtë vendim; ke bërë atë që ishte e drejtë dhe e mençur. Mirëpo, tani që e ke pranuar Jehovain si Zotërinë tënd, si po e përdor kohën? Shembujt e Noesë, Moisiut, Jeremisë dhe apostullit Pavël mund të na ndihmojnë të shqyrtojmë këtë pyetje. Secili prej tyre i shërbeu Jehovait me gjithë shpirt. Situata jonë është e ngjashme. Vendimet që ata morën, treguan se cilat ishin përparësitë e tyre dhe mund të na inkurajojnë të shqyrtojmë si po e përdorim kohën.​—Mat. 28:19, 20; 2 Tim. 3:1.

PARA PËRMBYTJES

3. Në ç’kuptim ditët tona janë të ngjashme me ato të Noesë?

3 Jezui e krahasoi kohën e Noesë me kohën tonë. Ai tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» Ata «hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». (Mat. 24:37-39) Sot, pjesa më e madhe e njerëzve nuk duan t’ia dinë se jetojmë në kohë urgjente. Nuk u kushtojnë vëmendje paralajmërimeve që shpallin shërbëtorët e Perëndisë. Madje, shumë tallen me idenë se Perëndia do të ndërhyjë në punët e njerëzimit​—ashtu si bënë njerëzit në ditët e Noesë. (2 Pjet. 3:3-7) Megjithatë, si e përdori Noeja kohën në atë ambient armiqësor?

4. Si e përdori Noeja kohën pasi Jehovai i dha caktimin dhe përse?

4 Pasi Perëndia e njoftoi për qëllimet e tij dhe i dha caktimin, Noeja ndërtoi një arkë për të ruajtur gjallë njerëzit dhe kafshët. (Zan. 6:13, 14, 22) Gjithashtu, shpalli gjykimin që do të sillte Jehovai. Apostulli Pjetër e quan «një predikues të drejtësisë». Kjo shprehje tregon se Noeja u përpoq t’i ndihmonte të tjerët të kuptonin sa e rëndë ishte situata. (Lexo 2 Pjetrit 2:5.) A mendon se do të ishte e arsyeshme që Noeja dhe familja e tij t’i përqendronin përpjekjet për të ndërtuar një biznes, për t’u shquar mes bashkëkohësve të tyre ose për të ngritur një mënyrë jetese të rehatshme? Sigurisht që jo! Duke e ditur se çfarë pritej të ndodhte, ata i shmangën këto shpërqendrime.

ZGJEDHJET E NJË PRINCI EGJIPTIAN

5, 6. (a) Për çfarë ka të ngjarë që do ta përgatiste Moisiun arsimimi që mori? (b) Pse i shmangu Moisiu mundësitë që i ofroheshin në Egjipt?

5 Le të shohim tani shembullin e Moisiut. Ai u rrit në një pallat mbretëror egjiptian si biri i adoptuar i bijës së faraonit. Si një princ i ri, u arsimua me «gjithë mençurinë e egjiptianëve». (Vep. 7:22; Dal. 2:9, 10) Ka të ngjarë që qëllimi i këtij arsimimi të ketë qenë përgatitja për karrierën në oborrin e faraonit. Mund të ishte bërë njeri i shquar në qeverinë më të fuqishme të kohës, të kishte luksin, privilegjet dhe kënaqësitë që mund t’i ofronte ajo pozitë. Por, a synonte Moisiu të gëzonte kënaqësinë që sillnin këto gjëra?

6 Falë stërvitjes që kishte marrë më parë nga prindërit e vërtetë, ka të ngjarë që Moisiu ta ketë ditur se çfarë u kishte premtuar Jehovai paraardhësve të tij, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Moisiu tregoi besim tek ato premtime. Duhet të ketë menduar me kujdes për të ardhmen dhe besnikërinë ndaj Jehovait. Prandaj, çfarë vendosi të bënte kur erdhi momenti të zgjidhte nëse do të jetonte si princ egjiptian apo si skllav izraelit? Moisiu zgjodhi «të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit». (Lexo Hebrenjve 11:24-26.) Më vonë, ndoqi drejtimin e Jehovait se si duhej ta përdorte jetën. (Dal. 3:2, 6-10) Pse veproi ashtu Moisiu? Sepse u besonte premtimeve të Perëndisë. Arriti në përfundimin se për të nuk kishte të ardhme në Egjipt. Në të vërtetë, shpejt Perëndia e dërrmoi atë komb me dhjetë plagë. A e kupton ç’mësim nxjerrin nga kjo shërbëtorët e sotëm të kushtuar të Jehovait? Në vend që të përqendrohemi te karriera ose te çdo kënaqësi e këtij sistemi, duhet të përqendrohemi te Jehovai dhe shërbimi ndaj tij.

JEREMIA E DINTE Ç’DO TË NDODHTE

7. Në ç’kuptim situata e Jeremisë ishte e ngjashme me tonën?

7 Një njeri tjetër që e vuri në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait, ishte profeti Jeremia. Jehovai e caktoi Jereminë si profetin e tij që të predikonte mesazhin e gjykimit kundër Jerusalemit dhe Judës apostate. Në njëfarë kuptimi, Jeremia jetoi «në ditët e fundit». (Jer. 23:19, 20) Ai e dinte fare mirë se sistemi ku jetonte nuk do ta kishte të gjatë.

8, 9. (a) Pse duhej ndrequr mënyra e të menduarit e Barukut? (b) Ç’duhet të mbajmë ndër mend kur bëjmë plane?

8 Çfarë nuk bëri Jeremia falë bindjeve të tij? Nuk u përpoq ta ndërtonte të ardhmen në atë sistem që e kishte marrë tashmë dënimin. S’do të kishte kuptim, apo jo? Gjithsesi, sekretari i Jeremisë, Baruku, nuk i shihte gjërat qartë për njëfarë kohe. Prandaj, Perëndia e frymëzoi Jereminë t’i thoshte sekretarit: «Ja, atë që kam ndërtuar, do ta shemb, dhe atë që kam mbjellë, do ta shkul, po, gjithë vendin. Por ti kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko! Sepse unë do të sjell një gjëmë mbi çdo mish, . . . kurse ty do të të jap si plaçkë shpirtin tënd në gjithë vendet ku do të shkosh.»​—Jer. 45:4, 5.

9 Nuk jemi të sigurt se çfarë ‘gjërash të mëdha’ po kërkonte Baruku për veten. * Mirëpo ajo që dimë, është se ato gjëra nuk kishin të ardhme, se do të merrnin fund kur babilonasit të pushtonin Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. A e kupton mësimin për ne? Që të sigurojmë nevojat e jetës, duhet të bëjmë disa plane për të ardhmen. (Prov. 6:6-11) Por, sa e mençur do të ishte të shpenzonim shumë kohë dhe energji për gjëra që s’kanë vlerë të përhershme? Sigurisht, organizata e Jehovait vazhdon të bëjë plane për Salla Mbretërie të reja, për ndërtesa degësh dhe për projekte të tjera teokratike. Sidoqoftë, këto përpjekje kanë të ardhme, sepse objektivi i tyre është të çojnë përpara interesat e Mbretërisë. Është me vend që të gjithë shërbëtorët e kushtuar të Jehovait të vënë përparësi të tilla kur bëjnë plane. A je i bindur me gjithë zemër se ‘po kërkon në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e [Jehovait]’?​—Mat. 6:33.

«I KONSIDEROJ SIKUR TË JENË SHUMË PLEHRA»

10, 11. (a) Ku i kishte përqendruar Pavli përpjekjet para se të bëhej i krishterë? (b) Pse synimet e Pavlit ndryshuan kryekëput?

10 Së fundi, të shqyrtojmë shembullin e Pavlit. Përpara se të bëhej i krishterë, karriera e tij dukej mjaft premtuese. Kishte studiuar ligjin judaik me një nga mësuesit më të famshëm të kohës. Kishte marrë autoritet nga kryeprifti i judenjve. Në judaizëm po përparonte më tepër se shumë nga bashkëkohësit e tij. (Vep. 9:1, 2; 22:3; 26:10; Gal. 1:13, 14) Mirëpo, të gjitha këto ndryshuan kur Pavli e kuptoi se Jehovai nuk po i bekonte më judenjtë si komb.

11 Pavli e kuptoi se nga pikëpamja e Jehovait, karriera në sistemin judaik nuk kishte as vlerë, as të ardhme. (Mat. 24:2) Ky farise i dikurshëm shkoi deri aty sa tha se, në krahasim me kuptueshmërinë e re e të qartë që kishte për qëllimet e Perëndisë dhe privilegjin e shërbimit si i krishterë, ato që më parë mendonte se ishin të rëndësishme, tani i konsideronte si «shumë plehra». Pavli i braktisi synimet që kishte në judaizëm dhe ia kushtoi predikimit të lajmit të mirë pjesën e mbetur të jetës në tokë.​—Lexo Filipianëve 3:4-8, 15; Vep. 9:15.

SHQYRTO PËRPARËSITË

12. Ku u përqendrua Jezui pas pagëzimit?

12 Noeja, Moisiu, Jeremia, Pavli dhe shumë të tjerë si ata, e shpenzuan pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive duke ndjekur synime teokratike. Janë shembuj të mirë për ne. Natyrisht, Jezui është shembulli më i madh nga të gjithë shërbëtorët e Jehovait. (1 Pjet. 2:21) Pasi u pagëzua, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në tokë duke predikuar lajmin e mirë dhe duke i dhënë nderim Jehovait. Përfundimi i qartë që duhet të nxjerrë një i krishterë që e pranon Jehovain si Zotërinë e vet, është se shërbimi ndaj Tij duhet të ketë përparësi në jetë. A e ke ti këtë përparësi? Si mund të pajtohen synimet teokratike me aktivitetet e tjera të nevojshme të jetës?​—Lexo Psalmin 71:15; 145:2.

13, 14. (a) Çfarë janë të inkurajuar të shqyrtojnë të gjithë të krishterët e kushtuar? (b) Ç’kënaqësi mund të përjetojnë shërbëtorët e Perëndisë?

13 Përgjatë viteve, organizata e Jehovait i ka inkurajuar vazhdimisht të krishterët të shqyrtojnë në lutje mundësinë për të shërbyer si pionierë. Për arsye të ndryshme, rrethanat nuk i lejojnë disa shërbëtorë besnikë të Jehovait të kalojnë në predikim mesatarisht 70 orë në muaj. Nuk duhet të ndihen keq për këtë. (1 Tim. 5:8) Po rrethanat e tua, si janë? A është vërtet e pamundur të shërbesh si pionier?

14 Kujto sa të gëzuar ishin shumë shërbëtorë të Perëndisë gjatë periudhës së Përkujtimit të këtij viti. Gjatë muajit mars, falë një mase të veçantë, pionierët ndihmës patën mundësi të zgjidhnin për të bërë 30 ose 50 orë shërbim. (Psal. 110:3) Miliona veta shërbyen si pionierë ndihmës dhe kongregacionet rrezatonin gëzim e kënaqësi të jashtëzakonshme. A mund t’i rregullosh punët në mënyrë që ta përjetosh më shpesh këtë gëzim? Ç’kënaqësi është për një të krishterë të kushtuar që në fund të çdo dite të thotë: «Jehova, bëra gjithë sa munda në shërbim.»

15. Ç’objektiv duhet të ketë një i ri i krishterë në lidhje me arsimimin në botë?

15 Nëse je i ri dhe në mbarim të arsimimit të nevojshëm, ka të ngjarë të jesh me shëndet të mirë dhe me pak përgjegjësi. A ke menduar ndonjëherë seriozisht të hysh në radhët e pionierëve të rregullt? S’ka dyshim që mësuesit besojnë sinqerisht se është për të mirën tënde të ndjekësh shkollën e lartë e të planifikosh të bësh karrierë në botë. Megjithatë, siguria e tyre bazohet te një sistem shoqëror e financiar pa të ardhme të përhershme. Nga ana tjetër, po të ndjekësh karrierën teokratike, do të kesh synime të përhershme dhe që ia vlejnë vërtet. Do të jesh duke ndjekur shembullin e përsosur të Jezuit. Ky vendim i mençur do të të bëjë të lumtur. Do të të mbrojë dhe do të tregojë se je i vendosur të jetosh në lartësinë e kushtimit ndaj Jehovait.​—Mat. 6:19-21; 1 Tim. 6:9-12.

16, 17. Cilat pyetje lindin në lidhje me punën dhe me synime të tjera?

16 Sot, shumë shërbëtorë të Perëndisë punojnë me orë të tëra që të kujdesen për nevojat bazë të familjeve. Mirëpo, disa mund të punojnë më shumë se ç’kanë nevojë. (1 Tim. 6:8) Bota tregtare po bën çmos që të na mbushë mendjen se s’mund të jetojmë dot pa produktet e saj të shumta dhe pa çdo model të ri që del në treg. Por të krishterët e vërtetë nuk lejojnë që bota e Satanait t’u diktojë se cilat duhet të jenë përparësitë e tyre. (1 Gjon. 2:15-17) Ata që kanë dalë në pension, s’kanë mënyrë më të mirë për të përdorur kohën, sesa të shërbejnë si pionierë, duke vënë në radhë të parë shërbimin ndaj Jehovait.

17 Të gjithë shërbëtorët e kushtuar të Jehovait mund të pyesin veten: «Cili është synimi im parësor në jetë? A po vë në radhë të parë interesat e Mbretërisë? A po imitoj qëndrimin vetëmohues të Jezuit? A po ia vë veshin këshillës së Jezuit për ta ndjekur vazhdimisht? A mund ta përshtat programin që t’i kushtoj më shumë kohë veprës së predikimit për Mbretërinë ose synimeve të tjera teokratike? Edhe nëse për momentin rrethanat nuk më lejojnë të zgjeroj shërbimin, a po vazhdoj të kultivoj një frymë vetëmohuese?»

«TË KENI VULLNET DHE TË VEPRONI»

18, 19. Për çfarë mund të lutesh dhe përse kjo kërkesë do t’i pëlqejë Jehovait?

18 Ç’kënaqësi është të shohësh zellin e popullit të Perëndisë! Megjithatë, disa mund të mos ndihen veçanërisht të prirur që të shërbejnë si pionierë ose mund të mendojnë se nuk kualifikohen, ndonëse rrethanat do t’ua lejonin. (Dal. 4:10; Jer. 1:6) Ç’mund të bëjnë? A nuk është ky një argument i përshtatshëm për t’u lutur? Patjetër. Pavli u tha bashkëbesimtarëve: «Në saje të pëlqimit të tij [Jehovai], po vepron brenda jush, me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» (Filip. 2:13) Nëse nuk ndihesh i motivuar për të zgjeruar shërbimin, kërkoji Jehovait të të japë dëshirën dhe aftësinë për ta bërë këtë.​—2 Pjet. 3:9, 11.

19 Noeja, Moisiu, Jeremia, Pavli dhe Jezui ishin të gjithë burra të përkushtuar. E përdorën kohën dhe energjinë që të shpallnin mesazhin paralajmërues të Jehovait. Nuk lejuan të shpërqendroheshin. Fundi i sistemit të tanishëm është afër; prandaj, të gjithë ne që ia kemi kushtuar jetën Perëndisë, duhet të sigurohemi se po vazhdojmë të bëjmë çmos për të ndjekur këta shembuj të shkëlqyer biblikë. (Mat. 24:42; 2 Tim. 2:15) Në këtë mënyrë, mund t’i pëlqejmë Jehovait e të korrim bekimet e tij të pasura.​—Lexo Malakinë 3:10.

[Shënimet]

^ par. 9 Shih librin Perëndia na flet nëpërmjet Jeremisë, faqet 104-106.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Njerëzit nuk ia vunë veshin paralajmërimit të Noesë

[Figura në faqen 24]

A ke menduar seriozisht të hysh në radhët e pionierëve të rregullt?