Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Për këtë do të shpërbleheni»

«Për këtë do të shpërbleheni»

«Për këtë do të shpërbleheni»

NË KRYE të ushtrisë së tij, mbreti Asa rend teposhtë luginës së thellë. Ai lëshohet nga zona malore e Judesë deri në dystinën bregdetare. Aty ku lugina zgjerohet, Asa ndalet dhe ngrin i tëri. Poshtë tij sheh një kamp armik​—dhe sa i madh që është! Trupat etiopase duket se arrijnë në një milion, pa ekzagjerim. Ushtria e Asës është veç pak më shumë se gjysma e tyre.

Përballë betejës që kanoset, ku e ka mendjen Asa? T’u japë urdhra gjeneralëve? Të inkurajojë njerëzit e tij? T’i çojë letra familjes? Jo, aspak! Para këtij halli të madh, Asa lutet.

Para se të flasim për atë lutje dhe të analizojmë çfarë ndodhi në atë rast, le të shohim çfarë njeriu ishte Asa. Ç’gjë e shtyu të vepronte ashtu si veproi? A kishte arsye të besonte se Perëndia do ta ndihmonte? Tregimi për Asën na mëson se si Jehovai e bekon atë që bëjnë shërbëtorët e tij.

EMRI QË BËRI ASA

Gjatë 20 viteve që pasuan ndarjen e Izraelit në dy mbretëri, Juda ishte zhytur deri në fyt në praktika pagane. Kur u bë mbret Asa, në vitin 977 p.e.s., edhe oborri mbretëror ishte njollosur me adhurimin e perëndive kananite të pjellorisë. Megjithatë, në kronikën e frymëzuar që flet për mbretërimin e Asës thuhet se ai «bëri atë që ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Jehovait, Perëndisë së tij». Asa «hoqi altarët e huaj dhe vendet e larta, bëri copë-copë kolonat e shenjta dhe rrëzoi shtyllat e shenjta». (2 Kron. 14:2, 3) Veç këtyre, Asa dëboi nga mbretëria e Judës «prostitutat-meshkuj të tempullit» që praktikonin sodominë nën petkun e fesë. Asa nuk u mjaftua vetëm me këto spastrime. Ai e nxiti popullin «të kërkonte Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre, dhe të zbatonte ligjin dhe urdhërimet» e Tij.​—1 Mbret. 15:12, 13; 2 Kron. 14:4.

I kënaqur nga zelli i Asës për adhurimin e vërtetë, Jehovai e shpërbleu me shumë vite paqe. Prandaj, mbreti mundi të thoshte: «Kemi kërkuar Jehovain, Perëndinë tonë. Ne e kemi kërkuar dhe ai na jep prehje rreth e qark.» Populli e shfrytëzoi këtë situatë për të fortifikuar qytetet e mbretërisë së Judës. Tregimi i Biblës thotë: «Ata ndërtuan dhe patën sukses.»​—2 Kron. 14:1, 6, 7.

NË SHESHIN E BETEJËS

Ndërsa mendojmë se si ishte Asa, nuk ka pse të habitemi që ai u lut kur u gjend përballë ushtrisë më të madhe që përmendet në Shkrime. Asa e dinte se Perëndia i shpërblente veprat e besimit. Në lutjen e tij, mbreti i kërkoi me ngulm Jehovait ndihmë. Asa e kuptoi se nëse e linte veten në duart e Perëndisë dhe kishte mbështetjen e tij, s’kishte rëndësi sa i madh në numër ose i fuqishëm ishte armiku. Në këtë konflikt përfshihej emri i Jehovait, ndaj Asa iu lut Perëndisë mbi këtë bazë. Mbreti u përgjërua: «Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme! O Jehova, ti je Perëndia ynë! Mos lër që njeriu i vdekshëm të dalë më i fortë se ti!» (2 Kron. 14:11) Ishte sikur të thoshte: «Pushtimi i etiopasve është sulm kundër teje, o Jehova. Mos lër që emri yt të çnderohet duke lejuar që ca njerëz të dobët të mposhtin ata që mbajnë emrin tënd.» Kështu «Jehovai i mundi etiopasit para Asës e para Judës, dhe etiopasit ia mbathën».​—2 Kron. 14:12.

Sot, populli i Jehovait përballet me shumë kundërshtarë të fuqishëm. Ne nuk do t’i luftojmë me armë në sheshin e betejës. Por mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i shpërblejë me fitore të gjithë besnikët që bëjnë luftën frymore në emër të tij. Betejat tona personale mund të përfshijnë përpjekjet për t’i rezistuar frymës mbizotëruese të shthurjes morale, për të luftuar dobësitë tona ose për të mbrojtur familjen nga ndikimet ndotëse. Megjithatë, para çfarëdolloj vështirësie, mund të gjejmë inkurajim në lutjen e Asës. Fitorja e tij ishte fitorja e Jehovait. Ajo tregoi se çfarë mund të presin të gjithë ata që mbështeten te Perëndia. Asnjë fuqi njerëzore s’mund t’i bëjë ballë Jehovait.

INKURAJIM DHE NJË PARALAJMËRIM

Kur po kthehej nga beteja, Asa takoi profetin Azariah. Ky e inkurajoi dhe e paralajmëroi: «O Asë, gjithë Juda dhe Beniamini, më dëgjoni! Jehovai do të jetë me ju për sa kohë të jeni me të. Nëse e kërkoni, ai do t’ju lërë ta gjeni, por nëse e braktisni, do t’ju braktisë. . . . E pra, jini guximtarë dhe të mos ju lëshojë zemra, sepse për këtë do të shpërbleheni.»​—2 Kron. 15:1, 2, 7.

Këto fjalë mund të na e forcojnë besimin. Ato tregojnë se Jehovai do të jetë me ne për aq kohë sa i shërbejmë me besnikëri. Kur i thërrasim për ndihmë mund të jemi të sigurt se ai na dëgjon. «Jini guximtarë»,—tha Azariahu. Shpesh duhet shumë guxim për të bërë atë që është e drejtë, por e dimë se me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalim.

Gjyshja e Asës, Makaha, kishte bërë «një idhull të llahtarshëm për adhurimin e shtyllës së shenjtë», ndaj nga Asa pritej që ta hiqte atë nga pozita si «nëna mbretëreshë» dhe kjo s’ishte aspak e lehtë. Ai nuk i bëri bisht detyrës dhe dogji edhe idhullin e saj. (1 Mbret. 15:13) Asa u bekua për vendosmërinë dhe guximin e tij. Edhe ne duhet të mbështetemi në mënyrë të paepur te Jehovai dhe normat e tij të drejta, edhe nëse të afërmit tanë nuk janë besnikë ndaj tij. Nëse e bëjmë këtë, Jehovai do të na shpërblejë për besnikërinë tonë.

Një pjesë e shpërblimit të Asës ishte që pa shumë izraelitë nga mbretëria apostate veriore të dyndeshin në Judë ngaqë kuptuan se Jehovai ishte me të. Ata e vlerësonin aq shumë adhurimin e pastër, sa zgjodhën të linin shtëpitë që të jetonin mes shërbëtorëve të Jehovait. Pas kësaj, Asa dhe gjithë Juda me gëzim bënë ‘një besëlidhje për të kërkuar Jehovain me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt’. Rezultati? Perëndia «i la ta gjenin. Dhe Jehovai vazhdoi t’u jepte prehje ngado». (2 Kron. 15:9-15) Sa gëzojmë ne kur ata që e duan drejtësinë përqafojnë adhurimin e pastër të Jehovait!

Megjithatë, fjalët e profetit Azariah përmbanin edhe një paralajmërim. Ai tha: «Nëse e braktisni, [Jehovai] do t’ju braktisë.» Kjo mos ndodhtë kurrë me ne, sepse pasojat mund të jenë tragjike! (2 Pjet. 2:20-22) Në Shkrime nuk tregohet pse Jehovai i dha këtë paralajmërim Asës, gjithsesi mbreti nuk ia vuri veshin.

«KE VEPRUAR PA MEND»

Në vitin e 36-të të mbretërimit të Asës, mbreti i Izraelit, Baasha, ndërmori sulme kundër Judës. Mbase që të mos i linte nënshtetasit e tij t’i tregonin besnikëri Asës dhe adhurimit të pastër, Baasha nisi të fortifikonte qytetin kufitar të Ramahut, tetë kilometra në veri të Jerusalemit. Në vend që t’i kërkonte ndihmë Perëndisë, siç kish bërë kur ishte gjendur para sulmit të etiopasve, Asa u kërkoi ndihmë njerëzve. Ai i nisi një dhuratë mbretit të Sirisë dhe i kërkoi të sulmonte mbretërinë veriore të Izraelit. Pas disa sulmeve të sirianëve, Baasha u tërhoq nga Ramahu.​—2 Kron. 16:1-5.

Jehovai ishte i pakënaqur me Asën dhe dërgoi profetin Hanan që t’ia thoshte. I vetëdijshëm për atë që u kishte bërë Jehovai etiopasve, Asa duhej të kishte mësuar se «sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij». Mbase Asës i dhanë këshilla jo të mira ose ai nuk e konsideroi Baashën dhe trupat e tij një kërcënim të madh e mendoi se mund t’ia dilte me forcat e veta. Sidoqoftë, Asa përdori arsyetimin njerëzor dhe nuk u mbështet te Jehovai. «Në këtë rast ti ke vepruar pa mend,—tha Hanani,—dhe që tani e tutje kundër teje do të ketë luftëra.»​—2 Kron. 16:7-9.

Asa reagoi keq. I tërbuar, ai e mbërtheu profetin Hanan në fallaka. (2 Kron. 16:10) Asa mund të ketë menduar: «A e meritoj këtë qortim pasi kam shërbyer kaq shumë vjet me besnikëri?» Tani në moshë të shkuar, mos vallë kishte humbur arsyen? Bibla nuk e tregon.

Vitin e 39-të të mbretërimit, Asa u sëmur rëndë nga këmbët. «Edhe pse i sëmurë, ai nuk kërkoi Jehovain, por shëruesit»,—thotë tregimi. Duket se asokohe Asa e kishte lënë pas dore shëndetin e tij frymor. Me sa duket, ai vdiq vitin e 41-të të mbretërimit në këtë gjendje dhe me këtë prirje mishore të mendjes.​—2 Kron. 16:12-14.

Megjithatë, cilësitë e mira të Asës dhe zelli për adhurimin e pastër, duket se i tejkalonin gabimet e tij. Ai nuk reshti së shërbyeri Jehovait. (1 Mbret. 15:14) Atëherë, nisur nga këto, çfarë mësimi nxjerrim nga jeta e tij? Na ndihmon të kuptojmë se duhet të sjellim ndër mend se si na ka ndihmuar Jehovai në të kaluarën, pasi ato kujtime të çmuara mund të na nxitin t’i lutemi që të na ndihmojë kur gjendemi para sfidave të reja. Nga ana tjetër, nuk duhet të mendojmë se nuk na duhen këshillat nga Shkrimet përderisa i kemi shërbyer me besnikëri Perëndisë për vite. Sido të ketë qenë e kaluara jonë, Jehovai do të na qortojë nëse gabojmë. Ne duhet ta pranojmë ndreqjen me butësi që të nxjerrim dobi. Mbi të gjitha, Ati ynë qiellor do të jetë me ne për aq kohë sa ne jemi me të. Sytë e Jehovait kërkojnë në të katër cepat e tokës ata që veprojnë me besnikëri ndaj tij. Ai i shpërblen duke treguar fuqinë e tij në dobi të tyre. Kështu bëri Jehovai me Asën dhe mund ta bëjë edhe me ne.

[Diçitura në faqen 9]

Jehovai i shpërblen besnikët që bëjnë luftën frymore

[Diçitura në faqen 10]

Kërkohet guxim për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait