Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Mësoji fëmijët

Gehazi e pësoi keq nga lakmia

Gehazi e pësoi keq nga lakmia

A KE dashur ndonjëherë ta kesh se s’bën një gjë? . . . * Nëse po, s’je i vetmi. Por, a duhet të përpiqesh ta marrësh atë që do duke gënjyer? . . . Jo, nuk duhet. Kush vepron kështu, është lakmitar. Ja të shohim se si e pësoi keq nga lakmia një burrë që quhej Gehaz. Ai ishte shërbëtor i Eliseut, i një profeti të Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Eliseu dhe Gehazi kanë jetuar shumë kohë më parë, rreth një mijë vjet para se të lindte në tokë Biri i Perëndisë, Jezui. Jehovai e përdori Eliseun që të bënte gjëra vërtet të papara, domethënë të kryente mrekulli. Për shembull, Bibla flet për një burrë të shquar në ushtrinë siriane që kishte sëmundjen e keqe të lebrës. Askush nuk e shëronte dot, por ja, Eliseu e shëron.

Eliseu asnjëherë nuk pranon pará kur Perëndia e përdor që t’i ndihmojë njerëzit të shërohen. A e di pse? . . . Sepse Eliseu e di se këto mrekulli nuk vijnë nga ai vetë, por nga Jehovai. Kur shërohet, Naamani ndihet aq i lumtur, sa dëshiron t’i dhurojë Eliseut ar, argjend dhe rroba të bukura. Eliseu nuk pranon kurrsesi t’i marrë, por Gehazi vdes t’i ketë këto dhurata.

Pasi Naamani largohet, Gehazi i qepet pas pa i thënë gjë Eliseut. Kur e arrin, a e di ç’i thotë Gehazi Naamanit? . . . ‘Eliseu më dërgoi të të them se sapo na erdhën dy mysafirë. Do të donte dy palë rroba, që t’ua japë atyre burrave.’

 Por kjo është gënjeshtër. Gehazi e ka trilluar historinë e dy mysafirëve. E thotë këtë se do rrobat që Naamani u mundua t’ia jepte Eliseut. Natyrisht, Naamani, s’e di këtë. Prandaj ia jep me kënaqësi dhuratat Gehazit, e madje i jep më shumë nga ç’kërkon. A e di ç’ndodh pas kësaj? . . .

Kur Gehazi kthehet në shtëpi, Eliseu e pyet: ‘Nga ishe?’

Gehazi ia kthen: ‘Hiç, asgjëkundi.’ Mirëpo Jehovai ia ka zbuluar Eliseut se ç’ka bërë Gehazi. Prandaj, Eliseu i thotë: ‘Kjo nuk është koha për të pranuar para dhe rroba!’

Gehazi ka marrë para dhe rroba që nuk i përkasin. Kështu, Perëndia bën që Gehazin ta zërë lebra e Naamanit. Si thua, ç’mësojmë nga kjo? . . . Një gjë që mësojmë është se nuk duhet të trillojmë e të themi gjëra që s’janë të vërteta.

Pse Gehazi sajoi një gënjeshtër? . . . Ngaqë ishte lakmitar. Donte të kishte gjëra që nuk i përkitnin dhe u përpoq t’i merrte ato duke gënjyer. Si pasojë, vuajti nga një sëmundje e tmerrshme gjithë jetën.

Në të vërtetë, Gehazi pësoi diçka edhe më të keqe se lebra. A e di çfarë? . . . Humbi miratimin e Perëndisë, dashurinë e tij. Kurrë mos bëfshim diçka që ta humbim këtë! Përkundrazi, le të jemi mirëdashës dhe të gatshëm t’u japim të tjerëve.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.