Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Korrupsioni—Sa i përhapur është?

Korrupsioni—Sa i përhapur është?

«Firma jonë ofron shërbime për një autoritet lokal. Shpesh, duhet të presim dy ose tre muaj që të paguhemi për këto shërbime. Megjithatë, kohët e fundit mora një telefonatë nga një nëpunës qeveritar. Ai më ofroi përshpejtimin e pagesave, nëse një pjesë të parave do t’ia jepnim si ryshfet.»​—XHONI. *

A KE rënë ndonjëherë viktimë e korrupsionit? Ndoshta jo si rasti i mësipërm, por ka shumë mundësi që t’i kesh vuajtur pasojat e korrupsionit.

Sipas Treguesit për korrupsionin e vërejtur të vitit 2011 nga organizata Transparency International, * «pjesa më e madhe e 183 vendeve dhe territoreve që u morën në shqyrtim, pozicionoheshin poshtë pesës, në një shkallë nga 0 (tepër i korruptuar) deri në 10 (shumë i pastër)». Dy vjet më parë kjo organizatë pranoi se raporti i saj vjetor për 2009-n nxirrte në pah realitetin e përhapur të korrupsionit: «Është e qartë se asnjë rajon i botës nuk është i imunizuar nga rreziqet e korrupsionit.»

«Korrupsion do të thotë të abuzosh për përfitim personal me autoritetin e mirëbesuar. Ai lëndon të gjithë ata që e varin jetën, të ardhurat dhe lumturinë te ndershmëria e njerëzve me autoritet.»​—TRANSPARENCY INTERNATIONAL

Në disa raste, pasojat e korrupsionit mund të jenë katastrofike. Për shembull, revista Time raportonte se «korrupsioni dhe shkujdesja» ishin të paktën pjesërisht përgjegjëse për  numrin tejet të madh të vdekjeve nga tërmeti i fortë që goditi Haitin në vitin 2010. Ajo shtonte: «Ndërtesat ngrihen me pak ose aspak mbikëqyrje nga inxhinierët dhe me shumë ryshfete që u jepen të ashtuquajturve inspektorë të shtetit.»

A ka ndonjë zgjidhje jetëgjatë për plagën e korrupsionit? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë shkaqet themelore të korrupsionit. Këto do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

^ par. 4 «Treguesi për korrupsionin e vërejtur i rendit vendet sipas nivelit të korrupsionit që duket në sektorin publik.»​—Transparency International.