Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Lexuesit pyesin . . .

A varet lumturia nga martesa?

A varet lumturia nga martesa?

A mëson Bibla se duhet të martohesh që të jesh i kënaqur e i lumtur? Në pamje të parë mund të duket sikur Fjala e Perëndisë e mbështet këtë ide. Si?

Sipas tregimit të Zanafillës, Perëndia e pa se ‘nuk ishte mirë’ që njeriu i parë, Adami, të rrinte vetëm. Prandaj Perëndia krijoi Evën si një «plotësim» për Adamin. (Zanafilla 2:18) Fjala «plotësim» do të thotë pjesë që i shtohet diçkaje për ta bërë të plotë. Nga ky tregim ndoshta nxjerrim përfundimin se një individ s’mund të jetë i plotë, nëse nuk martohet. Përveç kësaj, disa tregime biblike e përshkruajnë martesën si burim bekimesh e gëzimi. Një shembull është historia e Ruthës.

Megjithatë, a është vërtet synimi i këtyre tregimeve të na mësojnë se të krishterët sot s’mund të jenë të lumtur, të kënaqur ose të plotë, nëse nuk martohen dhe nuk kanë fëmijë? Nuk është aspak kështu. Njeriu më i plotë e më i kënaqur që ka jetuar ndonjëherë ishte Jezu Krishti. Sidoqoftë, ai qëndroi gjithë jetën beqar. Jezui, njeriu më i mençur që ka jetuar në tokë, ishte edhe pasqyrimi i përsosur ‘i Perëndisë së lumtur’, Jehovait. (1 Timoteut 1:11; Gjoni 14:9) Jezui tregoi çfarë na duhet që të jemi të lumtur ose të bekuar në këtë botë. (Mateu 5:1-12) Në gjërat që tha, nuk e përfshiu martesën.

Pra, a është kontradiktore Bibla për këtë temë? Aspak. Duhet të shqyrtojmë martesën në bazë të qëllimit të Jehovait. Edhe pse e themeloi martesën që të ishte burim gëzimi, intimiteti dhe ngushëllimi, ndonjëherë martesa ka luajtur edhe rol kyç në përmbushjen e disa aspekteve të vullnetit të tij. Për shembull, qëllimi i Perëndisë për Adamin dhe Evën ishte që ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin dhe të mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:28) As Adami, as Eva s’e përmbushnin dot të vetëm qëllimin që u kishte thënë Perëndia. Përkundrazi, secili kishte nevojë për tjetrin dhe e plotësonte në një kuptim të veçantë.

Po ashtu, Jehovai kishte qëllime të veçanta për martesën dhe jetën familjare ndërsa përmbushte qëllimin për kombin e tij, Izraelin tokësor. Ai donte që kombi i tij të ishte i madh në numër që armiqtë të mos e mposhtnin. Gjithashtu, kishte si qëllim që nga fisi i Judës të vinte Mesia, i cili do ta shpëtonte njerëzimin besnik nga pasojat e mëkatit dhe të vdekjes. (Zanafilla 49:10) Ja pse për gratë besnike të Izraelit ishte privilegj i veçantë të martoheshin e të lindnin fëmijë; nëse jo, kjo do t’u sillte turp e hidhërim.

Ç’të themi për sot? Në lashtësi Perëndia i urdhëroi njerëzit e parë ‘të mbushnin tokën’. A janë të detyruar të krishterët që jetojnë në këtë planet që gëlon nga jeta t’i përmbahen këtij urdhri duke u martuar e duke lënë pasardhës? Jo. (Mateu 19:10-12) Gjithashtu, s’ka më nevojë që Perëndia ta mbrojë e ta ruajë linjën e Mesisë ose të mbrojë kombin nga do të lindte ai Shpëtimtar. Atëherë, ç’pikëpamje duhet të kenë të krishterët për martesën dhe beqarinë?

Në të vërtetë, si martesa, edhe beqaria mund të përshkruhen si dhurata nga Perëndia. Siç e dini, një dhuratë që dikujt i përshtatet më së miri, dikujt tjetër mund të mos i përshtatet fare. Martesa është e shenjtë dhe mund të sigurojë dashuri, shoqëri dhe një bazë të qëndrueshme për familjen. Në të njëjtën kohë, Bibla vëren me realizëm se ata që martohen në këtë botë të papërsosur do të kenë edhe probleme ose «shtrëngim në mish». Kurse beqarinë, Jehovai nuk e sheh si arsye për turp a hidhërim. Përkundrazi, Fjala e tij thotë se beqaria ka disa avantazhe të dukshme në krahasim me martesën.​—1 Korintasve 7:28, 32-35.

Kështu, Bibla na jep një pikëpamje të ekuilibruar për martesën dhe beqarinë. Jehovai, nismëtari i martesës dhe i familjes, dëshiron që të gjithë shërbëtorët e tij të jenë të lumtur e të kënaqur, beqarë a të martuar qofshin.