Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Jetëshkrim

Miq prej 60 vjetësh, e ky është vetëm fillimi

Miq prej 60 vjetësh, e ky është vetëm fillimi

Një mbrëmje vere të vitit 1951, katër djem, të gjithë në fillim të të 20-ave, në kabina telefonike përbri njëra-tjetrës në Itakë, Nju-Jork, SHBA, tërë gëzim po bënin telefonata në vende të largëta, në Miçigan, Ajoua dhe Kaliforni. Kishin një lajm të bukur për të dhënë!

SHKURTIN e atij viti, 122 pionierë u mblodhën në Lansingun Jugor, Nju-Jork, që të merrnin pjesë në klasën e 17-të të Shkollës së Galaadit. Mes misionarëve të ardhshëm ishin Louell Tërneri, Uilliam (Bill) Kasteni, Riçard Kelsei dhe Ramon Tempëlltoni. Louelli dhe Billi ishin nga Miçigani, Riçardi nga Ajoua dhe Ramoni nga Kalifornia, e shpejt u bënë shokë të ngushtë.

Nga e majta në të djathtë: Riçardi, Louelli, Ramoni dhe Billi u bënë shokë në Galaad

Pas gati pesë muajsh, të gjithë ishin shumë të emocionuar kur u njoftua se vëlla Nejthën Nori nga selia botërore, do të vinte të takonte studentët. Katër vëllezërit kishin shprehur dëshirën që, po të ishte e mundur, të shërbenin së bashku në të njëjtin vend. A do të mësonin diçka më shumë për caktimet e tyre misionare? Po, patjetër.

Ndërsa vëlla Nori filloi të njoftonte vendet ku ishin caktuar studentët, atyre u shtoheshin emocionet. Të parët që u ftuan në podium ishin ata katër djem në tension, por që u lehtësuan, pasi më në fund kuptuan se mund të qëndronin bashkë. Po ku? Të befasuar, shokët e klasës shpërthyen në duartrokitje kur u njoftua se do të dërgoheshin në Gjermani.

Dëshmitarët e Jehovait kudo ishin mrekulluar nga besnikëria e Dëshmitarëve në Gjermani prej vitit 1933 e më tej nën regjimin e Hitlerit. Shumë studentë sillnin ndër mend se kishin mbledhur rroba dhe pako me ndihma për vëllezërit e tyre evropianë pas Luftës II Botërore. Populli i Perëndisë në Gjermani ishte një shembull besimi, vendosmërie, kuraje dhe besimi të jashtëzakonshëm te Jehovai. Louelli kujton atë që i kaloi nëpër mend asokohe: «Tani do t’i njohim personalisht këta vëllezër e motra të dashura.» Ja pse të gjithë ishin aq të emocionuar dhe po u telefononin familjarëve e miqve!

DREJT GJERMANISË

Ramoni duke dhënë mësim në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë

Më 27 korrik 1951, vapori Homeland la pas dokun e lumit Ist, Nju-Jork, dhe katër shokët nisën lundrimin 11-ditor për në Gjermani. Vëlla Albert Shroderi, një nga instruktorët e Galaadit  dhe më vonë anëtar i Trupit Udhëheqës, u kishte mësuar fjalinë e parë në gjermanisht. Meqë kishte mjaft pasagjerë gjermanë në bord, menduan se mund të mësonin më shumë prej tyre. Por, me sa dukej, pasagjerët flitnin dialekte të ndryshme të gjermanishtes. Ç’ngatërresë!

Të martën në mëngjes, më 7 gusht, pasi deti i kishte bërë petë, më në fund vëllezërit shkelën në tokën gjermane, në Hamburg. Kudo shihnin vragat e luftës, e cila kishte mbaruar vetëm gjashtë vjet më parë. Ashtu të trishtuar nga ajo që panë, hipën në tren dhe udhëtuan natën për në Visbaden, ku atëherë ishte zyra e degës.

Riçardi duke punuar me një makinë adresash në Bethel, Visbaden

Të mërkurën, herët në mëngjes takuan Dëshmitarin e parë në Gjermani me një emër tipik gjerman, Hans. Ai i çoi me makinë nga stacioni i trenit në Bethel, ku i la me një motër të moshuar që nuk fliste anglisht, por që prapëseprapë nuk dorëzohej. Me sa duket, ajo mendonte se pengesa e gjuhës mund të zgjidhej thjesht duke folur me zë më të lartë. Ndonëse vazhdonte ta ngrinte zërin, si ajo edhe katër vëllezërit po bëheshin gjithnjë e më nervozë. Më në fund erdhi shërbëtori i degës, vëlla Erik Frosti, që i përshëndeti me përzemërsi në anglisht. Situata u përmirësua.

Aty nga fundi i gushtit, të katër morën pjesë në kongresin e parë në Gjermani, me temë «Adhurimi i pastër», që u mbajt në Frankfurt-mbi-Majn. Kur panë një maksimum prej 47.432 të pranishmish dhe 2.373 të pagëzuar, vëllezërve misionarë iu përtëri zelli dhe dëshira që të predikonin. Por, disa ditë më vonë, vëlla Nori u tregoi se ishin caktuar të punonin në Bethel.

Gëzimi në caktimet e tyre i bindi plotësisht se Jehovai e di gjithnjë çfarë është më e mira

Ramoni kishte pasur njëherë mundësinë të shkonte në Bethel në Shtetet e Bashkuara, por nuk kishte pranuar, ngaqë e donte shumë veprën misionare. As Riçardi, as Billi nuk e kishin çuar nëpër mend të shërbenin në Bethel. Mirëpo, gëzimi që provuan më pas në caktimet e tyre, i bindi plotësisht se Jehovai e di gjithnjë çfarë  është më e mira. Prandaj, sa e mençur është të ndjekësh drejtimin e tij, e jo dëshirat e tua! Kush arrin ta mësojë këtë, është i lumtur t’i shërbejë Jehovait kudo dhe në çdo lloj caktimi.

VERBOTEN!

Shumë në Bethelin e Gjermanisë ishin të lumtur që kishin amerikanë mes tyre për të praktikuar anglishten. Por, një ditë në dhomën e ngrënies, shpresat iu prenë në mes. Vëlla Frosti, me zellin që e karakterizonte, filloi të fliste në gjermanisht për diçka, me sa duket, goxha serioze. Askush nuk pipëtinte, por i mbanin sytë të ngulur te pjata. Të sapoardhurit, edhe pse nuk kuptonin ç’po thuhej, avash-avash e pikasën që kishte të bënte me ta. Prandaj, kur vëlla Frosti tha prerazi «VERBOTEN!» («E ndaluar!»), duke e përsëritur me më shumë volum për ta theksuar, ata u vunë në siklet. Ç’kishin bërë që arriti puna deri aty?!

Vëlla Frosti (djathtas) dhe të tjerë gjatë një vizite me vëlla Norin (majtas)

Kur mbaroi vakti, të gjithë nxituan për në dhomat e tyre. Më vonë, një vëlla na shpjegoi: «Që të na ndihmoni, ju duhet të mësoni gjermanishten. Ja pse vëlla Frosti tha se, derisa të keni mësuar gjuhën, të flasim në anglisht me ju është VERBOTEN

Familja Bethel u bind menjëherë. Kjo jo vetëm i ndihmoi të sapoardhurit të mësonin gjermanisht, por edhe u mësoi se këshillat e një vëllai të dashur, ndonëse fillimisht s’janë të lehta për t’u zbatuar, shpesh janë për të mirën tonë. Këshilla e vëlla Frostit pasqyronte interesimin e tij për mbarëvajtjen e organizatës së Jehovait dhe dashurinë e tij për vëllezërit. * S’është çudi që katër vëllezërit me kalimin e kohës filluan ta donin shumë.

MËSUAM NGA NJËRI-TJETRI

Me pushime në Zvicër në vitin 1952

Nga miq me frikë Perëndie mund të nxjerrim mësime të çmuara, të cilat na ndihmojnë të bëhemi miq më të mirë me Jehovain. Të katër mësuan mjaft nga motrat e vëllezërit besnikë gjermanë, aq të shumtë sa nuk mund të përmenden dot me emër, por mësuan edhe nga njëri-tjetri. Riçardi shpjegon: «Louelli dinte pak gjermanisht dhe po ecte mirë, ndërsa për ne të tjerët ishte një luftë. Meqë ishte edhe më i madhi, automatikisht ishte ai që na ndihmonte me gjuhën dhe që u jepte drejtim gjërave.» Ramoni kujton: «Sa u kënaqa kur një vëlla zviceran na  ofroi shtëpinë e tij malore në Zvicër, për pushimet e para që do të bënim pas një viti në Gjermani! Dy javë vetëm me njëri-tjetrin, pa u sfilitur me gjermanishten! Por harrova që me ne do të ishte edhe Louelli. Ai këmbënguli të lexonim e të diskutonim çdo mëngjes shkrimin e ditës​—në gjermanisht! U mërzita, por ai s’ndryshoi mendje. Sidoqoftë, nxorëm një mësim të çmuar. Ndiq drejtimin e atyre që kanë për zemër atë që është më e mira për ty, edhe kur nuk je dakord. Ndër vite, ky qëndrim doli për të mirën tonë dhe na e bëri më të lehtë t’i nënshtroheshim drejtimit teokratik.»

Gjithashtu, katër miqtë mësuan të çmonin pikat e forta të njëri-tjetrit, siç thuhet te Filipianëve 2:3: «Me përulësi mendjeje, [konsideroji] të tjerët si më të lartë se veten.» Prandaj, shpesh tre shokët i kërkonin Billit të merrej me çështje për të cilat ishin në një mendje se ai mund t’i trajtonte shumë më mirë. Louelli kujton: «Kur duhej ndrequr ndonjë situatë kritike ose e pakëndshme, shkonim te Billi. Ai ua gjente anën situatave të pakëndshme tamam siç e kishim ndër mend të gjithë, por që ne të tjerëve na mungonte disi guximi ose aftësia për ta bërë.»

MARTESA TË LUMTURA

Një nga një, secili prej tyre vendosi të martohej. Miqësia e tyre ishte e bazuar te dashuria për Jehovain dhe shërbimin e plotkohor, ndaj kishin vendosur të gjenin bashkëshorte që vinin Jehovain në vend të parë. Shërbimi i plotkohor u kishte mësuar se ndihesh më i kënaqur kur jep sesa kur merr, dhe se dëshirat personale s’duhet të kenë më shumë rëndësi se Mbretëria e Perëndisë. Prandaj zgjodhën motra që me nismën e tyre kishin filluar tashmë shërbimin e plotkohor. Si rezultat, patën katër martesa të forta e të lumtura.

Që një miqësi ose një martesë të zgjatë vërtet, Jehovai duhet të jetë pjesë e saj. (Ekl. 4:12) Edhe pse më vonë Billi dhe Ramoni i humbën gratë e tyre për shkak të vdekjes, të dy e provuan gëzimin dhe mbështetjen që të jep një bashkëshorte besnike. Louelli dhe Riçardi e gëzojnë ende këtë mbështetje, dhe Billi, i cili u rimartua, zgjodhi me mençuri një bashkëshorte që të mund të vazhdonin në shërbimin e plotkohor.

Në vitet që pasuan, caktimet i çuan në vende të ndryshme​—kryesisht në Gjermani, Austri, Luksemburg, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Kështu që katër shokët nuk mund të kalonin më së bashku aq kohë sa do të donin. Por, pavarësisht nga largësia, i mbajtën lidhjet, duke gëzuar për bekimet e njëri-tjetrit dhe duke qarë së bashku në hidhërimet e tyre. (Rom. 12:15) Miq të tillë duhen parë si thesar dhe miqësia me ta nuk duhet marrë si gjë e zakonshme. Janë një dhuratë e çmuar nga Jehovai. (Prov. 17:17) Sa të rrallë janë miqtë e vërtetë në botën e sotme! Mirëpo, çdo i krishterë i vërtetë mund të ketë plot të tillë.  Si Dëshmitarë të Jehovait gëzojmë miqësi me bashkëbesimtarë nga mbarë bota, e mbi të gjitha me Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin.

Si të gjithë, këta katër shokë kanë përballuar vështirësi në jetë​—dhimbjen e humbjes së bashkëshortes, stresin nga një sëmundje serioze, merakun për prindërit e moshuar që kanë pasur nevojë për kujdes, sfidat e rritjes së një fëmije ndërsa je në shërbimin e plotkohor, pështjellimin që ndien kur merr një caktim të ri teokratik dhe tani problemet e moshës së shkuar që shtohen. Gjithashtu, e kanë provuar vetë se miqtë, qoftë afër apo larg, i ndihmojnë ata që e duan Jehovain të përballojnë çdo sfidë që mund të hasin.

NJË MIQËSI ME PËRJETËSINË PËRPARA

Sa bukur ishte që Louelli, Ramoni, Billi dhe Riçardi iu kushtuan Jehovait kur ishin 18, 12, 11 dhe 10 vjeç! E të gjithë e filluan shërbimin e plotkohor mes moshës 17 e 21-vjeçare. Ata vepruan ashtu siç nxit Eklisiastiu 12:1: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.»

Nëse je një i ri i krishterë dhe i ke mundësitë, pranoje ftesën e Jehovait për të nisur shërbimin e plotkohor. Falë dashamirësisë së tij të pamerituar, ashtu si këta katër shokë, mund të provosh gëzimin që vjen duke shërbyer në veprën qarkore, krahinore e të zonës; duke shërbyer në Bethel, përfshirë në Komitetin e Degës; duke dhënë mësim në Shkollat e Shërbimit të Mbretërisë e në Shkollat e Pionierit dhe duke mbajtur fjalime në kongrese të mëdha e të vogla. Sa gëzim kanë ndier këta katër vëllezër duke ditur se dhjetëra mijë kanë nxjerrë dobi nga shërbimi i tyre! Gjithë kjo falë gatishmërisë së tyre për të pranuar ftesën e dashur të Jehovait që t’i shërbenin atij me gjithë shpirt.​—Kolos. 3:23.

Nga e majta në të djathtë: Riçardi, Billi, Louelli dhe Ramoni u takuan në Selters për kushtimin e ndërtesave të reja të degës në vitin 1984

Sot, Louelli, Riçardi dhe Ramoni po shërbejnë sërish së bashku në zyrën e degës në Gjermani, që tani është në Selters. Me keqardhje themi se Billi vdiq në vitin 2010, ndërsa shërbente si pionier special në Shtetet e Bashkuara. Një miqësi e veçantë gati 60-vjeçare, e ndërprerë nga vdekja! Por Perëndia ynë, Jehovai, nuk i harron kurrë miqtë e tij. Mund të jemi të sigurt se nën sundimin e tij Mijëvjeçar, çdo miqësi e krishterë e këputur përkohësisht nga vdekja do të rikthehet.

«Në këto 60 vite të miqësisë sonë, nuk mbaj mend ndonjë moment të pakëndshëm»

Pak para se të vdiste, Billi shkroi: «Në këto 60 vite të miqësisë sonë, nuk mbaj mend ndonjë moment të pakëndshëm. Miqësia jonë ka qenë gjithnjë shumë e veçantë për mua.» Në përgjigje të kësaj, duke pasur të qartë në mendje miqësinë e tyre në botën e re, tre miqtë shtuan shpejt: «E ky është vetëm fillimi.»

^ par. 17 Jetëshkrimi emocionues i vëlla Frostit u botua në Kullën e Rojës të 15 prillit 1961, faqet 244-249 (angl.).