Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë për ty falja e Jehovait?

Ç’do të thotë për ty falja e Jehovait?

«Jehovai [është] një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, . . . që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin.»​—DAL. 34:6, 7.

1, 2. (a) Çfarë Perëndie u tregua Jehovai për kombin e Izraelit? (b) Cila pyetje do të shqyrtohet në këtë artikull?

NË DITËT e Nehemisë, një grup levitësh pohuan në një lutje publike se paraardhësit e tyre vazhdimisht ‘nuk kishin pranuar të dëgjonin’ urdhërimet e Jehovait. Megjithatë, shumë herë, Jehovai u tregua ‘një Perëndi që fal, hirmadh e i mëshirshëm, që nuk zemërohet shpejt e plot me dashamirësi’. Ai po vazhdonte t’u tregonte dashamirësi të pamerituar të mërguarve të kohës së Nehemisë që ishin riatdhesuar.​—Neh. 9:16, 17.

2 Secili prej nesh mund të pyesë veten: «Ç’do të thotë për mua falja e Jehovait?» Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje të rëndësishme, le të shqyrtojmë marrëdhënien e Perëndisë me dy burra që nxorën dobi nga falja e Jehovait, Davidi dhe Manaseu, dy mbretër.

MËKATET E RËNDA TË DAVIDIT

3-5. Cilat mëkate të rënda kreu Davidi?

3 Ndonëse i frikësohej Perëndisë, Davidi kreu mëkate të rënda. Dy prej tyre kishin të bënin me një çift të martuar, Uriahun dhe Betshebën. Pasojat e këtyre mëkateve ishin të dhembshme për të gjithë ata që u përfshinë. Gjithsesi, mënyra si e ndreqi Jehovai Davidin zbulon shumë për faljen e Tij. Të shqyrtojmë ç’ndodhi.

4 Davidi e dërgoi ushtrinë e Izraelit të rrethonte kryeqytetin amonit, Rabahun. Ai ndodhej rreth 80 kilometra në lindje të Jerusalemit, matanë lumit Jordan. Ndërkohë, nga tarraca e pallatit të tij në Jerusalem, Davidi pa tek lahej Betshebën, një grua të martuar. Burri i saj ndodhej larg. Davidi e dëshiroi aq shumë Betshebën, saqë dërgoi lajmëtarë ta  sillnin në pallat dhe kreu kurorëshkelje me të.​—2 Sam. 11:1-4.

5 Kur Davidi mori vesh se Betsheba ishte shtatzënë, thirri në Jerusalem të shoqin, Uriahun, me shpresë që ai të kryente marrëdhënie me të. Por, Uriahu as nuk donte të hynte në shtëpinë e vet, pavarësisht se Davidi e nxiti shumë që të shkonte. Prandaj, mbreti i shkroi fshehurazi komandantit të ushtrisë së tij që ta vinte Uriahun «në ballë të sulmeve më të ashpra të betejës» dhe ushtarët e tjerë të tërhiqeshin nga ai. Duke qenë kështu një shënjestër e lehtë, Uriahu vdiq në betejë, siç e kishte planifikuar Davidi. (2 Sam. 11:12-17) Në këtë mënyrë, mëkati i kurorëshkeljes i mbretit u rëndua nga vrasja e një njeriu të pafajshëm.

DAVIDI NDRYSHON QËNDRIM

6. Si reagoi Perëndia ndaj mëkateve të Davidit? Ç’tregon kjo për Jehovain?

6 Natyrisht, Jehovai pa gjithçka që ndodhi. Asgjë nuk u shpëton syve të tij. (Prov. 15:3) Megjithëse më pas mbreti u martua me Betshebën, «kjo që kishte bërë Davidi ishte e keqe në sytë e Jehovait». (2 Sam. 11:27) Atëherë, si reagoi Perëndia ndaj mëkateve të rënda të Davidit? Ai dërgoi te Davidi profetin Natan. Si Perëndi që fal, me sa duket, Jehovai dëshironte të gjente një bazë për të treguar mëshirë. A nuk të ngroh zemrën kjo mënyrë të vepruari nga Jehovai? Ai nuk e detyroi Davidin të rrëfehej, por thjesht i tha Natanit t’i tregonte mbretit një histori që ilustronte sa të këqija ishin mëkatet e tij. (Lexo 2 Samuelit 12:1-4.) Sa e efektshme ishte kjo mënyrë për të trajtuar këtë situatë delikate!

7. Si reagoi Davidi kur dëgjoi tregimin e Natanit?

7 Ilustrimi i Natanit ngjalli te mbreti ndjenjën e drejtësisë. Davidit iu ndez zemërimi kundër të pasurit në atë tregim dhe i tha Natanit: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, njeriu që e ka bërë këtë e ka hak vdekjen!» Për më tepër, Davidi tha se viktima e kësaj padrejtësie duhej dëmshpërblyer për çfarë kishte humbur. Por, pastaj erdhi një goditje e fuqishme. «Ti je ai njeri!»—iu drejtua Natani. Pas kësaj, Davidit iu tha se si pasojë e veprimeve të veta, «shpata» nuk do të largohej nga shtëpia dhe mbi familjen e tij do të vinte gjëma. Gjithashtu, do të poshtërohej publikisht për fajet e tij. Davidi e kuptoi ç’gjë të rëndë kishte bërë dhe pranoi me zemër të vrarë: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.»​—2 Sam. 12:5-14.

LUTJA E DAVIDIT DHE FALJA E PERËNDISË

8, 9. Si zbulon Psalmi 51 mendimet më të thella të Davidit dhe çfarë na mëson për Jehovain?

8 Fjalët e këngës që thuri më pas Davidi, zbulojnë se e kishte ndërgjegjen të vrarë. Psalmi 51 përmban përgjërimet prekëse të Davidit drejtuar Jehovait dhe tregon qartë se ai nuk u mjaftua vetëm duke pranuar fajet. Ai edhe u pendua për mëkatet. Davidi merakosej në radhë të parë për marrëdhënien me Perëndinë. «Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar»,—u rrëfye ai. Davidi iu përgjërua Jehovait: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur! . . . Më rikthe ngazëllimin e shpëtimit prej teje, dhe më mbështet duke më dhënë një frymë të gatshme!» (Psal. 51:1-4, 7-12) A i lutesh me kaq zjarr dhe kaq hapur Jehovait kur i flet për të metat e tua?

9 Jehovai nuk i zhduku pasojat e dhembshme të mëkateve të Davidit. Ato do  të vazhdonin për gjithë jetën. Por, ngaqë Davidi shfaqi një frymë të penduar​—kishte «zemrën e vrarë dhe të dërrmuar»—​Jehovai e fali. (Lexo Psalmin 32:5; Psal. 51:17) Perëndia i Plotfuqishëm i kupton ndjenjat e vërteta dhe arsyen pse dikush kryen një mëkat. Në vend që t’i linte kurorëshkelësit të dënoheshin me vdekje nga gjykatësit njerëzorë sipas Ligjit të Moisiut, me mëshirë Jehovai ndërhyri duke u marrë vetë me Davidin dhe Betshebën. (Lev. 20:10) Madje Perëndia e bëri Solomonin, djalin e tyre, mbretin pasues të Izraelit.​—1 Kron. 22:9, 10.

10. (a) Për ç’arsye tjetër mund ta ketë falur Jehovai Davidin? (b) Cilët hapa duhen bërë për të fituar faljen e Jehovait?

10 Ndoshta një arsye tjetër pse Jehovai e fali Davidin është mënyra si Davidi vetë kishte treguar mëshirë ndaj Saulit. (1 Sam. 24:4-7) Siç shpjegoi Jezui, Jehovai na trajton ashtu si i trajtojmë ne të tjerët. «Mos i gjykoni më të tjerët,​—tha Jezui,—​sepse ju do të gjykoheni me po atë gjykim që gjykoni, dhe do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.» (Mat. 7:1, 2) Sa lehtësohemi kur dimë se Jehovai na i fal mëkatet, madje edhe mëkate të rënda, si kurorëshkelja ose vrasja! Ai e bën këtë nëse jemi të gatshëm t’i falim të tjerët, nëse ia rrëfejmë mëkatet tona dhe nëse ndryshojmë qëndrim ndaj veprimeve tona të këqija. Kur mëkatarët pendohen me gjithë zemër, nga Jehovai vijnë «kohë freskuese».​—Lexo Veprat 3:19.

MANASEU MËKATON RËNDË, POR PENDOHET

11. Ç’të këqija bëri Manaseu në sytë e Perëndisë?

11 Të shqyrtojmë një tregim tjetër biblik që ilustron sa i gatshëm është Jehovai të falë. Rreth 360 vjet pasi Davidi nisi të sundonte, Manaseu u bë mbret i Judës. Mbretërimi i tij që zgjati 55 vjet, shquhej për ligësinë dhe Jehovai e dënoi për shkak të praktikave të tij të pështira. Ndër të tjera, Manaseu ngriti altarë për Baalin, adhuroi ‘gjithë ushtrinë e qiejve’, i kaloi bijtë e tij në zjarr dhe nxiti praktika spiritiste. Po, «ai bëri në një masë të madhe atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait».​—2 Kron. 33:1-6.

12. Si u kthye Manaseu te Jehovai?

12 Në fund, Manaseun e morën rob dhe e çuan në një burg në Babiloni. Atje mund të ketë kujtuar këto fjalë që Moisiu i drejtoi Izraelit: «Kur ta keni punën pisk dhe në fund t’ju kenë ndodhur tërë  këto gjëra, ju do të ktheheni te Jehovai, Perëndia juaj, dhe do të dëgjoni zërin e tij.» (Ligj. 4:30) Manaseu u kthye vërtet te Jehovai. Si? Ai «u përul shumë» dhe «vazhdoi t’i lutej» Perëndisë (siç tregohet në faqen 21). (2 Kron. 33:12, 13) Nuk kemi asnjë dokumentim të fjalëve që shprehu saktësisht Manaseu në ato lutje, por ka mundësi të kenë qenë shumë të ngjashme me fjalët e mbretit David të dokumentuara në Psalmin 51. Sidoqoftë, zemra e Manaseut ndryshoi plotësisht.

13. Pse Jehovai e fali Manaseun?

13 Si iu përgjigj Jehovai lutjeve të Manaseut? «Ai e pranoi përgjërimin e [Manaseut], ia dëgjoi kërkesën për pëlqim.» Ashtu si Davidi para tij, Manaseu e kuptoi ç’mëkate të rënda kishte bërë dhe u pendua vërtet. Ja pse Perëndia e fali Manaseun dhe e lejoi të kthehej përsëri në Jerusalem si mbret. Si rrjedhim, «Manaseu e mori vesh që Jehovai është Perëndia i vërtetë». (2 Kron. 33:13) Sa na ngrohet zemra nga kjo dëshmi tjetër se Perëndia ynë i mëshirshëm i fal ata që pendohen me gjithë zemër!

Manaseu u kthye përsëri në Jerusalem si mbret, ngaqë Jehovai e fali

A FAL GJITHNJË JEHOVAI?

14. Si e vendos Jehovai nëse duhet ta falë dikë që ka mëkatuar?

14 Pak shërbëtorëve të Jehovait sot do t’u duhet të kërkojnë ndonjëherë falje për mëkate kaq të rënda sa ato të Davidit e të Manaseut. Megjithatë, fakti që Jehovai i fali këta dy mbretër, na ndihmon të kuptojmë se Perëndia ynë është i gatshëm të falë edhe mëkate të rënda, nëse mëkatari pendohet vërtet.

15. Si e dimë se Jehovai nuk fal automatikisht?

15 Natyrisht, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se Jehovai i fal automatikisht të gjithë njerëzit për mëkatet e tyre. Për këtë, le të krahasojmë qëndrimin e Davidit e të Manaseut me atë të popullit kokëfortë të Izraelit e të Judës.  Perëndia dërgoi Natanin të fliste hapur me Davidin e i dha këtij një mundësi të ndryshonte qëndrim. Davidi e pranoi me mirënjohje këtë mundësi. Kur Manaseu e pa veten keq, u nxit të pendohej me gjithë zemër. Kurse banorët e Izraelit e të Judës shpeshherë nuk u penduan, prandaj Jehovai nuk i fali. Në vend të kësaj, dërgoi vazhdimisht profetë që të shpallnin si e shihte ai sjelljen e tyre të pabindur. (Lexo Neheminë 9:30.) Edhe pasi të mërguarit u kthyen nga Babilonia në atdhe, Jehovai vazhdoi të dërgonte lajmëtarë besnikë, siç ishin prifti Ezdra dhe profeti Malakia. Kur vepronin sipas vullnetit të Jehovait, provonin gëzim të madh.—Neh. 12:43-47.

16. (a) Ç’pasoja pati kombi i Izraelit si një i tërë ngaqë nuk u pendua? (b) Ç’mundësi u jep Jehovai pasardhësve të izraelitëve të lashtë?

16 Pasi Jezui erdhi në tokë dhe dha jetën si flijim shpërblyes i përsosur, Jehovai nuk i pranonte më flijimet në kafshë të Izraelit. (1 Gjon. 4:9, 10) Këtu në tokë Jezui pasqyroi pikëpamjen e Atit ndërsa tha këto fjalë prekëse: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët.» Prandaj, Jezui shpalli: «Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mat. 23:37, 38) Kështu, vendin e kombit mëkatar e të papenduar e zuri Izraeli frymor. (Mat. 21:43; Gal. 6:16) Por, ç’mund të themi për individët e Izraelit natyror? Ata janë të mirëpritur të përfitojnë nga falja dhe mëshira e Jehovait, duke treguar besim te Perëndia dhe te flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit. Kjo mundësi do t’u jepet edhe njerëzve që kanë vdekur pa u penduar për mëkatet e tyre, por që do të ringjallen në një tokë të pastruar.​—Gjoni 5:28, 29; Vep. 24:15.

TË PËRFITOJMË NGA FALJA E JEHOVAIT

17, 18. Si mund të na falë Jehovai?

17 Si duhet t’i përgjigjemi gatishmërisë së Jehovait për të na falur? Patjetër duke vepruar si Davidi dhe Manaseu. Duhet të pranojmë gjendjen tonë mëkatare, të pendohemi për fajet, t’i përgjërohemi me zjarr Jehovait për falje dhe t’i kërkojmë që të krijojë te ne një zemër të kulluar. (Psal. 51:10) Nëse kemi mëkatuar rëndë, duhet të kërkojmë edhe ndihmë frymore nga pleqtë. (Jak. 5:14, 15) Pavarësisht nga rrethanat tona, ndihemi të qetë kur kujtojmë se Jehovai është siç ia përshkroi veten Moisiut—​«një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin». Jehovai nuk ka ndryshuar.​—Dal. 34:6, 7.

18 Me një krahasim të fuqishëm, Jehovai u premtoi izraelitëve të penduar se do t’ua hiqte plotësisht njollën e mëkateve, duke i bërë «të bardha si bora» ato që ishin «të kuqe flakë». (Lexo Isainë 1:18.) Atëherë, ç’do të thotë për ne falja e Jehovait? Falje e plotë e mëkateve dhe e fajeve tona, me kusht që të jemi mirënjohës e të pendohemi.

19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Si mund të tregohemi të gatshëm t’i falim të tjerët ashtu si Jehovai është i gatshëm të na falë ne? Si t’i falim të tjerët kur kryejnë mëkate të rënda, por pendohen me gjithë zemër? Artikulli vijues do të na ndihmojë të shqyrtojmë zemrën në mënyrë që të bëhemi më të ngjashëm me Atin tonë, Jehovain, i cili është ‘i mirë dhe gati të falë’.​—Psal. 86:5.