Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

  Mëso nga Fjala e Perëndisë

Pse Perëndia e dërgoi Jezuin në tokë?

Pse Perëndia e dërgoi Jezuin në tokë?

Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Ku ishte Jezui para se Perëndia ta dërgonte në tokë?

Para se të lindte në Betlehem, Jezui ka jetuar si person i padukshëm në qiell. Ishte krijimi i parë i Perëndisë dhe i vetmi që Perëndia e krijoi drejtpërdrejt. Prandaj, me të drejtë quhet Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Në qiell, ai fliste shpesh si përfaqësuesi i Perëndisë. Ja pse është quajtur Fjala. Gjithashtu ishte ndihmësi i Perëndisë dhe mori pjesë në krijimin e të gjitha gjërave të tjera. (Gjoni 1:2, 3, 14) Jezui jetoi me Perëndinë në qiell për epoka të panumërta, para se të krijohej njeriu.​—Lexo Mikenë 5:2; Gjonin 17:5.

2. Si e dërgoi në tokë Perëndia Birin e tij?

Me anë të frymës së shenjtë, Jehovai e transferoi jetën e Jezuit nga qielli në barkun e Marisë. Kështu, Jezui nuk pati një baba njerëzor. Engjëjt ua shpallën lindjen e tij disa barinjve vendës, që jetonin jashtë natën duke ruajtur kopetë e tyre. (Luka 2:8-12) Prandaj, Jezui nuk lindi në kulmin e dimrit, por ndoshta në fillim të tetorit kur moti ishte ende i ngrohtë. Pak kohë më vonë, Maria me të shoqin, Jozefin, e çuan dhe e rritën Jezuin në shtëpinë e tyre në Nazaret. Jozefi u kujdes për Jezuin si për djalin e tij të adoptuar.​—Lexo Mateun 1:18-23.

Rreth moshës 30-vjeçare, Jezui u pagëzua dhe Perëndia shpalli publikisht se Jezui ishte Biri i tij. Pastaj nisi veprën për të cilën Perëndia e kishte dërguar.​—Lexo Mateun 3:16, 17.

 3. Pse Perëndia e dërgoi Jezuin në tokë?

Perëndia e dërgoi Jezuin që t’u mësonte njerëzve të vërtetën. Ai mësoi për Mbretërinë e Perëndisë, një qeveri në qiell që do të sjellë paqe në mbarë tokën. Ai u dha shpresën e jetës së përhershme. (Gjoni 4:14; 18:36, 37) Gjithashtu, me anë të shumë mësimeve, Jezui u tregoi si të gjenin lumturinë e vërtetë. (Mateu 5:3; 6:19-21) Ai mësoi me anë të shembullit. Tregoi, për shembull, si të bëjmë vullnetin e Perëndisë edhe në rrethana të vështira. Kur e keqtrajtuan, nuk ua ktheu me të njëjtën monedhë.​—Lexo 1 Pjetrit 2:21-24.

Jezui u mësoi dishepujve dashurinë vetëmohuese. Në qiell, ai kishte shumë privilegje kur jetonte me Atin, e prapëseprapë iu bind me përulësi Atit dhe erdhi në tokë të jetonte mes njerëzve. S’ka shembull më të shkëlqyer dashurie se ai i Jezuit!​—Lexo Gjonin 15:12, 13; Filipianëve 2:5-8.

4. Çfarë arriti Jezui me anë të vdekjes së tij?

Perëndia e dërgoi Jezuin edhe që të vdiste për mëkatet tona. (Gjoni 3:16) Ne jemi të gjithë mëkatarë, pra të papërsosur e priremi drejt mëkatit. Ja pse sëmuremi e vdesim. Ndryshe nga ne, njeriu i parë, Adami, ishte i përsosur. Ai ishte pa mëkat dhe kurrë s’do të ishte sëmurur ose të kishte vdekur. Por e humbi përsosmërinë kur nuk iu bind Perëndisë. Nga Adami, ne trashëguam mëkatin dhe pagën e tij, vdekjen.—Lexo Romakëve 5:12; 6:23.

Jezui, i cili ishte njeri i përsosur, nuk vdiq për mëkatet e veta. Por vdiq për mëkatet tona. Vdekja e tij bën të mundur që të kemi jetën e përhershme dhe bekimet e Perëndisë.​—Lexo 1 Pjetrit 3:18.