Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është «Ungjilli i Judës»?

Çfarë është «Ungjilli i Judës»?

NË PRILL të vitit 2006, gazetat në mbarë botën botuan një tregim befasues se një ekip studiuesish po publikonte përmbajtjen e një teksti të lashtë të sapozbuluar, i cili titullohej «Ungjilli i Judës». Këta artikuj flitnin për disa pohime akademike se ky tekst revolucionarizon atë që dimë për figurën e Judës, dishepullin që tradhtoi Jezuin. Sipas këtyre pohimeve, Juda në fakt ishte hero, apostulli që e kuptonte më së miri Jezuin, që e çoi atë drejt ekzekutimit me kërkesë të vetë Jezuit.

A është autentik ky tekst? Nëse po, a zbulon njohuri të fshehur për figurat historike si Judë Iskarioti, Jezu Krishti ose të krishterët e hershëm? A duhet të ndikojë kjo te kuptueshmëria jonë për krishterimin?

ZBULIMI I «UNGJILLIT TË JUDËS»

Se si u zbulua «Ungjilli i Judës», mbetet disi e mjegullt. Në vend që të zbulohej e të dokumentohej nga arkeologët, ky dokument u shfaq papritur në tregun e sendeve antike në fund të viteve 70 ose në fillim të viteve 80 të shekullit të 20-të. Ka të ngjarë që të jetë zbuluar në Egjipt në vitin 1978 në një varr të braktisur, ndoshta brenda një shpelle. Ishte një nga katër tekstet brenda një kodiku (një lloj libri i lashtë) në gjuhën koptike (një gjuhë që rrjedh nga Egjipti i lashtë).

Ky kodik me kapak lëkure e i ruajtur për shekuj në klimën e thatë të Egjiptit, ishte në gjendje delikate dhe po prishej me shpejtësi. Ai iu paraqit disa studiuesve shkurtimisht në vitin 1983, por çmimi ishte stratosferik, prandaj nuk u shit. Në vitet në vazhdim, lënia pas dore dhe mosruajtja siç duhet, e përshpejtoi prishjen e kodikut. Në vitin 2000 u ble nga një tregtare zvicerane e sendeve antike. Më vonë ajo ia dha një ekipi ndërkombëtar specialistësh. Me mbështetjen e Fondacionit të Misinës për Artin e Lashtë dhe të Shoqatës National Geographic, ata kishin detyrën e vështirë ta rikthenin në gjendjen e mëparshme dhe ta rindërtonin kodikun, një pjesë e të cilit tashmë ishte shkatërruar në fragmente të vogla. Gjithashtu, ky ekip duhej të përcaktonte vjetërsinë e kodikut, si edhe të përkthente e të interpretonte përmbajtjen.

Metoda e datimit me karbon-14 vërtetoi se ky kodik mund të ishte i shekullit të tretë ose të katërt të e.s. Gjithsesi, studiuesit nxorën një hipotezë se teksti koptik i «Ungjillit të Judës» ishte përkthyer nga greqishtja shumë kohë më përpara. Në ç’periudhë dhe në ç’rrethana u shkrua «Ungjilli i Judës»?

«UNGJILLI I JUDËS»—UNGJILL GNOSTIK

Hera e parë që përmendet vepra e titulluar «Ungjilli i Judës», gjendet në shkrimet e Ireneut, peshkop i Lionit që jetoi në fund të shekullit të dytë të e.s. Në një vepër me titull Kundër herezive (Against Heresies), Ireneu shkruan për një nga shumë grupet, mësimet e të cilëve i kundërshtonte: «Ata deklarojnë se vetëm . . . Judë tradhtari e përmbushi misterin e tradhtisë, ngaqë e dinte të vërtetën si askush tjetër. Me anë të tij, të gjitha gjërat i mbuloi një pështjellim, qofshin gjëra tokësore, qofshin qiellore. Ata sajojnë një histori të trilluar të këtij lloji, të cilën e titullojnë Ungjilli i Judës.»

«Nuk është ungjill i shkruar në kohën e Judës nga dikush që e njihte vërtet»

Ireneu i refuzonte me vendosmëri mësimet e ndryshme të të krishterëve gnostikë, të cilët pretendonin se u ishte zbuluar njohuri e veçantë. Gnosticizmi është një term përmbledhës që përfshin shumë grupe, të gjithë me kuptueshmërinë dhe interpretimin e tyre për «të vërtetën» e krishterë. Gnostikët i thelluan interpretimet duke u bazuar në shkrimet e tyre, të cilat lulëzuan gjatë shekullit të dytë të e.s.

Këta ungjij gnostikë shpesh pretendonin se apostujt më të spikatur të Jezuit e keqkuptuan mesazhin e tij dhe se ka një mësim sekret që Jezui ua dha atyre, mësim që vetëm disa të zgjedhur e kuptuan. * Disa nga ata gnostikë besonin se bota fizike ishte një burg për shpirtrat e njerëzve. Prandaj, «perëndia krijues» i Shkrimeve Hebraike ishte në fakt perëndi më i ulët, në kundërshtim me perënditë e tjera të përsosura. Dikush me «njohuri» të vërtetë e kuptonte këtë «sekret» dhe kërkonte të çlirohej nga ekzistenca fizike.

Kjo pasqyrohet edhe në «Ungjillin e Judës». Ai hapet me fjalët: «Këto janë fjalët sekrete që Jezui i tha Judë Iskariotit gjatë tetë ditëve, tri ditë para se të festonte Pashkën.»

A ishte ky kodik pikërisht teksti për të cilin kishte shkruar Ireneu dhe që mendohej i humbur për shekuj të tërë? Marvin Majëri, pjesëtar i ekipit fillestar që analizoi dhe përktheu kodikun, thotë se «përshkrimi i shkurtër [i Ireneut] përputhet mjaft mirë me tekstin aktual koptik që titullohet Ungjilli i Judës».

FIGURA E JUDËS NË KËTË UNGJILL—DEBAT MES STUDIUESVE

Në «Ungjillin e Judës», Jezui qesh me përbuzje kur dishepujt e tij nuk shfaqin njohurinë e duhur. Por Juda është i vetmi nga 12 dishepujt që tregon se e kupton mirë natyrën e vërtetë të Jezuit. Prandaj, Jezui ia thotë veçmas «misteret e mbretërisë».

Rindërtimi fillestar i tekstit nga ekipi i studiuesve u ndikua tej mase nga përshkrimi që i kishte bërë Ireneu ungjillit. Në përkthimin e tyre, Juda shihet me miratim nga Jezui, si i vetmi dishepull që i kupton misteret dhe «arrin» «mbretërinë». Megjithëse apostujt do të gjenin një zëvendësues për Judën, Juda do të merrte një shpërblim më të mirë se gjithë dishepujt e tjerë, ngaqë e kishte ndihmuar Jezuin të çlirohej nga trupi i tij mishor.

Autorë të botimeve shumë të shitura, si Bart Ermani dhe Ilejna Pejxhëllsi, që janë edhe studiues me peshë të krishterimit të hershëm e të gnosticizmit, i botuan shumë shpejt analizat dhe komentet e tyre për «Ungjillin e Judës», të cilat kishin shumë ngjashmëri me rindërtimin e tekstit nga ekipi i parë. Gjithsesi, s’kaloi shumë dhe studiues të tjerë, si Ejpril Dekoniku dhe Birjer Pirsëni, shprehën merakun e tyre. Ata thoshin se, në përpjekje për ekskluzivitet mediatik, Shoqëria National Geographic nxitoi ta publikonte tekstin e lashtë. Përveç kësaj, u shpërfill procesi normal akademik i analizës së hollësishme dhe kontrolli nga ekspertët e tjerë para publikimit, sepse ekipit i ishte kërkuar të nënshkruante një marrëveshje për ruajtjen e konfidencialitetit.

Asnjë nga studiuesit që e analizoi tekstin nuk thotë se ai përmban informacion të saktë historik

Dekoniku dhe Pirsëni punuan secili në mënyrë të pavarur, por që të dy nxorën përfundimin se disa pjesë kyçe të kodikut të copëzuar ishin përkthyer gabim nga studiuesit e mëparshëm. Sipas rindërtimit të tekstit nga Dekoniku, Jezui e quan Judën «Demoni i trembëdhjetë», jo «fryma e trembëdhjetë». * Gjithashtu, Jezui i tha qartë Judës se ai nuk do ta arrinte «mbretërinë». Në vend që të merrte një shpërblim më të mirë se dishepujt e tjerë, Juda do të ndëshkohej rëndë, ngaqë vrau Jezuin. Sipas pikëpamjes së Dekonikut, «Ungjilli i Judës» është një parodi e lashtë gnostike që vë në lojë të gjithë apostujt. Përfundimi i qartë që nxori Dekoniku dhe Pirsëni është se, në këtë «Ungjill të Judës», Juda nuk është hero.

ÇFARË MUND TË MËSOJMË NGA «UNGJILLI I JUDËS»?

Sido që ta kenë konsideruar Judën e këtij ungjilli—hero apo demon,—asnjë nga studiuesit që e analizoi tekstin nuk thotë se ai përmban informacion të saktë historik. Bart Ermani shpjegon: «Ai nuk është ungjill i shkruar nga Juda, e madje, as në të nuk thuhet që është i tillë. . . . Nuk është ungjill i shkruar në kohën e Judës nga dikush që e njihte vërtet . . . Prandaj, nuk është libër që na jep informacion shtesë se çfarë ndodhi vërtet gjatë jetës së Jezuit.»

«Ungjilli i Judës» është një tekst gnostik i shekullit të dytë të e.s., që fillimisht u shkrua në greqisht. Nëse «Ungjilli i Judës» i sapozbuluar është identik ose jo me tekstin që përmendi Ireneu, kjo mbetet çështje debati mes studiuesve. Por «Ungjilli i Judës» jep qartësisht prova të rëndësishme vetëm për periudhën kur «krishterimi» ishte përçarë dhe ndarë nga shumë sekte konkurruese dhe doktrina. Në vend që të nxjerrë gabim Shkrimet, faktikisht «Ungjilli i Judës» vërteton paralajmërimet e apostujve, si ai që shkroi Pavli te Veprat 20:29, 30: «E di se pas ikjes sime . . . nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»

^ par. 11 Shpesh, këta ungjij marrin emrat e atyre që mendohet t’i kenë kuptuar më mirë mësimet e Jezuit, siç është «Ungjilli i Thomait» dhe «Ungjilli i Maria Magdalenës». Gjithsej, janë identifikuar rreth 30 shkrime të tilla të lashta.

^ par. 18 Studiuesit që përvetësojnë mendimin se Juda është demon në këtë tekst—dikush që e kuptonte identitetin e Jezuit më mirë se dishepujt e tjerë—vërejnë sa ngjashmëri ka me mënyrën se si demonët në historitë e Ungjijve të Biblës e tregonin me saktësi identitetin e Jezuit.—Marku 3:11; 5:7.