Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si i përgatitnin judenjtë e shekullit të parë të vdekurit për varrim?

Judenjtë i varrosnin të vdekurit shpejt pasi vdisnin, zakonisht brenda ditës. Kishte dy arsye që vepronin pa u vonuar. Së pari, trupat e vdekur dekompozohen shpejt në klimën e nxehtë të Lindjes së Mesme. Së dyti, në atë kohë njerëzit mendonin se, ta lije trupin pa varrosur për ditë të tëra, ishte çnderim për të vdekurin dhe për familjen e tij.

Në ungjij dhe në librin e Veprave janë dokumentuar të paktën katër varrime që u bënë brenda ditës së vdekjes. (Mateu 27:57-60; Veprat 5:5-10; 7:60–8:2) Shekuj më përpara, gruaja e dashur e Jakobit, Rakela, vdiq kur ai po udhëtonte bashkë me familjen. Në vend që ta sillte trupin e saj në varrezën e familjes, Jakobi e varrosi në një varr «rrugës për në . . . Betlehem».—Zanafilla 35:19, 20, 27-29.

Tregimet biblike ku përmenden raste funeralesh, zbulojnë se judenjtë i përgatitnin me shumë kujdes kufomat për varrim. Familja dhe miqtë i lanin trupin të vdekurit, e lyenin me erëza dhe vaj të mirë, si edhe e mbështillnin me pëlhura. (Gjoni 19:39, 40; Veprat 9:36-41) Fqinjët bashkë me të tjerë vinin që të shprehnin pikëllimin e tyre dhe të ngushëllonin familjen.—Marku 5:38, 39.

A u bë varrimi i Jezuit siç e kishin zakon judenjtë?

Shumë familje judeje i varrosnin të vdekurit në shpella dhe në varre të gërmuara në shkëmb të butë, i zakonshëm në shumë pjesë të Izraelit. Në këtë mënyrë, ata ndiqnin modelin që lanë patriarkët. Abrahamin, Sarën, Isakun, Jakobin dhe të tjerë i varrosën në shpellën e Makpelahut, afër Hebronit.—Zanafilla 23:19; 25:8, 9; 49:29-31; 50:13.

Jezuin e varrosën në një varr të gërmuar në shkëmb. (Marku 15:46) Në përgjithësi, një varr i tillë kishte hyrje të ngushtë. Brenda kishte disa kamare, ose hapësira si rafte që ishin gërmuar në shkëmb, ku vendosnin familjarët e vdekur. Pasi mishi dekompozohej, kockat e thata i mblidhnin dhe i futnin në një lloj kutie guri, siç ishte zakon në kohën e Jezuit. Kështu, familja mund të lironte vendin për varrimet e ardhshme.

Pushimi i sabatit që kërkonte Ligji i Moisiut nuk i lejonte judenjtë të merreshin me përgatitjet e funeralit atë ditë. Meqë Jezui vdiq rreth tri orë para se të fillonte sabati, Jozefi nga Arimatea bashkë me të tjerë e varrosën pa ia përgatitur plotësisht trupin. (Luka 23:50-56) Për këtë arsye, disa gra shkuan te varri i Jezuit pas sabatit, që ta përfundonin zakonin e varrimit.—Marku 16:1; Luka 24:1.