Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kemi arritur ta njohim Perëndinë’, po tani?

‘Kemi arritur ta njohim Perëndinë’, po tani?

«Keni arritur ta njihni Perëndinë.»GAL. 4:9.

1. Pse pilotët ndjekin një listë kontrolli para fluturimit?

PILOTËT që drejtojnë një nga avionët më të suksesshëm që janë ndërtuar ndonjëherë kanë një listë me më se 30 pika për të kontrolluar para fluturimit. Nëse nuk e ndjekin me kujdes listën çdo herë para se të ngrihen, shtohen mundësitë për një aksident tragjik. A e di se cilët pilotë nxiten veçanërisht të kontrollojnë listën çdo herë? Pilotët me shumë përvojë. Këta fare lehtë mund të bëhen tepër të sigurt te vetja dhe të mos e kryejnë me hollësi kontrollin para fluturimit.

2. Ç’listë kontrolli këshillohen të ndjekin të krishterët?

2 Ashtu si pilotët që i kushtojnë vëmendje sigurisë, edhe ti mund të përdorësh një lloj liste kontrolli për t’u siguruar se nuk do të të lëkundet besimi kur të të duhet më tepër. Sido që të jesh, i sapopagëzuar a që po i shërben Perëndisë për shumë vjet, është thelbësore të kontrollosh rregullisht sa të thellë janë besimi dhe përkushtimi yt ndaj Perëndisë Jehova. Po të mos e bësh këtë kontroll rregullisht dhe me përpikëri, mund të rrënohesh frymësisht. Bibla na paralajmëron: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.»1 Kor. 10:12.

3. Çfarë kishin nevojë të bënin të krishterët në Galati?

3 Të krishterët në Galati kishin nevojë të kontrollonin thellësinë e besimit dhe të çmonin lirinë e tyre frymore. Nëpërmjet flijimit, Jezui kishte hapur udhën që, ata që do të tregonin besim tek ai, të arrinin ta njihnin Perëndinë në mënyrën më të jashtëzakonshme: të bëheshin bij të Perëndisë. (Gal. 4:9) Që të vazhdonin të kishin atë marrëdhënie tejet të bekuar, galatasit duhej t’i hidhnin poshtë mësimet e judaizuesve që këmbëngulnin se duhej të zbatonin Ligjin e Moisiut. Faktikisht, jojudenjtë e parrethprerë në kongregacione nuk kishin qenë kurrë nën Ligj.  Si judenjtë, edhe jojudenjtë duhej të bënin përparim frymor. Kjo përfshinte të pranonin se nuk mund të tregonin se ishin të drejtë nëpërmjet Ligjit të Moisiut.

HAPAT E PARË PËR TË NJOHUR PERËNDINË

4, 5. Ç’këshillë u dha Pavli galatasve dhe si lidhet me ne sot?

4 Këshilla e apostullit Pavël drejtuar galatasve u dokumentua për një qëllim: t’i parandalonte të krishterët e vërtetë të çdo kohe që të mos i kthenin shpinën thesarit të së vërtetës biblike e të shkonin përsëri te gjërat që kishin lënë pas. Jehovai e frymëzoi apostullin t’i nxiste të qëndronin të patundur jo vetëm ata në kongregacionet e Galatisë, por të gjithë adhuruesit e Tij.

5 Të gjithë ne ia vlen të kujtojmë si u çliruam nga skllavëria frymore dhe u bëmë Dëshmitarë të Jehovait. Për këtë, shqyrto këto dy pyetje: a të kujtohen hapat që more për t’u kualifikuar si kandidat për pagëzim? Të kujtohet si arrite ta njohësh Perëndinë, si të njohu ai dhe si provove liri të vërtetë frymore falë kësaj?

6. Cilën listë kontrolli do të shqyrtojmë?

6 Kryesisht, të gjithë ndoqëm nëntë hapa. Këta hapa, si një listë kontrolli e gjendjes frymore, tregohen në kutinë  «Hapa që çojnë drejt pagëzimit dhe rritjes së vazhdueshme». Po t’ia kujtojmë rregullisht vetes këta nëntë hapa, do të forcohemi t’i rezistojmë prirjes për t’u kthyer te gjërat e botës. Ashtu si pilotët me përvojë por të kujdesshëm, vazhdojnë të fluturojnë shëndoshë e mirë duke rishikuar fillimisht listën e kontrollit para fluturimit, edhe ti do të marrësh ndihmë që të ngulmosh në shërbimin me besnikëri duke rishikuar një listë kontrolli të gjendjes frymore.

ATA QË PERËNDIA I NJEH, VAZHDOJNË TË RRITEN FRYMËSISHT

7. Cilin model duhet të ndjekim dhe pse?

7 Lista e kontrollit u kujton pilotëve se para çdo fluturimi, duhet të ndjekin me kujdes një rutinë. Edhe ne mund të kontrollojmë ose të shqyrtojmë rregullisht veten dhe rutinën që kemi ndjekur që nga pagëzimi. Pavli i shkroi Timoteut: «Vazhdo t’i përmbahesh modelit të fjalëve të shëndosha që dëgjove nga unë me besim dhe dashuri, në lidhje me Krishtin Jezu.» (2 Tim. 1:13) Këto ‘fjalë të shëndosha’ gjenden në Fjalën e Perëndisë. (1 Tim. 6:3) Ashtu si skica e një artisti na jep një tablo të përgjithshme, edhe ‘modeli i së vërtetës’ na jep një përmbledhje të përgjithshme që të kuptojmë dhe të zbatojmë atë që kërkon Jehovai prej nesh. Kështu, le të shohim tani hapat që çuan në pagëzimin tonë që të kuptojmë se sa po përputhemi me modelin e së vërtetës.

8, 9. (a) Pse duhet të vazhdojmë të rritemi në njohuri e besim? (b) Ilustro pse ia vlen të rritemi frymësisht dhe pse ky është një proces i vazhdueshëm?

8 E para në listën e kontrollit është nevoja që të vazhdojmë të marrim njohuri. Pastaj, mund të zhvillojmë besim. Megjithatë, duhet të rritemi gjithnjë në të dyja aspektet. (2 Sel. 1:3) Rritja përfshin një sërë ndryshimesh progresive. «Të rritesh» do të thotë të zhvillohesh, të bëhesh më i madh. Pra, pas pagëzimit duhet ta zhvillojmë vazhdimisht gjendjen tonë frymore që të mos mbetet në vend.

Si një pemë, të krishterët duhet të vazhdojnë të rriten

9 Rritjen tonë frymore mund ta krahasojmë me rritjen e një peme. Një pemë mund të rritet e të arrijë përmasa të mëdha, sidomos nëse i ka rrënjët të thella ose shumë të shtrira. Për shembull, disa kedra madhështorë të Libanit mund të arrijnë lartësinë e një ndërtese 12-katëshe dhe kanë rrënjë të forta e depërtuese, si edhe një perimetër të trungut deri në 12 metra. (Këng. 5:15) Pasi ndalon zhvillimi  fillestar i vrullshëm i kësaj peme, ajo vazhdon të rritet ende, por jo po aq dukshëm. Vit pas viti, trungu zgjerohet dhe rrënjët shkojnë më thellë e shtrihen më larg, e si rezultat pema bëhet më e qëndrueshme. E njëjta gjë mund të thuhet për rritjen frymore të të krishterëve. Ndoshta gjatë periudhës fillestare të studimit biblik rritemi shpejt frymësisht e më pas pagëzohemi. Të tjerët në kongregacion e vërejnë me gëzim përparimin tonë. Madje, mund të kualifikohemi si pionierë a të marrim privilegje të tjera. Në vitet vijuese, rritja jonë e vazhdueshme frymore mund të mos jetë po aq e dukshme. Gjithsesi, përsëri kemi nevojë të rritemi në besim e njohuri «në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit të plotë të Krishtit». (Efes. 4:13) Pra, ne përparojmë, si të thuash, nga filiza të veckël në të krishterë të pjekur ose në pemë të forta e të zhvilluara mirë.

10. Pse edhe të krishterët e pjekur kanë nevojë të rriten?

10 Por, rritja jonë nuk duhet të ndalet këtu. Kemi nevojë të zgjerojmë njohurinë dhe të thellojmë besimin. Kështu rrënjosemi gjithnjë e më tepër në truallin e Fjalës së Perëndisë. (Prov. 12:3) Në kongregacionin e krishterë, ka shumë vëllezër e motra që po veprojnë kështu. Për shembull, një vëlla që ka qenë plak për më tepër se tri dekada, tha se vazhdon të rritet frymësisht. Ai thotë: «Më është rritur tej mase çmueshmëria për Biblën. Gjej vazhdimisht mundësi të reja për t’i zbatuar parimet dhe ligjet biblike në mënyra të ndryshme. Edhe çmueshmëria ime për shërbimin vazhdon të rritet.»

TË RRITEMI NË MIQËSINË ME PERËNDINË

11. Si mund të arrijmë ta njohim më mirë Jehovain me kalimin e kohës?

11 Rritja jonë përfshin edhe t’i afrohemi më tepër Jehovait si Mikut dhe Atit tonë. Ai dëshiron që të ndiejmë se kemi miratimin e tij. Ai dëshiron që të dimë se na do dhe se jemi të sigurt, ashtu si një fëmijë në krahët e prindit të përkujdesshëm ose siç ndihemi pranë një miku të vërtetë dhe besnik. Siç mund ta kuptosh, kjo miqësi e ngushtë me Jehovain nuk zhvillohet brenda natës. Duhet kohë që ta njohim e ta duam atë. Prandaj, që të arrish ta njohësh më mirë Jehovain, ji i vendosur të lësh kohë për të lexuar Fjalën e tij çdo ditë. Po ashtu, lexo çdo numër të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni!, si edhe botime të tjera të bazuara në Bibël.

12. Ç’duhet të bëjmë që të na njohë Jehovai?

12 Miqtë e Perëndisë rriten frymësisht falë lutjeve të sinqerta dhe shoqërive  mira. (Lexo Malakinë 3:16.) «Veshët e [Jehovait janë] te përgjërimi i tyre.» (1 Pjet. 3:12) Ashtu si një prind i dashur, Jehovai u kushton vëmendje thirrjeve tona për ndihmë. Prandaj, duhet ‘të ngulmojmë në lutje’. (Rom. 12:12) S’mund të mbetemi të krishterë tërësisht të rritur pa ndihmën e Perëndisë. Presionet e këtij sistemi janë aq të mëdha, sa s’mund t’u rezistojmë dhe t’i kapërcejmë me forcat tona. Nëse nuk ngulmojmë më në lutje, shkëputemi nga rezerva e pashtershme e forcës që Perëndia mund dhe dëshiron të na japë. A je i kënaqur me cilësinë e lutjeve të tua apo kupton se ke nevojë të përparosh më shumë në këtë aspekt?Jer. 16:19.

13. Pse shoqëria me bashkëbesimtarët është jetësore për t’u rritur frymësisht?

13 Jehovai kënaqet me këdo që «kërkon strehë tek ai», prandaj, edhe pasi kemi arritur ta njohim Atë, duam të vazhdojmë të shoqërohemi rregullisht me ata që e njohin, me kongregacionin. (Nau. 1:7) Në një botë plot shkurajim, tregohemi të mençur nëse mbajmë gjithnjë pranë vëllezër e motra që na japin zemër. Ç’dobi vijnë nga kjo? Në kongregacion do të gjesh njerëz që do të të nxitin «për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24, 25) Dashuria e ndërsjellë, për të cilën Pavli u shkroi hebrenjve, kërkon që të ketë një vëllazëri, një bashkësi me adhurues të një mendjeje, një kongregacion. Shfaqja e kësaj dashurie përfshin bashkëveprimin me të krishterët e tjerë. Në listën tënde të kontrollit shëno rregullisht ndjekjen e mbledhjeve dhe pjesëmarrjen në to.

14. Pse themi se pendimi dhe kthimi janë një proces i vazhdueshëm?

14 Që të bëheshim të krishterë, në fillim duhej të pendoheshim dhe të kthenim rrugë ose t’i hidhnim pas krahëve mëkatet tona. Por, pendimi është një proces i vazhdueshëm. Si të papërsosur kemi ende brenda nesh mëkatin që rri në pritë si një gjarpër kutullaç gati për të sulmuar. (Rom. 3:9, 10; 6:12-14) Le të mbetemi symprehtë, pa i shpërfillur të metat tona. Shyqyr që Jehovai është i durueshëm me ne teksa luftojmë me gjithë forcat që t’u rezistojmë dobësive tona dhe të bëjmë ndryshimet e duhura! (Filip. 2:12; 2 Pjet. 3:9) Ajo që do të na ndihmojë shumë është të marrim nën kontroll mënyrën si e përdorim kohën dhe zotërimet tona, duke i lënë pas synimet egoiste. Një motër shkruan: «U rrita në të vërtetën, e megjithatë pikëpamja ime për Jehovain ishte e ndryshme nga e shumicës. Sipas meje, duhej pasur frikë prej tij dhe as që mendoja se do t’i pëlqeja ndonjëherë.» Me kalimin e kohës, motra «gati po fundosej frymësisht» për shkak të disa dështimeve personale. Ajo thotë më tej: «Kjo nuk po ndodhte ngaqë s’e doja Jehovain, por ngaqë nuk e njihja vërtet. Megjithatë, pas shumë lutjesh të zjarrta nisa të ndryshoja qëndrim.» Më pas shton: «Vura re se Jehovai më printe hap pas hapi si një fëmije, duke më ndihmuar t’i kapërceja pengesat një e nga një, me shumë butësi, duke më treguar çfarë duhej të bëja.»

15. Çfarë vërejnë Jezui dhe Ati i tij?

15 «Vazhdoni t’i thoni popullit» lajmin e mirë. Engjëlli i Perëndisë ia tha këto fjalë Pjetrit dhe apostujve të tjerë pasi u çliruan nga burgu me anë të një mrekullie. (Vep. 5:19-21) Po, pjesëmarrja e përjavshme në shërbim është një pikë tjetër në listën tonë të kontrollit. Jezui dhe Ati i tij vërejnë qoftë besimin, qoftë shërbimin tonë. Siç e theksoi plaku i cituar në një paragraf më sipër: «Shërbimi është boshti i jetës sonë.»

16. Pse ia vlen të mendosh thellë për kushtimin ndaj Jehovait?

16 Mendo thellë për kushtimin tënd. Pasuria jonë më e çmuar është marrëdhënia  me Jehovain. Ai i njeh ata që i përkasin. (Lexo Isainë 44:5.) Shqyrto në lutje cilësinë dhe thellësinë e marrëdhënies sate me të. Po ashtu, mos harro edhe datën e rëndësishme të pagëzimit. Edhe kjo do të të ndihmojë të kujtosh se pagëzimi simbolizon vendimin më domethënës që ke marrë ndonjëherë.

RRI PRANË JEHOVAIT DUKE TREGUAR QËNDRUESHMËRI

17. Pse kemi nevojë për qëndrueshmëri që të rrimë pranë Jehovait?

17 Kur u shkroi galatasve, Pavli theksoi nevojën për qëndrueshmëri. (Gal. 6:9) Kjo është jetësore edhe për të krishterët sot. Do të hasësh sprova, por Jehovai do të të ndihmojë. Vazhdo të lutesh për frymën e shenjtë. Do të ndiesh lehtësim teksa ai të jep gëzim në vend të pikëllimit, paqe në vend të brengës. (Mat. 7:7-11) Mendo për këtë: nëse Jehovai kujdeset për zogjtë, sa më shumë kujdeset për ty që e do dhe i je kushtuar. (Mat. 10:29-31) Çfarëdo presionesh të hasësh, kurrë mos u spraps; kurrë mos u dorëzo. Çfarë pasurish të mrekullueshme kemi ngaqë Jehovai na njeh!

18. Ç’do të bësh më tej tani që ‘ke arritur ta njohësh Perëndinë’?

18 Prandaj, nëse ke arritur ta njohësh Perëndinë kohët e fundit dhe je pagëzuar, ç’të bësh tani? Vazhdo ta njohësh më mirë Jehovain, duke përparuar drejt pjekurisë frymore. Po nëse je pagëzuar prej shumë vitesh, ç’të bësh tani? Edhe ti duhet të vazhdosh ta thellosh e ta zgjerosh njohurinë për Jehovain. Kurrë të mos biem në vetëkënaqësi për sa i përket marrëdhënies me të. Përkundrazi, herë pas here të gjithë duhet të rishikojmë listën e kontrollit të gjendjes frymore për t’u siguruar se po vazhdojmë të rritemi në marrëdhënien me Atin, Mikun dhe Perëndinë tonë të dashur, Jehovain.Lexo 2 Korintasve 13:5, 6.