Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE: JETA JOTE MUND TË KETË KUPTIM!

A është vërtet e mundur një jetë me kuptim?

A është vërtet e mundur një jetë me kuptim?

«Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë. Sidoqoftë ato sjellin veç telashe e të këqija.»Psalmi 90:10.

SA TË vërteta janë këto fjalë! Shpesh, jeta në këtë botë është plot «telashe e të këqija». Mbase ke pyetur veten: «A është vërtet e mundur një jetë me kuptim sot?»

Të marrim si shembull Marinë. Ajo gjithmonë ishte person shumë aktiv, por tani, në moshën 84-vjeçare, thuajse është e ngujuar brenda mureve të shtëpisë. Mendja i punon akoma, por, me sa duket, trupi nuk bashkëpunon më me të. E si mund ta çojë nëpër mend se jeta e saj ka kuptim?

Po ti? Edhe ti ndonjëherë mund të kesh pyetur veten nëse jeta jote ka kuptim. Ndoshta puna të duket monotone, e lodhshme dhe e mërzitshme. Sikur askush s’i vëren përpjekjet ose punën tënde. Edhe nëse ke njëfarë suksesi, mbase e sheh të ardhmen me pasiguri. Herë-herë, mund të biesh në vetmi ose dëshpërim. Ndoshta jeta familjare është një shesh beteje plot konflikte. Një njeri të dashur mund të ta ketë rrëmbyer vdekja. Për shembull, Andrea ishte shumë i lidhur me babanë, por papritur ai u sëmur dhe vdiq. Për Andrean kjo ishte një goditje e rëndë dhe i krijoi një zbrazëti që ai mendon se kurrë s’do të mbushet plotësisht.

Pavarësisht se ç’telashe na bien për pjesë, ka diçka që duhet ta dimë medoemos: A është vërtet e mundur një jetë me kuptim? Përgjigjen mund të na e japë dikush që ka jetuar në tokë rreth 2.000 vjet më parë: Jezu Krishti. Me gjithë pengesat që i dolën përpara, Jezui kishte vërtet një jetë me kuptim. Edhe ne mund ta kemi një jetë të tillë, nëse ndjekim shembullin e tij.