Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»?

A jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»?

‘Krishti Jezu dha veten për ne, që të pastronte për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera.’TITIT 2:13, 14.

1, 2. Ç’nder të jashtëzakonshëm kanë Dëshmitarët e Jehovait, dhe si ndihesh për këtë?

PËR shumë veta është një nder i madh të marrin një çmim për ndonjë arritje të rëndësishme. Për shembull, disa kanë marrë çmimin Nobel për punën e zellshme që të vendosin paqe midis palëve armiqësore ose të ndara nga njëra-tjetra. Por, nderi që na ka dhënë Perëndia, duke na caktuar si ambasadorë ose të dërguar për të ndihmuar njerëzit të kenë një marrëdhënie paqësore me Krijuesin, është ku e ku më i madh.

2 Ky është një nder i jashtëzakonshëm që kemi ne si Dëshmitarë të Jehovait. Nën drejtimin e Perëndisë e të Krishtit, u përgjërohemi njerëzve ‘të pajtohen me Perëndinë’. (2 Kor. 5:20) Jehovai po na përdor që t’i afrojmë njerëzit me të. Në këtë mënyrë, miliona veta nga më shumë se 235 vende po ndihmohen të gëzojnë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, dhe kanë shpresën e jetës së përhershme. (Titit 2:11) Me një zell që buron nga zemra, ftojmë ‘këdo që dëshiron, të marrë falas ujin e jetës’. (Zbul. 22:17) Ngaqë e çmojmë këtë caktim të vyer dhe punojmë fort për ta plotësuar, me të drejtë mund të quhemi një popull ‘i zellshëm për vepra të shkëlqyera’. (Titit 2:14) Tani le të shohim se si zelli për vepra të shkëlqyera na ndihmon t’i afrojmë njerëzit me Jehovain. Një mënyrë është me anë të veprës së predikimit.

TË IMITOJMË ZELLIN E JEHOVAIT DHE TË JEZUIT

3. Për çfarë na siguron «zelli i Jehovait»?

3 Duke folur për atë që do të arrijë sundimi i Birit të Perëndisë, Isaia 9:7 thotë: «Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.» Këto fjalë nxjerrin në pah interesimin e gjallë të Atit tonë qiellor për shpëtimin e njerëzimit. Shembulli i zellit të Jehovait tregon qartë se vepra që na ka dhënë Perëndia si lajmëtarë të Mbretërisë, meriton mbështetjen me gjithë zemër, si edhe entuziazmin  e zellin tonë. Dëshira jonë e zjarrtë për t’i ndihmuar njerëzit të njohin Perëndinë, pasqyron zellin e Jehovait. Kështu, si bashkëpunëtorë të Perëndisë, a jemi të vendosur të bëjmë maksimumin në predikimin e lajmit të mirë sipas rrethanave?1 Kor. 3:9.

4. Si la Jezui një shembull të këmbënguljes me zell në shërbim?

4 Mendo edhe për zellin e Jezuit. Ai la një shembull të përsosur të këmbënguljes me zell në shërbim. Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër, e ruajti zellin për veprën e predikimit deri në fundin e dhembshëm të jetës së tij në tokë. (Gjoni 18:36, 37) Teksa afrohej koha që të vdiste si flijim, vendosmëria e Jezuit për të ndihmuar të tjerët të njihnin Jehovain u forcua edhe më shumë.

5. Si veproi Jezui në harmoni me ilustrimin e fikut?

5 Për shembull, në vjeshtën e vitit 32 të e.s., Jezui bëri një ilustrim me një burrë që kishte në vreshtin e tij një fik që nuk jepte fryt prej tre vjetësh rresht. Kur i tha vreshtarit ta priste, ky i kërkoi kohë ta plehëronte. (Lexo Lukën 13:6-9.) Atëherë, si fryte të veprës së predikimit të Jezuit mund të numëroheshin vetëm një grusht dishepujsh. Mirëpo, siç tregon ilustrimi me vreshtarin, atë pak kohë që i mbeti, rreth gjashtë muaj, Jezui e përdori për të shtuar aktivitetin në veprën e predikimit në Jude e Pere. Pak ditë para vdekjes, ai derdhi lot për bashkëkombësit e tij që e ‘kishin dëgjuar, por ishin treguar indiferentë’.Mat. 13:15; Luka 19:41.

6. Pse duhet ta shtojmë aktivitetin në shërbim?

6 Duke marrë parasysh sa thellë jemi në ditët e fundit, a nuk është jetësore që edhe ne t’i shtojmë përpjekjet në predikim? (Lexo Danielin 2:41-45.) Ç’privilegj i mrekullueshëm të jemi Dëshmitarë të Jehovait! Jemi i vetmi popull në tokë që ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet e njerëzimit. Kohët e fundit, një gazetare tha se përgjigjja e pyetjes «Pse u ndodhin të këqija njerëzve të mirë?» nuk ekziston. Për pyetje të tilla, është detyra dhe privilegji ynë si të krishterë t’u japim përgjigje nga Bibla të gjithë atyre që duan të dëgjojnë. Kemi çdo arsye ‘të jemi të zjarrtë në frymë’ teksa përmbushim caktimin hyjnor. (Rom. 12:11) Me bekimin e Perëndisë, ungjillëzimi ynë i zellshëm mund t’i ndihmojë të tjerët ta njohin e ta duan Jehovain.

NJË FRYMË VETËSAKRIFIKUESE NDERON JEHOVAIN

7, 8. Si e nderon Jehovain një frymë vetësakrifikuese?

7 Siç tregon përvoja e apostullit Pavël, për shkak të shërbimit tonë mund të kemi ‘net pa gjumë’ dhe ‘raste pa ushqim’. (2 Kor. 6:5) Këto shprehje janë një përshkrim i gjallë i vetësakrifikimit dhe na kujtojnë pionierët që e vënë shërbimin në vend të parë në jetën e tyre, ndërsa punojnë që të mbajnë veten financiarisht. Të mendojmë edhe për misionarët e përkushtuar që ‘derdhen si një blatim në pije mbi flijimin’, për t’u shërbyer të tjerëve në vende të huaja. (Filip. 2:17) E ç’mund të themi për pleqtë e papërtueshëm që humbin ndonjë vakt ose rrinë pa gjumë për t’u kujdesur për delet e Jehovait? Kemi mes nesh edhe të moshuarit e ata që kanë shëndet të dobët, që bëjnë më të mirën për të ndjekur mbledhjet e për të marrë pjesë në shërbim. Na gufon zemra nga mirënjohja kur mendojmë për tërë këta shërbëtorë vetësakrifikues të Perëndisë. Përpjekje të tilla ndikojnë te pikëpamja e të tjerëve për shërbimin tonë.

8 Në një letër drejtuar gazetës Boston Target të Linkolnshirit, Mbretëria e Bashkuar, një lexues që nuk është Dëshmitar thoshte: «Njerëzit po e humbasin besimin te fetë. . . . Ç’bëjnë gjithë ditën këta shërbëtorë të kishës? Sigurisht që nuk dalin të  takojnë njerëzit siç bëri Krishti. . . . E vetmja fe që duket se interesohet për të tjerët janë Dëshmitarët e Jehovait, të cilët dalin dhe takojnë njerëzit e marrin pjesë me sinqeritet në predikimin e së vërtetës.» Në këtë botë të zhytur kokë e këmbë në egoizëm, fryma jonë vetësakrifikuese e nderon shumë Perëndinë Jehova.Rom. 12:1.

Kur ti je në shërbim, u jep dëshmi të fuqishme atyre që të vëzhgojnë

9. Ç’mund të na nxitë të ruajmë zellin për vepra të shkëlqyera në shërbimin tonë?

9 Megjithatë, ç’mund të bëjmë nëse duket se po na zbehet zelli për shërbimin? Një gjë që mund të na ndihmojë është meditimi i thellë për atë që Jehovai arrin të bëjë me anë të veprës së predikimit. (Lexo Romakëve 10:13-15.) Shpëtimi varet nga thërritja me besim e emrit të Jehovait, por njerëzit nuk do ta thërrasin dot po të mos u predikojmë. Kur e kemi të qartë këtë, do të nxitemi të ruajmë zellin për vepra të shkëlqyera e të punojmë fort të shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë.

SJELLJA E SHKËLQYER I TËRHEQ NJERËZIT DREJT PERËNDISË

Ndershmëria dhe puna jote e palodhur nuk kalojnë pa u vënë re

10. Pse mund të themi se sjellja jonë e shkëlqyer i tërheq njerëzit drejt Jehovait?

10 Edhe pse është i rëndësishëm në shërbim, vetëm zelli nuk mjafton për t’i tërhequr njerëzit drejt Perëndisë. Elementi i dytë i veprave të zellshme që i tërheq njerëzit drejt Perëndisë, është sjellja e shkëlqyer e krishterë. Pavli theksoi sa e rëndësishme është sjellja jonë kur shkroi: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë.» (2 Kor. 6:3) Të folurit e hijshëm dhe sjellja e virtytshme e stolisin mësimin e Perëndisë dhe e bëjnë më tërheqës për të tjerët adhurimin e Jehovait. (Titit 2:10) Faktikisht, shpesh dëgjojmë se, kur njerëzit e sinqertë vërejnë sjelljen tonë si të Krishtit, reagojnë pozitivisht.

11. Pse duhet të shqyrtojmë në lutje si ndikon te të tjerët sjellja jonë?

11 Edhe pse kuptohet se veprimet tona  mund të ndikojnë për mirë te të tjerët, mund të ndodhë edhe e kundërta. Kështu, kudo qofshim, në punë, në shtëpi a në shkollë, përpiqemi të mos japim asnjë shkas për të gjetur ndonjë të metë në shërbimin ose në sjelljen tonë. Po të praktikojmë me dashje mëkatin, do të kemi pasoja katastrofike. (Hebr. 10:26, 27) Kjo do të na nxitë të shqyrtojmë në lutje çfarë po bëjmë dhe çfarë u tregojmë të tjerëve me jetën tonë. Ndërsa normat morale janë katandisur si mos më keq, njerëzit e sinqertë gjithnjë e më shumë ‘do ta shohin dallimin . . . mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben’. (Mal. 3:18) Po, sjellja jonë e shkëlqyer e krishterë luan një rol të rëndësishëm për t’i pajtuar njerëzit me Perëndinë.

12-14. Si ndikon te pikëpamja e të tjerëve për shërbimin tonë mënyra si i përballojmë sprovat e besimit? Jepni një shembull.

12 Në Letrën drejtuar Korintasve, Pavli tregoi se kishte vuajtur shtrëngime, vështirësi, rrahje e burgime. (Lexo 2 Korintasve 6:4, 5.) Kur tregojmë qëndrueshmëri gjatë sprovave të besimit, ata që na vëzhgojnë, mund të nxiten të pranojnë të vërtetën. Të bëjmë një ilustrim: disa vjet më parë, pati një orvatje për t’i zhdukur Dëshmitarët e Jehovait në një zonë të Angolës. Një çift Dëshmitarësh të pagëzuar si edhe 30 të interesuar që po ndiqnin mbledhjen, i mblodhën si grup. Pastaj, vendësit u thirrën të shihnin teksa kundërshtarët do t’i rrihnin me kamxhik viktimat e pafajshme derisa t’u dilte gjak. As gratë e fëmijët nuk u kursyen nga kjo mizori. Synimi ishte t’u kallnin frikën, që askush të mos i dëgjonte Dëshmitarët e Jehovait. Por, pas kësaj rrahjeje publike, shumë banorë iu afruan Dëshmitarëve dhe u kërkuan studim biblik. Si pasojë, vepra e predikimit për Mbretërinë vazhdoi të ecte para me goxha rritje e bekime.

13 Ky shembull tregon sa shumë mund të ndikojë te të tjerët qëndrimi ynë i patundur ndaj parimeve biblike. Kushedi sa veta janë pajtuar me Perëndinë falë qëndrimit të guximshëm të Pjetrit e të apostujve të tjerë. (Vep. 5:17-29) Sot, shokët e shkollës, kolegët e punës ose pjesëtarët e familjes mund të reagojnë pozitivisht kur shohin qëndrimin tonë ndaj asaj që është e drejtë.

14 Nuk ka asnjë moment kur disa nga vëllezërit tanë të mos përjetojnë përndjekje. Për shembull, në Armeni, rreth 40 vëllezër janë në burg për shkak të asnjanësisë, dhe muajt e ardhshëm pritet të burgosen dhjetëra të tjerë. Në Eritre, 55 shërbëtorë të Jehovait janë në burg, disa mbi 60 vjeç. Në Korenë e Jugut, gati 700 Dëshmitarë janë burgosur për shkak të besimit. Kjo situatë po zgjat prej 60 vjetësh. Le të lutemi që besnikëria e vëllezërve tanë të persekutuar në vende të ndryshme t’i sjellë lavdi Perëndisë dhe të ndihmojë ata që e duan drejtësinë të marrin anën e adhurimit të vërtetë.Psal. 76:8-10.

15. Ilustroni se si mund t’i tërheqim të tjerët drejt së vërtetës kur jetojmë me ndershmëri.

15 Gjithashtu, njerëzit tërhiqen drejt së vërtetës ngaqë jetojmë me ndershmëri. (Lexo 2 Korintasve 6:4, 7.) Le të shohim këtë përvojë: një motër hodhi para në kutinë që pret bileta në autobus kur një e njohur i tha se nuk kishte nevojë të paguante pasi do të zbriste shpejt. Motra i shpjegoi se ishte e drejtë të paguante biletën qoftë edhe për një stacion. Pas kësaj, shoqja e saj zbriti nga autobusi. Menjëherë, shoferi ktheu kokën ta pyeste motrën: «Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait?» Ajo iu përgjigj: «Po, pse më pyet?» Ai ia ktheu: «Dëgjova bisedën për pagesën e biletës dhe e di se Dëshmitarët e Jehovait janë ndër të rrallët që e bëjnë këtë e janë të ndershëm në gjithçka.» Disa muaj më vonë, një burrë iu afrua motrës në një mbledhje dhe i  tha: «Më njeh mua? Jam shoferi i autobusit që foli me ty për pagesën e biletës. Falë sjelljes sate vendosa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.» Reputacioni ynë si njerëz të ndershëm flet mirë për ne si shërbëtorë të besueshëm.

TË SHFAQIM GJITHNJË CILËSI QË NDEROJNË PERËNDINË

16. Çfarë mund të ndodhë po të jemi shpirtgjerë, të dashur dhe mirëdashës? Jepni një shembull për mënyrën si veprojnë krerët fetarë.

16 Gjithashtu, bëjmë pjesën tonë për t’i tërhequr njerëzit drejt Jehovait kur shfaqim cilësi të tilla, si shpirtgjerësia, dashuria dhe mirëdashja. Disa që na vëzhgojnë, mund të dëshirojnë të mësojnë për Jehovain, qëllimin dhe popullin e tij. Qëndrimi dhe sjellja e të krishterëve të vërtetë është në kontrast të thellë me përkushtimin hyjnor sa për sy e faqe të atyre, adhurimi i të cilëve shpesh është i shtirur. Disa krerë fetarë janë pasuruar duke zhvatur kopenë dhe duke përdorur shumë nga këto para për të blerë shtëpi e makina luksoze, madje në një rast kolibe qensh me ajër të kondicionuar. Vërtet, shumë që pohojnë se janë ithtarë të Krishtit, as që u shkon ndër mend ‘të japin falas’. (Mat. 10:8) Përkundrazi, ashtu si priftërinjtë rebelë të Izraelit të lashtë, ata «mësojnë me pagesë» dhe pjesa dërrmuese e mësimeve të tyre nuk ka bazë biblike. (Mik. 3:11) Një sjellje e tillë e shtirur nuk pajton askënd me Perëndinë.

17, 18. (a) Si e nderojmë Jehovain kur pasqyrojmë cilësitë e tij në jetën tonë? (b) Çfarë të nxit të vazhdosh të ngulmosh në vepra të shkëlqyera?

17 Nga ana tjetër, zemra preket nga mësimet e vërteta të krishtere dhe nga veprimet e mira që bëjmë për të tjerët. Për shembull, një herë, kur një pionier po predikonte nga dera në derë, një vejushë e moshuar ia preu fjalën në mes. Ajo i tha se, kur ai i ra ziles, ishte në një shkallë lëvizëse në kuzhinë, duke u përpjekur të ndërronte llambën. «Është e rrezikshme për ty ta bësh këtë vetëm»,—i tha ai. Pastaj, pionieri i ndërroi llambën dhe vazhdoi rrugën. Kur i biri i gruas e mori vesh ç’kishte ndodhur, i bëri aq përshtypje, sa u përpoq të gjente vëllanë që ta falënderonte. Me kalimin e kohës, ai pranoi një studim biblik.

18 Pse je i vendosur të vazhdosh të ngulmosh në vepra të shkëlqyera? Mbase ngaqë e di se, kur jemi të zellshëm në shërbim dhe kur veprojmë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, nderojmë Jehovain dhe i ndihmojmë të tjerët të shpëtohen. (Lexo 1 Korintasve 10:31-33.) Zelli për vepra të shkëlqyera në predikimin e lajmit të mirë dhe sjellja sipas normave të Perëndisë, burojnë nga dëshira e thellë për të treguar dashurinë për Të e për të tjerët. (Mat. 22:37-39) Nëse jemi të zellshëm për vepra të shkëlqyera, do të shpërblehemi bollshëm që tani me gëzim dhe kënaqësi. Për më tepër, mund të presim ditën kur gjithë njerëzimi do të tregojë zell për adhurimin e vërtetë duke e nderuar Krijuesin tonë, Jehovain.