Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër, fëmijë—Komunikoni me dashuri!

Prindër, fëmijë—Komunikoni me dashuri!

«Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.»JAK. 1:19.

1, 2. Si ndihen normalisht prindërit dhe fëmijët për njëri-tjetrin, por ç’vështirësi hasin nganjëherë?

«PO TË marrësh vesh se nesër do të të vdesin prindërit, çfarë do të doje t’u thoshe sot?» Kjo pyetje iu bë qindra fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Në vend që të përqendroheshin te problemet a mosmarrëveshjet që i mërzitnin, rreth 95 për qind e tyre u përgjigjën se do t’u thoshin: «Më falni!» dhe «Ju dua shumë!»For Parents Only, nga Shonti Feldëhan dhe Liza Rajs.

2 Normalisht, fëmijët i duan prindërit dhe prindërit i duan fëmijët e tyre, sidomos në familjet e krishtere. Edhe pse prindërit dhe fëmijët dëshirojnë fort të kenë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin, nganjëherë mund të mos e kenë aq të lehtë të komunikojnë. Pse disa tema nuk i prekin fare, edhe kur komunikohet çiltërsisht dhe hapur? Cilat janë disa pengesa për komunikimin e mirë? Si mund të kapërcehen?

Mos i lejoni shpërqendrimet dhe veçimin t’ju pengojnë komunikimin brenda familjes

‘BLINI KOHËN’ PËR TË KOMUNIKUAR

3. (a) Pse shumë familje s’e kanë të lehtë të komunikojnë mirë? (b) Pse familjet në Izraelin e lashtë s’e kishin problem të kalonin kohë së bashku?

3 Shumë familje e kanë të vështirë të gjejnë mjaft kohë për komunikim domethënës. Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Moisiu i udhëzoi baballarët izraelitë: «Ngulitua ato [fjalët e Perëndisë] bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» (Ligj. 6:6, 7) Fëmijët e kalonin ditën ose në shtëpi me mamanë, ose në ara a në një vend tjetër ku punonte babai. Pra, kishin mjaft kohë për të ndenjur bashkë e për të folur me njëri-tjetrin. Kështu, prindërit kishin mundësi  të njihnin nevojat, dëshirat dhe personalitetin e fëmijëve. Edhe fëmijët kishin kohë e plot raste për t’i njohur mirë prindërit.

4. Pse për shumë familje sot është problem komunikimi?

4 Sa ndryshe është sot! Në disa vende, fëmijët e nisin arsimimin parashkollor që në moshë fare të njomë, ndonjëherë që dy vjeç. Shumë baballarë e nëna punojnë larg shtëpisë. Gjatë asaj pak kohe kur prindërit e fëmijët janë bashkë, komunikimi konkurron—shpesh pa sukses—me kompjuterin, televizorin dhe celularin. Në shumë raste, fëmijët dhe prindërit jetojnë secili për hesapin e vet; pothuajse si të huaj. Gati nuk bëhen fare biseda domethënëse.

5, 6. Si ‘blejnë’ më tepër kohë disa prindër që të rrinë me fëmijët?

5 A mund ‘të blini kohë’ nga gjërat e tjera që të rrini më shumë me familjen tuaj? (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Disa familje kanë rënë dakord të kufizojnë kohën që kalojnë para televizorit a kompjuterit. Të tjerë përpiqen të hanë të paktën një vakt së bashku çdo ditë. Ç’mundësi e shkëlqyer u jepet prindërve e fëmijëve të afrohen me njëri-tjetrin e të diskutojnë me qetësi për çështje frymore gjatë adhurimit familjar. Edhe pse lënia mënjanë e një ore a më tepër në javë për këtë qëllim është gjë e mirë, kjo nuk mjafton për t’u hapur derën bisedave të thella. Për këtë është i domosdoshëm komunikimi i rregullt dhe i shpeshtë. Para se fëmijët të nisen për në shkollë, thuajuni diçka që u jep zemër, diskutoni shkrimin e ditës ose bëni një lutje bashkë. Kjo mund të ketë ndikim të madh gjatë gjithë ditës tek ata.

6 Disa prindër kanë pasur mundësi të bëjnë ndryshime në mënyrën e jetesës që të kalojnë më tepër kohë me fëmijët. Për shembull, Laura, * një nënë me dy fëmijë të vegjël, e la punën në kohë të  plotë për këtë arsye. Ajo thotë: «Në mëngjes të gjithë dilnim me vrap për në punë a në shkollë. Në mbrëmje, kur kthehesha në shtëpi, tashmë dadoja i kishte vënë në gjumë fëmijët. Të lija punën do të thoshte se duhej t’ia dilnim me më pak të ardhura, por tani i kuptoj mirë mendimet dhe problemet e fëmijëve. Mund t’i dëgjoj kur luten dhe t’i këshilloj, t’u jap zemër e t’i mësoj.»

JINI ‘TË SHPEJTË NË TË DËGJUAR’

7. Cila ankesë dëgjohet më shpesh si nga fëmijët, edhe nga prindërit?

7 Pas shumë intervistave me të rinjtë, autorët e librit të përmendur më sipër vërejtën një tjetër pengesë për komunikimin. Ata thonë: «Ankesa numër një e kalamajve ishte se prindërit ‘nuk i dëgjojnë’.» Ky problem vështirë se është i njëanshëm. Shpesh prindërit kanë të njëjtën ankesë për fëmijët. Që të ruajnë një komunikim të hapur, pjesëtarët e familjes duhet ta dëgjojnë njëri-tjetrin—ta dëgjojnë vërtet.Lexo Jakovin 1:19.

8. Si mund t’i dëgjojnë vërtet prindërit fëmijët?

8 Prindër, a i dëgjoni vërtet fëmijët? Kjo mund të jetë e vështirë kur jeni të lodhur ose kur biseda duket disi kot. Mirëpo, ajo që juve ju duket e kotë, mund të jetë shumë e rëndësishme për fëmijët. Të jeni ‘të shpejtë në të dëgjuar’ do të thotë t’i kushtoni vëmendje jo vetëm asaj që thonë, por edhe mënyrës si e thonë. Toni i zërit dhe qëndrimi i trupit mund t’ju ndihmojnë të pikasni ndjenjat që provojnë. Edhe pyetjet janë mjaft të rëndësishme. Bibla thotë: «Mendimet e dikujt janë si uji në një pus të thellë, por njeriu me gjykim të thellë i nxjerr në sipërfaqe.» (Prov. 20:5, Today’s English Version) Duhet gjykim i thellë dhe aftësi dalluese veçanërisht kur përpiqeni që fëmijët të hapen për tema delikate.

9. Pse fëmijët duhet t’i dëgjojnë prindërit?

9 Fëmijë, a u bindeni prindërve? Fjala e Perëndisë thotë: «Dëgjoje, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Prov. 1:8) Mos harroni se prindërit ju kanë xhan dhe duan më të mirën për ju, ndaj është e mençur t’i dëgjoni e t’u bindeni. (Efes. 6:1) Është më kollaj t’u bindeni kur ka komunikim të mirë dhe kur e dini se ju duan. Tregojuni prindërve si ndiheni për gjëra të ndryshme. Kjo do t’i ndihmojë t’ju kuptojnë. Natyrisht, edhe ju duhet të përpiqeni t’i kuptoni ata.

10. Çfarë mësojmë nga tregimi biblik për Rehoboamin?

10 Por ama, nëse këshilloheni me bashkëmoshatarët tuaj, bëni kujdes. Ata mund t’ju thonë atë që keni qejf të dëgjoni, por këshilla e tyre mund të mos pijë ujë. Madje, mund t’ju bëjë keq. Atyre u mungon mençuria dhe përvoja e të rriturve, prandaj nuk kanë largpamësi e mund të mos jenë në gjendje të dallojnë pasojat e disa veprimeve. Kujtoni shembullin e Rehoboamit, birit të mbretit Solomon. Kur u bë mbret i Izraelit, do të ishte e mençur të ndiqte këshillën e pleqve. Në vend të kësaj, ndoqi këshillën e pamend të të rinjve me të cilët ishte rritur. Si pasojë, humbi përkrahjen e shumicës së nënshtetasve të mbretërisë së tij. (1 Mbret. 12:1-17) Në vend që të imitoni rrugën jo të mençur të Rehoboamit, bëni çmos të mbani një komunikim të hapur me prindërit tuaj. Shprehuani mendimet. Përfitoni nga këshillat dhe mësoni nga mençuria e tyre.Prov. 13:20.

11. Ç’mund të ndodhë nëse prindërit nuk tregohen të afrueshëm?

11 Prindër, nëse nuk doni që fëmijët  të këshillohen me bashkëmoshatarët, sigurohuni që ta kenë të lehtë t’ju afrohen e t’ju flasin. Një motër adoleshente shkroi: «Me të përmendur emrin e ndonjë çuni, prindërit sikletosen. Kjo më vë edhe mua në siklet dhe stepem.» Një tjetër motër e re shkroi: «Shumë adoleshentë duan këshilla nga prindërit, por nëse ata nuk i marrin seriozisht, fëmijët do të kërkojnë dikë tjetër që i respekton, madje edhe ata që kanë më pak përvojë.» Nëse jeni gati t’i dëgjoni me dhembshuri për çfarëdolloj teme, ka të ngjarë që fëmijët të hapen e ta pranojnë me kënaqësi drejtimin tuaj.

‘MOS U NXITONI NË TË FOLUR’

12. Si mund të pengojë komunikimin me fëmijët reagimi i prindërve?

12 Një tjetër pengesë për komunikimin ngrihet kur prindërit reagojnë në mënyrë të tepruar ose negativisht kur fëmijët u flasin për ndonjë gjë. Kuptohet se prindërit e krishterë duan t’i mbrojnë fëmijët. Këto ‘ditë të fundit’ janë plot rreziqe, si frymore, edhe të tjera. (2 Tim. 3:1-5) Megjithatë, ajo që prindërve u duket mbrojtje, fëmijëve mund t’u duket teprim.

13. Pse prindërit duhet të bëjnë kujdes që të mos e shprehin nxitimthi mendimin?

13 Prindërit tregohen të mençur kur nuk nxitojnë të japin mendim. Vërtet, nuk është gjithnjë e lehtë të përmbaheni kur fëmijët ju thonë diçka tronditëse. Por është e rëndësishme t’i dëgjoni me kujdes para se të përgjigjeni. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» (Prov. 18:13) Po të ruani gjakftohtësinë, do të dëgjoni më shumë dhe fëmijët do të vazhdojnë t’ju tregojnë. Nëse doni t’i ndihmoni, duhet ta kuptoni plotësisht situatën. Pas ‘fjalëve të rrëmbyera’ mund të fshihet një zemër e trazuar. (Jobi 6:1-3) Si prindër të dashur, përdorni veshët për të kuptuar dhe gjuhën për të shëruar.

14. Pse fëmijët nuk duhet të nxitohen në të folur?

14 Edhe ju fëmijë ‘s’duhet të nxitoheni në të folur’, duke e kundërshtuar menjëherë atë që ju thonë prindërit, sepse Perëndia u ka dhënë përgjegjësinë t’ju stërvitin. (Prov. 22:6) Mund të kenë përjetuar situata të ngjashme me tuajat. Për më tepër, mund të jenë bërë pishman për gabimet gjatë rinisë dhe dëshirojnë me zjarr t’ju mbrojnë nga gabime të tilla. Prandaj, shihini prindërit si aleatë, jo si armiq, si këshilltarë, jo si kundërshtarë. (Lexo Proverbat 1:5.) ‘Nderoni atin dhe nënën tuaj’ dhe tregoni se i doni ashtu si ju duan ata. Kështu do ta kenë më të lehtë ‘t’ju rritin në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait’.Efes. 6:2, 4.

‘MOS U ZEMËRONI SHPEJT’

15. Çfarë do të na ndihmojë të mos humbim durimin dhe të mos acarohemi me të dashurit tanë?

15 Jo gjithmonë jemi të duruar me ata që i duam. ‘Të shenjtëve dhe vëllezërve të besueshëm në unitet me Krishtin që ishin në Kolose’, apostulli Pavël u shkroi: «Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to. Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolos. 1:1, 2; 3:19, 21) Kurse efesianët Pavli i nxiti: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.» (Efes. 4:31) Po të kultivojmë shpirtgjerësinë, butësinë e vetëkontrollin—aspekte të frytit të frymës së Perëndisë—do të mund të ruajmë  gjakftohtësinë kur të jemi nën stres.Gal. 5:22, 23.

16. Si i ndreqi Jezui dishepujt dhe pse kjo ishte e jashtëzakonshme?

16 Të mendojmë për shembullin e Jezuit. Të përfytyrojmë stresin e stërmadh që ndjeu darkën e fundit me apostujt. Jezui e dinte se pas disa orësh do të pësonte vdekje të ngadaltë e të dhembshme. Për më tepër, shenjtërimi i emrit të të Atit dhe shpëtimi i njerëzimit vareshin nga besnikëria e tij. Megjithatë, po atë darkë «mes tyre [apostujve] u hap edhe një debat i zjarrtë, se kush nga ata dukej se ishte më i madhi». Jezui nuk u bërtiti e as ua ktheu me inat. Në vend të kësaj, arsyetoi qetësisht me ta. Ai u solli ndër mend se kishin qëndruar bashkë me të në sprovat e tij. Edhe pse Satanai kërkonte t’i shoshitte si grurin, Jezui u shprehu sigurinë se do të qëndronin besnikë. Madje, bëri edhe një besëlidhje me ta.Luka 22:24-32.

A i dëgjoni me kujdes fëmijët?

17. Çfarë do t’i ndihmojë fëmijët të ruajnë gjakftohtësinë?

17 Edhe fëmijët kanë nevojë të ruajnë gjakftohtësinë. Mund t’u duket sikur mënyra si i drejtojnë prindërit tregon mungesë besimi tek ata, sidomos në vitet e adoleshencës. Nëse nganjëherë mendoni kështu, mbani parasysh se meraku i prindërve buron nga dashuria për ju. Duke i dëgjuar me qetësi dhe duke u treguar bashkëpunues do të fitoni respektin e tyre dhe do të bëni një emër të mirë si të përgjegjshëm. Falë një sjelljeje të tillë, ka gjasa t’ju japin më tepër liri për disa gjëra. Është gjë e mençur të tregoni vetëkontroll. Një fjalë e urtë thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.»Prov. 29:11.

18. Pse dashuria ndikon për mirë në komunikim?

18 Kështu, prindër dhe fëmijë të dashur, mos t’ju lëshojë zemra nëse komunikimi në familjen tuaj nuk është aq i hapur sa do të donit. Vazhdoni të përpiqeni dhe të ecni në të vërtetën. (3 Gjon. 4) Në botën e re, njerëzit e përsosur do të mund të komunikojnë përsosmërisht, pa keqkuptime e grindje. Megjithatë, tani për tani, të gjithë ne bëjmë gjëra për të cilat më vonë bëhemi pishman. Prandaj, mos ngurroni të kërkoni të falur. Falni bujarisht. ‘Jini të bashkuar në dashuri.’ (Kolos. 2:2) Dashuria ka fuqi. «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. . . . nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. . . . Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje.» (1 Kor. 13:4-7) Vazhdoni të kultivoni dashuri dhe komunikimi do të lulëzojë, duke i sjellë gëzim familjes suaj dhe lavdi Jehovait.

^ par. 6 Emri është ndryshuar.