Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 JETËSHKRIM

Çfarë i ka dhënë kuptim jetës sonë?

Çfarë i ka dhënë kuptim jetës sonë?

SAPO linda Gerin, më 1958, e kuptova se diçka nuk shkonte me shëndetin e tij. Por, u deshën dhjetë muaj derisa mjekët të diagnostikonin sëmundjen e tij dhe pesë vite të tjera që specialistë në Londër ta konfirmonin këtë. Nëntë vjet pas tij linda Luizën. Sa u trishtova kur ajo shfaqi simptoma shumë më të rënda se të Gerit.

«Të dy fëmijët kanë sindromin LMBB * dhe duhet të mësosh të jetosh me këtë»,—më thanë mjekët me ngrohtësi. Në atë kohë dihej fare pak për këtë çrregullim të rrallë gjenetik. Shfaqet me dobësim të shikimit që çon në verbëri, dhjamosje, më shumë gishta në këmbë a në dorë, zhvillim të vonuar, probleme të koordinimit të lëvizjeve, diabet, osteoartrit dhe anomali të veshkave. Prandaj, do ta kisha mjaft të vështirë të kujdesesha për fëmijët. Sipas një studimi të kohëve të fundit 1 në 125.000 persona në Britani vuan nga ky sindrom, edhe pse shumë më tepër mund të kenë një formë të lehtë të tij.

JEHOVAI BËHET «KALA E SIGURT» PËR NE

Nga biseda që bëra me një Dëshmitare të Jehovait, pak pasi u martova, e dallova menjëherë tingullin e së vërtetës. Por, im shoq s’kishte fare interes. Shpërnguleshim vazhdimisht për shkak të punës së tij, prandaj nuk i ndiqja dot mbledhjet në asnjë kongregacion. Megjithatë, i lutesha Jehovait dhe lexoja Biblën rregullisht. Sa më ngrohej zemra kur lexoja se «Jehovai do të jetë një kala e sigurt për këdo që është i shtypur, një kala e sigurt në kohë vuajtjesh» dhe se ‘nuk do t’i braktisë ata që e kërkojnë’.Psal. 9:9, 10.

Geri kishte shikim të dobët, prandaj kur mbushi gjashtë vjeç, e çuam në një shkollë me konvikt në bregun jugor të Anglisë që të merrte arsimim të veçantë. Më telefononte rregullisht kur e shqetësonte diçka dhe gjatë atyre bisedave e ndihmoja të kuptonte parimet bazë të Biblës. Pak vjet pasi linda Luizën u sëmura me sklerozë të shumëfishtë dhe fibromialgji. Kur Geri mbushi 16 vjeç, u kthye në shtëpi. Por, shikimi po i keqësohej, dhe më 1975, ishte pothuaj i verbër. Im shoq na braktisi më 1977.

Menjëherë pas kthimit të Gerit filluam të shoqëroheshim me një kongregacion të dashur, dhe më 1974 u pagëzova. E vlerësova shumë ndihmën që një plak i dha Gerit teksa përballej me ndryshimet fizike të adoleshencës. Dëshmitarë të tjerë na ndihmuan me punët e shtëpisë dhe, më pas, pesë prej tyre u punësuan nga shërbimet sociale që të kujdeseshin për ne. Sa shumë na lehtësoi kjo!

Geri bëri përparim të shkëlqyer në të vërtetën dhe u pagëzua më 1982. Ai e kishte për zemër shërbimin si pionier ndihmës, kështu edhe unë u bëra pioniere dhe vazhduam për disa vjet. Im bir u kënaq shumë kur, ca kohë më vonë, mbikëqyrësi qarkor e pyeti: «Geri, pse nuk bëhesh pionier i rregullt?» Ai mori zemër nga kjo dhe më 1990 filloi si pionier i rregullt.

 Geri bëri dy operacione për të vënë proteza në kockat e legenit, njërin më 1999 dhe tjetrin më 2008. Ndërsa problemet shëndetësore të Luizës ishin shumë më të rënda. Lindi plotësisht e verbër dhe, kur pashë një gisht më tepër në këmbën e saj, e kuptova se edhe ajo kishte sindromin LMBB. Nga ekzaminimet doli se kishte defekte serioze edhe në shumë organe të brendshme. Gjatë viteve ka bërë operacione të vështira, duke përfshirë pesë operacione në veshka. Edhe ajo është me diabet, si Geri.

Meqë i kupton vështirësitë që mund të dalin kur nevojitet një operacion, Luiza flet që më përpara me kirurgët, anesteziologët dhe personelin mjekësor e u shpjegon vendimin e saj për procedurat mjekësore pa përdorur gjak. Ja pse shkon aq mirë me të gjithë ata që kujdesen me merak për problemet e saj fizike.

JETA JONË ËSHTË DOMETHËNËSE

Në shtëpinë tonë jemi plotësisht të zënë me aktivitete që përqendrohen tek adhurimi i Jehovait. Para se të dilnin mjetet e sotme elektronike, kaloja orë të tëra duke i lexuar Gerit dhe Luizës. Tani me ndihmën e CD-ve, DVD-ve dhe incizimeve nga faqja www.pr418.com kënaqemi me programin javor të studimit të Biblës në orare të ndryshme dhe japim komente domethënëse në mbledhjet e krishtere.

Sa mirënjohës jemi për të vërtetat e vyera nga Fjala e frymëzuar e Jehovait!

Ndonjëherë Geri i mëson përmendsh komentet, ndërsa fjalimet në Shkollën Teokratike i bën me fjalët e veta. Në vitin 1995 u emërua shërbëtor ndihmës. Është gjithmonë i zënë në Sallën e Mbretërisë teksa u jep mirëseardhjen të tjerëve dhe ndihmon tek akustika.

Lajmëtarët e shoqërojnë Gerin në shërbim, shpesh duke i shtyrë karrigen me rrota që përdor për shkak të artritit. Një Dëshmitar e ndihmoi të drejtonte një studim biblik me një person të interesuar. Gjithashtu, Geri inkurajoi një motër që ishte joaktive për 25 vjet. Të dy këta tani ndjekin mbledhjet.

Kur Luiza ishte 9 vjeçe, gjyshja i mësoi të thurte me shtiza, kurse unë dhe një motër që kujdesej për ne i mësuam të qëndiste. Meqë ende i pëlqen shumë të bëjë punëdore, punon kuverta shumëngjyrëshe për bebet dhe për të moshuarit në kongregacion. Bën edhe kartolina me figura të vockla që ngjiten. Kush i merr ato kartolina, i çmon shumë. Në fillim të adoleshencës Luiza mësoi të shtypte në tastierë. Tani me anë të një kompjuteri që lexon me zë u dërgon rregullisht email-e miqve të saj. U pagëzua kur ishte 17 vjeçe. Kur bëhen fushata predikimi, kënaqemi duke shërbyer bashkë si pioniere ndihmëse. Njësoj si Geri, edhe Luiza mëson përmendsh shkrime që të shprehë besimin e saj te premtimet e Perëndisë për një botë ku «do të hapen sytë e të verbërve» dhe «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»Isa. 33:24; 35:5.

Sa mirënjohës jemi për të vërtetat e vyera nga Fjala e frymëzuar e Jehovait! Zemrat i kemi plot mirënjohje për mbështetjen e ngrohtë të kongregacionit. Pa ndihmën e tyre, shumë gjëra nuk do t’i bënim dot. Po, Jehovai i ka dhënë kuptim jetës sonë.

^ par. 5 Sindromi është quajtur Lorens-Mun-Bardet-Bidli, sipas emrave të katër mjekëve që zbuluan këtë çrregullim gjenetik recesiv, që trashëgohet kur të dy prindërit mbartin gjenin recesiv. Sot njihet si sindromi Bardet-Bidli. Për të nuk ka kurë.