Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është bujar dhe i arsyeshëm

Jehovai është bujar dhe i arsyeshëm

«Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.»PSAL. 145:9.

1, 2. Ç’mundësi kanë miqtë e Jehovait?

NJË e krishterë me emrin Monika thotë: «Jemi të martuar prej afro 35 vjetësh. Burri im dhe unë e njohim goxha mirë njëri-tjetrin. Megjithatë, pas gjithë këtyre viteve, ende mësojmë gjëra për njëri-tjetrin që nuk i dinim më parë.» Pa dyshim, mund të thuhet e njëjta gjë për shumë e shumë martesa e miqësi.

2 Kënaqemi kur njihemi më mirë me të dashurit tanë. Sidoqoftë, miqësia me Jehovain s’ka të krahasuar me ndonjë miqësi tjetër që mund të zhvillojmë. Kurrë nuk do të dimë çdo gjë për të. (Rom. 11:33) Gjatë tërë përjetësisë do të kemi mundësinë dhe gëzimin të thellojmë çmueshmërinë për cilësitë e Jehovait.Ekl. 3:11.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Artikulli i kaluar na ndihmoi të thellonim çmueshmërinë për afrueshmërinë e paanshmërinë e Jehovait. Tani, le të shqyrtojmë dy cilësi të tjera të Jehovait që na bëjnë për vete: bujaria dhe arsyetueshmëria. Kështu, do të kuptojmë më plotësisht se «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij».Psal. 145:9.

JEHOVAI ËSHTË BUJAR

4. Cili është thelbi i bujarisë së vërtetë?

4 Ç’do të thotë të jesh bujar? Përgjigjen e gjejmë në fjalët e Jezuit, shkruar te Veprat 20:35: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» Me këtë pohim të thjeshtë, Jezui kapi thelbin e bujarisë së vërtetë. Një njeri bujar jep lirisht nga koha, energjitë dhe të mirat e tij në dobi të të tjerëve, dhe e bën këtë me kënaqësi. Qartë, bujaria nuk matet nga përmasat e dhuratës, por nga motivi i dhënësit. (Lexo 2 Korintasve 9:7.)  Askush nuk është më bujar se ‘Perëndia ynë i lumtur’, Jehovai.1 Tim. 1:11.

5. Në cilat mënyra e shfaq bujarinë Jehovai?

5 Si e shfaq Jehovai bujarinë? Ai u siguron atë që u nevojitet të gjithë njerëzve, edhe atyre që ende nuk po e adhurojnë. Vërtet, «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve». «Ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mat. 5:45) Ja përse, teksa fliste me jobesimtarët, apostulli Pavël mundi t’u thoshte se Jehovai «bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot hare.» (Vep. 14:17) Kuptohet qartë se Jehovai është bujar me të gjithë njerëzit.Luka 6:35.

6, 7. (a) Sidomos për cilët kënaqet Jehovai kur u siguron gjërat e nevojshme? (b) Jepni një shembull se si kujdeset Jehovai për shërbëtorët e tij besnikë.

6 Jehovai kënaqet sidomos kur siguron gjërat e nevojshme për adhuruesit e tij besnikë. Mbreti David vërejti: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psal. 37:25) Shumë të krishterë besnikë e kanë përjetuar kujdesin e Jehovait. Le të shohim një shembull.

7 Disa vjet më parë, Nensi, një motër që shërben në kohë të plotë, ishte në hall. Ajo kujton: «Më duheshin 51 euro për qiranë, të cilën duhej ta paguaja të nesërmen. As që e kisha idenë si t’i gjeja këto para. U luta për situatën, pastaj vajta në punën time si kameriere. Nuk prisja të merrja shumë bakshishe atë mbrëmje, ngaqë ishte një ditë jave kur në restorant nuk vinin shumë njerëz. Për habinë time, atë natë erdhën disa klientë. Kur mbarova turnin dhe numërova bakshishet, ishin fiks 51 euro.» Nensi s’ka pikë dyshimi se Jehovai i siguroi bujarisht tamam atë që i nevojitej.Mat. 6:33.

8.. Cila është dhurata më bujare e Jehovait?

8 Të gjithë mund të përfitojnë nga dhurata më bujare e Jehovait. Cila? Flijimi shpërblyes i Birit të tij. Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Në këtë kontekst, ‘bota’ i referohet njerëzimit. Po, kushdo që vendos ta pranojë, mund ta marrë dhuratën më bujare të Jehovait. Ata që tregojnë besim te Jezui do të gëzojnë jetë me bollëk, pra jetën e përhershme. (Gjoni 10:10) A ka provë më të madhe që Jehovai është bujar?

IMITO BUJARINË E JEHOVAIT

Izraelitët u nxitën të imitonin bujarinë e Jehovait (Shih paragrafin 9.)

9. Si mund ta imitojmë bujarinë e Jehovait?

 9 Si mund ta imitojmë bujarinë e Jehovait? Jehovai «na i jep të gjitha me bollëk  për kënaqësinë tonë», prandaj duhet të jemi «gati për të ndarë me të tjerët» dhe kështu e shtojmë gëzimin e tyre. (1 Tim. 6:17-19) Me kënaqësi përdorim të mirat tona për t’u bërë dhurata të dashurve tanë dhe për t’i ndihmuar nevojtarët. (Lexo Ligjin e përtërirë 15:7.) Çfarë mund të na kujtojë që të jemi bujarë? Disa të krishterë veprojnë në këtë mënyrë praktike: kurdo që marrin ndonjë dhuratë, kërkojnë mundësi që t’i bëjnë dhuratë dikujt tjetër. Kongregacioni i krishterë është i bekuar me një mori vëllezërish e motrash që po zhvillojnë një frymë bujarie.

10. Cila është një mënyrë e veçantë për të qenë bujarë?

10 Një nga mënyrat më të mira për të qenë bujarë është të japim nga vetja me fjalë dhe vepra. Si mund ta bëjmë këtë? Duke përdorur kohën dhe energjitë tona për të ndihmuar dhe për t’u dhënë zemër të tjerëve. (Gal. 6:10) Për të kuptuar si jemi në këtë aspekt, mund të pyesim veten: «A më shohin të tjerët si dikush që është i gatshëm të japë nga vetja dhe t’u vërë veshin shqetësimeve të tyre? Nëse dikush kërkon ndihmë për ndonjë projekt a porosi, a them gjithmonë po kur është e mundur? Kur ishte hera e fundit që kam lavdëruar sinqerisht një familjar ose bashkëbesimtar?» Kur ‘e bëjmë zakon të japim’, me siguri do të lidhemi më ngushtë me Jehovain dhe me miqtë tanë.Luka 6:38; Prov. 19:17.

11. Përmes cilave mënyra mund të jemi bujarë me Jehovain?

 11 Gjithashtu, mund të jemi bujarë me Jehovain. Shkrimet na nxitin: «Nderoje Jehovain me gjërat e tua me vlerë.» (Prov. 3:9) Këto ‘gjëra me vlerë’ përfshijnë kohën, energjitë dhe të mirat tona, të cilat mund t’i përdorim pa u kursyer në shërbimin e tij. Edhe të vegjlit  mund të mësojnë të jenë bujarë me Jehovain. «Kur japim kontribute në Sallën e Mbretërisë si familje, lëmë fëmijët t’i hedhin paratë në kuti,—thotë babai, Xhejsoni.—Ata kënaqen sepse, siç thonë vetë, ‘i japim diçka Jehovait’.» Fëmijët që provojnë gëzim kur i japin Jehovait sa janë të vegjël, ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë bujarë me të edhe kur të rriten.Prov. 22:6.

JEHOVAI ËSHTË I ARSYESHËM

12. Çfarë do të thotë të jesh i arsyeshëm?

12 Një tjetër cilësi e Jehovait që na bën për vete është arsyetueshmëria. Çfarë do të thotë të jesh i arsyeshëm? Fjala origjinale që në Përkthimin Bota e Re zakonisht përkthehet «i arsyeshëm», fjalë për fjalë do të thotë «të hapësh rrugë». (Titit 3:1, 2) Një njeri i arsyeshëm nuk ngul këmbë gjithnjë për çdo pikë e presje të ligjit dhe as është tepër strikt, i rëndë ose i ashpër. Përkundrazi, përpiqet të jetë i butë me të tjerët dhe merr parasysh rrethanat e tyre. Është gati t’i dëgjojë dhe, kur është me vend, t’u hapë rrugë dëshirave të tyre e të përshtatë kërkesat e tij.

13, 14. (a) Si e shfaq arsyetueshmërinë Jehovai? (b) Çfarë mund të mësojmë për arsyetueshmërinë nga mënyra si u soll Perëndia me Lotin?

13 Si e shfaq arsyetueshmërinë Jehovai? Ai dashamirësisht merr parasysh ndjenjat e shërbëtorëve të tij dhe shpesh e sheh të udhës t’u përshtatet kërkesave të tyre. Për shembull, shih si u soll Jehovai me njeriun e drejtë Lot. Kur vendosi të shkatërronte qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës, i dha Lotit udhëzime të qarta që të ikte në male. Megjithatë, për ndonjë arsye, Loti kërkoi me ngulm leje që të ikte në një vend tjetër. Mendo pak, Loti guxoi t’i kërkonte Jehovait të ndryshonte udhëzimet e tij!Lexo Zanafillën 19:17-20.

14 Në pamje të parë mund të jetë e lehtë ta gjykojmë Lotin si të dobët ose të pabindur. Në fund të fundit, me siguri Jehovai mund ta kishte ruajtur gjallë kudo, kështu s’kishte pse të frikësohej. Prapëseprapë, ai ndihej i frikësuar—këto ishin ndjenjat e tij dhe Jehovai hapi rrugë duke i marrë parasysh. Ai e lejoi Lotin të ikte në një qytet të cilin kishte ndër mend ta shkatërronte. (Lexo Zanafillën 19:21, 22.) Qartë, Jehovai nuk është as i rëndë, as i prerë. Ai është i arsyeshëm dhe gati të hapë rrugë.

15, 16. Si e pasqyron Ligji i Moisiut arsyetueshmërinë e Jehovait? (Shih figurën pranë titullit.)

15 Le të shohim një shembull tjetër të arsyetueshmërisë së Jehovait, siç tregohet në Ligjin e Moisiut. Nëse një izraelit ishte tepër i varfër që të ofronte si blatim një qengj ose një cjap, ai mund të ofronte dy turtuj ose dy pëllumba. Po sikur të ishte aq i varfër sa të mos ofronte dot as dy pëllumba? Në këtë rast, Jehovai e lejonte izraelitin e vobektë të ofronte pak miell. Prapëseprapë, vëreni këtë hollësi të rëndësishme: nuk mund të ishte çfarëdo mielli, por «majë mielli», lloji që përdorej për mysafirë të nderuar. (Zan. 18:6) Pse na intereson kjo?Lexo Levitikun 5:7, 11.

16 Përfytyro sikur ti je një izraelit mjaft i varfër. Teksa i afrohesh tabernakullit me pak miell për blatim, vëren që izraelitët më në gjendje po sjellin bagëti. Ka të ngjarë të ndihesh në siklet kur mendon për blatimin tënd që duket fare i papërfillshëm. Pastaj kujton se në sytë e Jehovait ka peshë. Përse? Për këtë arsye: Jehovai kërkonte miell të cilësisë më të mirë. Me fjalë të tjera, Jehovai po u thoshte izraelitëve më të varfër: «E kuptoj se nuk mund të ofroni sa të tjerët, por di edhe se po më jepni më të mirën që keni.» Vërtet, Jehovai shfaq  arsyetueshmëri duke marrë në konsideratë kufizimet dhe rrethanat e shërbëtorëve të tij.Psal. 103:14.

17. Për çfarë lloj shërbimi mund të jesh i sigurt se pranon Jehovai?

 17 Falë arsyetueshmërisë së tij, Jehovai pranon shërbimin tonë me gjithë shpirt, dhe kjo na jep zemër. (Kolos. 3:23) Një motër e moshuar italiane me emrin Konstanca thotë: «Më shumë se çdo gjë tjetër në jetë më ka pëlqyer t’u flitja të tjerëve për Krijuesin tim. Ndaj vazhdoj të predikoj dhe të drejtoj studime biblike. Nganjëherë më vjen keq që s’mund të bëj më tepër për shkak të shëndetit. Por e kuptoj se Jehovai i njeh kufizimet e mia, më do dhe e vlerëson atë që mund të bëj.»

IMITO ARSYETUESHMËRINË E JEHOVAIT

18. Cila është një mënyrë se si prindërit mund të imitojnë shembullin e Jehovait?

18 Si mund ta imitojmë arsyetueshmërinë e Jehovait? Mendo prapë për mënyrën si u soll Jehovai me Lotin. Jehovai ishte ai që kishte autoritet; megjithatë, e dëgjoi dashamirësisht Lotin teksa shprehte ndjenjat e tij. Ai iu përshtat kërkesës së Lotit. Nëse je prind, a mund ta imitosh shembullin e Jehovait? A mund t’ua vësh veshin kërkesave të fëmijëve dhe, kur është me vend, t’ua plotësosh dëshirat? Për këtë, Kulla e Rojës e 1 shtatorit 2007, komentonte se disa prindër mund të përfshijnë fëmijët kur të diskutojnë rregullat e familjes. Për shembull, prindërit mund të vendosin orarin e kthimit të fëmijëve në shtëpi, dhe patjetër kanë të drejtë të zgjedhin një orë specifike për këtë. Sidoqoftë, prindërit e krishterë mund të dëgjojnë mendimin e fëmijëve për orarin e vendosur. Në disa raste prindërit mund të vendosin ta përshtatin disi orarin, nëse nuk rrezikohet të shkelen parimet biblike. Prindërit mund të shohin se, kur marrin në konsideratë mendimin e fëmijëve për rregullat e familjes, ka më shumë të ngjarë që fëmijët t’i kuptojnë rregullat dhe të jenë më të prirur t’u binden.

19. Si mund të përpiqen pleqtë të imitojnë arsyetueshmërinë e Jehovait?

19 Pleqtë e kongregacionit përpiqen të imitojnë arsyetueshmërinë e Jehovait duke marrë parasysh rrethanat e bashkëbesimtarëve. Kujtoni se Jehovai vlerësonte blatimet edhe nga izraelitët më të varfër. Po kështu, disa vëllezër e motra mund të bëjnë fare pak në shërbim, ndoshta për shkak të shëndetit ose të moshës. Çfarë mund të bëhet nëse këta persona të shtrenjtë ndihen zemërlëshuar për shkak të kufizimeve të tyre? Pleqtë me dashamirësi mund t’i sigurojnë se Jehovai i do ngaqë po japin më të mirën.Mar. 12:41-44.

20. Të jesh i arsyeshëm, a do të thotë të kursesh veten në shërbimin e Perëndisë? Shpjego.

20 Patjetër, kurrë nuk duam të ngatërrojmë arsyetueshmërinë me ngurrimin për t’i shërbyer Perëndisë aq sa mundemi, thjesht që të jemi të mirë me veten. (Mat. 16:22) S’duam ta marrim shtruar dhe pastaj ta justifikojmë këtë qëndrim duke thënë se po tregohemi të arsyeshëm. Përkundrazi, të gjithë ne duhet ‘të përpiqemi fuqimisht’ të mbështetim interesat e Mbretërisë. (Luka 13:24) Mundohemi të drejtpeshojmë dy parime. Në njërën anë bëjmë shumë përpjekje, duke mos u kursyer në shërbim. Në anën tjetër kujtojmë se Jehovai kurrë nuk na kërkon të bëjmë diçka përtej asaj që mundemi. Kur i japim më të mirën, mund të jemi të sigurt se Ai kënaqet. A nuk gëzohemi që i shërbejmë një Zotërie kaq mirënjohës dhe të arsyeshëm? Në artikullin vijues do të shqyrtojmë edhe dy aspekte të personalitetit të Jehovait që na bëjnë për vete.Psal. 73:28.

«Nderoje Jehovain me gjërat e tua me vlerë.»—Prov. 3:9 (Shih paragrafin 11.)

«Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt.»—Kolos. 3:23 (Shih paragrafin 17.)