Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Cilët ishin «bijtë e Perëndisë së vërtetë» të përmendur te Zanafilla 6:2, 4 që jetuan para Përmbytjes?

Provat tregojnë se kjo shprehje u referohet bijve frymorë të Perëndisë. Cilat prova?

I pari nga këto dy vargje thotë: «Bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën.»Zan. 6:2.

Në Shkrimet Hebraike, shprehjet «bijtë e Perëndisë së vërtetë» dhe «bijtë e Perëndisë» dalin te Zanafilla 6:2, 4; Jobi 1:6; 2:1; 38:7 dhe Psalmi 89:6. Çfarë tregojnë këto shkrime për «bijtë e Perëndisë»?

«Bijtë e Perëndisë së vërtetë» për të cilët lexojmë te Jobi 1:6 duket qartë se ishin krijesa frymore të mbledhura në prani të Perëndisë. Mes tyre ishte edhe Satanai, që ‘kishte bredhur nëpër tokë’. (Jobi 1:7; 2:1, 2) Po njësoj, te Jobi 38:4-7 lexojmë se ‘bijtë e Perëndisë brohoritën tërë ngazëllim’ kur Perëndia ‘i vuri gurin e qoshes’ tokës. Duhet të kenë qenë bij engjëllore, sepse njerëzit nuk ishin krijuar akoma. ‘Bijtë e Perëndisë’ për të cilët flet Psalmi 89:6 pa dyshim janë krijesa frymore në qiell me Perëndinë, jo njerëz.

Atëherë, cilët janë «bijtë e Perëndisë së vërtetë» të përmendur te Zanafilla 6:2, 4? Në përputhje me faktet biblike të mëparshme, është logjike të arrijmë në përfundimin se tregimi e ka fjalën për bijtë frymorë të Perëndisë që erdhën në tokë.

Disa e kanë të vështirë të pranojnë se engjëjve mund t’u interesojnë marrëdhëniet seksuale. Fjalët e Jezuit te Mateu 22:30 tregojnë se në qiell nuk ka martesë dhe marrëdhënie seksuale. Megjithatë, me raste, engjëjt kanë marrë trupa njerëzorë, e madje, kanë ngrënë e kanë pirë me njerëzit. (Zan. 18:1-8; 19:1-3) Prandaj, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se, duke marrë trupa njerëzorë, ata mund të kishin marrëdhënie seksuale me gratë.

Ka arsye të bazuara në Bibël për të besuar se disa engjëj vepruan pikërisht kështu. Te Juda 6, 7, mëkati i burrave të Sodomës, që në mënyrë të panatyrshme kishin shkuar pas mishit, krahasohet me mëkatin e ‘engjëjve që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur’. Si engjëjt, si sodomitët «ishin dhënë pas kurvërisë dhe kishin shkuar pas mishit për përdorim të panatyrshëm». Një fragment i ngjashëm te 1 Pjetrit 3:19, 20 bën një lidhje mes engjëjve të pabindur dhe ‘ditëve të Noesë’. (2 Pjet. 2:4, 5) Kështu, rruga që ndoqën engjëjt e pabindur në ditët e Noesë mund të krahasohet me mëkatin e Sodomës dhe të Gomorrës.

Ky përfundim është logjik kur kuptojmë se «bijtë e Perëndisë së vërtetë» të përmendur te Zanafilla 6:2, 4 ishin engjëj që morën trupa njerëzorë dhe kryen imoralitet me gratë.

 Bibla thotë se Jezui «u predikoi frymërave në burg». (1 Pjet. 3:19) Në cilin kuptim?

Apostulli Pjetër tha se këto frymëra «dikur kishin qenë të pabindura, kur Perëndia priste me durim në ditët e Noesë». (1 Pjet. 3:20) Kuptohet, Pjetri po fliste për krijesat frymore që vendosën të merrnin anën e Satanait e të rebeloheshin. Juda përmend engjëjt «që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur» e që Perëndia «i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm në errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe».Juda 6.

Në ç’mënyrë ishin të pabindura krijesat frymore në ditët e Noesë? Para Përmbytjes, këto frymëra të liga morën trupa njerëzorë, diçka që Perëndia nuk e kishte pasur si qëllim për to. (Zan. 6:2, 4) Për më tepër, këta engjëj që kryen marrëdhënie seksuale me gratë, po praktikonin diçka të panatyrshme. Perëndia nuk i bëri krijesat frymore që të kishin marrëdhënie seksuale me gratë. (Zan. 5:2) Këta engjëj të ligj e të pabindur do të shkatërrohen në kohën e caktuar nga Perëndia. Siç thotë Juda, tani për tani ata janë «në errësirën e dendur», si të thuash, në një burg frymor.

Kur dhe çfarë u predikoi Jezui «frymërave në burg»? Pjetri shkruan se kjo ndodhi pasi Jezui ‘u ngjall në frymë’. (1 Pjet. 3:18, 19) Gjithashtu, vëreni se Pjetri thotë se Jezui «u predikoi». Fakti që përdori kohën e shkuar, nënkupton se predikimi u bë para se Pjetri të shkruante letrën e tij të parë. Prandaj, duket se ca kohë pas ringjalljes, Jezui u shpalli frymërave të liga ndëshkimin më se të merituar që do të merrnin. Me anë të këtij predikimi nuk po u jepte asnjë shpresë. Ishte predikim gjykimi. (Jon. 1:1, 2) Pasi tregoi besim e besnikëri deri në vdekje dhe u ringjall, duke provuar se në të vërtetë Djalli nuk kishte pushtet mbi të, Jezui kishte bazën për të shpallur një ndëshkim të tillë.Gjoni 14:30; 16:8-11.

Në të ardhmen, Jezui do ta lidhë Satanain e engjëjt e tij dhe do t’i hedhë në humnerë. (Luka 8:30, 31; Zbul. 20:1-3) Deri atëherë, këto frymëra të pabindura do të mbeten në errësirën e dendur frymore dhe shkatërrimi i tyre përfundimtar është i sigurt.Zbul. 20:7-10.