Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim

Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim

«Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur njeriun e papërvojë.»PSAL. 19:7.

1. Cilat tema ka shqyrtuar rregullisht populli i Perëndisë dhe si nxjerrim dobi kur i rishikojmë?

TEKSA përgatitnit artikullin e radhës të Kullës së Rojës, mos vallë keni menduar: «A nuk e kemi studiuar edhe më parë këtë temë?» Nëse po shoqërohesh për njëfarë kohe me kongregacionin e krishterë, pa dyshim e ke vënë re se disa tema preken herë pas here. Për shembull, Mbretëria e Perëndisë, shpërblesa, vepra e bërjes së dishepujve dhe cilësi të tilla, si dashuria dhe besimi janë pjesë e zakonshme e dietës sonë frymore. Rishikimi i këtyre temave na ndihmon të ruajmë shëndetin frymor dhe ‘të bëhemi zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues’.Jak. 1:22.

2. (a) Me se lidhen shpesh përkujtuesit e Perëndisë? (b) Si ndryshojnë përkujtuesit e Perëndisë nga ata të njerëzve?

2 Emri hebraik i përkthyer «përkujtues», shpesh u referohet ligjeve, urdhrave dhe rregullave që Perëndia i jep popullit të tij. Ndryshe nga ligjet njerëzore, të cilat shpesh kanë nevojë të përshtaten a të përditësohen, ligjet e rregullat e Jehovait janë gjithnjë të denja për besim. Edhe pse disa u dhanë për një kohë a rrethanë të veçantë, nuk bëhen kurrë të papërshtatshme ose të mangëta. Psalmisti tha: «Drejtësia e përkujtuesve të tu është e përjetshme.»Psal. 119:144.

3, 4. (a) Çfarë mund të përfshihet te përkujtuesit e Jehovait? (b) Si do të nxirrnin dobi izraelitët po t’ua vinin veshin atyre?

3 Mbase ke vënë re se përkujtuesit e Jehovait nganjëherë përfshijnë paralajmërime. Kombi i Izraelit mori vazhdimisht paralajmërime nga profetët e Perëndisë. Për shembull, pak para se të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu i paralajmëroi izraelitët: «Ruhuni se mos zemra juaj joshet e largoheni për të adhuruar perëndi të tjera e për t’u përkulur para tyre, se përndryshe Jehovait i ndizet zemërimi kundër jush.»  (Ligj. 11:16, 17) Bibla tregon se Perëndia i dha popullit të tij shumë e shumë përkujtues të dobishëm.

4 Në mjaft raste të tjera, Jehovai i nxiti izraelitët t’i frikësoheshin, ta dëgjonin zërin e tij dhe t’i shenjtëronin emrin. (Ligj. 4:29-31; 5:28, 29) Nëse do t’ua vinin veshin këtyre përkujtuesve, me siguri do të gëzonin bekime të bollshme.Lev. 26:3-6; Ligj. 28:1-4.

SI REAGOI IZRAELI NDAJ PËRKUJTUESVE TË PERËNDISË

5. Pse Jehovai luftoi për mbretin Hezekia?

5 Gjatë historisë së pështjelluar të Izraelit, Perëndia e mbajti fjalën. Për shembull, kur mbreti asirian Senakerib pushtoi Judën dhe kërcënoi të zaptonte fronin e mbretit Hezekia, Jehovai ndërhyri duke dërguar një engjëll. Vetëm brenda një nate, engjëlli i Perëndisë zhduku «çdo burrë trim dhe të fuqishëm» të ushtrisë asiriane, kështu që Senakeribi u detyrua të kthehej në shtëpi i mbuluar me turp. (2 Kron. 32:21; 2 Mbret. 19:35) Pse Perëndia luftoi për mbretin Hezekia? Sepse «ai qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain dhe nuk u largua prej tij, por e ndoqi gjithmonë dhe mbajti urdhërimet».2 Mbret. 18:1, 5, 6.

Përkujtuesit e Jehovait e nxitën Josinë të vepronte për të mbështetur adhurimin e vërtetë (Shih paragrafin 6.)

6. Si tregoi mbreti Josia se kishte besim te Jehovai?

Mbreti Josia është një tjetër shembull i dikujt që iu bind urdhrave të Jehovait. Që në moshë të njomë, 8 vjeç, «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait . . . e nuk u kthye as djathtas, as majtas». (2 Kron. 34:1, 2) Josia tregoi se kishte besim te Jehovai kur pastroi vendin nga idhujt dhe kur rivendosi adhurimin e vërtetë. Duke bërë kështu, pati bekime ai dhe i gjithë kombi.Lexo 2 Kronikave 34:31-33.

7. Ç’pasoja kishte Izraeli kur shpërfillte përkujtuesit e Jehovait?

7 Mjerisht, populli i Perëndisë nuk tregoi gjithnjë besim të plotë te përkujtuesit e Jehovait. Përgjatë shekujve u luhatën nga bindja në mosbindje. Kur besimi i tyre venitej, shpesh ‘çoheshin andej-këtej nga çdo erë mësimi’, siç tha apostulli Pavël. (Efes. 4:13, 14) Dhe, siç ishte parathënë, e pësonin keq kur nuk tregonin besim te përkujtuesit e Perëndisë.Lev. 26:23-25; Jer. 5:23-25.

8. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Izraelit?

8 Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Izraelit? Njësoj si ai, shërbëtorët  e sotëm të Perëndisë marrin këshilla e disiplinë. (2 Pjet. 1:12) Fjala e frymëzuar e Perëndisë mund të vlejë si përkujtues sa herë që e lexojmë. Meqë jemi krijuar me vullnet të lirë, mund të zgjedhim t’i bindemi drejtimit të Jehovait ose të veprojmë sipas kokës sonë. (Prov. 14:12) Le të shqyrtojmë disa arsye pse mund të kemi besim te përkujtuesit e Jehovait dhe si nxjerrim dobi kur u vëmë veshin.

NËNSHTROJU PERËNDISË DHE JETO

9. Si i siguroi Jehovai izraelitët se ishte me ta teksa përshkonin shkretëtirën?

9 Kur izraelitët filluan të përshkonin për 40 vjet atë «shkretëtirë të madhe e të frikshme», Jehovai nuk u dha hollësira specifike paraprake se si do t’i drejtonte, si do t’i mbronte dhe si do të kujdesej për ta. Prapëseprapë, u dha prova herë pas here se mund t’i zinin besë atij dhe udhëzimeve që u dha. Me anë të një shtylle reje ditën dhe një shtylle zjarri natën, Jehovai u kujtonte izraelitëve se ishte me ta teksa u printe në atë terren aspak miqësor. (Ligj. 1:19; Dal. 40:36-38) Po ashtu, u siguroi nevojat bazë. «Rrobat nuk iu vjetruan dhe këmbët nuk iu ënjtën.» Vërtet, «nuk u mungonte asgjë».Neh. 9:19-21.

10. Si i prin Jehovai popullit të tij sot?

10 Shërbëtorët e Perëndisë sot janë në prag të botës së re e të drejtë. A i mbajmë sytë te Jehovai me besimin se ai do të na sigurojë atë që na nevojitet për t’i mbijetuar ‘shtrëngimit të madh’ që na pret? (Mat. 24:21, 22; Psal. 119:40, 41) Kuptohet, Jehovai nuk na prin drejt botës së re me një shtyllë reje a zjarri, por përdor organizatën e tij që të qëndrojmë syhapur. Për shembull, theksohet gjithnjë edhe më shumë sa e nevojshme është të forcojmë karakterin tonë frymor me anë të leximit të Biblës, mbrëmjes së Adhurimit Familjar, si edhe pjesëmarrjes së rregullt në mbledhje dhe në shërbim. A e kemi përshtatur programin tonë që të ndjekim këto udhëzime? Nëse po, do të ndërtojmë atë lloj besimi që do të na mbajë gjallë për në botën e re.

Kur zbatojmë përkujtuesit e Jehovait, Sallat tona të Mbretërisë janë të sigurta dhe të rehatshme (Shih paragrafin 11.)

11. Cilat janë disa mënyra që tregojnë se Perëndia merakoset për ne?

11 Udhëzimet që marrim na nxitin të rrimë zgjuar frymësisht. Por janë të dobishme edhe në jetën tonë të përditshme. Për shembull, pikëpamja e ekuilibruar për gjërat materiale dhe mbajtja e një syri të thjeshtë na ndihmojnë të pakësojmë ankthin. Gjithashtu, nxjerrim dobi nga drejtimi për mënyrën si vishemi e mbahemi, zgjedhjen e zbavitjeve të shëndetshme, si edhe për të vendosur sa arsimim na duhet vërtet. Po ashtu, mendojmë për përkujtuesit që marrim për sigurinë në shtëpi, në automjete, në Sallat e Mbretërisë dhe për rastet urgjente. Këshilla të tilla tregojnë se Perëndia merakoset për mirëqenien tonë.

TË KRISHTERËT E HERSHËM MBETËN BESNIKË FALË PËRKUJTUESVE

12. (a) Për cilën temë u foli vazhdimisht Jezui dishepujve? (b) Cili veprim përulësie i la mbresa të thella Pjetrit, dhe si duhet të ndikojë kjo te ne?

12 Në shekullin e parë, populli i Perëndisë merrte rregullisht përkujtues. Jezui u thoshte vazhdimisht dishepujve sa nevojë kishin të zhvillonin përulësinë. Jo vetëm që u shpjegoi domethënien e përulësisë, por edhe u tregoi si ta shfaqnin këtë cilësi. Ditën e fundit në tokë si njeri, ai mblodhi apostujt për të kremtuar Pashkën. Teksa apostujt hanin, Jezui u ngrit dhe u lau këmbët—veprim që zakonisht e bënte një shërbëtor. (Gjoni 13:1-17) Ky veprim i përulur u la mbresa të  thella atyre. Rreth 30 vjet më vonë, apostulli Pjetër, që kishte qenë në atë vakt, i këshilloi bashkëbesimtarët të ishin të përulur. (1 Pjet. 5:5) Shembulli i Jezuit duhet të na nxitë të gjithëve të trajtojmë njëri-tjetrin me përulësi.Filip. 2:5-8.

13. Për cilën cilësi të domosdoshme u fliste Jezui dishepujve?

13 Një temë tjetër për të cilën Jezui foli shpesh me dishepujt ishte nevoja për besim të fortë. Pasi dështuan të nxirrnin një demon nga një djalë, dishepujt e pyetën Jezuin: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?» Ai iu përgjigj: «Për shkak të besimit tuaj të paktë. Vërtet po ju them se po të keni besim sa një kokërr sinapi, . . . asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.» (Mat. 17:14-20) Gjatë gjithë shërbimit, Jezui i mësoi dishepujt se besimi është cilësi e domosdoshme. (Lexo Mateun 21:18-22.) A përfitojmë nga të gjitha masat që janë marrë për të na forcuar besimin me anë të udhëzimeve ndërtuese që na jepen në kongrese, asamble dhe mbledhjet e krishtere? Këto janë shumë më tepër se grumbullime të hareshme. Janë raste për të treguar besim te Jehovai.

14. Pse sot është e rëndësishme të zhvillojmë dashuri si ajo e Krishtit?

14 Shkrimet e Krishtere Greke janë plot e përplot me përkujtues që na nxitin të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Jezui tha se urdhërimi i dytë më i madh është ‘të duam të afërmin tonë si veten’. (Mat. 22:39) Po kështu, gjysmëvëllai i Jezuit, Jakovi, e quajti dashurinë ‘ligj mbretëror’. (Jak. 2:8) Apostulli Gjon shkroi: «Të dashur, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e keni pasur që në fillim.» (1 Gjon. 2:7, 8) Ç’donte të thoshte Gjoni me fjalët «urdhërim të vjetër»? Po fliste për urdhrin për të dashur. Ishte ‘i vjetër’ në kuptimin se Jezui ua kishte dhënë dekada më parë, «që në fillim». Mirëpo, ishte edhe i ‘ri’ sepse përfshinte dashurinë vetësakrifikuese, e cila mund t’u duhej dishepujve kur të gjendeshin në rrethana të reja. Si dishepuj të Krishtit, a nuk jemi mirënjohës për paralajmërimet që nuk na lejojnë të zhvillojmë frymën egoiste që karakterizon botën, e cila mund të na gërryejë dashurinë për të tjerët?

15. Cili ishte synimi kryesor i Jezuit kur ishte në tokë?

15 Jezui tregoi interes personal për të tjerët. Mund të dallojmë merakun e tij të dashur kur shëroi të sëmurët dhe ata me aftësi të kufizuara, si edhe kur ringjalli të vdekurit. Megjithatë, synimi i tij kryesor  nuk ishte shërimi fizik. Predikimi dhe mësimdhënia e tij ndikuan më shumë e më gjatë në jetën e tyre. Pse? Po ja, e dimë se ata që shëroi e ringjalli në shekullin e parë, në fund të fundit u plakën e vdiqën, kurse atyre që reaguan mirë ndaj mesazhit që predikoi, u hapi rrugën për jetën e përhershme.Gjoni 11:25, 26.

16. Sa e gjerë është sot vepra e predikimit për Mbretërinë dhe e bërjes së dishepujve?

16 Vepra e predikimit që nisi Jezui në shekullin e parë, sot po kryhet në një shkallë edhe më të madhe. Po, ai u dha këtë caktim dishepujve: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mat. 28:19) Patjetër që e kanë bërë këtë dhe ne po e vazhdojmë. Më shumë se shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait aktivë po predikojnë me zell për Mbretërinë e Perëndisë në më se 230 vende dhe po drejtojnë studime biblike rregullisht me miliona veta. Predikimi është dëshmi se po jetojmë në ditët e fundit.

BESO TE JEHOVAI SOT

17. Cilën këshillë dhanë Pavli dhe Pjetri?

17 Duket qartë se përkujtuesit i ndihmuan të krishterët e hershëm të mbeteshin të patundur në besim. Përfytyro sa u inkurajua Timoteu kur apostulli Pavël, i cili ishte i burgosur në Romë, i tha: «Vazhdo t’i përmbahesh modelit të fjalëve të shëndosha që dëgjove nga unë.» (2 Tim. 1:13) Pasi i nxiti të bashkëkrishterët të zhvillonin cilësi, si qëndrueshmëria, përzemërsia vëllazërore dhe vetëkontrolli, apostulli Pjetër tha: «Do të jem gjithnjë gati t’jua kujtoj këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën.»2 Pjet. 1:5-8, 12.

18. Si i shihnin përkujtuesit të krishterët në shekullin e parë?

18 Po, letrat që shkruan Pavli dhe Pjetri përcillnin «fjalët e thëna që më parë nga profetët e shenjtë». (2 Pjet. 3:2) A u mërzitën vëllezërit tanë në shekullin e parë kur morën një drejtim të tillë? Jo, sepse kjo ishte shprehje e dashurisë së Perëndisë, e cila i ndihmoi ‘të vazhdonin të rriteshin në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht’.2 Pjet. 3:18.

19, 20. Pse duhet të kemi besim te përkujtuesit e Jehovait dhe si nxjerrim dobi nga kjo?

19 Sot kemi plot arsye për të besuar te përkujtuesit e Jehovait që gjenden në Bibël, në Fjalën e tij të pagabueshme. (Lexo Josiun 23:14.) Në faqet e saj vërejmë si u soll Perëndia me njerëzit e papërsosur për mijëra vjet. Kjo histori u regjistrua për dobinë tonë. (Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11) Kemi parë plotësimin e profecive biblike. Mund të thuhet se profecia është një përkujtues i thënë paraprakisht. Për shembull, miliona janë dyndur drejt adhurimit të kulluar të Jehovait, siç ishte profetizuar për «ditët e fundit». (Isa. 2:2, 3) Edhe kushtet gjithnjë e më të këqija të botës përmbushin profecitë biblike. Siç u komentua më parë, fushata e gjerë e predikimit që po kryhet në mbarë botën, është përmbushje e fjalëve të Jezuit.Mat. 24:14.

20 Krijuesi ynë ka treguar qartë se është i besueshëm. A nxjerrim dobi nga kjo? Duhet të kemi besim te përkujtuesit e tij. Këtë bëri Rozalina. Ajo tregon: «Ndërsa nisa të besoja plotësisht te Jehovai, fillova të kuptoja më qartë si më mbështeste e më forconte me dorën e tij të dashur.» Le të nxjerrim dobi edhe ne nga përkujtuesit e Jehovait.