Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i bëjmë përkujtuesit e Jehovait ngazëllimin e zemrës

T’i bëjmë përkujtuesit e Jehovait ngazëllimin e zemrës

«Përkujtuesit e tu janë trashëgimia ime përjetë.»PSAL. 119:111.

1. (a) Si reagojnë njerëzit ndaj përkujtuesve dhe pse? (b) Si mund të ndikojë krenaria te pikëpamja për këshillat?

NJERËZIT reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj drejtimit. Një përkujtues nga një person me autoritet mund të pranohet me mirësjellje, kurse këshilla nga një që është i barabartë me ne ose me më pak autoritet mund të hidhet poshtë haptas. Edhe reagimet emocionale ndaj disiplinës dhe këshillës mund të jenë shumë të ndryshme. Ato shkojnë nga brenga, trishtimi ose turpi deri te ndjenjat e motivimit, të shtytjes dhe të përfshirjes. Pse këto reagime të llojllojshme? Një faktor është krenaria. Patjetër, një frymë fodulle mund t’i mpijë gjykimin dikujt dhe kështu shpërfill këshillën duke mos mësuar diçka me vlerë.Prov. 16:18.

2. Pse të krishterët e vërtetë i vlerësojnë këshillat nga Fjala e Perëndisë?

2 Ndryshe nga kjo, të krishterët e vërtetë i vlerësojnë këshillat e dobishme, sidomos kur bazohen në Fjalën e Perëndisë. Kemi gjykim të thellë falë përkujtuesve të Jehovait, që na mësojnë e na ndihmojnë të shmangim gracka, si materializmi, imoraliteti seksual dhe abuzimi me drogën ose alkoolin. (Prov. 20:1; 2 Kor. 7:1; 1 Sel. 4:3-5; 1 Tim. 6:6-11) Për më tepër, ngazëllojmë «për gjendjen e mirë të zemrës» që vjen kur u bindemi përkujtuesve të Perëndisë.Isa. 65:14.

3. Cilin qëndrim të psalmistit bëjmë mirë të imitojmë?

3 Që të ruajmë marrëdhënien e vyer me Atin tonë qiellor, çdo ditë duhet të zbatojmë udhëzimet e mençura të Jehovait. Sa bukur do të ishte nëse qëndrimi ynë do të pasqyronte qëndrimin e psalmistit që shkroi: «Përkujtuesit e tu janë trashëgimia ime përjetë, sepse ma ngazëllojnë zemrën.» (Psal. 119:111)  A ngazëllohemi edhe ne nga urdhërimet e Jehovait apo ndonjëherë i shohim si një barrë? Edhe pse nganjëherë mund të acarohemi kur marrim ndonjë këshillë, nuk ka pse të ndihemi përtokë. Mund të zhvillojmë patjetër besim të patundur te mençuria tejet e lartë e Perëndisë. Le të shqyrtojmë tri mënyra se si.

TË FORCOJMË BESIMIN ME ANË TË LUTJES

4. Çfarë mbeti gjithnjë e njëjtë në jetën e Davidit?

Mbreti David kishte shumë të tatëpjeta e të përpjeta në jetën e tij, ama një gjë s’ndryshoi kurrë për të: besimi absolut te Krijuesi. Ai tha: «O Jehova, drejt teje, e ngre shpirtin tim. O Perëndia im, kam besim te ti!» (Psal. 25:1, 2) Çfarë e ndihmoi Davidin të zhvillonte një besim të tillë tek Ati i tij qiellor?

5, 6. Çfarë na tregon Bibla për marrëdhënien që kishte Davidi me Jehovain?

5 Shumë veta i luten Perëndisë vetëm kur janë në pikë të hallit. Si do të ndiheshe nëse një shok ose i afërm komunikon me ty vetëm kur ka nevojë për para a për një nder? Me kohë, mund të fillosh të dyshosh për motivin pse do të lidhet me ty. Megjithatë, Davidi nuk ishte kështu. Marrëdhënia me Jehovain pasqyroi besimin dhe dashurinë për Të, Perëndinë e tij, gjatë gjithë jetës, në kohë të mira e të këqija.Psal. 40:8.

6 Vëreni fjalët e lavdërimit dhe të falënderimit të Davidit drejtuar Jehovait: «O Jehova, Zotëria ynë, sa i madhërishëm është emri yt në mbarë tokën, lavdia jote tregohet mbi qiejt!» (Psal. 8:1) A nuk e ndien sa e ngushtë ishte marrëdhënia e Davidit me Atin e tij qiellor? Çmueshmëria për madhështinë dhe shkëlqimin e Tij e frymëzoi ta lëvdonte Jehovain «gjatë gjithë ditës».Psal. 35:28.

7. Si nxjerrim dobi kur i afrohemi Perëndisë me anë të lutjes?

7 Ashtu si Davidi, edhe ne kemi nevojë të komunikojmë rregullisht me Jehovain që të forcojmë besimin tek ai. Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Faktikisht, një mënyrë e rëndësishme për të marrë frymën e shenjtë është t’i afrohemi Perëndisë me anë të lutjes.Lexo 1 Gjonit 3:22.

8. Pse nuk duhet të përsëritim të njëjtat fjalë kur lutemi?

8 Kur lutesh, a ke prirjen të përsëritësh herë pas here të njëjtat fraza ose shprehje? Nëse po, para se të lutesh, merr pak kohë dhe mendo për atë që do të doje të thoshe. Po t’ia përsëritësh të njëjtat fjalë ndonjë miku a të afërmi sa herë që flet me të, a do të kënaqej? Ai mund të fillojë të mos ta vërë veshin. Sigurisht, Jehovai kurrë nuk do t’ua mbyllë veshin lutjeve të sinqerta të një shërbëtori besnik. Megjithatë, duhet të kemi kujdes të mos na bëhet rutinë e mërzitshme mënyra si komunikojmë me të.

9, 10. (a) Çfarë mund të përfshijmë në lutjet tona? (b) Çfarë mund të na ndihmojë të bëjmë lutje të përzemërta?

9 Qartë, nëse duam t’i afrohemi Perëndisë, lutjet tona nuk mund të jenë sipërfaqësore. Sa më shumë t’ia zbrazim zemrën Jehovait, aq më tepër do t’i afrohemi dhe do të kemi besim tek ai. Por, çfarë duhet të përfshijmë në lutjet tona? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» (Filip. 4:6) Faktikisht, çdo gjë që ndikon në marrëdhënien me Perëndinë ose në jetën tonë si shërbëtorë të tij është temë e përshtatshme për lutje.

10 Mund të mësojmë shumë nëse shqyrtojmë fjalët e burrave e grave besnikë, lutjet e të cilëve janë regjistruar në Bibël. (1 Sam. 1:10, 11; Vep. 4:24-31)  Psalmet përmbajnë një përmbledhje të lutjeve dhe këngëve të përzemërta për Jehovain. Në këto lutje e këngë shpaloset çdo emocion njerëzor, nga agonia deri në ngazëllim. Shqyrtimi i shprehjeve nga zemra të këtyre besnikëve mund të na ndihmojë t’i bëjmë lutje më domethënëse Jehovait.

TË MEDITOJMË PËR PËRKUJTUESIT E PERËNDISË

11. Pse duhet të meditojmë për këshillat e Perëndisë?

11 Davidi shpalli: «Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur njeriun e papërvojë.» (Psal. 19:7) Po, edhe nëse jemi të papërvojë mund të bëhemi të mençur po t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Megjithatë, nëse duam të nxjerrim plotësisht dobi nga disa këshilla biblike, duhet të meditojmë. Kjo do të na vlejë kur të na duhet të mbajmë integritetin përballë presionit në shkollë ose në punë, përballë presionit për të respektuar standardet e Perëndisë për gjakun, për të mbajtur asnjanësinë e krishterë dhe për të zbatuar parimet biblike për veshjen dhe mënyrën si mbahemi. Kur mendojmë njësoj si Perëndia për këto çështje, mund t’u paraprijmë problemeve. Pastaj, me gjithë zemër vendosim si do të veprojmë po të hasim situata të tilla. Kur jemi largpamës dhe përgatitemi paraprakisht, mund t’i kursejmë vetes shumë dhembje.Prov. 15:28.

12. Cili lloj meditimi do të na ndihmojë të ruajmë përkujtuesit e Perëndisë?

12 Teksa presim të plotësohet premtimi i Perëndisë, a tregojmë me mënyrën tonë të jetesës se vazhdojmë të jemi zgjuar frymësisht? Për shembull, a besojmë vërtet se së shpejti do të shkatërrohet Babilonia e Madhe? Bekimet që na presin, si jeta e përhershme në një tokë parajsore, a janë aq reale për ne sa ç’ishin kur mësuam për herë të parë për to? A vazhdojmë të jemi po aq të zellshëm në shërbim, apo vendin e parë në jetë e kanë zënë gjërat personale? Ç’mund të themi për shpresën e ringjalljes, shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe shfajësimin e sovranitetit të tij? A janë ende çështje jetësore për ne? Meditimi për pyetje të tilla mund të na ndihmojë të veprojmë ashtu si tha psalmisti, pra, t’i mbajmë ‘përkujtuesit e Perëndisë si trashëgiminë tonë përjetë’.Psal. 119:111.

13. Pse të krishterët në shekullin e parë e kishin të vështirë të kuptonin disa gjëra? Jepni një shembull.

13 Mbase për momentin nuk kuptohen plotësisht disa nga gjërat e përmendura në Bibël, ngaqë për Jehovain nuk ka ardhur koha t’i sqarojë. Për shembull, Jezui u tha herë pas here apostujve se ai duhej të vuante e të vritej. (Lexo Mateun 12:40; 16:21.) Por, apostujt nuk e kuptuan ç’donte të thoshte. E kuptuan këtë vetëm pas vdekjes e ringjalljes së tij kur u materializua në trup njerëzor, kur iu shfaq disa dishepujve dhe «ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve». (Luka 24:44-46; Vep. 1:3) Njësoj, dishepujt e Krishtit nuk e kuptuan se Mbretëria e Perëndisë do të vendosej në qiej deri kur u derdh fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.Vep. 1:6-8.

14. Çfarë shembulli të mirë lanë shumë vëllezër në fillim të shekullit 20 edhe pse kishin ca mendime të gabuara për ditët e fundit?

14 Në mënyrë të ngjashme, në fillim të shekullit të 20-të, të krishterët e vërtetë kishin mendime të gabuara për disa gjëra që pritnin në «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1) Për shembull, më 1914, disa menduan se do të shkonin në qiell sa hap e mbyll sytë. Kur shpresa e tyre nuk u realizua menjëherë, rishqyrtuan me zell Shkrimet dhe kuptuan qartë se para tyre shtrihej një fushatë  predikimi e madhe. (Mar. 13:10) Prandaj, më 1922, Xh. F. Radhërfordi, i cili atëherë merrte drejtimin e veprës së predikimit, u tha të pranishmëve në kongresin ndërkombëtar në Sidër-Point, Ohajo, SHBA: «Vështroni, Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Që atëherë, shpallja e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’ ka qenë shenjë dalluese e shërbëtorëve të Jehovait në ditët e sotme.Mat. 4:23; 24:14.

15. Si do të nxjerrim dobi nëse meditojmë për mënyrën si ka vepruar Perëndia me popullin e tij?

15 Kur meditojmë për mënyrën e mrekullueshme si ka vepruar Jehovai me popullin e tij dje dhe sot, na forcohet siguria se ai mund të veprojë në përputhje me vullnetin e tij dhe të plotësojë qëllimin në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, përkujtuesit e Perëndisë na ndihmojnë të mbajmë gjallë në mendje e zemër profecitë që mbeten për t’u përmbushur. Duke vepruar kështu, me siguri do të na forcohet besimi te premtimet e tij.

TË FORCOJMË BESIMIN ME ANË TË VEPRAVE TË ADHURIMIT

16. Cilat bekime gëzojmë ngaqë vazhdojmë të jemi aktivë në shërbim?

16 Perëndia ynë, Jehovai, është Perëndi dinamik, një Perëndi që vepron. Psalmisti pyeti: «Kush është i fuqishëm si ti, o Jah?» Pastaj shtoi: «Dora jote është e fortë, dora jote e djathtë është lartësuar.» (Psal. 89:8, 13) Në harmoni me këtë, Jehovai vlerëson dhe bekon përpjekjet që bëjmë për të çuar para interesat e Mbretërisë. Sheh që shërbëtorët e tij—meshkuj a femra, të rinj a të moshuar—nuk rrinë duarkryq duke ngrënë «bukën e përtacisë». (Prov. 31:27) Duke imituar Krijuesin tonë, vazhdojmë të jemi të zënë me aktivitete teokratike.  Shërbimi me gjithë zemër ndaj Jehovait na jep neve kënaqësi, ndërsa Ai gëzohet shumë kur bekon shërbimin tonë.Lexo Psalmin 62:12.

17, 18. Pse mund të themi se veprat e besimit mund të na ndihmojnë të besojmë më shumë te këshillat e Jehovait? Jepni një shembull.

17 Si na ndihmojnë veprat e besimit të besojmë më shumë te Jehovai? Të mendojmë për historinë biblike të Izraelit kur hyri në Tokën e Premtuar. Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes, Jehovai i kishte udhëzuar të marshonin drejt lumit Jordan e të futeshin në të. Megjithatë, ndërsa afroheshin, të gjithë vërenin se shirat e pranverës e kishin mbushur lumin aq sa të dilte nga shtrati. Çfarë do të bënin izraelitët? A do të ngrinin kampin buzë lumit e të pritnin për javë me radhë që të binin ujërat? Jo, besuan plotësisht te Jehovai dhe ndoqën drejtimin e tij. Çfarë ndodhi? Tregimi thotë: «Në momentin kur priftërinjtë futën këmbët në ujërat e lumit, lumi e ndërpreu rrjedhjen e tij. . . . Priftërinjtë me arkën e besëlidhjes qëndruan në shtratin e lumit, derisa të gjithë arritën shëndoshë e mirë në bregun tjetër.» (Jos. 3:12-17, Bibla ECM) Mendoni sa zemërdhënëse ishte kjo për izraelitët teksa shihnin ujërat e tërbuara të ndalonin! Patjetër, besimi te Jehovai iu forcua, sepse besuan te drejtimi i tij.

A do të tregoni të njëjtin besim si populli i Jehovait në ditët e Josiut? (Shih paragrafët 17, 18.)

18 Vërtet, Jehovai nuk bën mrekulli të tilla për popullin e tij sot, por bekon veprat e tyre të besimit. Forca vepruese e Perëndisë u jep fuqi që të përmbushin caktimin për të predikuar mesazhin për Mbretërinë në gjithë botën. Dëshmitari kryesor i Jehovait, Krishti Jezu i ringjallur, i siguroi dishepujt se do t’i mbështeste në këtë vepër të rëndësishme: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:19, 20) Shumë Dëshmitarë që mund të kenë qenë të turpshëm ose të druajtur, mund të tregojnë vetë se fryma e shenjtë e Perëndisë u ka dhënë guxim për t’u predikuar të panjohurve.Lexo Psalmin 119:46; 2 Korintasve 4:7.

19. Për çfarë mund të ndihemi të sigurt, pavarësisht nga kufizimet tona?

19 Disa vëllezër e motra kanë goxha kufizime fizike për shkak të sëmundjeve a të moshës. Megjithatë, mund të jenë të sigurt se «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» kupton rrethanat e çdo të krishteri të vërtetë. (2 Kor. 1:3) Ai vlerëson gjithë sa bëjmë për të çuar para interesat e Mbretërisë. Të mos harrojmë se ajo që na e ruan gjallë shpirtin është shpërblesa e Jezuit, ndërkohë që bëjmë aq sa mundemi sipas mundësive tona.Hebr. 10:39.

20, 21. Përmes cilave mënyra mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai?

20 Adhurimi ynë përfshin të shpenzojmë kohë, energji dhe të mira materiale sa të mundemi. Po, me gjithë zemër duam ‘të bëjmë veprën e ungjillëzuesit’! (2 Tim. 4:5) Vërtet, ndihemi të lumtur kur veprojmë kështu, sepse i ndihmojmë të tjerët «të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Pa dyshim, kur nderojmë dhe lëvdojmë Jehovain, pasurohemi frymësisht. (Prov. 10:22) Përveç kësaj, mund të krijojmë një lidhje të pathyeshme besimi me Krijuesin tonë.Rom. 8:35-39.

21 Siç e kemi shqyrtuar, besimi se Jehovai do të na japë drejtim të mençur nuk vjen vetvetiu; duhet të përpiqemi fort për ta pasur këtë lloj besimi. Prandaj, mbështetu te Jehovai duke iu lutur. Medito për mënyrën si e ka kryer Jehovai vullnetin e tij në të kaluarën dhe si do ta kryejë në të ardhmen. E forcofshim vazhdimisht besimin te Jehovai me anë të veprave të adhurimit! Pa diskutim, përkujtuesit e Jehovait do të mbeten në jetë të jetëve. Le të jetë kështu edhe për ty!