Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni transformuar?

A jeni transformuar?

«Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.»ROM. 12:2.

1, 2. Si ndikohemi nga mënyra dhe vendi ku jemi rritur?

TË GJITHË ne ndikohemi thellë nga mënyra dhe vendi ku jemi rritur. Jemi mësuar me një stil veshjeje dhe sjelljeje e me njëfarëlloj ushqimi. Pse? Pjesërisht, sepse ndikohemi nga njerëzit rreth nesh dhe nga rrethanat në jetë.

2 Megjithatë, ka gjëra ku e ku më të rëndësishme se ushqimi dhe stili i veshjes që zgjedhim. Për shembull, nga mënyra si jemi rritur, disa gjëra i shohim si të drejta e të pranueshme, kurse të tjera i hedhim poshtë si të gabuara dhe të papranueshme. Shumë çështje të tilla janë personale dhe ndryshojnë nga njëri te tjetri. Zgjedhjet tona mund të pasqyrojnë edhe ndjeshmërinë e ndërgjegjes sonë. Bibla tregon se shpesh «njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit». (Rom. 2:14) Por, a do të thotë kjo se përderisa nuk ka një ligj të prerë nga Perëndia, mund të veprojmë sipas mënyrës dhe standardeve me të cilat jemi rritur dhe që janë të zakonshme në zonën tonë?

3. Cilat janë dy arsye pse të krishterët nuk mund të ndjekin mënyrën dhe standardet gjerësisht të pranuara?

3 Ka të paktën dy arsye të rëndësishme pse të krishterët nuk mund të veprojnë kështu. Së pari, Bibla na kujton: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.» (Prov. 16:25) Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, nuk jemi të aftë të përcaktojmë atë çka është e mirë që të drejtojmë hapat në një mënyrë të përsosur. (Prov. 28:26; Jer. 10:23) Së dyti, Bibla tregon se prirja dhe standardet e botës manipulohen dhe kontrollohen nga vetë Satanai, «perëndia i kësaj bote». (2 Kor. 4:4; 1 Gjon. 5:19) Prandaj, nëse duam të kemi bekimin dhe miratimin e Jehovait, duhet t’i vëmë veshin këshillës së Romakëve 12:2.Lexoje.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 4 Te Romakëve 12:2 ka disa pika të rëndësishme që ia vlen t’i hulumtojmë. (1) Pse duhet ‘të shndërrohemi’ ose të transformohemi? (2) Çfarë përfshin ky transformim? (3) Si mund të transformohemi? Le të shqyrtojmë këto pyetje.

PSE TË TRANSFORMOHEMI?

5. Për kë do të kishin domethënie të veçantë fjalët e Pavlit te Romakëve 12:2?

5 Fjalët e apostullit Pavël në letrën që u shkroi romakëve nuk iu drejtuan jobesimtarëve ose njerëzve në përgjithësi, por të bashkëkrishterëve të mirosur. (Rom. 1:7) Ai i nxiti të transformoheshin dhe u tha: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» Për të krishterët në Romë në këtë kohë, rreth vitit 56 të e.s., kjo ‘botë’ përfshinte standardet, zakonet, sjelljen dhe modën që karakterizonin botën romake. Fakti që Pavli përdori fjalën «mjaft», nënkupton se disa prej tyre po ndikoheshin akoma nga ajo botë. Si ndikoi bota te vëllezërit e motrat në atë kohë?

6, 7. Si krijuan vështirësi për të krishterët në Romë kushtet shoqërore e fetare në ditët e Pavlit?

6 Sot në Romë, turistët zakonisht shohin gërmadhat e tempujve, të varreve, të monumenteve, të arenave, të teatrove dhe kështu me radhë. Disa prej tyre i përkasin shekullit të parë të e.s. Gjurmë të tilla të së kaluarës hedhin dritë mbi jetën shoqërore e fetare të Romës së lashtë. Po ashtu, mund të lexojmë nga librat historikë për ndeshjet mes gladiatorëve, garat me karroca dhe dramat e shfaqjet muzikore që preknin shumë tema, disa të ndyra. Roma ishte qendër tregtie e begatë, prandaj krijonte goxha mundësi për t’u pasuruar.Rom. 6:21; 1 Pjet. 4:3, 4.

7 Pavarësisht nga tempujt e shumtë me panteonët e perëndive, romakët nuk shquheshin si njerëz që kishin marrëdhënie të mirëfilltë dhe të ngushtë me perënditë që adhuronin. Për ta, feja lidhej kryesisht me ritualet—për lindjen, martesën dhe funeralet—që ishin pjesë e rendit të tyre shoqëror. Imagjinoni sa të vështirë duhet ta kenë pasur të krishterët në Romë në atë kohë. Shumë prej tyre u rritën në atë ambient, kështu që duhej të transformoheshin se s’bën që të bëheshin të krishterë të vërtetë, dhe ky proces nuk mbaronte ditën e pagëzimit.

8. Në ç’mënyrë bota përbën një kërcënim për të krishterët sot?

8 Ashtu si bota e lashtë romake, edhe bota e sotme përbën një kërcënim për të krishterët e kushtuar. Pse kështu? Ngaqë fryma e botës shfaqet në shumë mënyra. (Lexo Efesianëve 2:2, 3; 1 Gjonit 2:16.) Meqë çdo ditë përballemi me dëshirat, mendimet, vlerat dhe moralin e botës, rrezikojmë vazhdimisht të përvetësojmë gjërat e saj. Prandaj, kemi mjaft arsye t’u vëmë veshin këshillave të frymëzuara «mjaft u brumosët sipas  kësaj bote» dhe «shndërrohuni», pra, transformohuni. Çfarë duhet të bëjmë?

ÇFARË DUHET TRANSFORMUAR?

9. Cilat ndryshime kanë bërë shumë veta që të kualifikohen për pagëzim?

9 Ndërsa dikush studion dhe zbaton të vërtetën biblike, fillon të bëjë përparim frymor. Si rrjedhim, bën ndryshime në jetë në harmoni me atë që mëson. Ai flak tej praktikat e fesë së rreme dhe aspektet negative të jetës së mëparshme, si edhe zhvillon personalitetin si të Krishtit. (Efes. 4:22-24) Kënaqemi që çdo vit shohim qindra mijëra që bëjnë një përparim të tillë dhe kualifikohen për pagëzim, në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë Jehova. Sigurisht që kjo ia gëzon zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) Megjithatë, bëjmë mirë të pyesim: a mbaron me kaq?

Shumë vetave u duhet të dalin nga bota e Satanait e të transformohen (Shih paragrafin 9.)

10. Ku ndryshon transformimi nga përmirësimi?

10 Faktikisht, transformimi përfshin më tepër se përparimin dhe përmirësimin. Një produkt mund të cilësohet ose të reklamohet «i përmirësuar», por, në thelb është i njëjti. Mund t’i jetë shtuar vetëm një përbërës i ri dhe të jetë paketuar më bukur. Për foljen «shndërrohem», një shënim në një fjalor shpjegon: «Te Rom[akëve] 12:2 përputhja e jashtme me gjërat e kësaj epoke [ose të kësaj bote] është në kontrast me shndërrimin (ose shpërfytyrimin) e brendshëm nga mendimet e ripërtërira falë fuqisë së Frymës së Shenjtë.» (Vine’s Expository Dictionary) Prandaj, shndërrimi ose transformimi që duhet të bëjë një i krishterë nuk do të thotë thjesht të flakë tej veset, të folurit e dëmshëm dhe sjelljen imorale. Edhe disa që nuk kanë njohuri për Biblën përpiqen të shmangin gjëra të tilla në jetën e tyre. Ndaj, çfarë përfshin transformimi që duhet të bëjnë të krishterët?

11. Sipas Pavlit, si bëhet transformimi?

11 Pavli shkroi: «Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.» ‘Mendja’ zakonisht lidhet me aftësinë për të menduar. Mirëpo, siç përdoret në Bibël, ajo përfshin prirjen mendore, qëndrimin dhe fuqinë për të arsyetuar. Më parë, në Letrën drejtuar Romakëve, Pavli përshkroi njerëzit që kishin «një gjendje mendore të pamiratuar». Këta prireshin drejt ‘padrejtësisë, ligësisë, lakmisë, së keqes, zilisë, vrasjeve, konflikteve, mashtrimeve’ dhe gjërave të tjera të dëmshme si këto. (Rom. 1:28-31) Kuptohet pse Pavli i nxiti ata që u rritën në një ambient të tillë e që u bënë shërbëtorë të Perëndisë ‘të shndërroheshin’ ose të transformoheshin dhe ‘të përtërinin mendjen’.

«Hiqni . . . çdo zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje.»Efes. 4:31

12. Sipas jush, si mendon shumica sot dhe si mund të përbëjë një rrezik për të krishterët ky qëndrim?

12 Mjerisht, jemi të rrethuar nga njerëz që ngjajnë me ata që përshkroi Pavli. Mendojnë se kush ngul këmbë për  të respektuar standardet e parimet, është jashtë mode dhe aspak tolerant. Shumë mësues e prindër janë tepër tolerantë dhe inkurajojnë «qëndrimin liberal». Për ta, çdo gjë është relative dhe asgjë nuk është absolute. Edhe disa që hiqen si fetarë mendojnë se janë të lirë të bëjnë atë që u duket e drejtë, pa asnjë detyrim për t’iu bindur Perëndisë dhe urdhërimeve të tij. (Psal. 14:1) Ky qëndrim mund të përbëjë një kërcënim për të krishterët e vërtetë. Ata që nuk janë syçelë mund t’i shohin me të njëjtin sy masat teokratike. Mbase ngurrojnë të ndjekin procedurat në kongregacion e madje ankohen për çdo gjë që nuk u pëlqen. Ose mund të kenë dyshime për këshillat e bazuara në Bibël për zbavitjen, përdorimin e Internetit dhe shkollën e lartë.

13. Pse duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë?

13 Po kështu, që të mos formohemi ose modelohemi më tej sipas botës, duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë të qëndrimeve dhe të ndjenjave tona më të thella, të synimeve e të vlerave tona. Këto gjëra mund t’u fshihen syve të të tjerëve. Disa mund të na thonë se po veprojmë mirë. Megjithatë, vetëm ne e dimë nëse vërtet po e lejojmë atë që kemi mësuar nga Bibla të na transformojë në këto aspekte të rëndësishme dhe të vazhdojmë të transformohemi.Lexo Jakovin 1:23-25.

SI BËHET TRANSFORMIMI?

14. Çfarë mund të na ndihmojë të bëjmë ndryshimet e nevojshme?

14 Transformimi përfshin atë që jemi brenda, ndaj duhet diçka që mund të depërtojë sipërfaqen dhe të shkojë thellë brenda nesh. Ç’mund të na ndihmojë për këtë? Ndërsa mësojmë çfarë kërkon Jehovai nga ne—në harmoni me qëllimin e tij që gjejmë në Bibël—mënyra si reagojmë do të tregojë atë çka kemi në zemër, si edhe ndreqjet që duhet të bëjmë për të vepruar në përputhje me ‘vullnetin e përsosur të Perëndisë’.Rom. 12:2; Hebr. 4:12.

15. Ç’lloj transformimi vjen nga modelimi i Jehovait?

15 Lexo Isainë 64:8. Le të shqyrtojmë një pikë praktike nga ilustrimi që përdori profeti Isaia. Si na modelon ne, argjilën, Jehovai, Poçari? Sigurisht nuk na ndryshon fizikisht, mbase duke na dhënë një pamje më tërheqëse ose një trup më të bukur. Jehovai na stërvit frymësisht, jo fizikisht. Nëse e lejojmë të na modelojë, transformimi do të ndodhë nga brenda, ose frymësisht—pikërisht ajo çka na duhet që t’u kundërvihemi ndikimeve të botës. Si ndodh procesi i modelimit?

16, 17. (a) Përshkruaj si e kthen poçari argjilën në një enë cilësore. (b) Si na ndihmon Fjala e Perëndisë të transformohemi duke u bërë të çmuar për Jehovain?

16 Që të prodhojë një enë cilësore, poçari përdor argjilë të cilësisë së lartë. Megjithatë, ai duhet të bëjë dy gjëra. Së pari, duhet ta pastrojë argjilën nga materialet e tjera ose papastërtitë. Pastaj, duhet ta përziejë me sasinë e duhur të ujit dhe ta punojë që të ruajë formën gjatë modelimit.

17 Vëreni se uji përdoret edhe për ta pastruar argjilën nga papastërtitë, edhe që të bëhet e njëtrajtshme dhe e përpunueshme për një enë, qoftë edhe delikate. A i dallojmë rolet e ngjashme që mund të luajë Fjala e Perëndisë në jetën tonë? Ajo mund të na ndihmojë që të mos mendojmë më si më parë kur nuk e njihnim Perëndinë dhe të transformohemi, duke u bërë të çmuar në sytë e  tij. (Efes. 5:26) Mendo sa shpesh jemi nxitur të lexojmë Biblën çdo ditë dhe të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere ku shqyrtohet Fjala e Perëndisë. Pse inkurajohemi për këto gjëra? Sepse kështu i nënshtrohemi modelimit të Jehovait.Psal. 1:2; Vep. 17:11; Hebr. 10:24, 25.

Mund t’i përballojmë problemet më lehtë se më parë, po të transformohemi (Shih paragrafin 18.)

18. (a) Pse meditimi është i domosdoshëm nëse duam që Fjala e Perëndisë të ndikojë te ne dhe të na transformojë? (b) Cilat pyetje mund të na ndihmojnë?

18 Nëse duam që Fjala e Perëndisë të na transformojë siç duhet, kërkohet më shumë se sa ta lexojmë dhe të mësojmë rregullisht prej saj. Mjaft veta e lexojnë Biblën herë pas here dhe e dinë mirë çfarë thotë ajo. Mbase keni takuar persona të tillë në predikim. Madje, disa janë në gjendje të recitojnë përmendsh fragmente nga Bibla. * Prapëseprapë, kjo mund të ndikojë fare pak te mendimet dhe mënyra e tyre e jetesës. Çfarë u duhet tjetër? Që Fjala e Perëndisë të ndikojë te dikush dhe ta transformojë, ai duhet ta lejojë që të depërtojë thellë në zemër. Prandaj, duhet të marrim kohë që të mendojmë për atë që mësojmë. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A jam i bindur se ky nuk është thjesht një mësim fetar? A nuk kam prova se kjo është e vërteta? Për më tepër, a shoh mënyra si mund ta zbatoj në jetën time atë që mësoj dhe jo vetëm si diçka që mund t’ua mësoj të tjerëve? A ndiej se Jehovai po flet me mua tek për tek?» Duke menduar dhe medituar për pyetje të tilla mund të thellojmë ndjenjat që kemi në zemër për Jehovain. Dashuria për të do të rritet. Kur zemra preket kështu, vijnë ndryshime pozitive.Prov. 4:23; Luka 6:45.

19, 20. Cilën këshillë biblike duhet të zbatojmë që të gëzojmë dobi të vërtetë?

19 Leximi dhe meditimi i rregullt mbi Fjalën e Perëndisë do të na nxitin të vazhdojmë të bëjmë diçka që tashmë kemi nisur: ‘Të zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe të veshim personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet.’ (Kolos. 3:9, 10) Po, mund të vazhdojmë t’ia dalim mbanë nëse kapim thelbin dhe domethënien e vërtetë të Fjalës së Perëndisë. Falë kësaj, veshim personalitetin e ri të krishterë, i cili do të na mbrojë kundër intrigave të Satanait.

20 Apostulli Pjetër na kujton: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, . . . por . . . bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.» (1 Pjet. 1:14, 15) Duke bërë çmos të flakim tej mendimet e qëndrimet e mëparshme si dhe duke i lejuar vetes të transformohemi, do të kemi bekime, siç do të shohim në artikullin vijues.

^ par. 18 Shih një shembull nga Kulla e Rojës e 1 majit 1994, faqja 9, paragrafi 7.