Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbimi si pionier forcon marrëdhënien tonë me Perëndinë

Shërbimi si pionier forcon marrëdhënien tonë me Perëndinë

«Është mirë dhe kënaqësi të këndosh për Perëndinë tonë.»PSAL. 147:1.

1, 2. (a) Çfarë ndodh kur mendojmë dhe flasim për dikë që duam? (Shih figurën pranë titullit.) (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

KUR mendojmë e flasim për dikë që duam, forcojmë lidhjen me të. Ndodh po njësoj me marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. Si bari, Davidi kaloi net të tëra duke kundruar qiellin plot yje dhe duke menduar thellë për Krijuesin e pakrahasueshëm. Ai shkroi: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!» (Psal. 8:3, 4) Pasi bloi në mendje se si po përmbushej në mënyrë të mrekullueshme qëllimi i Jehovait për Izraelin frymor, apostulli Pavël u shpreh: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!»Rom. 11:17-26, 33.

2 Teksa dalim në shërbim, mendojmë dhe flasim për Jehovain, e kjo në vetvete ndikon për mirë. Shumë që janë përfshirë në shërbimin e plotkohor kanë parë se, kur zhytesh kokë e këmbë në shërbim, të thellohet dashuria për Perëndinë dhe ky është vetëm një nga bekimet. Qoftë nëse je në shërbimin e plotkohor, qoftë nëse po punon për këtë synim, mendo: si mund të ta forcojë marrëdhënien me Jehovain shërbimi i plotkohor? Nëse je pionier, pyet veten: «Ç’mund të më ndihmojë të vazhdoj në këtë lloj shërbimi shpërblyes?» Nëse akoma nuk je pionier, pyet veten: «Cilat rregullime mund të bëj që të filloj këtë formë shërbimi?» Le të shqyrtojmë disa mënyra se si shërbimi i plotkohor mund të na forcojë marrëdhënien me Perëndinë.

 SHËRBIMI I PLOTKOHOR DHE MARRËDHËNIA JONË ME PERËNDINË

3. Çfarë ndikimi ka te ne kur flasim në shërbim për bekimet e ardhshme të Mbretërisë?

3 Kur flasim me të tjerët për bekimet e ardhshme të Mbretërisë, afrohemi më shumë me Jehovain. Cilat shkrime ke qejf të përdorësh kur predikon nga shtëpia në shtëpi? Mbase të pëlqen më tepër Psalmi 37:10, 11; Danieli 2:44; Gjoni 5:28, 29; ose Zbulesa 21:3, 4. Sa herë që flasim me të tjerët për këto premtime, edhe ne vetë kujtojmë se Perëndia ynë bujar është vërtet dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe çdo gjëje të përsosur’. Kjo na afron më tepër me të.Jak. 1:17.

4. Pse na thellohet çmueshmëria për mirësinë e Perëndisë kur shohim gjendjen e mjerë frymore të të tjerëve?

4 Kur shohim gjendjen e mjerë frymore të atyre që u predikojmë, thellojmë çmueshmërinë për të vërtetën. Njerëzit në botë nuk kanë një drejtim të besueshëm që të kenë sukses dhe lumturi. Shumica shqetësohen për të ardhmen dhe nuk kanë asnjë shpresë. Duan të gjejnë kuptimin e jetës. Madje, mjaft nga ata që janë fetarë i njohin fare pak Shkrimet. Ngjajnë goxha me banorët e Ninevisë së lashtë. (Lexo Jonain 4:11.) Kur marrim pjesë më shumë në shërbim, e dallojmë më qartë kontrastin mes gjendjes frymore të atyre që u predikojmë dhe popullit të Jehovait. (Isa. 65:13) Kuptojmë se falë mirësisë së tij, Jehovai jo vetëm plotëson nevojat tona frymore, por edhe i fton të gjithë të freskohen frymësisht dhe të kenë shpresë të vërtetë.Zbul. 22:17.

5. Si i shohim problemet tona kur ndihmojmë të tjerët nga ana frymore?

5 Kur ndihmojmë të tjerët nga ana frymore, nuk do të na zënë frymën kollaj problemet tona. Një pioniere e rregullt me emrin Trisha e kuptoi sa e vërtetë është kjo kur iu divorcuan prindërit. Ajo tregon: «Ka qenë ndër përvojat më tronditëse në jetën time.» Një ditë, edhe pse ndihej përtokë dhe donte të rrinte në shtëpi, shkoi të bënte studimin me tre fëmijë, të cilët po kalonin një situatë tejet të rëndë. Babai i kishte braktisur dhe vëllai i madh ushtronte dhunë mbi ta. Trisha thotë: «Çdo problem ose sëmbim zemre që po përjetoja as që krahasohej me situatën e tyre. Gjatë studimit, sytë e tyre të vegjël shkëlqenin e qeshnin vesh më vesh nga gëzimi dhe entuziazmi. Ata fëmijë ishin dhuratë nga Jehovai, veçanërisht atë ditë.»

6, 7. (a) Si na forcohet besimi kur u mësojmë të vërtetën të tjerëve? (b) Si ndihemi për mençurinë e Perëndisë teksa shohim përmirësimin e jetës së studentëve tanë falë zbatimit të parimeve biblike?

6 Kur u mësojmë të tjerëve të vërtetat biblike, besimi ynë forcohet. Apostulli Pavël u shkroi disa judenjve në kohën e tij që nuk po zbatonin atë që predikonin: «Ti . . . që mëson një tjetër, nuk mëson veten?» (Rom. 2:21) Sa ndryshe ndodh me pionierët sot! Në përgjithësi, kanë shumë mundësi t’ua mësojnë të vërtetën të tjerëve dhe të drejtojnë studime biblike. Që ta bëjnë këtë me efektshmëri, duhet të përgatiten mirë për çdo studim dhe mbase të bëjnë kërkime që t’u përgjigjen pyetjeve. Një pioniere me emrin Xheninë shpjegon: «Kurdo që më jepet rasti t’u mësoj të vërtetën të tjerëve, ndiej se e vërteta ngulitet gjithnjë e më thellë në mendjen e në zemrën time. Si rezultat, besimi im nuk rri në vend por rritet vazhdimisht.»

7 Kur shohim që studentët tanë përmirësojnë jetën ndërsa zbatojnë parimet biblike, na thellohet çmueshmëria për mençurinë e Perëndisë. (Isa. 48:17, 18) Kjo na ndihmon që të jemi më të vendosur t’i zbatojmë këto parime në jetën tonë. Adriana, një pioniere tjetër, komenton: «Jeta e njerëzve  mund të jetë një lëmsh kur mbështeten vetëm te mençuria e tyre. Por, kur fillojnë të mbështeten te mençuria e Jehovait, i shohin menjëherë dobitë.» Edhe Filipi thotë: «Sheh mënyrën si Jehovai mund t’i ndryshojë njerëzit, të cilët nuk mund të bëjnë dot ndryshime me forcat e veta.»

8. Si ndikohemi kur punojmë sup më sup me shoqëri të mira në shërbim?

8 Kur punojmë sup më sup me shoqëri të mira, forcohemi frymësisht. (Prov. 13:20) Shumica e pionierëve kalojnë goxha kohë në shërbim me lajmëtarët e tjerë. Kjo krijon më tepër mundësi «që të inkurajojmë njëri-tjetrin». (Rom. 1:12; lexo Proverbat 27:17.) Një pioniere me emrin Liza vëren: «Shpesh në punë ka një frymë konkurrence dhe xhelozie. Do s’do, përditë dëgjon thashetheme dhe të folur të ndyrë. Synimi është t’i vësh bërrylin tjetrit. Nganjëherë të tallin ose të qesëndisin për shkak të sjelljes së krishterë. Por, të punosh në shërbim me të bashkëkrishterët është vërtet ndërtuese. Në fund të ditës, kthehem në shtëpi e përtërirë edhe pse mund të jem e lodhur.»

9. Si ndikon në litarin tresh të martesës shërbimi si pionier me bashkëshortin?

9 Kur shërbejmë si pionierë me bashkëshortin, forcojmë litarin tresh të martesës. (Ekl. 4:12) Madlina, e cila shërben si pioniere bashkë me burrin, shpjegon: «Mund të flasim më shumë për ditën që kemi kaluar në predikim ose për diçka që kemi lexuar në Bibël e që mund ta zbatojmë në shërbim. Çdo vit që shërbejmë së bashku si pionierë, lidhemi më ngushtë me njëri-tjetrin.» Kështu thotë edhe Trisha: «Të dy jemi të vendosur të mos zhytemi në borxhe, ndaj nuk grindemi për pará. Kemi të njëjtin program shërbimi, prandaj i njohim mirë rivizitat  e njëri-tjetrit si dhe studimet biblike, dhe kjo na ndihmon të jemi në një hap emocionalisht dhe frymësisht.»

Kur zhytesh kokë e këmbë në shërbimin e plotkohor, jeta është e kënaqshme (Shih paragrafin 9.)

10. Si ndikon te besimi ynë te Jehovai kur vëmë interesat e Mbretërisë në radhë të parë dhe provojmë mbështetjen e Tij?

10 Besimi te Jehovai rritet kur vëmë interesat e Mbretërisë në vend të parë, kur provojmë mbështetjen e Tij dhe kur shohim se i përgjigjet lutjeve tona. Edhe pse kjo mund të thuhet për të gjithë të krishterët besnikë, ata që shërbejnë në kohë të plotë e kuptojnë se vetëm besimi te Jehovai i ndihmon të vazhdojnë si pionierë. (Lexo Mateun 6:30-34.) Kurti, një pionier dhe zëvendësmbikëqyrës qarkor, pranoi të vizitonte një kongregacion dy orë e gjysmë larg shtëpisë. Ai dhe gruaja, edhe ajo pioniere, kishin aq karburant sa për të shkuar atje, por jo për t’u kthyer. Kurse rrogën do ta merrte pas një jave. Kurti komenton: «Fillova të dyshoja nëse kisha marrë vendimin e duhur.» Pasi u lutën, vendosën ta plotësonin caktimin, të sigurt se Jehovai do të kujdesej për nevojat e tyre. Sapo do të niseshin kur një motër u telefonoi dhe u tha se do t’u bënte një dhuratë. Ishin fiks aq pará sa u duheshin për kthimin. Kurti thotë: «Kur përjeton herë pas here përvoja të tilla, e dallon kollaj dorën e Jehovait.»

11. Cilat janë disa bekime që provojnë pionierët?

11 Po, pionierët shpesh shohin se kur shpenzojnë veten në shërbim të Jehovait dhe përpiqen të lidhen ngushtë me të, i «zënë» bekime të pafundme. (Ligj. 28:2) Gjithsesi, shërbimi si pionier ka sfidat e veta. Asnjë shërbëtor i Perëndisë nuk është i imunizuar nga problemet që ka sjellë rebelimi i Adamit. Edhe pse disa pionierëve u është dashur të ndërpritnin shërbimin e plotkohor për njëfarë kohe, shpesh sfidat mund të përballohen, madje të shmangen. Çfarë mund t’i ndihmojë pionierët të vazhdojnë shërbimin e tyre të vyer?

SI TË VAZHDONI NË SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

12, 13. (a) Çfarë duhet të bëjë një pionier nëse mezi i plotëson orët? (b) Pse është kaq i rëndësishëm programi për leximin e çdoditshëm të Biblës, studimin personal dhe meditimin?

12 Në përgjithësi, pionierët kanë program goxha të ngjeshur. Mund të jetë një sfidë të kryejnë çdo gjë, kështu që organizimi i mirë është i rëndësishëm. (1 Kor. 14:33, 40) Nëse një pionier mezi i plotëson orët, mbase duhet të shqyrtojë rishtas si e përdor kohën. (Efes. 5:15, 16) Mund të pyesë: «Sinqerisht, sa kohë harxhoj për argëtim a zbavitje? A më duhet më shumë vetëdisiplinim? A mund të përshtat programin tim të punës?» Për çdo të krishterë është e kollajshme të shtojë gjëra në program. Prandaj, ata që shërbejnë në kohë të plotë bëjnë mirë të shqyrtojnë rregullisht programin dhe ta përshtatin nëse është e nevojshme.

13 Leximi i çdoditshëm i Biblës, studimi personal dhe meditimi duhet të jenë pjesë e programit të çdo pionieri. Prandaj, atij i duhet vetëdisiplinë, që të sigurohet se gjërat me më pak rëndësi nuk i vjedhin kohën e programuar për këto gjëra të domosdoshme. (Filip. 1:10) Për shembull, përfytyro një pionier që kthehet në shtëpi pas një dite të gjatë në shërbim. Ai ka programuar që në mbrëmje të përgatitet për mbledhjen. Mirëpo, fillon të lexojë letrat që ka marrë. Pastaj hap kompjuterin dhe lexon e u përgjigjet email-eve. Ndërsa ndodhet online, kontrollon në një sit për të parë nëse është ulur çmimi për diçka që dëshiron të blejë. Pa e kuptuar, kanë kaluar gati dy orë e as që e ka filluar studimin e programuar për këtë mbrëmje. Ku është problemi  këtu? Ashtu si atletët profesionistë duhet të kujdesen për trupin nëse duan të kenë një karrierë të gjatë, edhe pionierët kanë nevojë për një program të mirë të studimit personal që të ripërtërihen frymësisht nëse duan të vazhdojnë gjatë në shërbimin e plotkohor.1 Tim. 4:16.

14, 15. (a) Pse pionierët duhet të mbajnë një jetë të thjeshtë? (b) Çfarë duhet të bëjë një pionier kur has vështirësi?

14 Pionierët e suksesshëm përpiqen fort të mbajnë një jetë të thjeshtë. Jezui i nxiti dishepujt të kishin një sy të thjeshtë. (Mat. 6:22) Ai jetoi kështu që të shërbente pa shpërqendrime. Prandaj mundi të thoshte: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» (Mat. 8:20) Nëse do që të mësojë nga shembulli i Jezuit, një pionier bën mirë të kujtojë se sa më shumë gjëra materiale të ketë, aq më tepër do t’i duhet t’i mirëmbajë, t’i riparojë ose t’i zëvendësojë.

15 Pionierët e kuptojnë se privilegji që kanë nuk është meritë e tyre. Përkundrazi, çdo dhuratë ose privilegj shërbimi që mund të kemi është falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Ndaj, secili duhet të mbështetet te Jehovai nëse do që të vazhdojë si pionier. (Filip. 4:13) Sfidat dhe vështirësitë do të vijnë. (Psal. 34:19) Në këto raste, pionierët duhet të kërkojnë drejtimin e Jehovait dhe t’i japin mundësi që t’i ndihmojë, në vend që të heqin dorë menjëherë nga privilegji i shërbimit. (Lexo Psalmin 37:5.) Ndërsa provojnë mbështetjen e dashur të Perëndisë, do t’i afrohen më tepër Atit të tyre të dhembshur qiellor.Isa. 41:10.

A MUND TË JESH EDHE TI PIONIER?

16. Çfarë duhet të bësh nëse dëshiron të shërbesh si pionier?

16 Nëse dëshiron të kesh bekime si ato që gëzojnë pionierët, hapja zemrën Jehovait. (1 Gjon. 5:14, 15) Bisedo me ata që po shërbejnë në kohë të plotë. Vër synime që të çojnë drejt shërbimit si pionier. Kështu bënë Kithi dhe Erika. Si shumë çifte në moshën e tyre, të dy punonin me orar të plotë. Blenë shtëpi dhe një makinë të re menjëherë pas martesës. Ata thonë: «Menduam se me këto gjëra do të ndiheshim të plotësuar, por s’ishte kështu.» Kur Kithi humbi punën, shërbeu si pionier ndihmës. Ai kujton: «Shërbimi si pionier më solli ndër mend gëzimin e madh që të sjell predikimi.» U lidhën ngushtë me një çift pionierësh, të cilët i ndihmuan të kuptonin gëzimin që vjen kur bën një jetë të thjeshtë dhe kur shërben si pionier. Si vepruan Kithi dhe Erika? «Bëmë një listë të synimeve frymore, e ngjitëm në frigorifer dhe i vinim një shenjë secilit synim që arrinim.» Pas ca kohësh, ia dolën të fillonin si pionierë.

17. Pse do të ishte e mençur të shqyrtosh nëse mund të bësh rregullime në program dhe në mënyrën e jetesës që të fillosh si pionier?

17 A mund të jesh edhe ti pionier? Nëse në këtë moment të duket e pamundur, bëj çmos të afrohesh më shumë me Jehovain, duke bërë maksimumin në shërbim. Mbasi ta shqyrtosh situatën në lutje, mund të shohësh se me disa rregullime në program dhe në mënyrën e jetesës mund të fillosh si pionier. Nëse po, gëzimi që do të provosh as që krahasohet me ndonjë sakrificë që do të bësh. Do të ndjesh edhe më shumë kënaqësi që vjen kur vë interesat e Mbretërisë para interesave të tua. (Mat. 6:33) Do të provosh edhe më shumë lumturi që vjen kur u jep të tjerëve. Madje, do të kesh më tepër mundësi për të menduar dhe për të folur për Jehovain. Kështu, dashuria jote për të do të thellohet dhe do t’i sjellësh kënaqësi atij.