Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | GËNJESHTRA QË NA PENGOJNË TA DUAM PERËNDINË

E vërteta mund të të lirojë

E vërteta mund të të lirojë

Një ditë në Jerusalem, Jezui po fliste për të Atin, Jehovain, dhe po demaskonte krerët e rremë fetarë të kohës së tij. (Gjoni 8:12-30) Gjërat që tha, na mësojnë si t’i shqyrtojmë bindjet e përhapura sot për Perëndinë. Jezui tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:31, 32.

«Qëndroni në fjalën time.» Këtu Jezui vendos standardin për të kuptuar nëse mësimet fetare janë «e vërteta». Kur dëgjon diçka për Perëndinë, pyet veten: «A përputhet kjo me fjalët e Jezuit dhe pjesën tjetër të Shkrimeve të Shenjta?» Imito ata që dëgjonin apostullin Pavël dhe që «çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra [gjërat që po mësonin] ishin ashtu».—Veprat 17:11.

Marko, Roza dhe Rajmonda, të cituar në artikullin e parë të kësaj serie, shqyrtuan me kujdes bindjet e tyre duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Çfarë mendojnë për atë që mësuan?

Marko: «Mësuesi ynë i Biblës përdorte Shkrimet për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që kishim unë dhe gruaja. Dashuria për Jehovain nisi të rritej. Përveç kësaj, u afruam më tepër si çift.»

Roza: «Në fillim mendoja se Bibla ishte thjesht një libër filozofik që përpiqet ta shpjegojë Perëndinë me arsyetime njerëzore. Por, dalëngadalë, gjeta përgjigjet që jepte Bibla për pyetjet e mia. Tani, Jehovai është real për mua. Është dikush tek i cili mund të kem besim.»

Rajmonda: «I lutesha Perëndisë të më ndihmonte ta njihja. S’kaloi shumë dhe unë e burri nisëm të studionim Biblën. Më në fund, e mësuam të vërtetën për Jehovain! Sa shumë u gëzuam kur kuptuam ç’lloj Perëndie është ai.»

Bibla jo vetëm që demaskon gënjeshtrat për Perëndinë, por edhe zbulon të vërtetën për cilësitë e tij tërheqëse. Ajo është Fjala e tij e frymëzuar dhe na ndihmon «të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi», domethënë të kuptojmë të vërtetën për Perëndinë dhe qëllimet e tij. (1 Korintasve 2:12) Pse të mos e shohësh vetë si u përgjigjet Bibla pyetjeve të zakonshme, por themelore në lidhje me Perëndinë, qëllimin e tij dhe të ardhmen tonë? Lexo përgjigjet për disa nga këto pyetje në www.pr418.com/​sq, te «Mësime biblike > Përgjigje për pyetje biblike». Mund të kërkosh edhe një studim biblik në këtë faqe Interneti ose mund ta kërkosh drejtpërdrejt nga një Dëshmitar i Jehovait. Jemi të sigurt se po të veprosh kështu, do ta kesh më të lehtë ta duash Perëndinë, diçka që mbase e mendoje të pamundur.