Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Barinj, imitoni barinjtë më të mëdhenj

Barinj, imitoni barinjtë më të mëdhenj

«Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.»1 PJET. 2:21.

1, 2. (a) Ç’ndodh kur bariu kujdeset siç duhet për delet? (b) Pse shumë veta ishin si dele pa bari në kohën e Jezuit?

DELET rriten mbarë kur bariu interesohet thellësisht për mirëqenien e kopesë. Një manual për rritjen e deleve thotë: «Dikush që thjesht i çon delet në kullotë dhe as që e çan kokën më për to, ka të ngjarë që brenda pak vitesh të përfundojë me një tufë delesh të sëmura dhe jo të mbara.» Mirëpo, kur bariu kujdeset siç duhet për delet, kopeja do të ketë mbarësi.

2 Lloji i kujdesjes dhe i vëmendjes që barinjtë e kopesë së Perëndisë i tregojnë secilës dele që u është besuar do të ndikojë te shëndeti frymor i gjithë kongregacionit. Mbase kujtoni se Jezuit i erdhi keq për turmën, sepse «ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mat. 9:36) Pse ishin aq të mjerë? Sepse ata që kishin përgjegjësinë t’u mësonin Ligjin e Perëndisë ishin të ashpër, kërkues dhe hipokritë. Në vend që t’i ndihmonin dhe të kujdeseshin për pjesëtarët e kopesë së tyre, udhëheqësit frymorë të Izraelit u ‘lidhnin ngarkesa të rënda’ mbi supe.Mat. 23:4.

3. Ç’duhet të kenë parasysh pleqtë në kongregacion ndërsa kryejnë detyrën si barinj frymorë?

3 Kështu, barinjtë e krishterë në ditët tona, pleqtë e emëruar, kanë një përgjegjësi serioze. Delet e kopesë për të cilat kujdesen, i përkasin Jehovait dhe Jezuit, që e quajti veten «bariu i shkëlqyer». (Gjoni 10:11) Delet janë ‘blerë me një çmim’ që Jezui e pagoi ‘me gjakun e tij të çmuar’. (1 Kor. 6:20; 1 Pjet. 1:18, 19) Ai i do aq shumë delet, sa me gatishmëri sakrifikoi jetën për to. Pleqtë s’duhet të harrojnë kurrë se janë nënbarinj nën mbikëqyrjen e Birit të dashur të Perëndisë, Jezu Krishtit, ‘bariut të madh të deleve’.Hebr. 13:20.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 4 Prandaj, si duhet të sillen me delet barinjtë e krishterë? Pjesëtarët e kongregacionit nxiten ‘t’u binden atyre që marrin drejtimin’ mes tyre. Në krahun tjetër, pleqtë e krishterë këshillohen të mos ‘sillen si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë’. (Hebr. 13:17; lexo 1 Pjetrit 5:2, 3.) Si mund të marrin drejtimin pleqtë e emëruar pa u sjellë si zotër të kopesë? Me fjalë të tjera, si mund të kujdesen për nevojat e deleve pa kaluar caqet e autoritetit që Perëndia u ka dhënë mbikëqyrësve?

«DO T’I MBAJË NË GJI»

5. Si e portretizojnë Jehovain fjalët tek Isaia 40:11?

5 Profeti Isaia tha për Jehovain: «Ai do ta kullotë kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji dhe do t’i drejtojë me kujdes ato që ushqejnë të vegjlit me qumësht.» (Isa. 40:11) Ky portretizim përcjell idenë se Jehovai ka merak për ata pjesëtarë të kongregacionit që janë të dobët e të pambrojtur. Si një bari që ka parasysh nevojat e veçanta të çdo deleje të kopesë së tij dhe që rri gati të kujdeset për të, edhe Jehovai është i vetëdijshëm për nevojat e secilit në kongregacion dhe me kënaqësi kujdeset siç duhet për ta. Tamam si një bari që mban një qengj të sapolindur në një nga palat e veshjes kur është e nevojshme, Jehovai, «Ati i mëshirave të buta», do të na mbajë në kohë sprovash. Do të na ngushëllojë kur të gjendemi përballë një sprove të madhe ose kur të jemi në hall.2 Kor. 1:3, 4.

6. Si mund të ndjekë shembullin e Jehovait një plak, si një bari frymor?

6 Sa mësim të bukur mund të nxjerrë një bari frymor nga Ati ynë qiellor! Ashtu si Jehovai, ai duhet t’u kushtojë vëmendje nevojave të deleve. Një plak do të jetë në gjendje t’i inkurajojë dhe t’i mbështetë nëse i di vështirësitë që po hasin dhe nevojat specifike të ngutshme. (Prov. 27:23) S’diskutohet, një plak duhet të mbajë komunikim të mirë me bashkëbesimtarët. Pa cenuar jetën e tyre private, interesohet duke vëzhguar dhe dëgjuar në kongregacion, dhe me dashuri u rri pranë që ‘të ndihmojë të dobëtit’.Vep. 20:35; 1 Sel. 4:11.

7. (a) Si trajtoheshin delet e Perëndisë në ditët e Ezekielit dhe të Jeremisë? (b) Çfarë mund të mësojmë nga denoncimi që u bëri Jehovai barinjve frymorë të pabesë?

7 Mendoni për qëndrimin e barinjve që Perëndia i gjykoi. Në ditët e Ezekielit dhe të Jeremisë, Jehovai denoncoi ata që kishin për detyrë të kujdeseshin për delet e tij, por që nuk po e bënin siç duhej. Kur askush nuk i ruante delet, ato binin pre e grabitqarëve dhe hallakateshin. Në vend që t’i ushqenin delet, ata barinj i shfrytëzonin dhe «ushqenin veten e tyre». (Ezek. 34:7-10; Jer. 23:1) Dënimi që u dha Perëndia atyre barinjve fare mirë mund të zbatohet për udhëheqësit e krishterimit të rremë. Gjithashtu, nxjerr në pah sa e rëndësishme është që pleqtë e krishterë t’i kushtojnë vëmendje të dashur e të duhur kopesë së Jehovait.

«UNË JU LASHË MODELIN»

8. Çfarë modeli të shkëlqyer la Jezui në ndreqjen e qëndrimeve të gabuara?

8 Për shkak të papërsosmërisë, disa nga delet e Perëndisë mund të mos e kuptojnë menjëherë se çfarë pret Jehovai. Mund të mos veprojnë në harmoni me këshillat biblike ose mund të sillen në një mënyrë që tregon se u mungon pjekuria frymore. Si duhet të reagojnë pleqtë? Duhet të imitojnë durimin që  tregoi Jezui me dishepujt kur e kishin mendjen te pozita, se kush prej tyre do të bëhej më i madh në Mbretëri. Jezuit nuk iu sos durimi, por vazhdoi t’i mësonte dhe t’u jepte këshilla të dashura që të ishin të përulur. (Luka 9:46-48; 22:24-27) Duke ua larë këmbët, Jezui u la një shembull për përulësinë, cilësi që duhet ta shfaqin mbikëqyrësit e krishterë.Lexo Gjonin 13:12-15; 1 Pjet. 2:21.

9. Cilin qëndrim i këshilloi Jezui dishepujt të kishin?

9 Pikëpamja e Jezuit për rolin e një bariu frymor ndryshonte nga ajo që shfaqën dikur Jakovi dhe Gjoni. Të dy apostujt donin të zinin një vend të shquar në Mbretëri. Por, Jezui e korrigjoi qëndrimin e tyre kur u tha: «Ju e dini se sundimtarët e huaj kanë qejf t’u japin urdhra njerëzve. Dhe të mëdhenjtë kanë pushtet absolut mbi ata që i kanë nën sundim. Mos u sillni si këta. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh, duhet të jetë shërbëtori i gjithë të tjerëve.» (Mat. 20:25, 26, Contemporary English Version) Apostujve iu desh të mposhtnin dëshirën që ‘të silleshin si zotër’ me të bashkëkrishterët ose ‘t’u jepnin urdhra njerëzve’.

10. Si do Jezui që pleqtë ta trajtojnë kopenë, dhe çfarë shembulli la Pavli për këtë?

10 Jezui pret që pleqtë e krishterë ta trajtojnë kopenë ashtu si e trajtoi ai. Duhet të jenë të gatshëm t’u shërbejnë bashkëbesimtarëve e jo të sillen si zotër me ta. Këtë qëndrim të përulur kishte apostulli Pavël, prandaj u tha pleqve të kongregacionit të Efesit: «Ju e dini mirë se, që nga dita e parë që vura këmbë në krahinën e Azisë, kam qenë me ju gjithë kohën, duke shërbyer si skllav për Zotërinë me përulësinë më të madhe të mendjes.» Dëshira e apostullit ishte që ata pleq t’i ndihmonin sinqerisht dhe përulësisht të tjerët. Ai u tha: «Në gjithçka që bëra, ju tregova se duke u munduar kështu, duhet të ndihmoni të dobëtit.» (Vep. 20:18, 19, 35) Pavli u tha korintasve se nuk ishte zot mbi besimin e tyre. Përkundrazi, ishte bashkëpunëtor i përulur për gëzimin e tyre. (2 Kor. 1:24) Ai la një shembull të shkëlqyer për pleqtë sot, se si të punojnë me përulësi dhe pa u lodhur.

‘PËRMBAJUNI FORT FJALËS SË BESUESHME’

11, 12. Si mund ta ndihmojë një plak një vëlla a motër kur ka për të marrë një vendim?

11 Një plak kongregacioni duhet ‘t’i përmbahet fort fjalës së besueshme në artin e tij të mësimdhënies’. (Titit 1:9) Megjithatë, këtë duhet ta bëjë «me një frymë butësie». (Gal. 6:1) Në vend që t’i detyrojë të tjerët në kongregacion të veprojnë në një mënyrë të caktuar, një bari i mirë frymor mendon si t’u flasë zemrave të tyre. Kur dikush duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, një plak mund të nxjerrë në pah parime biblike të cilat vëllai duhet t’i shqyrtojë. Ai mund të rishikojë bashkë me të se ç’thonë botimet për atë temë. Mund ta nxitë edhe që të mendojë mirë si do të ndikonte në marrëdhënien e tij me Jehovain po të ndiqte variante të ndryshme. Plaku mund t’i kujtojë sa e rëndësishme është që të kërkojë drejtimin e Perëndisë në lutje para se të marrë një vendim. (Prov. 3:5, 6) Pasi të ketë bërë një bisedë të tillë, plaku ia lë në dorë bashkëbesimtarit të vendosë.Rom. 14:1-4.

12 E vetmja bazë që kanë mbikëqyrësit e krishterë për të dhënë drejtim është Bibla. Prandaj, është jetësore që ta përdorin me mjeshtëri dhe t’i qëndrojnë besnikë asaj. Nëse pleqtë veprojnë  kështu, do të shmangin çfarëdo keqpërdorimi të autoritetit. Në fund të fundit, ata janë vetëm nënbarinj, dhe çdo pjesëtar i kongregacionit do t’i japë llogari Jehovait e Jezuit për vendimet që merr.Gal. 6:5, 7, 8.

«SHEMBUJ PËR KOPENË»

Pleqtë ndihmojnë familjet e tyre të përgatiten për shërbim (Shih paragrafin 13.)

13, 14. Në cilat fusha duhet të jetë shembull për kopenë një plak?

13 Pasi i këshilloi pleqtë në kongregacion që ‘të mos silleshin si zotër mbi ata që u ishin besuar’, apostulli Pjetër i nxiti ‘të bëheshin shembuj për kopenë’. (1 Pjet. 5:3; shën., BR me referime, angl.) Si mund të jetë një plak shembull për kopenë? Mendoni për dy nga kualifikimet që duhet të përmbushë një burrë që «synon detyrën e mbikëqyrësit». Duhet të jetë «me mendje të shëndoshë» dhe që «e drejton shkëlqyeshëm shtëpinë e vet». Nëse një plak është kryefamiljar, duhet të drejtojë familjen në mënyrë shembullore, sepse, «në të vërtetë, nëse një njeri nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë»?! (1 Tim. 3:1, 2, 4, 5) Që të kualifikohet për detyrën e mbikëqyrësit, një burrë duhet të jetë me mendje të shëndoshë në kuptimin që t’i dallojë qartë parimet hyjnore dhe të dijë t’i zbatojë për vete. Ai është i matur dhe nuk gjykon rrëmbimthi. Të tjerët në kongregacion ndihen të sigurt kur vërejnë këto cilësi te pleqtë.

14 Një fushë tjetër ku mbikëqyrësit lënë një shembull të shkëlqyer për të bashkëkrishterët është kur marrin drejtimin në predikim. Jezui është shembull për pleqtë në këtë aspekt. Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë ishte pjesë e rëndësishme e aktivitetit të tij kur ishte në tokë. Ai u tregoi dishepujve si ta kryenin këtë vepër. (Mar. 1:38; Luka 8:1) Sa inkurajuese është kur lajmëtarët predikojnë sup më sup me pleqtë, kur shohin zellin e tyre në këtë vepër jetëshpëtuese e kur mësojnë nga metodat e tyre të mësimdhënies! Këmbëngulja me zell e mbikëqyrësve për t’i kushtuar kohë dhe energji predikimit të lajmit të mirë, pavarësisht nga programi i ngjeshur, nxit gjithë kongregacionin të shfaqë të njëjtin zell. Gjithashtu, pleqtë mund t’u lënë një shembull të mirë vëllezërve kur përgatiten për mbledhjet dhe marrin pjesë në to, si edhe kur angazhohen në aktivitete të tjera, si pastrimi dhe mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë.Efes. 5:15, 16; lexo Hebrenjve 13:7.

Mbikëqyrësit janë shembuj në predikim (Shih paragrafin 14.)

«MBËSHTETNI TË DOBËTIT»

15. Cilat janë disa arsye pse pleqtë bëjnë vizita baritore?

15 Kur vëren se një dele është e plagosur ose e sëmurë, një bari i mirë vepron pa vonesë. Po kështu, pleqtë duhet t’i kushtojnë vëmendje të menjëhershme  çdokujt që vuan ose që ka nevojë për ndihmë frymore. Edhe pse të moshuarit dhe të sëmurët mund të kenë nevojë për ndihmë fizike, ata kanë nevojë veçanërisht për ndihmë dhe inkurajim frymor. (1 Sel. 5:14) Të rinjtë në kongregacion mund të hasin sfida, si për shembull t’u rezistojnë ‘dëshirave karakteristike rinore’. (2 Tim. 2:22) Prandaj, kullotja përfshin vizitat e rregullta te vëllezërit dhe motrat për të kuptuar situatat që po përballojnë dhe për t’u dhënë zemër me këshilla të përshtatshme biblike. Kur çështjet trajtohen në kohë, shumë probleme mund të zgjidhen para se të rëndohen.

16. Çfarë mbështetje mund të japin pleqtë kur dikush ka nevojë për ndihmë frymore?

16 Po sikur një problem të shkojë deri në atë pikë sa të rrezikojë shëndetin frymor të dikujt në kongregacion? «A ka mes jush ndonjë të sëmurë?»—pyeti shkrimtari biblik, Jakovi. «Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.» (Jak. 5:14, 15) Edhe nëse një i sëmurë frymësisht nuk i ‘thërret pranë vetes pleqtë’, ata duhet t’i vijnë në ndihmë pa u vonuar me të marrë vesh për situatën. Kur përmendin vëllezërit në lutje si edhe kur luten bashkë me ta e i mbështetin ndërsa janë në hall, pleqtë u japin zemër dhe i freskojnë frymësisht ata që kanë nën kujdes.Lexo Isainë 32:1, 2.

17. Çfarë vjen si rezultat kur pleqtë imitojnë «bariun e madh»?

17 Barinjtë e krishterë përpiqen të imitojnë «bariun e madh», Jezu Krishtin, në çdo gjë që bëjnë në organizatën e Jehovait. Kopeja nxjerr dobi dhe rritet mbarë kur burra të tillë të përgjegjshëm e mbështetin frymësisht. Sa mirënjohës jemi për gjithë këtë, ndërsa nxitemi të lëvdojmë Bariun e pashoq, Jehovain!