Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 BISEDË ME NJË TË INTERESUAR

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitare e Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitare që quhet Mira ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një gruaje me emrin Silvana.

SI NDIHET PERËNDIA PËR VUAJTJET TONA?

Mira: Ç’kemi Silvana? Sa mirë që të gjeta në shtëpi!

Silvana: Mirë se erdhe!

Mira: Herën e kaluar, folëm si ndihet Perëndia për vuajtjet tona. * Ti më the se për shumë kohë nuk arrije ta kuptoje këtë, veçanërisht pasi mamaja bëri aksident me makinë. Meqë ra fjala, si ka qenë mamaja?

Silvana: Herë mirë, herë keq. Sot është mirë.

Mira: Më bëhet qejfi. Në rrethanat që je, duhet ta kesh shumë të vështirë të jesh pozitive.

Silvana: Ashtu është. Ndonjëherë pyes veten edhe për sa kohë duhet të vuajë.

Mira: Është normale. Mbase të kujtohet që herën e kaluar, në fund të bisedës, ngritëm pyetjen pse i lejon ende Perëndia vuajtjet, ndonëse ka fuqinë për t’u dhënë fund.

Silvana: Po, e mbaj mend.

Mira: Para se të shohim çfarë thotë Bibla për këtë, le të kujtojmë disa gjëra që thamë herën e kaluar.

Silvana: Mirë.

Mira: Në fillim, mësuam se edhe një burrë besnik në kohët biblike pyeti pse i lejon Perëndia vuajtjet. E megjithatë, Perëndia nuk e qortoi dhe as i tha që s’kishte besim sa duhej.

Silvana: Kjo ishte diçka e re për mua.

Mira: Gjithashtu, mësuam se Perëndia Jehova nuk duron dot kur ne vuajmë. Për shembull, Bibla thotë se kur populli i tij vuante, edhe ‘ai vuante’. * A nuk ngushëllohemi kur mendojmë se Perëndia ndihet keq kur ne vuajmë?

Silvana: Tamam.

Mira: Në fund ramë dakord se, duke pasur parasysh fuqinë e madhe që ka Krijuesi ynë, sigurisht që mund të ndërhyjë dhe t’u japë fund vuajtjeve në çdo moment.

Silvana: Pikërisht këtë nuk arrij ta kuptoj. Pse Zoti lejon të ndodhin gjithë këto gjëra të këqija kur ka fuqinë për t’u dhënë fund?

CILI PO THOSHTE TË VËRTETËN?

Mira: Për t’i dhënë përgjigje pyetjes sate, mund të hapim librin e parë të Biblës, Zanafillën. A ke dëgjuar për Adamin, Evën dhe frytin e ndaluar?

Silvana: Po, kam dëgjuar. Zoti u tha të mos hanin nga një pemë e caktuar, por ata nuk e dëgjuan dhe hëngrën prej saj.

Mira: Saktë. Tani, të shohim si rrodhën ngjarjet që Adami dhe Eva mëkatuan. Këto ngjarje lidhen drejtpërdrejt me pyetjen se përse vuajmë.  A mund të lexosh të lutem kapitullin 3 të Zanafillës, vargjet 1 deri 5?

Silvana: Po. «Gjarpri ishte më i kujdesshmi i të gjitha bishave të fushës që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai nisi t’i thoshte gruas: ‘Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?’ Gruaja i tha gjarprit: ‘Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: “Mos e hani, madje as mos e prekni, që të mos vdisni.”’ Atëherë gjarpri ia ktheu: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.’»

Mira: Faleminderit! Le t’i shqyrtojmë këto vargje. Në fillim, siç e sheh, një gjarpër foli me Evën. Diku tjetër Bibla thotë se në të vërtetë ishte Satana Djalli që po fliste me të nëpërmjet gjarprit. * Satanai e pyeti Evën për urdhrin që kishte dhënë Perëndia në lidhje me pemën. A e vure re cili do të ishte ndëshkimi që tha Perëndia nëse Adami dhe Eva do të hanin prej saj?

Silvana: Do të vdisnin.

Mira: Po. Pikërisht pas këtyre fjalëve, Satanai hodhi një akuzë të rëndë kundër Perëndisë. Shiko çfarë tha: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» Satanai po e quante Perëndinë gënjeshtar.

Silvana: Nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë pjesë të tregimit.

Mira: Dhe duke e quajtur Perëndinë gënjeshtar, Satanai ngriti një çështje që donte kohë të zgjidhej. E kupton pse?

Silvana: Hmm. Nuk e di.

Mira: Më mirë të bëjmë një ilustrim. E zëmë se një ditë vij dhe të them se unë jam më e fortë se ti. Si do ta vërtetosh që unë e kam gabim?

Silvana: Ndoshta me ndonjë lloj prove.

Mira: Pikërisht. Ndoshta do të zgjidhnim një objekt të rëndë dhe pastaj të shihnim kush nga ne mund ta ngrejë. Në fakt, të kuptosh kush është më e fortë, është fare kollaj.

Silvana: E kuptoj ku do të dalësh.

Mira: Po sikur të të thosha se jam më e sinqertë se ti? Kjo është ndryshe, apo jo?

Silvana: Them se po.

Mira: Në fund të fundit, sinqeriteti nuk është si forca që mund të vërtetohet me një provë të thjeshtë.

Silvana: Ashtu është.

Mira: Në fakt, e vetmja mënyrë për të kuptuar kush po thotë të vërtetën, do ishte duke ia lënë kohës, që të tjerët të na vëzhgojnë të dyjave dhe ta kuptojnë vetë.

Silvana: Është logjike.

Mira: Tani, le t’i kthehemi edhe një herë tregimit te Zanafilla. A tha Satanai se ishte më i fortë se Perëndia?

Silvana: Jo.

Mira: Perëndia mund ta kishte vërtetuar kollaj fare që Satanai e kishte gabim. Por, Satanai tha se ai ishte më i sinqertë se Perëndia. Me fjalë të tjera, po i thoshte Evës: ‘Perëndia po ju gënjen, kurse unë po ju them të vërtetën.’

Silvana: Interesante.

Mira: Me mençurinë që ka, Perëndia e dinte se mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje, është duke ia lënë kohës. Në fund, do të bëhej e qartë kush po thoshte të vërtetën dhe kush po gënjente.

NJË ÇËSHTJE E RËNDËSISHME

Silvana: Por, kur vdiq Eva, a nuk u bë e qartë se Perëndia po thoshte të vërtetën?

Mira: Në njëfarë mënyre, po. Por akuza e Satanait shkonte edhe më tej. Shihe edhe një herë vargun 5. A e vure re çfarë i tha tjetër Satanai Evës?

 Silvana: I tha se, po të hante frytin, do t’i hapeshin sytë.

Mira: Po, dhe se do të bëhej ‘si Perëndi, dhe do të njihte të mirën dhe të keqen’. Me këto fjalë Satanai po thoshte se Perëndia po u mbante njerëzve diçka të mirë.

Silvana: E kuptoj.

Mira: Edhe kjo ishte një sfidë madhore.

Silvana: Në ç’kuptim?

Mira: Me këto fjalë, Satanai po thoshte se Eva, dhe si rrjedhojë gjithë njerëzit, do të ishin më mirë pa sundimin e Perëndisë. Edhe në këtë rast, Jehovai e dinte se mënyra më e mirë për të nxjerrë të vërtetën, do të ishte duke e lënë Satanain të vërtetonte atë që tha vetë. Prandaj, Perëndia e ka lejuar Satanain ta sundojë këtë botë për njëfarë kohe. Kjo shpjegon pse shohim kaq shumë vuajtje përreth nesh: sepse sundimtari i vërtetë i kësaj bote nuk është Perëndia, por Satanai. * Megjithatë, ka një lajm të mirë.

Silvana: Çfarë lajmi?

Mira: Bibla na mëson dy të vërteta të mrekullueshme për Perëndinë. E para: Jehovai na qëndron pranë kur vuajmë. Për shembull, shiko çfarë tha mbreti David te Psalmi 31:7. Ai përjetoi shumë vuajtje, por shih si iu shpreh Perëndisë në lutje. A mund ta lexosh këtë varg, të lutem?

Silvana: Po. Thotë: «Do të gëzoj e do të ngazëlloj falë dashamirësisë sate, sepse pe mundimin tim. Ti m’i njeh vuajtjet e shpirtit.»

Mira: Pra, edhe pse Davidi vuante, e ngushëllonte fakti që Jehovai shihte gjithçka që ai po kalonte. Po ty, a të lehtëson kjo, domethënë mendimi se Jehovai sheh gjithçka, edhe dhembjet tona emocionale që njerëzit nuk arrijnë t’i kuptojnë plotësisht?

Silvana: Sigurisht.

Mira: E vërteta e dytë e mrekullueshme është se Perëndia nuk do të lejojë që të vuajmë pafundësisht. Bibla thotë se së shpejti ai do t’i japë fund sundimit të lig të Satanait. Ai do të zhbëjë çdo gjë të keqe që ka ndodhur, përfshirë edhe ato që ti e mamaja keni vuajtur. A mund të kthehem javën tjetër dhe të të tregoj pse jemi të sigurt se së shpejti Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve? *

Silvana: Hajde!

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.