Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Afrikën Perëndimore

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Afrikën Perëndimore

TEKSA rritej në një lagje të varfër në Bregun e Fildishtë, Paskali ëndërronte për një jetë më të mirë. Ngaqë ishte boksier amator, pyeste veten: «Në ç’vend mund të bëhem yll sporti e pasanik?» Kur ishte në mes të të 20-ave, nxora përfundimin se Evropa ishte vendi i duhur. Por, ngaqë nuk kishte dokumente, i duhej të shkonte atje në rrugë të paligjshme.

Më 1998, kur ishte 27 vjeç, Paskali mori rrugën për në Evropë. Kaloi kufirin për në Ganë, përshkoi Togon e Beninin, e së fundi mbërriti në qytetin e Birni-Nkonit të Nigerisë. Tani e priste pjesa më e rrezikshme e udhëtimit. Që të shkonte në veri, duhej të hipte në një kamion dhe të kalonte nëpër shkretëtirën e Saharasë. Pastaj, me të mbërritur në Mesdhe, do të lundronte me anije drejt Evropës. Ky ishte plani, por ngeci në Nigeri për shkak të dy gjërave.

Së pari, mbeti trokë. Së dyti, takoi Noenë, një pionier që filloi të studionte Biblën me të. Ajo që mësoi, e preku thellë dhe i ndryshoi pikëpamjen për jetën. Synimet e tij materialiste u zëvendësuan me synime frymore dhe në dhjetor 1999 Paskali u pagëzua. Për t’i shprehur mirënjohjen Jehovait, në vitin 2001 filloi të shërbente si pionier në Niger, në po atë qytet ku mësoi të vërtetën. Si ndihet për shërbimin? Ai thotë: «Tani po e shijoj në maksimum jetën!»

E SHIJOJNË MË SHUMË JETËN—NË AFRIKË

Ana-Rakela

Ashtu si Paskali, mjaft veta kanë kuptuar se një jetë e përqendruar në synimet frymore ta shton kënaqësinë. Për të arritur synime të tilla, disa kanë lënë Evropën e janë transferuar në Afrikë që të shërbejnë në zona ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë është e madhe. Në të vërtetë, rreth 65 Dëshmitarë nga Evropa—nga 17 deri në 70 vjeç—janë transferuar për këtë lloj shërbimi në Benin, Burkina-Faso, Nigeri e Togo, vende të Afrikës Perëndimore. * Çfarë i ka motivuar që të bënin një ndryshim kaq rrënjësor e si u vajti puna?

Ana-Rakela nga Danimarka tregon: «Prindërit e mi kishin shërbyer si misionarë në Senegal. Gjithmonë flitnin me entuziazëm për jetën si misionarë, ndaj edhe unë doja të bëja atë lloj jete.» Rreth 15 vjet më parë, kur Ana-Rakela ishte në fillim të të 20-ave, u transferua në Togo ku tani shërben në një kongregacion të gjuhës së shenjave. Si ka ndikuar për mirë te të tjerët transferimi i saj? Ajo thotë: «Më vonë edhe motra e vogël, edhe vëllai u bashkuan me mua në Togo.»

Alberta-Fajetë dhe Aureli

 Aureli nga Franca, një vëlla i martuar, 70 vjeç, thotë: «Para pesë vjetësh, kur dola në pension, u gjenda në udhëkryq: të jetoja rehat në Francë, duke pritur Parajsën ose të merrja masa për të zgjeruar shërbimin.» Aureli bëri këtë të fundit. Para rreth tre vjetësh, ai dhe e shoqja, Alberta-Fajetë, u transferuan në Benin. Aureli shprehet: «Të vinim veten në dispozicion për t’i shërbyer Jehovait këtu ka qenë gjëja më e mirë që kemi bërë në jetën tonë.» Duke buzëqeshur, shton: «Për çudinë time, pjesët e territorit në bregdet më ngjajnë tamam si Parajsë.»

Klodomiri dhe gruaja e tij, Lisuana, u transferuan nga Franca në Benin para 16 vjetësh. Fillimisht, i merrte malli shumë për familjet e miqtë në Francë dhe kishin frikë se nuk do të përshtateshin dot me jetën e re. Megjithatë, frika e tyre ishte e pabazë. Ata provuan gëzim të pamasë. Klodomiri thotë: «Gjatë këtyre 16 viteve kemi pasur privilegjin të ndihmonim mesatarisht një person çdo vit që të pranojë të vërtetën.»

Lisuana e Klodomiri me disa që kanë ndihmuar të mësojnë të vërtetën

Zhoana dhe Sebastiani

Sebastiani dhe Zhoana, një çift nga Franca, u transferuan në Benin më 2010. Sebastiani tregon: «Ka kaq shumë për të bërë në kongregacion. Të shërbesh këtu është si të marrësh stërvitje teokratike të përshpejtuar.» Por, si është territori? Zhoana shprehet: «Njerëzit janë të etur për të vërtetën. Edhe kur nuk jemi në shërbim, na ndalojnë rrugës që të bëjnë pyetje biblike e të marrin botimet tona.» Si ka ndikuar transferimi te lidhja e tyre si çift? Sebastiani vëren: «E ka forcuar martesën tonë. Është kënaqësi të kaloj ditë të tëra në shërbim me time shoqe.»

Eriku dhe gruaja e tij, Keti, shërbejnë në një zonë pak të populluar në veri të Beninit. Afro dhjetë vjet më parë, kur jetonin në Francë, filluan të lexonin për shërbimin ku ka më shumë nevojë dhe të flitnin me shërbëtorët në kohë të plotë. Kjo u ngjalli dëshirën të shërbenin jashtë shtetit, dhe kështu bënë më 2005. Rritja që panë atje u bëri përshtypje. Eriku thotë: «Para dy vjetësh në grupin tonë në qytezën e Tanguietës ishin 9 lajmëtarë; tani jemi 30. Të dielave ndjekin mbledhjet nga 50 deri në 80 veta. Ç’gëzim i pashoq të shohësh një rritje të tillë!»

Keti dhe Eriku

DALLOJNË E KAPËRCEJNË SFIDAT

Benjamini

Cilat sfida kanë hasur disa nga ata që shërbejnë atje ku ka më tepër nevojë? Benjamini, 33 vjeç,  është vëllai i Ana-Rakelës. Në vitin 2000 në Danimarkë takoi një misionar që shërbente në Togo. Benjamini kujton: «Kur i thashë se doja të bëhesha pionier, ai ma ktheu: ‘E di çfarë?! Ti mund ta bësh këtë në Togo.’» Benjamini u vu në mendime. Ai thotë: «S’kisha mbushur akoma 20 vjeç në këtë moment, por dy motrat e mia po shërbenin tashmë në Togo. Kjo ma bëri më të lehtë të shkoja atje.» Kështu, vajti. Megjithatë pati një sfidë. Benjamini shpjegon: «S’dija asnjë fjalë në frëngjisht. Gjashtë muajt e parë ishin të vështirë ngaqë nuk mund të komunikoja dot.» Gjithsesi, me kalimin e kohës, bëri përparim. Ai tani shërben në Bethel në Benin, duke u shpërndarë literaturë kongregacioneve e duke ndihmuar në Repartin e Kompjuterëve.

Mari-Anjesa dhe Misheli

Eriku dhe Keti, që u përmendën më sipër, shërbenin në fushën e gjuhës së huaj në Francë para se të transferoheshin në Benin. Ku ndryshonte Afrika Perëndimore? Keti shpjegon: «Mezi gjetëm një vendbanim të përshtatshëm. Për muaj me radhë, jetuam në një shtëpi pa drita e ujë.» Eriku shton: «Deri natën vonë buçiste muzika nga komshinjtë. Duhej durim dhe gatishmëri për t’u përshtatur.» Të dy janë të një mendjeje: «Gëzimi i shërbimit në një zonë thuajse të paprekur është ku e ku më i madh se vështirësitë.»

Misheli dhe Mari-Anjesa, një çift nga Franca në fund të të 50-ave, u transferuan në Benin rreth pesë vjet më parë. Në fillim ishin në ankth. Misheli thotë: «Disa e krahasuan transferimin me një akrobat që ecën në litar duke shtyrë një karrocë, dhe ne ishim brenda karrocës. Kjo të tmerronte, po të mos dije se ai që ecën në litar është vetë Jehovai. Kështu, u transferuam për Jehovain dhe me Të.»

SI TË PËRGATITESH?

Ata që kanë përvojë në këtë lloj shërbimi theksojnë sa rëndësi ka të përgatitesh, duke marrë këta hapa: planifiko paraprakisht. Mëso të përshtatesh. Përcakto buxhetin e përmbaju atij. Mbështetu te Jehovai.Luka 14:28-30.

Sebastiani, i përmendur më lart, tregon: «Para se të transferoheshim, Zhoana dhe unë kursyem para për dy vjet, duke mos shpenzuar aq shumë për qejf e duke mos blerë gjëra të panevojshme.» Që të vazhdojnë shërbimin jashtë shtetit, çdo vit punojnë disa muaj në Evropë, dhe kjo u jep mundësi të shërbejnë në Benin pjesën tjetër të vitit.

Mari-Tereza

Mari-Tereza është një nga afro 20 motrat beqare nga jashtë shtetit që po shërbejnë atje ku ka më  shumë nevojë, në Afrikën Perëndimore. Ajo punonte si shofere autobusi në Francë; mirëpo, tërë vitin 2006 mori leje nga puna që të shërbente si pioniere në Nigeri. S’kaloi shumë dhe kuptoi se kjo ishte jeta që ëndërronte. Mari-Tereza thotë: «Pasi u ktheva në Francë, i thashë shefit se doja të rregulloja programin e punës, dhe ai u tregua i gatshëm. Tani, nga maji në gusht punoj si shofere autobusi në Francë, dhe nga shtatori në prill shërbej si pioniere në Nigeri.»

Safira

Ata që ‘kërkojnë në radhë të parë mbretërinë’ mund të jenë të sigurt se Jehovai do t’u japë ‘të gjitha gjërat e tjera të nevojshme’. (Mat. 6:33) Le ta ilustrojmë: të mendojmë çfarë ndodhi me Safirën, një motër beqare nga Franca, në fund të të 20-ave, që shërben si pioniere në Benin. Në vitin 2011 gjendej prapë në Francë për të bërë aq para sa të mbante veten edhe për një vit (të gjashtin) në Afrikë. Ajo tregon: «Ishte e premte, dita ime e fundit e punës, por më duheshin edhe dhjetë ditë të tjera punë që të fitoja mjaft para për vitin e ardhshëm. Më kishin mbetur vetëm dy javë në Francë. Iu luta Jehovait, duke i shpjeguar situatën time. Shpejt pas kësaj, më telefonoi një agjenci punësimi dhe më pyeti nëse mund të zëvendësoja dikë për dy javë.» Të hënën tjetër Safira vajti në vendin e punës që të stërvitej nga gruaja që do të zëvendësonte. Safira tregon: «Për habinë time mora vesh se ajo zonjë ishte një motër që kishte kërkuar dhjetë ditë leje për të ndjekur Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Shefi i saj i kishte thënë se po të mos gjente dikë që ta zëvendësonte, nuk do t’i jepte leje. Ajo i ishte përgjëruar Jehovait që të ndërhynte—tamam si unë.»

BURIM KËNAQËSIE TË VËRTETË

Disa vëllezër e motra kanë shërbyer për shumë vjet në Afrikën Perëndimore dhe e kanë bërë shtëpinë e tyre. Të tjerë mund të rrinë atje vetëm për ca vjet dhe pastaj janë kthyer në vendet nga vijnë. Por edhe tani, ata që dikur kanë shërbyer ku ka më shumë nevojë, ende po nxjerrin dobi nga vitet që kanë shërbyer jashtë vendit. Kanë mësuar se kënaqësia e vërtetë në jetë vjen kur i shërben Jehovait.

^ par. 6 Dega në Benin mbikëqyr veprën në këto katër vende ku flitet frëngjisht.