Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ç’bazë kishin judenjtë në shekullin e parë që të ishin «në pritje» të Mesisë?

Në ditët e Gjon Pagëzorit «populli ishte në pritje të Krishtit dhe arsyetonin në zemër për Gjonin: ‘A thua është ai Krishti?’» (Luka 3:15) Pse judenjtë mund të kenë pritur të shfaqej Mesia në këtë kohë? Ka disa arsye.

Pas lindjes së Jezuit, engjëlli i Jehovait iu shfaq barinjve që po kullotnin kopetë e tyre pranë Betlehemit. Engjëlli shpalli: «Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.» (Luka 2:8-11) Pas kësaj, me engjëllin u bashkua «një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonin Perëndinë dhe thoshin: * ‘Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij.’»Luka 2:13, 14.

Pa dyshim, kjo shpallje pati ndikim të fortë tek ata barinj të përulur. Menjëherë morën udhën për në Betlehem dhe, kur gjetën Jozefin, Marinë e foshnjën Jezu, «nisën të tregonin fjalët që u kishin thënë për këtë fëmijë të vogël». Si pasojë, «të gjithë ata që dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë». (Luka 2:17, 18) Shprehja «të gjithë ata që dëgjuan» nënkupton se barinjtë folën edhe me të tjerë përveç Jozefit e Marisë. Pastaj, ndërsa ktheheshin në shtëpi, barinjtë vazhdonin ‘t’i jepnin lavdi Perëndisë për tërë ato që dëgjuan e panë, ashtu siç u kishte thënë ai’. (Luka 2:20) Me siguri, nuk i mbajtën për vete gjërat e mira që dëgjuan për Krishtin.

Kur Maria çoi të parëlindurin në Jerusalem që t’ia paraqitnin Jehovait, siç kërkohej në Ligjin e Moisiut, profetesha Ana «nisi të falënderonte Perëndinë e t’u fliste për fëmijën të gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit». (Luka 2:36-38; Dal. 13:12) Kështu, lajmi për shfaqjen e Mesisë vazhdonte të përhapej.

Më vonë «astrologë nga vende lindore shkuan në Jerusalem, dhe pyetën: ‘Ku është mbreti i judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij kur ishim në lindje dhe kemi ardhur për t’i bërë nderime.’» (Mat. 2:1, 2) Me të dëgjuar këtë, «mbreti Herod u turbullua dhe bashkë me të i gjithë Jerusalemi. Pasi mblodhi gjithë krerët e priftërinjve dhe  skribët e popullit, nisi t’i pyeste se ku do të lindte Krishti». (Mat. 2:3, 4) Kështu, një shumicë e madhe u njoftua: erdhi Mesia i ardhshëm! *

Luka 3:15, cituar më sipër, tregon se disa judenj mendonin se Gjon Pagëzori mund të ishte Krishti. Megjithatë, Gjoni e hodhi poshtë këtë ide kur tha: «Ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as t’i heq sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë dhe me zjarr.» (Mat. 3:11) Komenti modest i Gjonit e përforcoi pritshmërinë për Mesinë.

A mund të kenë llogaritur judenjtë në shekullin e parë kohën për ardhjen e Mesisë duke u bazuar në profecinë e 70 javëve te Danieli 9:24-27? Mbase, por për këtë nuk ka prova konkrete. Faktikisht, në kohën e Jezuit kishte shumë interpretime për 70 javët që binin ndesh me njëri-tjetrin, dhe asnjëri prej tyre nuk i afrohej kuptueshmërisë sonë të sotme. *

Esenët, një sekt jude që mendohej se jetonin në manastire, mësonin se nga fundi i periudhës 490-vjeçare do të shfaqeshin dy Mesi. Gjithsesi, nuk mund të themi me siguri se ata i bënin llogaritë bazuar te profecia e Danielit. Edhe nëse po, zor të mendojmë se judenjtë në përgjithësi do të ndikoheshin nga kronologjia e llogaritur nga një grup i tillë eremit.

Në shekullin e dytë të e.s. disa judenj besonin se 70 javët përfshinin periudhën nga shkatërrimi i tempullit të parë më 607 p.e.s. deri në shkatërrimin e tempullit të dytë në vitin 70 të e.s., kurse të tjerë e lidhin përmbushjen e profecisë me epokën e Makabenjve në shekullin e dytë p.e.s. Kështu, opinionet se si duheshin llogaritur 70 javët ishin të ndryshme dhe nuk përputheshin me njëri-tjetrin.

Po të ishte kuptuar siç duhet llogaritja e 70 javëve në shekullin e parë të e.s., logjikisht apostujt dhe të krishterët e tjerë në shekullin e parë do ta kishin përdorur këtë si provë se Mesia i premtuar erdhi tamam në kohë si njeriu Jezu Krisht. Megjithatë, nuk ka dëshmi se të krishterët më të hershëm përdorën këtë argumentim.

Ia vlen të përmendim edhe një faktor tjetër. Shkrimtarët e ungjijve shpesh theksonin se disa profeci nga Shkrimet Hebraike u përmbushën te Jezu Krishti. (Mat. 1:22, 23; 2:13-15; 4:13-16) Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk e lidhi shfaqjen e Jezuit në tokë me profecinë e 70 javëve.

Përmbledhje: nuk mund të vërtetojmë se njerëzit në kohën e Jezuit e kuptonin saktësisht profecinë për 70 javët. Gjithsesi, ungjijtë nxjerrin në pah arsye të vlefshme që shpjegojnë pse njerëzit do të ishin «në pritje» të Mesisë.

^ par. 4 Bibla nuk tregon se engjëjt «këndonin» kur lindi Jezui.

^ par. 7 Mund të pyesim: si vallë e lidhën astrologët shfaqjen e ‘yllit’ në Lindje me lindjen e ‘mbretit të judenjve’? A mund të kenë dëgjuar për lindjen e Jezuit teksa përshkonin Izraelin?

^ par. 9 Për kuptueshmërinë tonë të sotme të profecisë së 70 javëve, shih kapitullin 11 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!