Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Duke u kujdesur për të moshuarit

Duke u kujdesur për të moshuarit

«Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»1 GJON. 3:18.

1, 2. (a) Cilat vështirësi hasin shumë familje dhe ç’pyetje lindin nga kjo? (b) Si mund t’i përballojnë prindërit dhe fëmijët vështirësitë kur rrethanat ndryshojnë?

TË PIKON në zemër kur vëren se prindërit e tu, dikur të fortë e që i dilnin zot vetes, nuk kujdesen dot më për veten. Mbase mami a babi është rrëzuar e ka thyer kockën e legenit, është çorientuar e ka humbur rrugën ose është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë. Por, kjo është veç njëra anë e medaljes. Të moshuarit mund ta kenë të zorshme ta pranojnë se ndryshimet fizike a rrethana të tjera tani ua kufizojnë disi pavarësinë. (Jobi 14:1) Ç’mund të bëhet? Si të kujdesemi për ta?

2 Një artikull rreth kujdesit për të moshuarit thotë: «Edhe pse është e zorshme të bisedosh për problemet e pleqërisë, familjet që i diskutojnë mundësitë dhe që bien në ujdi paraprakisht, e përballojnë më mirë çfarëdo të sjellë e ardhmja.» Dobitë e një diskutimi të tillë dalin më në pah kur mbajmë parasysh se vështirësitë e moshës nuk shmangen dot. Ama, mund të bëjmë përgatitje e të marrim vendime kohë më parë. Le të shohim si mund të bashkëpunojë me dashuri familja që të përgatitet për disa nga këto vështirësi.

TË PLANIFIKOJMË PËR «DITËT E KOBSHME»

3. Ç’mund të jetë e nevojshme të bëjë familja nëse prindërit e moshuar duan gjithnjë e më shumë ndihmë? (Shih figurën hapëse.)

3 Vjen një ditë kur shumica e të moshuarve nuk kanë më takat të kujdesen plotësisht për veten; u duhet ndihmë. (Lexo Eklisiastiun 12:1-7.) Kur prindërit e moshuar nuk ia dalin dot më vetë, bashkë me fëmijët duhet të përcaktojnë cila është ndihma më e mirë dhe të gjejnë zgjidhje që ua mban xhepi. Në përgjithësi është e mençur që familjarët të mblidhen e të diskutojnë si të bashkëpunojnë, cilat janë nevojat dhe çfarë hapash të ndjekin. Të gjithë ata që përfshihen, sidomos prindërit, duhet t’i shprehin haptas ndjenjat dhe ta shohin situatën me sy realist. Mund të diskutojnë nëse është e parrezikshme që, me ca ndihmë, prindërit të jetojnë më vete. * Ose mund të bisedojnë se për çfarë mund të ndihmojë më mirë secili. (Prov. 24:6) Për shembull, disa ndoshta janë në gjendje të kujdesen përditë, kurse të tjerët mbase kanë mundësi të japin më shumë ndihmë financiare. Secili pa përjashtim duhet ta pranojë se ka pjesën e vet. Megjithatë, me kohë detyrat e çdonjërit mund të ndryshojnë dhe familja mund t’i kryejë me radhë.

4. Ku mund të gjejnë ndihmë pjesëtarët e familjes?

4 Ndërsa fillon të kujdesesh për prindin, gjej kohë të mësosh sa të mundesh për problemin shëndetësor që ka. Nëse vuan nga një sëmundje që sa vjen e rëndohet, mëso ç’mund të presësh në të ardhmen. (Prov. 1:5) Kontakto me ndonjë institucion shtetëror që siguron shërbime për të moshuarit. Zbulo çfarë mundësish ofron shteti që mund të ta lehtësojnë detyrën dhe ta bëjnë më cilësor shërbimin. Ndryshimi që të pret në familje mund të të trazojë—mund të ndihesh bosh, i tronditur a i pështjelluar. Hapu me një mik të besuar. Mbi të gjitha, zbrazja zemrën Jehovait. Ai mund të të japë paqen mendore që të nevojitet për t’i bërë ballë çfarëdo situate.Psal. 55:22; Prov. 24:10; Filip. 4:6, 7.

5. Pse është e mençur të informohemi më parë rreth mundësive të kujdesit për të moshuarit?

5 Me mençuri, disa të moshuar dhe familjet e tyre informohen që më parë për variantet që ekzistojnë. Për shembull, shqyrtojnë nëse është praktike që prindi të jetojë me djalin a vajzën, nëse mund të ndihmojë një qendër me personel të specializuar ose mundësi të tjera që janë në dispozicion. I shohin me largpamësi ‘telashet e të këqijat’ e mundshme dhe përgatiten për to. (Psal. 90:10) Sa e sa familje nuk bëjnë plane, e pastaj detyrohen t’i marrin rrëmbyer vendimet e vështira kur del ndonjë urgjencë. Siç thotë një specialist, ky «është pothuajse gjithmonë momenti më i keq i mundshëm për të marrë një vendim të tillë». Në urgjencë e sipër familjarët mund të jenë me nerva e mund të lindin fërkime. Ndërsa planifikimi largpamës i bën më pak tronditëse ndryshimet, po të ndodhin.Prov. 20:18.

Familja mund të mblidhet për të diskutuar si të plotësohen nevojat e prindit (Shih paragrafët 6-8.)

6. Si mund të nxjerrin dobi prindërit e fëmijët duke biseduar se ku dhe si do të jetojnë të moshuarit?

6 Mbase të duket e sikletshme të flasësh me prindërit se ku e si do të jetojnë dhe për ndryshimet që mund të nevojiten. Sidoqoftë, shumë veta kanë parë se këto biseda u kanë sjellë dobi më vonë. Pse? Sepse falë tyre bënin plane praktike në një atmosferë të ngrohtë dhe mirëkuptuese. Ngaqë i kishin rrahur mendimet kohë më parë me përzemërsi dhe mirëdashje, i merrnin shumë më kollaj vendimet kur vinte momenti. Edhe nëse të moshuarve u pëlqen të jetojnë më vete dhe ta kenë në dorë situatën sa më gjatë, pa dyshim që është e dobishme të bisedojnë me fëmijët për kujdesin që duan po të lindë nevoja.

7, 8. Për cilat çështje duhet të diskutojnë familjet dhe pse?

7 Prind i dashur, gjatë bisedave të tilla, tregoju familjarëve dëshirat e tua, mundësitë financiare dhe alternativat që preferon. Kështu, ata mund të marrin vendimet e duhura nëse një ditë nuk do të jesh në gjendje të flasësh vetë. Patjetër që duan t’i respektojnë dëshirat e tua e ta ruajnë pavarësinë tënde sa më shumë të jetë e mundur. (Efes. 6:2-4) Për shembull, mos ndoshta pret që një nga fëmijët të të ftojë të jetosh me të dhe familjen e tij apo pret diçka tjetër? Ji realist dhe prano se jo të gjithë i shohin gjërat siç i sheh ti. Kujtdo—qoftë prindit, qoftë fëmijës—i duhet kohë që të ndryshojë pikëpamjen.

8 Të gjithë duhet të kuptojnë se me planifikim e biseda shmangen mjaft probleme. (Prov. 15:22) Ndër të tjera bisedo me familjen për kujdesin mjekësor dhe për atë që preferon. Çdokush ka të drejtën të informohet për trajtimet që janë në dispozicion dhe ka të drejtën t’i pranojë ose jo. Një deklaratë mjekësore paraprake parashtron dëshirat e personit në këtë aspekt. Duke zgjedhur një përfaqësues për kujdesin shëndetësor (kur është e mundur dhe e pranueshme nga ana ligjore) do të sigurohesh që një njeri i besuar të marrë vendimet e duhura po të lindë nevoja. Është mirë që kush përfshihet, të ketë kopje të dokumenteve që duhen në rast nevoje. Disa të moshuar mbajnë kopje të këtyre dokumenteve bashkë me testamentin e me dokumente të tjera të rëndësishme, si siguracionet, të dhënat bankare, numrat e telefonit të disa institucioneve shtetërore e të tjera.

TË PËRBALLOJMË NDRYSHIMIN E RRETHANAVE

9, 10. Cilat ndryshime në aftësitë e të moshuarit mund të ndikojnë te ndihma që i nevojitet?

9 Në shumë raste, prindër e fëmijë parapëlqejnë që të moshuarit të jenë sa më të pavarur, sipas aftësive dhe kufizimeve. Mbase nuk e kanë problem të gatuajnë, të pastrojnë, të marrin ilaçet dhe të komunikojnë me të tjerët. Kështu i qetësojnë fëmijët se nuk ka nevojë të përfshihen tepër në jetën e tyre të përditshme. Mirëpo, me kalimin e kohës, nëse prindërit s’janë më aq në gjendje të lëvizin, e mbase nuk psonisin dot a nëse u fillojnë probleme të rënda me kujtesën, mund të jetë e nevojshme që fëmijët t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve.

10 Bashkë me pleqërinë mund të vijnë edhe hutimi, depresioni, mosmbajtja e urinës dhe humbja e dëgjimit, e shikimit ose e kujtesës. Gjithsesi, për probleme të tilla, mund të ketë trajtime mjekësore. Me t’u shfaqur ndonjë problem i tillë, duhet shkuar te mjeku. Mbase fëmijëve u duhet të marrin iniciativën për këtë. Në njëfarë pike, mund të jetë e nevojshme edhe të marrin në dorë gjëra që prindi dikur i bënte vetë. Që prindit t’i sigurohet kujdesi më i mirë, fëmijëve mund t’u duhet të jenë zëdhënësit, sekretarët, shoferët e tyre e kështu me radhë.Prov. 3:27.

11. Ç’mund të bëhet që ndryshimet t’i tronditin sa më pak prindërit?

11 Nëse problemet e prindërve nuk zgjidhen dot, mbase duhet ndryshuar lloji i kujdesjes që u tregohet ose vendi ku banojnë. Sa më të vogla të jenë ndryshimet, aq më kollaj do ta kenë të përshtaten. Nëse jeton larg prindërve, a do të mjaftojnë vizitat e rregullta të një Dëshmitari a fqinji, që pastaj informon njërin nga fëmijët si ia kalojnë prindërit? Mos duan ndihmë vetëm për gatimin e pastrimin? A do të jetë më pak e rrezikshme e më e lehtë të lëvizin, të lahen e kështu me radhë po të bëhen ca rregullime të vogla në shtëpi? Mbase gjithçka që u nevojitet të moshuarve për të ruajtur atë pavarësi që duan, është ndihma e herëpashershme e dikujt që kujdeset për ta në shtëpi. Gjithsesi, nëse është e rrezikshme të jetojnë vetëm, u duhet ndihmë më e shpeshtë e afatgjatë. Sido që të jetë situata, informohu për shërbimet që ekzistojnë në vendin tënd. *Lexo Proverbat 21:5.

SI I PËRBALLOJNË VËSHTIRËSITË DISA

12, 13. Si vazhdojnë t’i nderojnë e të kujdesen për prindërit fëmijët që jetojnë larg?

12 Fëmijët e dashur duan që prindërit të jenë sa më rehat. Kur e dinë se po u tregohet kujdesi i duhur, ndihen më të qetë. Megjithatë, për shkak të detyrimeve të tjera, shumë fëmijë jetojnë larg prindërve. Në këto raste, disa përdorin pushimet që t’i vizitojnë dhe të kujdesen për nevojat e tyre, duke bërë punë që prindërit nuk i bëjnë dot më. Telefonatat e rregullta, mundësisht të ditëpërditshme, letrat ose email-et i sigurojnë prindërit për dashurinë e fëmijëve.Prov. 23:24, 25.

13 Sido qoftë situata, duhet të peshosh ç’lloj kujdesi i përditshëm u nevojitet prindërve. Nëse nuk je afër tyre dhe prindërit janë Dëshmitarë, mund të bisedosh me pleqtë e kongregacionit dhe t’u kërkosh mendim. Dhe kurrë mos harro ta përmendësh këtë në lutje. (Lexo Proverbat 11:14.) Edhe nëse prindërit nuk janë Dëshmitarë, duhet ‘të nderosh atin dhe nënën tënde’. (Dal. 20:12; Prov. 23:22) Kuptohet, një familje mund të marrë vendime të ndryshme nga një tjetër. Disa i organizojnë gjërat që prindi i moshuar të jetojë me ta ose më afër tyre. Veçse kjo nuk është gjithnjë e mundur. Ka prindër që nuk dëshirojnë të jetojnë me fëmijët dhe familjet e tyre. E vlerësojnë pavarësinë dhe nuk duan t’u bëhen barrë të tjerëve. Të tjerë mund të kenë të ardhura për të paguar dikë që u shërben në shtëpi, e mbase u pëlqen më shumë kjo.Ekl. 7:12.

14. Çfarë problemesh mund t’u lindin atyre që mbajnë barrën kryesore të kujdesit për prindërit?

14 Në shumë familje duket se barra më e madhe e kujdesit për prindërit i bie vetëm një fëmije, atij që jeton më afër tyre. Megjithatë, ai që mban peshën kryesore duhet të ekuilibrojë nevojat e prindërve me nevojat e familjes së vet. Kur vjen puna te koha dhe energjitë, secili ka një cak. Veç kësaj, situata e atij që kujdeset mund të ndryshojë, e kështu mund të lindë nevoja të rishikohen masat e marra. Mos vallë njëri në familje është ngarkuar tepër? A mund të bëjnë më shumë fëmijët e tjerë, si për shembull, të kujdesen me radhë për prindërit?

15. Ç’mund të bëhet që të mos sfilitet ai që mban barrën më të madhe?

15 Kur prindi i moshuar ka nevojë për hyzmet gjithë kohën, ai që i shërben, rrezikon të sfilitet. (Ekl. 4:6) Fëmijët e dashur duan të bëjnë gjithë sa kanë në dorë për prindërit, por nevojat e tyre të pareshtura mund t’i mbytin. Kush e gjen veten në këtë situatë duhet të jetë realist, e mbase duhet të kërkojë ndihmë. Nëse dikush i jep një dorë herë pas here, kjo mund ta shtyjë kohën kur të kenë nevojë për azil.

16, 17. Cilat vështirësi mund të hasin fëmijët teksa kujdesen për prindërit e moshuar, dhe si mund t’i përballojnë? (Shih edhe kutinë «Kujdes që buron nga mirënjohja».)

16 Të këputet shpirti kur sheh pasojat e dhembshme të moshës te prindërit e shtrenjtë. Shumë nga ata që kujdesen për prindërit mund të ndiejnë njëfarë trishtimi, ankthi, nervozizmi, zemërimi, faji, madje edhe mllefi. Nganjëherë prindi i moshuar mund të thotë fjalë të rënda ose të tregohet mosmirënjohës. Nëse ndodh kështu, mos u prek kollaj. Një specialist i shëndetit mendor thotë: «Mënyra më e mirë për të përballuar çdo ndjenjë, sidomos ato që të duken të gabuara, është ta pranosh se ndihesh ashtu. Mos e moho që provon këtë ndjenjë, as mos e gjyko ashpër veten pse ndihesh kështu.» Fol për këtë me bashkëshortin, me një familjar a me një mik të besuar. Këto biseda mund të të ndihmojnë t’i shohësh me ekuilibër reagimet e tua emocionale.

17 Mund të vijë koha kur kujdesi në shtëpi për njeriun e dashur të jetë përtej aftësive dhe mundësive të familjarëve. Ata mund të vendosin se nevojitet kujdes profesional. Një motër e vizitonte thuajse çdo ditë të ëmën që jetonte në një azil. Ajo thotë për familjen e saj: «E kishim të pamundur t’i siguronim mamit kujdesin që i nevojitej 24 orë në ditë. Nuk ishte aspak e lehtë të vendosnim që të kujdeseshin në azil për të. Nga ana emocionale ishte një vendim jashtëzakonisht i rëndë. Megjithatë, qe zgjidhja më e mirë për muajt e fundit të jetës së saj, dhe mami e pranoi që ishte kështu.»

18. Për çfarë mund të jenë të sigurt ata që kujdesen për prindërit?

18 Përgjegjësitë e kujdesit për prindërit teksa plaken mund të jenë të ndërlikuara dhe sfilitëse emocionalisht. Nuk ekziston një zgjidhje bardhë e zi kur vjen fjala te kujdesi për të moshuarit. Megjithatë, me një planifikim të mençur, bashkëpunim altruist, komunikim të mirë dhe mbi të gjitha, me lutje nga zemra, mund të plotësosh përgjegjësitë që të nderosh njerëzit e tu të dashur. Atëherë do të ndihesh i kënaqur që po u tregohet kujdesi dhe vëmendja e nevojshme. (Lexo 1 Korintasve 13:4-8.) Ç’është më e rëndësishmja, patjetër që do të provosh paqe mendore, një bekim nga Jehovai për ata që nderojnë prindërit e tyre.Filip. 4:7.

^ par. 3 Parapëlqimet e prindërve e të fëmijëve mund të diktohen nga kultura e vendit. Në ca zona është normale, dhe madje preferohet, që disa breza të jetojnë nën një çati ose që familjarët të kenë hyrje-dalje të shpeshta.

^ par. 11 Nëse prindi jeton më vete, sigurohu që njerëzit e besuar që kujdesen për të, të kenë çelësat e shtëpisë që të hyjnë në rast urgjence.