Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Ç’kuptim kishte në kohët biblike të shqyeje rrobat?

NË SHKRIME hasim mjaft tregime ku disa individë grisën rrobat e veta. Ky veprim mbase i duket i çuditshëm lexuesit të sotëm, por për judenjtë ishte një gjest që shprehte ndjenja të forta, si dëshpërim, pikëllim, poshtërim, indinjatë ose brengë.

Për shembull, Rubeni «shqeu rrobat» kur zbuloi se plani për të shpëtuar të vëllanë, Jozefin, i doli huq, pasi atë e kishin shitur si skllav. Babai i tyre, Jakobi, «shqeu rrobat» ngaqë pandehu se Jozefin e kishte gllabëruar ndonjë kafshë e egër. (Zan. 37:18-35) Jobi «shqeu petkun» kur i dhanë mandatën për vdekjen e gjithë fëmijëve. (Jobi 1:18-20) Një lajmëtar «me rroba të shqyera» shkoi te kryeprifti Eli që ta njoftonte se izraelitët kishin humbur betejën, dy bijtë e Elit ishin vrarë dhe arkën e besëlidhjes e kishte marrë armiku. (1 Sam. 4:12-17) Kur Josisë i lexuan fjalët e Ligjit, kuptoi çfarë gabimesh kishte bërë populli i tij dhe «shqeu rrobat».2 Mbret. 22:8-13.

Në gjyqin e Jezuit, kryeprifti Kajafa «shqeu rrobat» kur dëgjoi fjalët që i gjykoi gabim si blasfemi. (Mat. 26:59-66) Sipas një tradite rabinike, kushdo që dëgjonte të blasfemohej emri hyjnor, duhej të griste rrobat. Por, një mësim tjetër rabinik, që i takon periudhës pas shkatërrimit të tempullit të Jerusalemit, thoshte: «Kush dëgjon të blasfemohet Emri Hyjnor sot, nuk ka pse t’i grisë rrobat, përndryshe do të mbetet rreckaman.»

Natyrisht, nëse pikëllimi i atij që shqyente rrobat ishte sa për sy e faqe, ky veprim nuk kishte kurrfarë vlere në sytë e Perëndisë. Ndaj, Jehovai i tha popullit të tij ‘të shqyente zemrën dhe jo rrobat e të kthehej tek ai’.Joe. 2:13.