Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet ‘t’i përgjigjemi gjithsecilit’?

Si duhet ‘t’i përgjigjemi gjithsecilit’?

«Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir . . . që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»KOLOS. 4:6.

1, 2. (a) Tregoni një përvojë që nxjerr në pah sa vlerë kanë pyetjet e menduara mirë. (Shih figurën hapëse.) (b) Pse nuk duhet të stepemi para temave të vështira?

DISA vjet më parë një motër po bisedonte për Biblën me burrin që nuk ishte Dëshmitar dhe që dikur frekuentonte një kishë. Gjatë bisedës ai i tha se besonte te Triniteti. Ajo e nuhati se i shoqi mund të mos e kishte të qartë çfarë përfshin doktrina e Trinitetit, ndaj e pyeti me takt: «A beson se Perëndia është Perëndia, se Jezui është Perëndia dhe se fryma e shenjtë është Perëndia, por që prapë nuk janë tre, por një Perëndi i vetëm?» I habitur, ia ktheu: «Jo, nuk e besoj këtë!» Kështu u çel një diskutim i gjallë se si është në të vërtetë Perëndia.

2 Kjo përvojë tregon sa vlerë kanë pyetjet me takt e të menduara mirë. Nxjerr në pah edhe një pikë të rëndësishme: nuk ka pse të stepemi para temave të vështira, si Triniteti, ferri i zjarrtë ose ekzistenca e një Krijuesi. Nëse mbështetemi te Jehovai dhe te stërvitja që na jep, shpesh mund të japim përgjigje bindëse, që u prek zemrën dëgjuesve. (Kolos. 4:6) Le të shqyrtojmë çfarë bëjnë lajmëtarët e zotë kur diskutojnë tema të tilla. Do të shohim (1) si të bëjmë pyetje që e nxitin tjetrin të hapet, (2) si të arsyetojmë nga Shkrimet, dhe (3) si të përdorim ilustrime që bëjnë të qartë ku duam të dalim.

TË BËJMË PYETJE QË I NXITIN DËGJUESIT TË HAPEN

3, 4. Pse ka rëndësi të përdorim pyetje që të dallojmë çfarë beson tjetri? Jepni një shembull.

3 Falë pyetjeve mund të dallojmë çfarë beson tjetri. Pse ka rëndësi kjo? Proverbat 18:13 thotë: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» E pra, para se të diskutojmë fill e për pe pikëpamjen e Biblës rreth një teme, duhet të dallojmë çfarë beson vërtet dëgjuesi. Përndryshe, mund të harxhojmë kohë kot, duke debatuar për diçka që tjetri as e besonte.—1 Kor. 9:26.

4 Ta zëmë se po diskutojmë me dikë për ferrin. Jo të gjithë besojnë se ferri është vend i mirëfilltë ku njerëzit torturohen në zjarr. Shumë besojnë se është një gjendje ku vuan ngaqë e ndien se je i ndarë nga Perëndia. Prandaj mund të themi diçka, si: «Meqë ka lloj-lloj mendimesh për ferrin, a mund t’ju pyes si mendoni ju?» Pasi të dëgjojmë përgjigjen, do të jemi më në gjendje ta ndihmojmë të kuptojë ç’thotë Bibla për këtë.

5. Si mund të kuptojmë me anë të pyetjeve arsyen pse dëgjuesi beson diçka?

5 Falë pyetjeve me takt mund të kuptojmë edhe pse dëgjuesi beson diçka. Për shembull, ta zëmë se në shërbim takojmë dikë që thotë se nuk beson te Zoti. Mund të na shkojë mendja se është ndikuar nga ide të përhapura, si teoria e evolucionit. (Psal. 10:4) Ama, disa njerëz e kanë humbur besimin te Zoti për shkak të vuajtjeve të mëdha që kanë hequr a kanë parë në jetë. Ndoshta e kanë të vështirë të kuptojnë si mund të ketë vuajtje të tilla dhe njëherazi të ekzistojë një Krijues i dashur. Prandaj, nëse dikush shpreh dyshimin për ekzistencën e Zotit, mund ta pyesim: «Gjithmonë keni menduar kështu?» Po të thotë jo, mbase mund ta pyesim në i ka ndodhur diçka e veçantë që i ka ngjallur këtë dyshim. Nga përgjigjja e tij mund të dallojmë mënyrën më të mirë për ta ndihmuar frymësisht.—Lexo Proverbat 20:5.

6. Ç’duhet të bëjmë pasi i drejtojmë një pyetje dikujt?

6 Pasi të bëjmë një pyetje, duhet ta dëgjojmë me gjithë mend përgjigjen dhe ta sigurojmë tjetrin se e kuptojmë si ndihet. Për shembull, dikush mund të na tregojë se pas një tragjedie filloi të dyshonte tek ekzistenca e një Krijuesi të dashur. Para se t’i japim prova se Zoti ekziston, bëjmë mirë të bashkohemi me ndjenjat e tij dhe t’i themi se nuk ka ndonjë të keqe të pyesim pse vuajmë. (Hab. 1:2, 3) Durimi dhe dashuria jonë mund t’i zgjojnë dëshirën të mësojë më tepër. *

TË ARSYETOJMË NGA SHKRIMET

Nga çfarë varet kryesisht suksesi në shërbim? (Shih paragrafin 7.)

7. Nga se varet kryesisht suksesi në shërbim?

7 Tani le të shohim si të arsyetojmë nga Shkrimet. S’diskutohet, Bibla është mjeti kryesor që përdorim në shërbim. Ajo na bën ‘krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Tim. 3:16, 17) Suksesi ynë në shërbim nuk varet nga numri i shkrimeve që lexojmë, por varet kryesisht nga mënyra si i shpjegojmë e si arsyetojmë rreth tyre. (Lexo Veprat 17:2, 3.) Për ta ilustruar, të përfytyrojmë tri situata.

8, 9. (a) Cila është një mënyrë për të arsyetuar me dikë që beson se Jezui është i barabartë me Perëndinë? (b) A keni përdorur me sukses ndonjë mënyrë tjetër arsyetimi për këtë temë?

8 Situata 1: Në shërbim takojmë dikë që beson se Jezui është i barabartë me Perëndinë. Cilat shkrime mund të përdorim për të arsyetuar në këtë rast? Mund ta ftojmë të lexojë Gjonin 6:38, ku Jezui thotë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Pasi të lexojmë vargun, mund ta pyesim: «Nëse Jezui është Perëndia, kush e dërgoi nga qielli? Ai që e dërgoi, a nuk duhet të ishte më i madh se Jezui? Në fund të fundit, ai që dërgon ka pozitë më lartë se ai që dërgohet.»

9 Ose mund të lexojmë Filipianëve 2:9, ku apostulli Pavël përshkruan atë që bëri Perëndia pasi Jezui vdiq dhe u ringjall. Vargu thotë: «Perëndia e ngriti [Jezuin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër.» Për të ndihmuar personin të arsyetojë rreth këtij shkrimi, mund ta pyesim: «Nëse Jezui ishte i barabartë me Perëndinë para se të vdiste, e pastaj Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë, a nuk do të dilte Jezui më i lartë se Perëndia? Por a bën vaki që dikush të qëndrojë më lart se Perëndia?!» Nëse dëgjuesi e respekton Fjalën e Perëndisë dhe ka zemër të sinqertë, një arsyetim i tillë mund ta nxitë ta shqyrtojë më tej këtë temë.—Vep. 17:11.

10. (a) Si mund të arsyetojmë me dikë që beson te ferri i zjarrtë? (b) Ç’arsyetim për ferrin e zjarrtë keni përdorur me sukses?

10 Situata 2: I zoti i shtëpisë është goxha fetar dhe beson me gjithë shpirt se të ligjtë do të torturohen përjetësisht në ferrin e zjarrtë. Besimi i tij te ferri mund të burojë nga dëshira që t’i shohë të ligjtë ta paguajnë për veprat e këqija. Si të arsyetojmë me dikë që mendon kështu? Pikësëpari, ta sigurojmë se të ligjtë do të ndëshkohen. (2 Sel. 1:9) Më pas mund t’i kërkojmë të lexojë Zanafillën 2:16, 17, që tregon se dënimi për mëkatin është vdekja. Mund t’i shpjegojmë se duke mëkatuar, Adami bëri që tërë dynjaja të trashëgonte mëkatin. (Rom. 5:12) Atëherë mund t’i tregojmë se Perëndia nuk tha aspak se ai do të ndëshkohej në një ferr të zjarrtë. Më tej, mund ta pyesim: «Nëse Adamit dhe Evës u kanosej rreziku që të torturoheshin përjetësisht, a nuk do të ishte e drejtë të paralajmëroheshin?» Pastaj të lexojmë Zanafillën 3:19, ku Perëndia shpalli dënimin për mëkatin e tyre, por nuk tha gjë hiç për ndonjë ferr të zjarrtë. Përkundrazi, i shpalli Adamit se do të kthehej në pluhur. Mund ta pyesim: «A do të ishte e drejtë t’i thoshte Adamit se do të kthehej në dhé, nëse në të vërtetë po shkonte në ferr?» Po qe se i zoti i shtëpisë është mendjehapur, një pyetje e tillë mund ta bëjë të mendojë më thellë.

11. (a) Si mund të arsyetojmë me dikë që beson se gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell? (b) Ç’arsyetim keni përdorur me sukses kur keni folur për vajtjen në qiell?

11 Situata 3: Në shërbim takojmë dikë që beson se gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Ky besim mund të ndikojë te mënyra si e interpreton ai Biblën. Për shembull, ta zëmë se shqyrtojmë me të Zbulesën 21:4. (Lexoje.) Dëgjuesi mbase mendon se bekimet e përshkruara në këtë varg lidhen me jetën në qiell. Si të arsyetojmë me të? Në vend që t’i sjellim si provë shkrime të tjera, mund të përqendrohemi te një hollësi brenda këtij vargu. Aty thuhet: «Nuk do të ketë më vdekje.» Ta pyesim: «A je dakord se, që diçka të mos jetë më, duhet të ketë ekzistuar më parë?» Ka të ngjarë të jetë dakord. Atëherë mund të theksojmë se në qiell nuk ka pasur kurrë vdekje. Njerëzit vdesin vetëm këtu në tokë. Pra, është logjike që Zbulesa 21:4 flet për bekimet e ardhshme këtu në tokë.—Psal. 37:29.

TË PËRDORIM ILUSTRIME QË E BËJNË TË QARTË KU DUAM TË DALIM

12. Pse Jezui përdorte ilustrime?

12 Përveç pyetjeve, Jezui përdorte ilustrime kur predikonte. (Lexo Mateun 13:34, 35.) Me anë të atyre ilustrimeve dilnin në shesh motivet e dëgjuesve. (Mat. 13:10-15) Gjithashtu, ato i bënin më tërheqëse e më mbresëlënëse mësimet e tij. Si mund të përdorim edhe ne ilustrime kur mësojmë të tjerët?

13. Si mund ta ilustrojmë se Perëndia qëndron më lart se Jezui?

13 Në përgjithësi, ilustrimet e thjeshta janë më të mirat. Për shembull, kur shpjegojmë se Perëndia qëndron më lart se Jezui, mund të përdorim këtë arsyetim: edhe Perëndia, edhe Jezui e përshkruan marrëdhënien mes tyre me anë të një lidhjeje familjare. Perëndia e quajti Jezuin Bir, dhe Jezui tha se Perëndia është Ati i tij. (Luka 3:21, 22; Gjoni 14:28) Pastaj ta pyesim të zotin e shtëpisë: «Nëse do që të më tregosh se dy njerëz janë të barabartë, me ç’lloj lidhjeje familjare do ta ilustroje?» Mbase do të thotë dy vëllezër, madje binjakë. Pasi t’i themi se ky krahasim na vjen natyrshëm, ta pyesim: «Përderisa neve na erdhi tak-fak ky krahasim, a nuk do t’i kishte shkuar ndër mend edhe Jezuit, Mësuesit të Madh? Mirëpo, ai e quajti Perëndinë Atë. Pra, Jezui e portretizoi Perëndinë si dikush që është më i madh në moshë dhe me më shumë autoritet.»

14. Cilin ilustrim mund të përdorim që të tregojmë sa e palogjikshme do të ishte që Perëndia të caktonte Djallin për të torturuar njerëzit në ferrin e zjarrtë?

14 Të marrim një shembull tjetër. Disa besojnë se Satanai është «shefi» i ferrit. Për ta ndihmuar një prind të kuptojë sa e palogjikshme do të ishte që Perëndia të caktonte Djallin për të torturuar njerëzit në ferrin e zjarrtë, mund të përdorim këtë ilustrim: «Ta zëmë se fëmija yt është rebel i madh dhe bën lloj-lloj prapësish. Si do të veproje?» Ka të ngjarë që prindi të thotë se do ta ndreqte fëmijën. Patjetër që do të bënte çmos ta ndihmonte të kthente rrugë. (Prov. 22:15) Në këtë pikë, mund ta pyesim prindin se ç’do të bënte sikur gjithë përpjekjet e tij të shkonin kot. Shumica e prindërve do të thoshin se në fund s’do të kishin rrugë tjetër përveçse ta ndëshkonin. Atëherë mund ta pyesim: «Po sikur të merrje vesh se një njeri i lig e kishte shtyrë fëmijën të rebelohej?» S’do mend që prindi nuk do ta duronte dot atë njeri. Për ta bërë të qartë ku duam të dalim me ilustrimin, ta pyesim prindin: «Duke e ditur se ky i lig ta ka marrë më qafë fëmijën, a do t’i kërkoje pikërisht këtij ta ndëshkonte fëmijën në vendin tënd?» Sigurisht që përgjigjja do të jetë jo. Pra, është e qartë se Perëndia nuk do të caktonte Satanain të ndëshkonte njerëzit që ai vetë i ka shtyrë të bënin mbrapshti.

TË MBAJMË NJË PIKËPAMJE TË EKUILIBRUAR

15, 16. (a) Pse nuk duhet të pretendojmë se çdokush që i predikojmë do ta pranojë mesazhin për Mbretërinë? (b) A duhet të kemi ndonjë zotësi të madhe që t’i mësojmë të tjerët siç duhet? Shpjegoni. (Shih edhe kutinë « Një mjet që na ndihmon të përgjigjemi».)

15 E dimë se jo çdokush që i predikojmë do ta pranojë mesazhin për Mbretërinë. (Mat. 10:11-14) Do të ndodhë kështu edhe sikur të bëjmë tamam pyetjet e duhura, të përdorim një arsyetim të shkëlqyer dhe të gjejmë ilustrime të goditura. Tekefundit, relativisht pak veta i pranuan mësimet e Jezuit, dhe ai ishte Mësuesi më i madh që ka shkelur në tokë.—Gjoni 6:66; 7:45-48.

16 Nga ana tjetër, edhe nëse mendojmë se nuk jemi kushedi sa të zotë, prapë mund të kemi sukses në shërbim. (Lexo Veprat 4:13.) Fjala e Perëndisë na jep arsye të forta për të besuar se ‘të gjithë ata që janë të prirur për jetën e përhershme’ do ta pranojnë lajmin e mirë. (Vep. 13:48) Ndaj, le të zhvillojmë dhe të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten dhe për ata që përpiqemi t’u japim lajmin e mirë për Mbretërinë. Le të përfitojmë plotësisht nga stërvitja që na jep Jehovai, të sigurt se do të na sjellë dobi neve dhe atyre që na dëgjojnë. (1 Tim. 4:16) Jehovai mund të na ndihmojë të dallojmë si duhet ‘t’i përgjigjemi gjithsecilit’. Siç do ta shohim më tej, një mënyrë për të pasur sukses në shërbim është të ndjekim atë që njihet si Rregulla e Artë.

^ par. 6 Shih artikullin «A është e mundur të zhvillosh besimin te një Krijues?» në revistën Kulla e Rojës të 1 tetorit 2009.