Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Populli që ka për Perëndi Jehovain’

‘Populli që ka për Perëndi Jehovain’

«Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»PSAL. 144:15.

1. Sipas disave, a duhet të ketë Perëndia një popull të tijin në tokë?

SOT shumë njerëz të arsyeshëm e pranojnë pa problem se fetë tradicionale, të krishtere ose jo, nuk i sjellin njerëzimit ndonjë të mirë kushedi. Disa janë dakord se fe të tilla krijojnë përshtypje të gabuar për Perëndinë me sjelljen dhe me mësimet e tyre, ndaj s’ka si të kenë miratimin e Tij. Megjithatë, mendojnë se në çdo fe ka njerëz të sinqertë dhe se Perëndia i sheh e i pranon si adhuruesit e tij. Sipas tyre, këta s’ka pse të heqin dorë nga fetë e rreme, që ta adhurojnë Perëndinë si një popull më vete. Por, kështu mendon edhe Perëndia?! Le ta gjejmë përgjigjen duke i hedhur një sy historisë biblike të adhuruesve të vërtetë të Jehovait.

NJË POPULL ME TË CILIN PERËNDIA BËRI BESËLIDHJE

2. Kush u bë me kohë populli i veçantë i Jehovait dhe çfarë e dallonte nga popujt e tjerë? (Shih figurën hapëse.)

2 Qysh në shekullin e 20-të p.e.s., Jehovai kishte një popull të veçantë në tokë. Abrahami, i njohur si «ati i të gjithë atyre që kanë besim», ishte kreu i një shtëpie me qindra veta. (Rom. 4:11; Zan. 14:14) Sundimtarët e Kanaanit e shihnin si «një prijës» të madh dhe e trajtonin plot respekt. (Zan. 21:22; 23:6) Jehovai bëri një besëlidhje me Abrahamin dhe me pasardhësit e tij. (Zan. 17:1, 2, 19) Perëndia i tha Abrahamit: «Kjo është besëlidhja ime që do të mbani, mes meje e jush, madje edhe fara jote: çdo mashkull nga ju të rrethpritet. . . . Dhe kjo të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe jush.» (Zan. 17:10, 11) Kështu, Abrahami dhe tërë meshkujt e shtëpisë së tij u rrethprenë. (Zan. 17:24-27) Rrethprerja ishte një shenjë fizike që i dallonte pasardhësit e Abrahamit si popullin e vetëm me të cilin Jehovai kishte bërë një besëlidhje.

3. Si u bënë një popull pasardhësit e Abrahamit?

3 Nipi i Abrahamit, Jakobi, ose Izraeli, pati 12 bij. (Zan. 35:10, 22b-26) Më vonë ata do të bëheshin patriarkët e 12 fiseve të Izraelit. (Vep. 7:8) Për shkak të një zie buke, Jakobi me gjithë shtëpinë e tij shkoi të gjente shpëtim në Egjipt. Atje një nga bijtë e Jakobit, Jozefi, ishte bërë administratori i ushqimit për faraonin dhe krahu i tij i djathtë. (Zan. 41:39-41; 42:6) Pasardhësit e Jakobit u shtuan goxha dhe u bënë «shumë popuj».Zan. 48:4; lexo Veprat 7:17.

NJË POPULL QË U SHPENGUA

4. Fillimisht, si ishte marrëdhënia mes egjiptianëve dhe pasardhësve të Jakobit?

4 Pasardhësit e Jakobit qëndruan pak më shumë se dy shekuj në Egjipt, në një rajon të deltës së Nilit që quhej Goshen. (Zan. 45:9, 10) Thuajse gjysmën e asaj periudhe duket se bashkëjetuan paqësisht me egjiptianët, ndërsa banonin në fshatra dhe kullotnin bagëtitë. Ai faraon që e njihte Jozefin dhe e vlerësonte, i kishte mikpritur ngrohtësisht. (Zan. 47:1-6) Kurse egjiptianët në përgjithësi i përbuznin barinjtë e dhenve. (Zan. 46:31-34) Prapëseprapë, u duhej t’i duronin izraelitët që jetonin pranë tyre.

5, 6. (a) Si ndryshuan rrethanat e popullit të Perëndisë në Egjipt? (b) Si mbeti gjallë Moisiu, dhe çfarë bëri Jehovai për gjithë popullin?

5 Mirëpo, në horizont dukej një ndryshim drastik për popullin e Perëndisë. «Me kalimin e kohës, në Egjipt doli një mbret i ri, që nuk e njihte Jozefin. Ai i thoshte popullit të vet: ‘Populli i Izraelit është më i madh dhe më i fuqishëm se ne.’ Prandaj, egjiptianët i skllavëruan bijtë e Izraelit, dhe i mbajtën nën tirani. Ata ua nxinë jetën me një skllavëri të rëndë, dhe i vunë të punonin në llaç, në tulla e në çdo formë angarie nëpër ara, po, në çdo formë skllavërie, ku i përdorën si skllevër dhe i mbajtën nën tirani.»Dal. 1:8, 9, 13, 14.

6 Madje faraoni nxori urdhrin të vriteshin gjithë djemtë e sapolindur hebrenj. (Dal. 1:15, 16) Tamam në atë kohë lindi Moisiu. Kur ishte tremuajsh, e ëma e fshehu mes kallamave të Nilit, ku e gjeti e bija e faraonit, që më vonë e birësoi. Sa mirë që në vogëli Moisiun e rriti e ëma besimtare, Jokebeda, e kështu ai u bë shërbëtor besnik i Jehovait. (Dal. 2:1-10; Hebr. 11:23-25) Jehovai «u kushtoi vëmendje» vuajtjeve të popullit të tij dhe vendosi ta çlironte nga shtypësit me anë të Moisiut si prijës. (Dal. 2:24, 25; 3:9, 10) Kështu izraelitët do të bëheshin një popull që ‘do ta shpengonte’ Jehovai.Dal. 15:13; lexo Ligjin e përtërirë 15:15.

NJË POPULL BËHET KOMB

7, 8. Si u bë një komb i shenjtë populli i Jehovait?

7 Edhe pse ende nuk i kishte organizuar izraelitët si komb, Jehovai i njihte si popullin e vet. Prandaj, Moisiu dhe Aaroni u udhëzuan t’i thoshin faraonit: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Lëre popullin tim të shkojë, që të kremtojë një festë për mua në shkretëtirë.’»Dal. 5:1.

8 U deshën dhjetë plagë dhe shfarosja e faraonit me gjithë ushtrinë e tij në Detin e Kuq, që bijtë e Izraelit të shpëtonin nga zgjedha e Egjiptit. (Dal. 15:1-4) Pa kaluar as tre muaj, Jehovai bëri një besëlidhje me izraelitët në malin Sinai e u dha këtë premtim historik: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, . . . një komb i shenjtë.»—Dal. 19:5, 6.

9, 10. (a) Sipas Ligjit të përtërirë 4:5-8, si i veçoi Ligji izraelitët nga popujt e tjerë? (b) Si duhej të tregonin izraelitët se ishin «një popull i shenjtë për Jehovain»?

9 Kur ishin në Egjipt, para se të katandiseshin skllevër, hebrenjtë ishin të organizuar si shoqëri fisnore e drejtuar nga krerët e familjeve, ose patriarkët. Ata krerë, sikurse shërbëtorët e Jehovait që jetuan para tyre, luanin rolin e qeveritarit, të gjykatësit dhe të priftit për shtëpinë e vet. (Zan. 8:20; 18:19; Jobi 1:4, 5) Gjithsesi, nëpërmjet Moisiut, Jehovai u dha izraelitëve një kod ligjor që do t’i veçonte nga gjithë kombet e tjera. (Lexo Ligjin e përtërirë 4:5-8; Psal. 147:19, 20.) Ligji përcaktoi një priftëri të veçantë, dhe drejtësinë e vinin në vend «pleqtë» e respektuar për njohurinë e për mençurinë e tyre. (Ligj. 25:7, 8) Në Ligj parashtroheshin rregullat për aktivitetet fetare dhe shoqërore të kombit të porsalindur.

10 Kur Izraeli ishte në prag të Tokës së Premtuar, Jehovai ia përsëriti ligjet, dhe Moisiu i tha popullit: «Jehovai sot të nxiti ty të thuash se do të jesh populli i tij, një pronë e veçantë, sikurse të premtoi ai, dhe se do t’u përmbahesh tërë urdhërimeve të tij. Ai do të të lartësojë mbi të gjitha kombet që ka bërë, e kështu do të jesh lavdia, fama dhe bukuria e tij, ndërkohë që bëhesh një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd.»Ligj. 26:18, 19.

MIRËPRITEN TË ARDHURIT

11-13. (a) Cilët u shoqëruan me popullin e zgjedhur të Perëndisë? (b) Ç’duhej të bënte një joizraelit nëse donte të adhuronte Jehovain?

11 Ndonëse tani kishte një komb të zgjedhur, Jehovai nuk e ndaloi të hynin në gjirin e popullit të tij edhe joizraelitë. Kur e çliroi popullin e vet nga Egjipti, lejoi që t’i shoqëronte «një turmë e madhe e përzier» joizraelitësh, mes të cilëve edhe egjiptianë. (Dal. 12:38) Në momentin e plagës së shtatë, disa nga «shërbëtorët e faraonit» iu frikësuan fjalës së Jehovait dhe pa dyshim ishin mes turmës së përzier që doli nga Egjipti tok me izraelitët.Dal. 9:20.

12 Para se izraelitët të kalonin lumin Jordan për të shtënë në dorë Kanaanin, Moisiu u tha ‘ta donin të ardhurin’ që jetonte me ta. (Ligj. 10:17-19) Populli i zgjedhur i Perëndisë duhej të pranonte në gjirin e tij çdo të huaj që ishte i gatshëm të respektonte ligjet bazë të dhëna nga Moisiu. (Lev. 24:22) Disa të ardhur u bënë adhurues të Jehovait dhe ndiheshin si moabitja Ruthë, që iu shpreh izraelites Naomi: «Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.» (Rutha 1:16) Këta u bënë prozelitë, dhe meshkujt pranuan të rrethpriteshin. (Dal. 12:48, 49) Jehovai i mirëpriti si pjesëtarë të popullit të tij të zgjedhur.Num. 15:14, 15.

Izraelitët i donin të huajt (Shih paragrafët 11-13.)

13 Kur tempulli i Solomonit iu kushtua Jehovait, u morën parasysh edhe adhuruesit joizraelitë, siç tregon lutja e Solomonit: «Të huajin, që nuk është pjesë e popullit tënd, Izraelit, por që vjen nga një vend i largët për shkak të emrit tënd të madh, dorës sate të fortë dhe krahut tënd të shtrirë, dhe lutet në drejtim të kësaj shtëpie, dëgjoje nga qiejt, nga vendbanimi yt i qëndrueshëm, dhe plotësoja tërë ato që të ka kërkuar. Kështu, gjithë popujt e tokës do ta njohin emrin tënd e do të të frikësohen njëlloj si të frikësohet populli yt, Izraeli, dhe do ta dinë se në këtë shtëpi që kam ndërtuar, është thirrur emri yt.» (2 Kron. 6:32, 33) Siç ndodhte edhe në kohën e Jezuit, çdo joizraelit që donte të adhuronte Jehovain, duhej të shoqërohej me popullin me të cilin Ai kishte bërë besëlidhje.Gjoni 12:20; Vep. 8:27.

NJË KOMB DËSHMITARËSH

14-16. (a) Në ç’mënyrë do të ishin izraelitët një komb dëshmitarësh të Jehovait? (b) Çfarë detyrimi moral ka populli i Perëndisë në ditët tona?

14 Ndërkohë që izraelitët adhuronin Perëndinë e tyre, Jehovain, kombet e tjera adhuronin hyjnitë e veta. Në ditët e profetit Isaia, Jehovai e krahasoi situatën botërore me një proces gjyqësor. I sfidoi hyjnitë e kombeve të nxirrnin dëshmitarë për të provuar se ishin vërtet perëndi, me këtë deklaratë: «Le të mblidhen të gjitha kombet në një vend dhe le të grumbullohen popujt. Kush nga ato [perënditë e tyre] mund ta thotë këtë? Ose, a mund t’i shpallin gjërat që do të ndodhin të parat? Le të sjellin dëshmitarë që të provojnë se kanë të drejtë, ose të dëgjojnë e të thonë: ‘Është e vërtetë.’»Isa. 43:9.

15 Perënditë e kombeve nuk sillnin dot asnjë dëshmi se ishin perëndi. Ishin veçse idhuj të pagojë, që duhej t’i mbartnin në krahë për t’i lëvizur. (Isa. 46:5-7) Krejt ndryshe, Jehovai i tha popullit të tij, Izraelit: «Ju jeni dëshmitarët e mi. . . . Jeni shërbëtori që kam zgjedhur, që ju të më njihni e të keni besim tek unë, dhe të kuptoni se unë jam po Ai që kam qenë. Përpara meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje prapë nuk kishte asnjë. Unë, pikërisht unë, jam Jehovai dhe veç meje nuk ka tjetër shpëtimtar. . . . Prandaj, ju jeni dëshmitarët e mi . . . dhe unë jam Perëndia.»Isa. 43:10-12.

16 Në gjyqin universal për çështjen «kush është Perëndia më i Lartë?», populli i zgjedhur i Jehovait duhej të dëshmonte hapur dhe fuqishëm se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Ai e quajti ‘populli që kam formuar për vete që të tregojë veprat e mia të denja për lëvdim’. (Isa. 43:21) Mbanin emrin e tij. Jehovai i shpengoi nga Egjipti, ndaj ishin nën detyrimin moral t’u tregonin popujve të tjerë se përkrahnin sovranitetin e tij. Në fakt, ata duhej të kishin qëndrimin e popullit të Perëndisë në ditët tona, që e përshkroi më vonë profeti Mikea: «Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve.»Mik. 4:5.

NJË POPULL TRADHTAR

17. Si u bë Izraeli ‘hardhi e prishur e huaj’ në sytë e Jehovait?

17 Mjerisht, izraelitët nuk i qëndruan besnikë Perëndisë së tyre, Jehovait. Lejuan të ndikoheshin nga kombet që adhuronin perëndi prej druri e guri. Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Hozea shkroi: «Izraeli është si një hardhi që sa vjen e prishet. . . . I ka shumuar altarët. . . . Zemra e tyre është bërë hipokrite. Tani do të gjenden fajtorë.» (Hoz. 10:1, 2) Rreth një shekull e gjysmë më vonë, Jeremia hodhi me shkrim këto fjalë të Jehovait drejtuar popullit të Tij të pabesë: «Unë të kisha mbjellë si rrush të kuq të zgjedhur, i tëri farë e mirë. Si vallë, u shndërrove në bisqe të prishura të një rrushi të huaj. . . . Po ku janë perënditë që bëre? Le të ngrihen ato në rast se mund të të shpëtojnë, kur të jesh në ditë të keqe. . . . Populli im më ka harruar.»Jer. 2:21, 28, 32.

18, 19. (a) Si e paratha Jehovai se do të nxirrte një popull të ri për emrin e tij? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

18 Në vend që të praktikonin adhurimin e pastër dhe të ishin dëshmitarë besnikë të Jehovait, duke dhënë kështu fryt të shkëlqyer, izraelitët prodhuan frytin e kalbur të idhujtarisë. Prandaj Jezui u tha krerëve judenj hipokritë të kohës së tij: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mat. 21:43) Në këtë komb të ri, pra në Izraelin frymor, mund të bënin pjesë vetëm pjesëmarrësit e ‘besëlidhjes së re’ që paratha Jehovai nëpërmjet profetit të tij Jeremia. Ja ç’kishte profetizuar Jehovai për izraelitët frymorë që do të hynin në atë besëlidhje të re: «Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.»Jer. 31:31-33.

19 Pasi kombi i Izraelit doli i pabesë, Jehovai e bëri Izraelin frymor popullin e tij në shekullin e parë, siç u përmend sipër. Po sot, cilët përbëjnë popullin e tij në tokë? Si mund t’i dallojnë njerëzit zemërpastër adhuruesit e vërtetë të Perëndisë? Për këtë flet artikulli vijues.