Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Tani jeni populli i Perëndisë»

«Tani jeni populli i Perëndisë»

«Dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.»—1 PJET. 2:10.

1, 2. Ç’ndryshim ndodhi më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, dhe cilët u bënë pjesëtarë të popullit të ri të Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

FESTA e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. ishte një rast historik për popullin e Jehovait në tokë. Atë ditë ndodhi një ndryshim rrënjësor. Me anë të frymës së tij, Jehovai solli në jetë një komb të ri—Izraelin frymor, «Izraelin e Perëndisë». (Gal. 6:16) Për të parën herë që nga koha e Abrahamit, populli i Perëndisë nuk do të dallohej më nga rrethprerja fizike e meshkujve. Pavli tha për secilin pjesëtar të atij kombi të ri: «Rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës.»Rom. 2:29.

2 Të parët që u bënë pjesë e kombit të ri të Perëndisë ishin apostujt dhe mbi njëqind dishepuj të tjerë të Krishtit, të mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem. (Vep. 1:12-15) Mbi ta u derdh fryma e shenjtë, e kështu u bënë bij të Perëndisë të lindur nga fryma. (Rom. 8:15, 16; 2 Kor. 1:21) Kjo vërtetoi se kishte hyrë në fuqi besëlidhja e re, e cila u ndërmjetësua nga Krishti dhe u shpall e vlefshme me anë gjakut të tij. (Luka 22:20; lexo Hebrenjve 9:15.) Si pasojë, ata dishepuj u bënë pjesëtarë të kombit të ri të Jehovait, të popullit të tij të ri. Falë frymës së shenjtë, predikuan në gjuhët e ndryshme të judenjve dhe të prozelitëve që kishin vajtur në Jerusalem nga çdo cep i Perandorisë Romake për festën e Javëve të judenjve, ose festën e Ditës së Pesëdhjetë. Ata njerëz i dëgjuan dhe i kuptuan në gjuhët amtare «gjërat madhështore të Perëndisë» që predikuan të krishterët e lindur nga fryma.Vep. 2:1-11.

POPULLI I RI I PERËNDISË

3-5. (a) Çfarë u tha Pjetri judenjve në festën e Ditës së Pesëdhjetë? (b) Cilët hapa të tjerë i dhanë shtysë rritjes së kombit të ri të Jehovait në vitet e tij të hershme?

3 Me anë të apostullit Pjetër, Jehovai u çeli rrugën judenjve dhe prozelitëve të bëheshin pjesëtarë të këtij kombi të porsalindur, të kongregacionit të krishterë. Në atë festë të Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri u tha plot guxim judenjve se duhej të pranonin Jezuin, pikërisht atë që ‘e kishin mbërthyer në shtyllë’, sepse «Perëndia e bëri edhe Zotëri, edhe Krisht». Kur turma e pyeti çfarë të bënin, Pjetri ua ktheu: «Pendohuni, e secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet. Atëherë do të merrni falas si dhuratë frymën e shenjtë.» (Vep. 2:22, 23, 36-38) Atë ditë, kombit të ri të Izraelit frymor iu shtuan rreth 3.000 veta. (Vep. 2:41) Pas kësaj, predikimi i zellshëm i apostujve vazhdoi të jepte fryt edhe më të bollshëm. (Vep. 6:7) Kombi i ri po rritej.

4 Më vonë, vepra e predikimit u hap edhe mes samaritanëve, e me goxha sukses. Ungjillëzuesi Filip pagëzoi shumë prej tyre, por ata nuk e morën menjëherë frymën e shenjtë. Trupi udhëheqës në Jerusalem dërgoi te besimtarët e rinj samaritanë apostujt Pjetër dhe Gjon, që «vunë duart mbi ta, e ata morën frymën e shenjtë». (Vep. 8:5, 6, 14-17) Kështu, edhe samaritanët u bënë pjesëtarë të mirosur nga fryma të Izraelit frymor.

Pjetri i predikoi Kornelit dhe njerëzve të shtëpisë së tij (Shih paragrafin 5.)

5 Në vitin 36 të e.s., Pjetri u përdor sërish që të ftonte të tjerë të hynin në kombin e ri, Izraelin frymor. Kjo ndodhi kur i predikoi centurionit romak Kornel, si edhe farefisit e miqve të tij. (Vep. 10:22, 24, 34, 35) Bibla tregon: «Ndërsa Pjetri po fliste ende . . . , fryma e shenjtë zbriti mbi të gjithë ata [jojudenj] që dëgjonin fjalën. Ata që kishin ardhur me Pjetrin, njerëz plot besim e të rrethprerë, u mahnitën, pasi fryma e shenjtë, dhurata falas e Perëndisë, po derdhej edhe mbi njerëz nga kombet.» (Vep. 10:44, 45) Pra, tani po ftoheshin të bënin pjesë në kombin e ri, në Izraelin frymor, edhe besimtarët jojudenj të parrethprerë.

«NJË POPULL PËR EMRIN E TIJ»

6, 7. Si duhej të tregonin pjesëtarët e kombit të ri se ishin «një popull për emrin [e Jehovait]»? Deri në ç’masë e bënë këtë?

6 Më 49 të e.s., në një mbledhje të trupit udhëheqës të të krishterëve të shekullit të parë, dishepulli Jakov tha: «Simioni [Pjetri] na tregoi nga fillimi në fund se si Perëndia e drejtoi për herë të parë vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.» (Vep. 15:14) Në këtë popull të ri që mbante emrin e Jehovait do të kishte si besimtarë judenj, edhe jojudenj. (Rom. 11:25, 26a) Më pas, Pjetri shkroi: «Dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.» Pjetri e përmblodhi misionin e tyre me fjalët: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjet. 2:9, 10) Ata duhej ta lartësonin me brohori Perëndinë që përfaqësonin dhe ta lëvdonin botërisht emrin e tij. Duhej të ishin dëshmitarë të guximshëm për Jehovain, Sovranin e Universit.

7 Siç kishte bërë me Izraelin natyror, tani Jehovai i quajti pjesëtarët e Izraelit frymor ‘populli që kam formuar për vete që të tregojë veprat e mia të denja për lëvdim’. (Isa. 43:21) Ata të krishterë të hershëm demaskuan gjithë perënditë e rreme që adhuroheshin atëherë dhe shpallën trimërisht se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. (1 Sel. 1:9) Dhanë dëshmi për Jehovain dhe për Jezuin «në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës».Vep 1:8; Kolos. 1:23.

8. Ç’paralajmërim i dha apostulli Pavël popullit të Perëndisë në shekullin e parë?

8 Në shekullin e parë, një pjesëtar sypatrembur i ‘popullit për emrin e Jehovait’ ishte apostulli Pavël. Ballë për ballë filozofëve paganë, ai mbrojti me kurajë sovranitetin e Jehovait, ‘Perëndisë që bëri botën dhe gjithçka në të, që është Zotëri i qiellit dhe i tokës’. (Vep. 17:18, 23-25) Aty nga fundi i udhëtimit të tretë misionar, Pavli i paralajmëroi pjesëtarët e popullit që mbante emrin e Perëndisë: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Vep. 20:29, 30) Në fund të shekullit të parë, kjo apostazi e parathënë kishte nxjerrë kokë.1 Gjon. 2:18, 19.

9. Çfarë i ndodhi ‘popullit për emrin e Jehovait’ pas vdekjes së apostujve?

9 Pas vdekjes së apostujve, lulëzoi apostazia dhe mbinë kishat e krishterimit. Të krishterët apostatë nuk kanë treguar aspak se janë «një popull për emrin [e Jehovait]», e madje e kanë hequr emrin hyjnor nga shumë përkthime të tyre të Biblës. Kanë përvetësuar rite pagane dhe e kanë çnderuar Perëndinë me dogmat e tyre jobiblike, me «luftërat e shenjta» dhe me sjelljen imorale. Kështu, për shekuj me radhë, Jehovai kishte në tokë vetëm ca adhurues besnikë tek-tuk, por jo një popull të organizuar për emrin e tij.

RILINDJA E POPULLIT TË PERËNDISË

10, 11. (a) Çfarë paratha Jezui në shëmbëlltyrën për grurin dhe egjrat? (b) Si u përmbush shëmbëlltyra e Jezuit pas vitit 1914 dhe me ç’rezultat?

10 Në shëmbëlltyrën për grurin dhe egjrat, Jezui paratha terrin frymor që do të krijonte apostazia. Tha se ‘kur njerëzit të flinin’, Djalli do të mbillte egjër në arën ku Biri i njeriut kishte mbjellë farë gruri. Të dyja do të rriteshin bashkë deri «në përfundim të sistemit». Jezui sqaroi se «fara e mirë» paraqet «bijtë e mbretërisë», kurse «egjrat» janë «bijtë e të ligut». Gjatë ditëve të fundit, Biri i njeriut do të dërgonte «korrësit» e tij, engjëjt, që ta ndanin grurin nga egjrat simbolike. Bijtë e Mbretërisë do të mblidheshin. (Mat. 13:24-30, 36-43) Si u përmbush kjo dhe ç’lidhje ka me rilindjen e popullit të Jehovait në tokë?

11 ‘Përfundimi i sistemit’ nisi në vitin 1914. Gjatë luftës që shpërtheu atë vit, ata pak mijëra të krishterë të mirosur, «bijtë e mbretërisë», ishin robër frymorë të Babilonisë së Madhe. Më 1919 Jehovai i çliroi dhe e tregoi qartë dallimin mes tyre dhe ‘egjrave’, ose të krishterëve të shtirë. «Bijtë e mbretërisë» i mblodhi si një popull i organizuar, e kjo plotësoi profecinë e Isaisë: «A del një vend në dritë me dhembje lindjeje brenda një dite? A lind një komb i tëri përnjëherësh? Sepse Sionit i kanë filluar dhembjet e lindjes dhe i ka lindur bijtë e vet.» (Isa. 66:8) Sioni, organizata e Jehovait e përbërë nga krijesa frymore, solli në jetë bijtë e saj të mirosur nga fryma dhe i organizoi si një komb.

12. Si kanë treguar të mirosurit se janë «një popull për emrin [e Jehovait]» sot?

12 Tamam si të krishterët e hershëm, edhe të mirosurit, «bijtë e mbretërisë», do të ishin dëshmitarë të Jehovait. (Lexo Isainë 43:1, 10, 11.) Si rrjedhojë, do të binin në sy si të ndryshëm falë sjelljes së tyre të krishtere dhe falë predikimit të ‘këtij lajmi të mirë për mbretërinë . . . si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14; Filip. 2:15) Kështu, ata kanë ndihmuar shumë veta, madje miliona, që të jenë të drejtë në sytë e Jehovait.Lexo Danielin 12:3.

«NE DO TË VIJMË ME JU»

13, 14. Ç’duhet të bëjnë ata që s’janë izraelitë frymorë për ta adhuruar Jehovain e për t’i shërbyer në mënyrë të pranueshme? Si e parathanë këtë profecitë biblike?

13 Në artikullin e kaluar pamë se në Izraelin e lashtë, të huajt mund të pranoheshin si adhurues të Jehovait, ama me kusht që të shoqëroheshin me popullin me të cilin Jehovai kishte bërë besëlidhje. (1 Mbret. 8:41-43) Edhe sot, ata që nuk janë izraelitë frymorë duhet të shoqërohen me popullin e Jehovait, pra me «bijtë e mbretërisë»—Dëshmitarët e mirosur të Jehovait.

14 Dy profetë të lashtë parathanë se në këto ditë të fundit, plot njerëz do të dyndeshin ta adhuronin Jehovain bashkë me popullin e tij. Isaia profetizoi: «Shumë popuj do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Jehovait.» (Isa. 2:2, 3) Po ashtu, profeti Zakaria paratha: «Shumë njerëz dhe kombe të fuqishme do të vijnë që të kërkojnë Jehovain e ushtrive në Jerusalem dhe që të marrin pëlqimin e Jehovait.» Këta njerëz ai i përshkroi si «dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve» që, në kuptim të figurshëm, do të kapnin rrobën e Izraelit frymor e do të thoshin: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»Zak. 8:20-23.

15. Në cilën vepër ‘shkojnë me’ izraelitët frymorë ‘delet e tjera’?

15 ‘Delet e tjera’ ‘shkojnë me’ izraelitët frymorë në veprën e predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë. (Marku 13:10) Ata bëhen pjesë e popullit të Perëndisë, «një kope e vetme» me të mirosurit, e drejtuar nga «bariu i shkëlqyer», Krishti Jezu.Lexo Gjonin 10:14-16.

TË GJEJMË MBROJTJE MES POPULLIT TË JEHOVAIT

16. Si do t’i japë shkas Jehovai fazës së fundit të ‘shtrëngimit të madh’?

16 Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, populli i Jehovait do të sulmohet egërsisht, e atëherë do të kemi nevojë për mbrojtjen që do t’u sigurojë Jehovai shërbëtorëve të vet. Përderisa ky sulm do të jetë shkëndija e pjesës së fundit të ‘shtrëngimit të madh’, Jehovai vetë do të përgatitë terrenin dhe do të zgjedhë momentin për këtë përleshje përfundimtare. (Mat. 24:21; Ezek. 38:2-4) Atëherë Gogu do të sulmojë «popullin e mbledhur nga kombet», popullin e Jehovait. (Ezek. 38:10-12) Ky sulm do të jetë sinjali që Jehovai të ekzekutojë gjykimet kundër Gogut dhe hordhive të tij. Jehovai do të madhërojë sovranitetin e tij dhe do të shenjtërojë emrin e tij, sepse thotë: «Do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»Ezek. 38:18-23.

Gjatë ‘shtrëngimit të madh’, duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me kongregacionin tonë (Shih paragrafët 16-18.)

17, 18. (a) Çfarë udhëzimesh do të marrë populli i Jehovait kur ta sulmojë Gogu? (b) Ç’duhet të bëjmë nëse duam mbrojtjen e Jehovait?

17 Kur Gogu të nisë sulmin, Jehovai do t’u drejtohet shërbëtorëve të vet: «Shko, populli im, hyr në dhomat ku je më i sigurt dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë indinjata.» (Isa. 26:20) Në atë moment kritik, Jehovai do të na japë udhëzime jetëshpëtuese, dhe ka shumë gjasa që ‘dhomat e sigurta’, ose të brendshme, të kenë lidhje me kongregacionet.

18 Pra, nëse duam mbrojtjen e Jehovait gjatë shtrëngimit të madh, duhet ta pranojmë se ai ka në tokë një popull të organizuar në kongregacione. Duhet të vazhdojmë ta tregojmë qartë se jemi pjesë e këtij populli dhe të qëndrojmë të lidhur ngushtë me kongregacionin tonë. Me gjithë zemër, t’i bashkojmë zërat tanë me psalmistin, që shpalli: «Shpëtimi i takon Jehovait. Ti e bekon gjithnjë popullin tënd.»Psal. 3:8.