Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Dëgjoni dhe kapni domethënien’

‘Dëgjoni dhe kapni domethënien’

«Më dëgjoni të gjithë dhe kapni domethënien.» MAR. 7:14.

1, 2. Pse shumë nga ata që e dëgjuan Jezuin nuk arritën ta kapnin domethënien e fjalëve të tij?

NJË njeri ndoshta i dëgjon tingujt e fjalëve që i thotë një tjetër. Madje mund të dallojë edhe tonin e zërit. Por ç’do t’i hynin në punë këto po të mos kapte domethënien e asaj që dëgjon? (1 Kor. 14:9) Po ashtu, mijëra veta i dëgjuan fjalët e Jezuit. Madje ai u foli në një gjuhë që e merrnin vesh. Prapëseprapë, jo të gjithë e kapën domethënien e fjalëve të tij. Ja pse Jezui u tha dëgjuesve të vet: «Më dëgjoni të gjithë dhe kapni domethënien.»Mar. 7:14.

2 Pse shumë veta nuk arritën ta kapnin domethënien e fjalëve të Jezuit? Disa kishin ide të ngulitura dhe motive të gabuara. Jezui tha për ta: «Ju jeni të shkathët për të shpërfillur urdhërimin e Perëndisë, që të mbani traditën tuaj.» (Mar. 7:9) Këta njerëz nuk përpiqeshin vërtet të kapnin domethënien e fjalëve të tij. As që donin të ndërronin udhën dhe pikëpamjet e tyre. Veshët mbase i kishin të hapur, por zemrën e kishin të mbyllur fare. (Lexo Mateun 13:13-15.) Po ne, si mund të sigurohemi që zemra jonë të mbetet e hapur, në mënyrë që të nxjerrim dobi nga mësimet e Jezuit?

SI TË NXJERRIM DOBI NGA MËSIMET E JEZUIT

3. Pse dishepujt arrinin t’i kuptonin fjalët e Jezuit?

3 Duhet të ndjekim shembullin e dishepujve të përulur të Jezuit. Ai tha për ta: «Lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!» (Mat. 13:16) Pse dishepujt arrinin të kuptonin, kurse të tjerët jo? Së pari, nuk ngurronin të bënin pyetje dhe të kërkonin domethënien e vërtetë të fjalëve të Jezuit. (Mat. 13:36; Mar. 7:17) Së dyti, nuk ngurronin t’ia shtonin këto gjëra thesarit që tashmë kishin në zemër. (Lexo Mateun 13:11, 12.) Së treti, nuk ngurronin ta përdornin atë që dëgjonin dhe kuptonin jo vetëm në jetën e tyre, por edhe për dobinë e të tjerëve.Mat. 13:51, 52.

4. Cilët janë tre hapat që duhet të bëjmë për të kuptuar ilustrimet e Jezuit?

4 Nëse duam t’i kuptojmë ilustrimet e Jezuit, të ndjekim shembullin e dishepujve të tij besnikë. Edhe ne duhet të bëjmë tre hapa. Së pari, duhet të jemi të gatshëm të lëmë kohë që t’i studiojmë e të meditojmë për fjalët e Jezuit, të bëjmë kërkimet e nevojshme dhe të ngremë pyetje me vend. Kjo sjell njohuri. (Prov. 2:4, 5) Pastaj, duhet të kapim si lidhet kjo njohuri me atë që tashmë dimë, duke dalluar si na sjell dobi personalisht. Kjo çon në kuptueshmëri. (Prov. 2:2, 3) Së fundi, duhet ta vëmë në punë atë që mësuam duke e zbatuar në jetë. Kështu tregojmë mençuri.Prov. 2:6, 7.

5. Ilustroni ndryshimin mes njohurisë, kuptueshmërisë dhe mençurisë.

5 Ku ndryshojnë nga njëra-tjetra njohuria, kuptueshmëria dhe mençuria? Ja ta ilustrojmë: përfytyro sikur po rri në mes të rrugës dhe drejt teje po vjen një autobus. Së pari, dallon që është autobus—kjo është njohuri. Pastaj, e kupton se po s’lëvize nga vendi, autobusi do të të godasë—kjo është kuptueshmëri. Prandaj largohesh vrik nga rruga për t’iu shmangur—kjo është mençuri. S’është çudi që Bibla thekson se duhet ‘të ruajmë mençurinë praktike’. Nga kjo varet jeta jonë.—Prov. 3:21, 22, shën.; 1 Tim. 4:16.

6. Cilat janë katër pyetjet që do të bëjmë teksa shqyrtojmë shtatë ilustrime të Jezuit? (Shih  kutinë.)

6 Në këtë artikull dhe në atë vijues do të shqyrtojmë shtatë ilustrime që përdori Jezui, me anë të këtyre pyetjeve: cila është domethënia e ilustrimit? (Kjo na ndihmon të fitojmë njohuri.) Pse e bëri këtë ilustrim Jezui? (Kjo sjell kuptueshmëri.) Si mund ta përdorim këtë informacion për të ndihmuar edhe veten, edhe të tjerët? (Kjo është mençuri.) Së fundi, ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?

KOKRRA E SINAPIT

7. Cila është domethënia e ilustrimit për kokrrën e sinapit?

7 Lexo Mateun 13:31, 32. Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për kokrrën e sinapit? Kokrra e sinapit paraqet mesazhin për Mbretërinë, si edhe atë që lind nga predikimi i këtij mesazhi—kongregacionin e krishterë. Ashtu si kokrra e sinapit është «më e vogla e të gjitha farave», kongregacioni i krishterë ishte i vogël në fillimet e tij më 33 të e.s. Gjithsesi, brenda pak dekadash, ai u rrit me të shpejtë dhe tejkaloi çdo parashikim. (Kolos. 1:23) Kjo rritje solli të mira, pasi Jezui thotë se «zogjtë e qiellit» arrinin ‘të gjenin strehë mes degëve të saj’. Këta zogj simbolikë portretizojnë njerëzit me zemër të drejtë që gjejnë ushqim frymor, freskim dhe strehë brenda kongregacionit të krishterë.—Krahaso Ezekielin 17:23.

8. Pse e bëri Jezui ilustrimin për kokrrën e sinapit?

8 Pse e bëri këtë ilustrim Jezui? Me anë të rritjes së mahnitshme të kokrrës së sinapit, ai ilustroi si merr vrull përherë e më shumë aktiviteti i Mbretërisë. Gjithashtu tregoi sa fuqi ka Mbretëria të mbrojë dhe të kapërcejë gjithë pengesat. Që nga viti 1914, rritja e pjesës së dukshme të organizatës së Perëndisë ka qenë marramendëse! (Isa. 60:22) Pjesëtarëve të kësaj organizate u sigurohet mbrojtje frymore e mrekullueshme. (Prov. 2:7; Isa. 32:1, 2) Veç kësaj, interesat e Mbretërisë çohen para pa u ndalur, duke mposhtur çdo kundërshtim.Isa. 54:17.

9. (a) Ç’mësim nxjerrim nga ilustrimi i kokrrës së sinapit? (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?

9 Ç’mund të mësojmë nga ilustrimi i kokrrës së sinapit? Mbase jetojmë në një zonë ku ka vetëm një grusht Dëshmitarësh ose në fillim predikimi nuk jep kushedi sa rezultate. Sidoqoftë, të mos harrojmë se Mbretëria mund të kapërcejë çdo pengesë. Kjo do të na japë forcë të qëndrojmë. Për shembull, kur vëllai Eduin Skiner shkoi në Indi më 1926, atje kishte vetëm pak Dëshmitarë. Fillimisht, përparimi ishte i ngadaltë dhe, siç u raportua, vepra ‘mezi ecte para’. Por ai nuk e ndali predikimin dhe pa se si mesazhi për Mbretërinë kapërceu pengesa të mëdha. Tani në Indi ka më se 37.000 Dëshmitarë aktivë dhe mbi 108.000 ndoqën Përkujtimin vitin e kaluar. Ja edhe një shembull tjetër që tregon se sa mbresëlënëse ka qenë kjo rritje: po atë vit që vëllai Skiner shkoi në Indi, vepra në Zambie ishte në hapat e parë. Tani në atë vend predikojnë mbi 170.000 lajmëtarë dhe 763.915 veta ndoqën Përkujtimin më 2013. Me fjalë të tjera, 1 në 18 banorë të Zambies ishin të pranishëm në Përkujtim. Ç’rritje e paparë!

MAJAJA

10. Cila është domethënia e ilustrimit për majanë?

10 Lexo Mateun 13:33. Cila është domethënia e ilustrimit për majanë? Edhe ky ilustrim ka lidhje me mesazhin për Mbretërinë dhe me frytet që jep ai. «I gjithë» mielli përfaqëson tërë kombet, kurse ardhja e brumit paraqet përhapjen e mesazhit për Mbretërinë me anë të veprës së predikimit. Ndërkohë që rritja e kokrrës së sinapit shihet qartë, përhapja e majasë fillimisht është e padukshme. Veprimi i saj vihet re vetëm pas njëfarë kohe.

11. Pse e përdori Jezui ilustrimin për majanë?

11 Pse e përdori këtë ilustrim Jezui? Që të tregonte se mesazhi për Mbretërinë ka fuqi të përhapet anë e kënd dhe të sjellë ndryshime. Ky mesazh ka shkuar «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Por, ndryshimet që sjell ai nganjëherë nuk bien në sy, madje në fillim disa kalojnë pa u vënë re fare. Ama ndryshime ndodhin—jo vetëm në numra, por edhe në personalitetin e atyre që përqafojnë këtë mesazh kaq të përhapur.Rom. 12:2; Efes. 4:22, 23.

12, 13. Jepni shembuj se si është rritur vepra e predikimit për Mbretërinë, siç tregon ilustrimi për majanë.

12 Frytet e veprës së predikimit shpesh dalin në pah vite më pas. Për shembull, më 1982, kur Franci dhe Margita shërbenin në zyrën e degës të Brazilit (sot shërbejnë në një zyrë dege tjetër), predikuan në një qytezë. Një nga studimet biblike që nisën, ishte me një nënë dhe me katër fëmijët e saj. Djali i madh, vetëm 12 vjeç, ishte tepër i ndrojtur dhe shpesh mundohej të fshihej para se të fillonte studimi. Çifti ndryshoi caktim, prandaj nuk e vazhdoi dot studimin me ta. Por 25 vjet më vonë patën rast të shkonin në atë qytezë. Çfarë gjetën atje? Një kongregacion me 69 lajmëtarë, 13 nga të cilët pionierë të rregullt, që mblidheshin në një Sallë të re Mbretërie. Po djaloshi i ndrojtur ç’bëhet? Tani shërben si koordinatori i trupit të pleqve. Tamam si majaja në ilustrimin e Jezuit, mesazhi për Mbretërinë ishte përhapur dhe u kishte ndryshuar jetën shumë vetave—e kjo ia mbushi zemrën plot çiftit që vajti për vizitë.

13 Fuqia e padukshme e mesazhit të Mbretërisë për të ndryshuar njerëzit ka spikatur sidomos në vendet ku vepra është e kufizuar ligjërisht. Është vështirë të dimë sa është përhapur mesazhi në këto vende dhe shpesh rezultatet na lënë pa fjalë. Të marrim Kubën për shembull. Mesazhi për Mbretërinë arriti atje në vitin 1910, dhe vëlla Rasëlli e vizitoi Kubën më 1913. Mirëpo, fillimisht përparimi ishte i avashtë. Po tani, çfarë shohim në Kubë? Mbi 96.000 lajmëtarë predikojnë lajmin e mirë dhe 229.726 veta ndoqën Përkujtimin më 2013,pra 1 në 48 banorë të këtij shteti ishullor. Madje edhe në vende ku vepra nuk është nën ndalim, mesazhi për Mbretërinë mund të ketë depërtuar në zona ku Dëshmitarëve vendës s’ua merr mendja se predikohet. *Ekl. 8:7; 11:5.

14, 15. (a) Si mund të nxjerrim dobi personalisht nga mësimi që gjejmë në ilustrimin për majanë? (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?

14 Si mund të nxjerrim dobi nga ajo që na mësoi Jezui në ilustrimin për majanë? Tek meditojmë për domethënien e ilustrimit të Jezuit, kuptojmë që nuk ka pse të merakosemi tepër se si do ta marrin mesazhin për Mbretërinë ata miliona që ende s’e kanë dëgjuar. Jehovai ka nën kontroll gjithçka. Po puna jonë cila është? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.» (Ekl. 11:6) Ndërkohë nuk duhet të harrojmë kurrë të lutemi që vepra e predikimit të ketë sukses, sidomos në vendet ku është e kufizuar.Efes. 6:18-20.

15 Veç kësaj, s’duhet të na lëshojë zemra nëse në fillim nuk shohim rezultatet nga puna jonë. Asnjëherë të mos e përbuzim «ditën e gjërave të vogla». (Zak. 4:10) Me kohë rezultatet mund të jenë shumë më të mëdha e më të mrekullueshme nga ç’na e kish marrë mendja!—Psal. 40:5; Zak. 4:7.

TREGTARI SHËTITËS DHE THESARI I FSHEHUR

16. Cila është domethënia e ilustrimit për tregtarin shëtitës dhe e atij për thesarin e fshehur?

16 Lexo Mateun 13:44-46. Cila është domethënia e ilustrimit për tregtarin shëtitës dhe e atij për thesarin e fshehur? Në ditët e Jezuit, disa tregtarë udhëtonin gjer në Oqeanin Indian për të gjetur margaritarët më të shkëlqyer. Tregtari në këtë ilustrim portretizon njerëzit me zemër të drejtë që bëjnë çmos të plotësojnë nevojën e tyre frymore. ‘Margaritari me vlerë të madhe’ paraqet të vërtetën e vyer për Mbretërinë. Me të kuptuar vlerën e atij margaritari, tregtari ishte i gatshëm të shiste «menjëherë» gjithçka që kishte për ta blerë. Jezui foli edhe për një njeri që punonte në arë dhe gjeti një thesar ‘të fshehur’. Ndryshe nga tregtari, ai s’po kërkonte ndonjë thesar. Ama njësoj si tregtari, ishte i gatshëm të shiste «gjithçka» për ta shtënë në dorë.

17. Pse i bëri Jezui ilustrimet për tregtarin shëtitës dhe për thesarin e fshehur?

17 Pse i bëri këto dy ilustrime Jezui? Ai po tregonte se njerëzit e gjejnë të vërtetën në mënyra të ndryshme. Disa janë në kërkim të saj dhe bëjnë çmos ta gjejnë. Të tjerë, edhe pse nuk e kërkojnë, e gjejnë, mbase ngaqë ua tregon dikush. Sido që të jetë, të dy burrat e dalluan vlerën e asaj që gjetën dhe ishin të gatshëm të bënin sakrifica të jashtëzakonshme për ta pasur.

18. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga këto dy ilustrime? (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?

18 Si mund të nxjerrim dobi nga këto dy ilustrime? (Mat. 6:19-21) Pyet veten: «A kam po atë qëndrim që kishin këta burra? A e çmoj si thesar të vërtetën? A jam i gatshëm të bëj sakrifica që ta bëj timen apo lejoj të më shpërqendrojnë gjëra të tjera, si shqetësimet e përditshme?» (Mat. 6:22-24, 33; Luka 5:27, 28; Filip. 3:8) Sa më thellë t’i ketë rrënjët në zemër gëzimi që kemi gjetur të vërtetën, aq më të vendosur do të jemi ta mbajmë në vend të parë në jetë!

19. Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Tregofshim se i kemi dëgjuar dhe e kemi kapur vërtet domethënien e këtyre ilustrimeve për Mbretërinë! Të mos harrojmë: këtë nuk e bëjmë thjesht duke ditur ç’kuptim kanë, por duke zbatuar mësimet që nxjerrim prej tyre. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë tri ilustrime të tjera dhe do të shohim ç’na mësojnë.

^ par. 13 Përvoja të ngjashme kanë ndodhur në vende, si: Argjentina (Libri vjetor 2001, faqja 186), Gjermania Lindore (Libri vjetor 1999, faqja 83, anglisht), ishulli Robinson Kruzo (Kulla e Rojës, 15 qershor 2000, faqja 9) dhe Papua Guineja e Re (Libri vjetor 2005, faqja 63).