Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgatitën kombet për ‘mësimin e Jehovait’

Përgatitën kombet për ‘mësimin e Jehovait’

«Prokonsulli u bë besimtar, pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait.»VEP. 13:12.

1-3. Çfarë pengesash kishin dishepujt për t’u predikuar lajmin e mirë ‘të gjitha kombeve’?

DETYRA që u ngarkoi Jezu Krishti dishepujve të tij nuk ishte aspak e lehtë. Ai i urdhëroi: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» Dora-dorës që do të kryenin këtë vepër, ‘lajmi i mirë për mbretërinë do të predikohej në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’.Mat. 24:14; 28:19.

2 Dishepujt e donin edhe Jezuin, edhe lajmin e mirë. Por ndoshta vrisnin mendjen si do t’ia dilnin ta kryenin këtë detyrë. Tekefundit, ishin veç një grusht njerëzish. Ai që shpallnin se ishte Biri i Perëndisë, Jezui, ishte ekzekutuar. Dishepujt e tij shiheshin si njerëz «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) E megjithatë duhej të përhapnin një mesazh që binte ndesh me mësimet e krerëve të shquar fetarë, të shkolluar në traditat judaike shekullore. Në atdheun e tyre, në Izrael, dishepujt nuk respektoheshin. Dhe fundja, ç’ishte kombi i Izraelit krahasuar me pjesën tjetër të Perandorisë së lavdishme Romake?!

3 Për më tepër, Jezui i kishte paralajmëruar dishepujt e tij se do t’i urrenin, do t’i përndiqnin e disa prej tyre do t’i vrisnin. (Luka 21:16, 17) Do të përballeshin me tradhtinë, me profetët e rremë dhe me rritjen e paligjshmërisë. (Mat. 24:10-12) Edhe sikur mesazhi i tyre të mirëpritej kudo, si vallë do ta përhapnin «deri në skajin më të largët të tokës»? (Vep. 1:8) Të gjitha këto pengesa duhet t’u jenë dukur si një mal.

4. Sa sukses pati predikimi i dishepujve të shekullit të parë?

4 Çfarëdo meraku të kenë pasur, dishepujt përveshën mëngët dhe i hynë me zell predikimit të lajmit të mirë, jo vetëm në Jerusalem e në Samari, por anekënd botës së njohur atëherë. Ndonëse hasën vështirësi, brenda 30 vjetësh lajmi i mirë ‘po u predikohej të gjitha krijesave nën qiell’ dhe ‘po jepte fryt e po rritej në mbarë botën’. (Kolos. 1:6, 23) Ja një rast: si rrjedhojë e asaj që tha e bëri apostulli Pavël në ishullin e Qipros, prokonsulli romak Sergj Pal «u bë besimtar, pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait».Lexo Veprat 13:6-12.

5. (a) Çfarë sigurie u dha Jezui dishepujve? (b) Në ç’përfundim kanë arritur disa duke shqyrtuar rrethanat e shekullit të parë?

5 Dishepujt e Jezuit e dinin se s’mund ta kryenin veprën e predikimit me forcat e veta. Jezui kishte thënë se do të ishte me ta dhe se fryma e shenjtë do t’i ndihmonte. (Mat. 28:20) Mbase në disa aspekte, rrethanat në botën e atëhershme i jepnin dorë predikimit për Mbretërinë. Një libër thotë: «Ndoshta shekulli i parë i e.s. ishte periudha më e përshtatshme në historinë e njerëzimit për të pritur Kishën e sapolindur. . . . Në shekullin e dytë, të krishterët . . . kishin nisur të argumentonin se bota ishte bërë gati për ardhjen e krishterimit falë një drejtimi hyjnor.»Evangelism in the Early Church.

6. Çfarë do të shqyrtojmë (a) në këtë artikull? (b) në artikullin tjetër?

6 Bibla nuk thotë deri në ç’masë i drejtoi Perëndia ngjarjet e shekullit të parë që vepra e predikimit të shtrihej kudo. Ama një gjë është e sigurt: Jehovai donte që lajmi i mirë të predikohej, kurse Satanai s’donte hiç. Në këtë artikull do të shohim disa faktorë që mund ta kenë bërë veprën e predikimit në shekullin e parë më të lehtë se në periudha të tjera të historisë. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë disa ngjarje të ditëve tona që na ndihmojnë të shpallim lajmin e mirë deri në skajet e tokës.

SI MUND TË KETË NDIHMUAR PAX ROMANA

7. Ç’ishte Pax Romana, dhe pse qe e veçantë?

7 Bota romake e shekullit të parë ishte e volitshme për të krishterët në disa aspekte. Për shembull, atëherë ekzistonte Pax Romana, pra Paqja Romake. Perandoria Romake e ruante me forcë stabilitetin në territorin e saj të paanë. Vërtet, hera-herës kishte ‘luftëra dhe lajme luftërash’, siç paratha Jezui. (Mat. 24:6) Më 70 të e.s. ushtria romake shkatërroi Jerusalemin, dhe në kufijtë e perandorisë bëheshin përleshje. Megjithatë, për afro 200 vjet që nga koha e Jezuit, pellgu i Mesdheut thuajse nuk pa luftëra me sy. Një vepër referimi thotë: «Kurrë më parë gjatë historisë njerëzore nuk kishte pasur një periudhë kaq të gjatë paqeje të përgjithshme, dhe kurrë më nuk do të ruhej një paqe kaq e qëndrueshme mes gjithë atyre popujve.»

8. Pse klima paqësore ishte e volitshme për të krishterët e hershëm?

8 Teologu i shekullit të tretë, Origjeni, shprehu këtë pikëpamje: «Po të kishin qenë shumë mbretëri, mësimet e Jezuit nuk do të ishin përhapur dot në gjithë botën . . . sepse burrat kudo do të ishin detyruar të shërbenin në ushtri dhe të luftonin për të mbrojtur atdheun. . . . Kështu, nëse në kohën kur u shfaq Jezui, situata ndërkombëtare nuk do të kishte marrë kthesë dhe nuk do të mbizotëronte një frymë më e butë, si vallë do të kishte pasur sukses ky mësim që predikon paqen, e madje ndalon hakmarrjen kundër armiqve?!» Lajmëtarët e Mbretërisë përndiqeshin në botën romake, por ata ishin paqedashës dhe, me sa duket, nxorën dobi nga klima deri diku paqësore e kohës.Lexo Romakëve 12:18-21.

SI U VLEJTI UDHËTIMI MË I KOLLAJSHËM

9, 10. Pse dishepujt e kishin disi të kollajshme të udhëtonin nëpër Perandorinë Romake?

9 Të krishterët përfituan goxha nga rrjeti rrugor romak. Për të siguruar e për të ruajtur kontrollin mbi nënshtetasit e saj, Roma kishte një ushtri të fortë e të efektshme. Që trupat të lëviznin me shpejtësi, duheshin rrugë të mira, e romakët ishin mjeshtra në ndërtimin e tyre. Inxhinierët romakë ndërtuan mbi 80.000 kilometra rrugë që lidhnin thuajse të gjitha provincat. Rrugët pritnin mes pyjeve, kaptonin shkretëtira dhe ngjitnin male.

10 Përveç rrjetit rrugor, romakët mund të përdornin rreth 27.000 kilometra kanale e lumenj të lundrueshëm. Anijet romake përshkonin afro 900 rrugë detare që lidhnin qindra porte. Kështu, të krishterët mund t’i binin kryq e tërthor botës romake. Edhe pse nuk e kishin fushë me lule, apostulli Pavël dhe të tjerë mund të udhëtonin anembanë perandorisë pa pasaporta e pa viza. Nuk bëheshin kontrolle imigracioni ose doganore. Banditët i trembeshin ndëshkimit romak, kështu që rrugët ishin relativisht të sigurta. Edhe udhëtimi në rrugë detare ishte i sigurt, sepse flota romake i mbante larg piratët. Ndonëse Pavlit iu shkallmua anija disa herë dhe në det kishte ca rreziqe, Shkrimet nuk thonë gjë se i ranë në qafë piratë gjatë udhëtimeve.2 Kor. 11:25, 26.

SI NDIHMOI GJUHA

Kodiku e bënte shumë më të lehtë të gjeje një shkrim (Shih paragrafin 12.)

11. Pse dishepujt përdorën gjuhën greke?

11 Greqishtja e zakonshme, ose koine, ndihmoi në komunikimin e mirë dhe në unitetin mes kongregacioneve të krishtere. Si rrjedhojë e pushtimeve të Aleksandrit të Madh, gjuha greke flitej dhe kuptohej gjerësisht. Kështu, shërbëtorët e Perëndisë mund të komunikonin me lloj-lloj njerëzish dhe kjo ndihmoi në përhapjen e lajmit të mirë. Veç kësaj, judenjtë që jetonin në Egjipt kishin përkthyer Shkrimet Hebraike në greqisht. Njerëzit ishin familjarizuar me këtë version, me Septuagintën, dhe dishepujt e hershëm të Krishtit e citonin vazhdimisht. Të krishterët panë edhe se greqishtja ishte ideale për shkrimet e tyre. Ajo kishte një fjalor të pasur e plot terma që hynin në punë kur shpjegoheshin çështje frymore.

12. (a) Ç’është kodiku dhe ç’të mira kishte në krahasim me rrotullën? (b) Kur filluan ta përdornin gjerësisht të krishterët kodikun?

12 Po si mund t’i përdornin të krishterët Shkrimet në shërbim? Rrotullat ishin kaba, duheshin mbështjellë e çmbështjellë dhe zakonisht veç njëra anë e pergamenës ishte e shkruar. Vetëm Ungjilli i Mateut do të zinte një rrotull të tërë. Mirëpo, pastaj doli në skenë kodiku, forma më e hershme e librit të sotëm. Ky ishte një tufë fletësh të lidhura bashkë, dhe lexuesi mund ta hapte kodikun e të gjente kollaj një fragment nga Shkrimet. S’dihet me saktësi kur filluan ta përdornin të krishterët kodikun, por një vepër referimi thotë: «Përdorimi i kodikut nga të krishterët në shekullin e dytë ishte kaq universal, sa duhet të jetë futur në përdorim mjaft kohë para vitit 100 të e.s.»

SI HYNTE NË PUNË LIGJI ROMAK

13, 14. (a) Si e shfrytëzoi Pavli qytetarinë e tij romake? (b) Si nxirrnin dobi të krishterët nga ligji romak?

13 Ligji romak ishte në fuqi në mbarë perandorinë, dhe qytetaria ose nënshtetësia romake garantonte imunitet e të drejta të rëndësishme. Pavli e shfrytëzoi në disa raste qytetarinë e tij romake. Kur po bëheshin gati ta rrihnin me kamxhik në Jerusalem, apostulli pyeti një oficer romak: «A është e ligjshme që ju të fshikulloni një romak madje të padënuar?» Jo, nuk ishte. Kur Pavli tregoi se kishte lindur me të drejtat e qytetarisë romake, «ata që ishin bërë gati ta merrnin në pyetje duke e torturuar, u larguan prej tij. Kurse komandanti ushtarak u frikësua kur mori vesh se Pavli ishte romak, dhe se ai e kishte lidhur».Vep. 22:25-29.

14 Qytetaria e Pavlit sipas ligjit romak ndikoi te mënyra si e trajtuan në Filipi. (Vep. 16:35-40) Në Efes, pasi qetësoi një turmë të tërbuar, sekretari i qytetit iu referua sistemit ligjor romak. (Vep. 19:35-41) Kur ishte në Cezare, Pavli iu apelua Cezarit, dhe kjo hapi udhën që ta mbronte besimin para tij. (Vep. 25:8-12) Kështu, ligji romak bëri të mundur «mbrojtjen dhe . . . themelimin ligjërisht të lajmit të mirë».Filip. 1:7.

NDIKIMI I MËRGIMIT TË JUDENJVE

15. Sa të përhapura ishin komunitetet judeje në shekullin e parë?

15 Vepra e ungjillëzimit mund të ketë qenë më e lehtë në disa aspekte për të krishterët falë komuniteteve judeje të përhapura gjithandej në botën romake. Shekuj më parë, judenjtë i kishin syrgjynosur në dhé të huaj asirianët e pas tyre babilonasit. Që në shekullin e pestë p.e.s., në 127 provinca të Perandorisë Perse kishte komunitete judeje. (Est. 9:30) Kur Jezui ishte në tokë, kishte komunitete judenjsh në Egjipt dhe në pjesë të tjera të Afrikës Veriore, si edhe në Greqi, në Azinë e Vogël dhe në Mesopotami. Mendohet se nga 60.000.000 banorët e Perandorisë Romake, rreth 1 në 14 ishin judenj. Ngado që shkonin, ata sillnin me vete fenë e tyre.Mat. 23:15.

16, 17. (a) Si nxorën dobi shumë jojudenj nga mërgimi i judenjve? (b) Cilin model të judenjve përvetësuan dishepujt?

16 Meqë judenjtë i gjeje gjithandej, shumë jojudenj u familjarizuan me Shkrimet Hebraike. Mësuan se ka vetëm një Perëndi të vërtetë dhe se ata që i shërbejnë, duhet të mbajnë norma të larta etike dhe morale. Gjithashtu, Shkrimet Hebraike ishin plot me profeci për Mesinë. (Luka 24:44) Edhe judenjtë, edhe të krishterët e kishin të qartë se Shkrimet Hebraike ishin Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Kjo i dha mundësi Pavlit të ndërtonte ura lidhëse me ata që e kishin zemrën të prirur nga drejtësia. Prandaj, apostulli e kishte zakon të shkonte në sinagogat e judenjve dhe të arsyetonte me ta nga Shkrimet.Lexo Veprat 17:1, 2.

17 Judenjtë kishin vendosur një model adhurimi që më pas e ndoqën edhe dishepujt. Mblidheshin rregullisht në sinagoga ose në ambient të hapur. Këndonin, luteshin dhe shqyrtonin Shkrimet. Kongregacionet e krishtere sot ndjekin një model të ngjashëm.

U ARRIT FALË NDIHMËS SË JEHOVAIT

18, 19. (a) Si i ndihmuan rrethanat të krishterët në shekullin e parë? (b) Si ndihesh për Jehovain pasi ke shqyrtuar gjithë këto informacione?

18 Ja pra, gjithë këto rrethana unike së bashku ndihmuan që predikimi i lajmit të mirë të kishte sukses. Periudha Pax Romana, udhëtimi më i kollajshëm, një gjuhë ndërkombëtare, ligji romak dhe mërgimi i judenjve i ndihmuan dishepujt e Jezuit të kryenin veprën e predikimit që u kishte caktuar Perëndia.

19 Katër shekuj më parë, filozofi grek Platon i vuri në gojë këto fjalë një personazhi të tij: «Do të ishte punë goxha e vështirë të zbuloje bërësin dhe atin e këtij universi, po edhe sikur të gjendej, do të ishte e pamundur t’u flitje të gjithëve për të.» Por Jezui tha: «Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.» (Luka 18:27) Krijuesi i universit dëshiron që njerëzit ta gjejnë e ta njohin. Për më tepër, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mat. 28:19) Me ndihmën e Perëndisë Jehova mund t’ia dalim ta kryejmë këtë detyrë. Në artikullin tjetër do të tregohet si po bëhet kjo vepër sot.