Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndrojini besnikë Mbretërisë së Perëndisë

Qëndrojini besnikë Mbretërisë së Perëndisë

«Ata nuk janë pjesë e botës.»GJONI 17:16.

KËNGËT: 63, 129

1, 2. (a) Pse besnikëria ndaj Perëndisë është e rëndësishme për të krishterët, dhe si lidhet me asnjanësinë? (Shih figurën hapëse.) (b) Ndaj cilave gjëra tregojnë besnikëri mjaft veta, por çfarë mund të sjellë kjo?

BESNIKËRIA dhe asnjanësia janë çështje që na prekin gjithmonë si shërbëtorë të Jehovait, jo vetëm në kohë lufte. Pse? Sepse të gjithë ata që i janë kushtuar atij i kanë premtuar se do ta duan, do t’i qëndrojnë besnikë dhe do t’i binden. (1 Gjon. 5:3) Duam të respektojmë normat e drejta të Perëndisë kudo që jetojmë, pavarësisht nga prejardhja, kombësia a kultura. Besnikëria ndaj Jehovait dhe Mbretërisë së tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër që kemi për zemër. (Mat. 6:33) Kjo lloj besnikërie kërkon që shërbëtorët e tij të mos përfshihen fare në asnjë konflikt a polemikë të kësaj bote.Isa. 2:4; lexo Gjonin 17:11, 15, 16.

2 Ata që nuk kanë të njëjtin besim si ne mund të jenë veçanërisht besnikë ndaj vendit, ndaj fisit, ndaj kulturës, madje edhe ndaj skuadrave sportive kombëtare. Kur këto gjëra cenohen, kjo sjell konkurrencë, rivalitet dhe në raste ekstreme, gjakderdhje e gjenocid. Mënyra si i zgjidhin njerëzit këto çështje, qoftë për mirë, qoftë për keq mund të na prekë ne ose familjen tonë ngaqë duam apo s’duam jemi pjesë e shoqërisë njerëzore. Meqë Perëndia e krijoi njeriun me një ndjenjë drejtësie, ka gjasa të indinjohemi me ndonjë vendim të qeverive. (Zan. 1:27; Ligj. 32:4) Çfarë do të bënim në raste të tilla? Fare kollaj mund të mbanim anë në çështjet e kësaj bote dhe pa e kuptuar mund të përfshiheshim në polemika.

3, 4. (a) Pse të krishterët qëndrojnë asnjanës në polemikat e kësaj bote? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Institucionet që qeverisin shoqërinë njerëzore mund t’u bëjnë presion qytetarëve të mbështetin njërën palë në konflikte. Të krishterët e vërtetë nuk mbështetin asnjë palë. Ne nuk marrim pjesë në polemikat politike të kësaj bote, as rrëmbejmë armët për të luftuar. (Mat. 26:52) Qëndrojmë të patundur kur të tjerët përpiqen të na përfshijnë që të lartësojmë ndonjë aspekt të botës së Satanait mbi një tjetër. (2 Kor. 2:11) Ngaqë nuk jemi pjesë e botës, s’ngatërrohemi fare me asnjë nga konfliktet e saj.Lexo Gjonin 15:18, 19.

4 Megjithatë jemi të papërsosur dhe disa prej nesh ndoshta e kanë të vështirë të çrrënjosin karakteristikat tipike përçarëse të personalitetit të vjetër. (Jer. 17:9; Efes. 4:22-24) Prandaj në këtë artikull do të shqyrtojmë disa parime që na ndihmojnë t’i mposhtim prirje të tilla. Do të shohim edhe si ta stërvitim mendjen e ndërgjegjen që të jemi besnikë ndaj Mbretërisë së Perëndisë.

PSE NUK MBAJMË ANË NË ÇËSHTJET E BOTËS

5, 6. Si i shihte Jezui grupet e ndryshme në kombin ku jetonte, dhe pse?

5 Nëse ndonjëherë nuk di si të sillesh në një situatë të caktuar, do të ishte e mençur të pyesje veten: «Ç’do të kishte bërë Jezui?» Në kombin ku jetoi Jezui kishte njerëz nga rajone të ndryshme: nga Judea, Galilea, Samaria etj. Nga tregimet biblike kuptojmë se mes njerëzve të këtyre zonave kishte marrëdhënie të tendosura. (Gjoni 4:9) Kishte marrëdhënie të tendosura edhe mes farisenjve e saducenjve (Vep. 23:6-9), mes popullit e taksambledhësve (Mat. 9:11) dhe mes atyre që kishin arsimim rabinik dhe atyre që nuk e kishin. (Gjoni 7:49) Në shekullin e parë në Izrael sundonin romakët, të cilët vendësit i kishin shumë inat. Jezui mbrojti të vërtetën e Shkrimeve Hebraike dhe pranoi se shpëtimi fillonte nga judenjtë, ama s’i nxiti kurrë dishepujt të përkrahnin njërën palë në konflikte. (Gjoni 4:22) Përkundrazi, i nxiti t’i donin të gjithë njerëzit sikur të ishin të afërmit e tyre.Luka 10:27.

6 Pse nuk i mbështeti Jezui paragjykimet tipike të judenjve? Sepse as ai, as i Ati nuk mbajnë anë në polemikat e kësaj bote. Kur me anë të të Birit Jehovai krijoi burrin dhe gruan, kishte si qëllim që ata të mbushnin gjithë tokën me njerëz. (Zan. 1:27, 28) Perëndia i krijoi njerëzit në atë mënyrë që prej tyre të vinin raca të ndryshme. As Jehovai, as Jezui nuk lartësojnë një racë, kombësi apo gjuhë mbi një tjetër. (Vep. 10:34, 35; Zbul. 7:9, 13, 14) Edhe ne duhet të imitojmë shembullin e tyre të përsosur.Mat. 5:43-48.

7, 8. (a) Në cilën çështje duhet të mbajnë anën shërbëtorët e Jehovait? (b) Çfarë duhet të pranojnë adhuruesit e vërtetë kur vjen puna te zgjidhja e problemeve politike dhe sociale?

7 Sidoqoftë, në një çështje duhet të mbajmë anë se s’bën: në çështjen e sovranitetit universal të Jehovait. Polemika e parë për këtë u ngrit në Eden kur Satanai sfidoi mënyrën si qeveris Jehovai. Sot të gjithë duhet të vendosin nëse e besojnë vërtet se mënyra si i bën gjërat Perëndia është më e mirë se mënyra e Satanait, ose anasjelltas. Pyete veten sinqerisht: «A marr anën e Jehovait duke zgjedhur t’u bindem ligjeve e normave të tij, në vend që t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime? A e shoh Mbretërinë e tij si zgjidhjen e vetme për problemet e njerëzimit? Apo besoj se njeriu është i aftë të qeverisë vetë?»Zan. 3:4, 5.

8 Përgjigjet e tua do të tregojnë si do të reagosh kur të tjerët të të kërkojnë mendim për çështje që ngjallin debat. Politikanë, aktivistë e reformatorë janë munduar prej kohësh të gjejnë zgjidhje për çështje që shkaktojnë përçarje. Ndoshta përpiqen me gjithë zemër e me motiv të mirë. Prapëseprapë, të krishterët e pranojnë se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë problemet e njerëzimit e të garantojë drejtësi të vërtetë. Këtë duhet ta lëmë në dorë të Jehovait. Në fund të fundit, nëse një vëlla a motër do t’i bënte jehonë zgjidhjes që i duket më e mira, a nuk do të përçaheshin shumë shpejt kongregacionet?

9. Cili problem ekzistonte në kongregacionin e Korintit në shekullin e parë, por çfarë zgjidhjeje sugjeroi apostulli Pavël?

9 Le të shohim si reaguan disa në shekullin e parë kur në kongregacion u ngrit një çështje që sillte përçarje. Disa individë në Korint thoshin: «‘Unë i përkas Pavlit’, ‘unë Apolit’, ‘unë Kefës’, ‘unë Krishtit’.» Pavarësisht se cila ishte rrënja e atij problemi, apostulli Pavël u indinjua nga ndikimi që solli. Dukej sikur ‘Krishti ishte i ndarë’. Cila ishte zgjidhja për mendime të tilla provokuese? Pavli i nxiti të krishterët: «Tani ju nxit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi.» Edhe në kongregacionin e sotëm nuk duhet të ketë asnjë lloj përçarjeje.1 Kor. 1:10-13; lexo Romakëve 16:17, 18.

10. Si e ilustroi apostulli Pavël se të krishterët nuk duhet të mbajnë anë në debatet e botës?

10 Pavli i nxiti vëllezërit e mirosur t’i mbanin sytë te qytetaria e tyre qiellore dhe jo te gjërat në tokë. (Filip. 3:17-20) * Ata duhej të vepronin si ambasadorë në vend të Krishtit. Ambasadorët nuk përzihen në çështjet e kombit ku dërgohen. Ata i qëndrojnë besnikë vendit të tyre. (2 Kor. 5:20) Edhe ata me shpresë tokësore janë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, ndaj nuk duhet të mbajnë anë në debatet e botës.

STËRVITU QË TË JESH BESNIK NDAJ JEHOVAIT

11, 12. (a) Në cilat raste mund ta kemi të vështirë t’i qëndrojmë besnikë Mbretërisë së Perëndisë? (b) Me cilën çështje u përball një motër, dhe si e kapërceu?

11 Në shumë pjesë të botës, vendësit janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin pasi kanë të njëjtën histori, kulturë e gjuhë për të cilat krenohen goxha. Në këto raste, vëllezërit e motrat duhet ta stërvitin mendjen e ndërgjegjen në atë mënyrë që të reagojnë siç duhet kur ngrihen çështje për asnjanësinë. Si?

12 Të marrim rastin e Mirjetës *, e cila është nga një rajon i ish-Jugosllavisë. Që nga vogëlia e nxitën të urrente serbët. Kur mësoi se Jehovai është i paanshëm dhe se Satanai është përgjegjës për nxitjen e problemeve etnike, ajo u përpoq fort t’i çrrënjoste ndjenjat patriotike. Megjithatë, kur në zonën e saj shpërtheu dhuna etnike, urrejtjet e vjetra nisën të nxirrnin sërish kokë, duke ia bërë Mirjetës të vështirë t’u predikonte serbëve. Por e kuptoi se nuk mund të rrinte duarkryq me shpresën se ato ndjenja të gabuara thjesht do të iknin vetë. Iu përgjërua Jehovait për ndihmë jo vetëm që ta kapërcente këtë pengesë, por edhe që të shtonte shërbimin e të kualifikohej për t’u bërë pioniere. Mirjeta thotë: «E kam bërë shërbimin boshtin e jetës sime dhe kjo më ka ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër. Në shërbim përpiqem të imitoj personalitetin e dashur të Jehovait, e falë kësaj avash-avash ndjenjat negative më janë fashitur.»

13. (a) Pse u vu në siklet një motër, por si reagoi? (b) Ç’mësojmë nga përvoja e Zoilës?

13 Të shohim një shembull tjetër, atë të Zoilës që është nga Meksika, por tani shoqërohet me një kongregacion në Evropë. Ajo dëgjoi disa vëllezër në kongregacion, që ishin nga vende të Amerikës Latine, të bënin komente pa takt dhe përçmuese për atdheun e saj, për zakonet, madje edhe për muzikën. Si do të reagoje ti? Kuptohet që komente të tilla e vunë në siklet Zoilën. Por kjo motër meriton të lavdërohet sepse i kërkoi ndihmë Jehovait për të mposhtur çdo ndjenjë negative që i lindi përbrenda. Duhet ta pranojmë se disa prej nesh ende po luftojnë me probleme të tilla. Nuk do të donim kurrë të thoshim a të bënim diçka që mund t’i frynte zjarrit të përçarjes ose të nxiste llojin e gabuar të besnikërisë mes vëllezërve tanë, a mes të tjerëve.Rom. 14:19; 2 Kor. 6:3.

14. Si mund ta stërvitim mendjen dhe ndërgjegjen për sa i përket besnikërisë?

14 A je rritur në një ambient ku ushqehet besnikëria ndaj kombit a zonës sate? A ekziston ende te ti ndonjë gjurmë e ndjenjave të tilla? Si shërbëtorë të Jehovait, nuk duhet të lejojmë që fryma e zjarrtë patriotike të na e shtrembërojë pikëpamjen për të tjerët. Po ç’mund të bësh nëse kupton se ke ndjenja paragjykuese për njerëz të kombeve, të kulturave, të gjuhëve e të racave të tjera? Medito për pikëpamjen e Jehovait rreth nacionalizmit dhe paragjykimit. Mund të bësh edhe kërkime për tema të tilla që t’i studiosh gjatë studimit personal ose adhurimit familjar. Më pas përgjëroju Jehovait që të përqafosh pikëpamjen e tij për këto çështje.Lexo Romakëve 12:2.

Besnikëria ndaj Jehovait kërkon që të jemi të palëkundur para kërcënimeve (Shih paragrafët 15, 16.)

15, 16. (a) Çfarë reagimi presim nga të tjerët ngaqë i qëndrojmë besnikë Perëndisë? (b) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të përballojnë sfidën e besnikërisë së krishterë?

15 Herët a vonë, për shkak të ndërgjegjes të gjithë shërbëtorët e Jehovait do të gjenden në situata ku do të bien në sy si të ndryshëm nga të tjerët—qofshin kolegë, shokë klase, fqinjë, të afërm e kështu me radhë. (1 Pjet. 2:19) Dhe kështu duhet të jetë. Nuk ka pse të habitemi nëse bota na urren për qëndrimin tonë, pasi Jezui na paralajmëroi për këtë. Shumica e kundërshtarëve nuk e kuptojnë rëndësinë e çështjes së asnjanësisë së krishterë. Ama për ne është tejet e rëndësishme.

16 Besnikëria ndaj Jehovait kërkon që të jemi të palëkundur para kërcënimeve. (Dan. 3:16-18) Frika nga njeriu mund të ndikojë te të gjitha moshat, por veçanërisht të rinjtë mund ta kenë të vështirë të ecin kundër rrymës. Nëse fëmijët e tu po përballen me çështje, si nderimi i flamurit ose festat patriotike, ndihmoji pa humbur kohë. Shfrytëzo Adhurimin Familjar që fëmijët të kuptojnë çfarë përfshihet në këto çështje, e kështu të përballojnë me guxim situata të vështira. Ndihmoji t’i shprehin qartë e plot respekt bindjet e tyre. (Rom. 1:16) Nëse të duket e nevojshme, merr iniciativën e fol me mësuesit për këto çështje që të mbështetësh më tepër fëmijën.

TË ÇMOJMË ÇDO GJË QË KA KRIJUAR JEHOVAI

17. Cilin qëndrim duhet të shmangim, dhe pse?

17 Kuptohet se mund të kemi për zemër mjedisin, kulturën, gjuhën dhe ushqimin e vendit ku jemi rritur. Sidoqoftë, duhet të shmangim qëndrimin «s’ka si vendi im». Jehovai ka krijuar një shumëllojshmëri në çdo aspekt të krijimit për kënaqësinë tonë. (Psal. 104:24; Zbul. 4:11) Atëherë, pse të këmbëngulim se një mënyrë veprimi është më e mirë se një tjetër?

18. Ç’bekime do të kemi nëse përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait?

18 Perëndia do që njerëz të çdo lloji të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës e të gëzojnë jetën e përhershme. (Gjoni 3:16; 1 Tim. 2:3, 4) Kur jemi mendjehapur ndaj larmisë së ideve që s’kanë asgjë të keqe, pasurohemi dhe mbrojmë unitetin e krishterë. Teksa vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, nuk duhet të përfshihemi në polemikat e botës. Mes nesh nuk ka vend mbajtja me hatër e njërës palë. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka çliruar nga zakonet që nxitin përçarje, krenari e konkurrencë, të cilat mbizotërojnë në botën e Satanait! Le të bëjmë çmos të mbajmë një qëndrim paqësor si ai i psalmistit: «Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»Psal. 133:1.

^ par. 10 Filipia ishte koloni romake. Disa pjesëtarë të kongregacionit atje mund të kenë pasur një lloj qytetarie romake, falë së cilës kishin disa privilegje më të mëdha se vëllezërit e tyre.

^ par. 12 Disa emra janë ndryshuar.