Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja vendi ynë i adhurimit!

Ja vendi ynë i adhurimit!

«Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.»GJONI 2:17.

KËNGËT: 127, 118

1, 2. (a) Cilat vende adhurimi kanë përdorur shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën? (b) Si ndihej Jezui për tempullin e Perëndisë në Jerusalem? (c) Cili është qëllimi i këtij artikulli?

QË NË lashtësi, shërbëtorët e Perëndisë kanë pasur vende të posaçme për adhurimin e pastër. Abeli mund të ketë përdorur një altar kur i bëri flijime Perëndisë. (Zan. 4:3, 4) Edhe Noeja, Abrahami, Isaku, Jakobi e Moisiu ngritën altarë. (Zan. 8:20; 12:7; 26:25; 35:1; Dal. 17:15) Izraelitët ndërtuan tabernakullin nën drejtimin e Jehovait. (Dal. 25:8) Më vonë ata ndërtuan një tempull për të adhuruar Jehovain. (1 Mbret. 8:27, 29) Pasi u kthyen nga mërgimi në Babiloni, judenjtë mblidheshin rregullisht në sinagoga. (Mar. 6:2; Gjoni 18:20; Vep. 15:21) Të krishterët e hershëm mblidheshin në shtëpitë e pjesëtarëve të kongregacionit. (Vep. 12:12; 1 Kor. 16:19) Sot, populli i Jehovait mblidhet për arsimim e adhurim në dhjetëra mijë Salla Mbretërie anekënd botës.

2 Jezui e donte dhe e çmonte kaq shumë tempullin e Jehovait në Jerusalem, saqë një shkrimtar i Ungjillit i zbatoi për të këto fjalë profetike: «Zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë.» (Psal. 69:9; Gjoni 2:17) Asnjë Sallë Mbretërie nuk mund të quhet me të drejtë «shtëpia e Jehovait» në të njëjtin kuptim siç quhej tempulli në Jerusalem. (2 Kron. 5:13; 33:4) Sidoqoftë, Bibla ka parime që na tregojnë si duhet t’i përdorim e t’i respektojmë vendet tona të adhurimit sot. Qëllimi i këtij artikulli është të rishikojmë disa nga këto parime e të shohim si lidhen me pikëpamjen tonë për Sallat e Mbretërisë, si edhe me financimin e me mirëmbajtjen e tyre. *

TË TREGOJMË RESPEKT PËR ADHURIMIN E PASTËR

3-5. Pse ekzistojnë Sallat e Mbretërisë, dhe si duhet të ndikojë kjo te pikëpamja jonë për mbledhjet që bëjmë atje?

3 Një Sallë Mbretërie është qendra e adhurimit të pastër për zonën ku ndodhet. Ndër masat që Jehovai merr për të na ushqyer frymësisht janë edhe mbledhjet javore në Sallën e Mbretërisë. Atje marrim drejtimin dhe freskimin frymor jetësorë që vijnë nga organizata e tij. Të gjithë ata që shkojnë në mbledhje, në njëfarë kuptimi janë të ftuar nga Jehovai e nga Biri i tij. Megjithëse kemi një ftesë të përhershme për të ngrënë në «tryezën e Jehovait», nuk duhet ta marrim kurrë si të zakonshme.1 Kor. 10:21.

4 Këto raste ku adhurojmë dhe ku inkurajojmë njëri-tjetrin janë kaq të rëndësishme për Jehovain, saqë e frymëzoi apostullin Pavël të na nxiste të mos i braktisnim mbledhjet tona. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) A do të tregonim respekt për Jehovain nëse do të mungonim në mbledhje për arsye të dobëta? Vërtet, tregojmë vlerësim për Jehovain dhe për masat që ka marrë kur përgatitemi për mbledhjet e kur marrim pjesë me gjithë zemër në to.Psal. 22:22.

5 Të kesh qëndrimin e duhur për Sallën e Mbretërisë do të thotë të respektosh strukturën fizike dhe aktivitetet frymore që zhvillohen atje. A nuk është e vërtetë se qëndrimi ynë lidhet ngushtë me atë që ndiejmë për emrin e Perëndisë, i cili zakonisht shkruhet te tabela e Sallës së Mbretërisë?—Krahaso 1 Mbretërve 8:17.

6. Si janë shprehur disa për Sallat e Mbretërisë dhe për ata që i frekuentojnë? (Shih figurën hapëse.)

6 Respekti që tregojmë për vendet tona të adhurimit shpesh vihet re nga ata që nuk janë Dëshmitarë. Për shembull, një burrë në Turqi tha: «Pastërtia dhe rregullsia që pashë në Sallën e Mbretërisë më lanë pa fjalë. Njerëzit ishin të veshur mirë, të qeshur e më pritën ngrohtësisht. Kjo më ngeli në mendje.» Ky burrë nisi të ndiqte mbledhjet rregullisht dhe u pagëzua jo shumë kohë më pas. Në një qytet të Indonezisë, para se të bënte kushtimin e Sallës së re të Mbretërisë, një kongregacion organizoi një pritje për publikun ku ftoi qeveritarët e fqinjët. Mori pjesë edhe kryetari i bashkisë. Atij i bëri goxha përshtypje cilësia e ndërtesës, prakticiteti dhe kopshti i bukur. Ai u shpreh: «Pastërtia e kësaj Salle pasqyron besimin tuaj të sinqertë.»

Sjellja jonë mund të mos tregojë respekt për Perëndinë (Shih paragrafët 7, 8.)

7, 8. Cilat çështje të rëndësishme duhet të mbajnë në mendje ata që ndjekin mbledhjet e krishtere?

7 Respekti për Perëndinë që na fton në mbledhjet e krishtere duhet të pasqyrohet në sjelljen, në veshjen tonë dhe në mënyrën si mbahemi. Gjithashtu duhet të shmangen ekstremet. Është vënë re se, ndërkohë që disa janë tepër striktë për sa i përket sjelljes së duhur në mbledhje, të tjerë mund të jenë tepër të shkujdesur. Natyrisht, Jehovai dëshiron që shërbëtorët e tij dhe të ftuarit të ndihen rehat. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit s’duhet t’ua ulin dinjitetin mbledhjeve duke u veshur në mënyrë jo mjaft serioze. Përveç kësaj nuk është e hijshme që gjatë programit të dërgojmë mesazhe, të bisedojmë, të hamë, të pimë e kështu me radhë. Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët që të kuptojnë se Salla e Mbretërisë nuk është vend për të vrapuar a për të luajtur.Ekl. 3:1.

8 Jezui u indinjua tej mase dhe i flaku jashtë tempullit të Perëndisë ata që merreshin me tregti. (Gjoni 2:13-17) Edhe Sallat tona të Mbretërisë janë vende për adhurimin e pastër dhe për arsimimin frymor. Prandaj çfarëdo lloj tregtie, diçka që s’ka të bëjë fare me gjërat frymore, duhet të bëhet diku tjetër.—Krahaso Neheminë 13:7, 8.

SIGUROHEN E FINANCOHEN SALLA MBRETËRIE

9, 10. (a) Si sigurohen e financohen Sallat e reja të Mbretërisë, dhe me ç’rezultat? (b) Cila masë e dashur ka qenë një ndihmë e madhe për kongregacionet që nuk kishin fonde për të ndërtuar Salla të Mbretërisë?

9 Organizata e Jehovait bën çmos që të sigurojë Salla modeste Mbretërie e të mbështetë financimin e tyre. Projektimin, ndërtimin dhe meremetimin e tyre e kryejnë vullnetarë që nuk paguhen. Me ç’rezultat? Që nga 1 nëntori 1999, janë siguruar më tepër se 28.000 qendra të bukura të adhurimit të pastër për kongregacionet anekënd botës. Kjo do të thotë se gjatë 15 viteve të fundit janë siguruar mesatarisht pesë Salla Mbretërie në ditë.

10 Po bëhen përpjekje për të përkrahur ndërtimin e Sallave të Mbretërisë kudo ku nevojiten. Kjo masë e dashur bazohet në parimin biblik që teprica e disave të plotësojë mungesën e të tjerëve, e «në këtë mënyrë të ketë barazi». (Lexo 2 Korintasve 8:13-15.) Falë kësaj mase, janë siguruar qendra të bukura të adhurimit të pastër për ato kongregacione që nuk do t’i kishin gjetur kurrë fondet për të ndërtuar një Sallë Mbretërie.

11. Si shprehen disa vëllezër për Sallat e reja të Mbretërisë, dhe si të bëjnë të ndihesh shprehjet e tyre nga zemra?

11 Një kongregacion në Kosta-Rikë që përfitoi nga kjo masë shkroi: «Na duket si ëndërr kur jemi para Sallës së Mbretërisë. S’u besojmë dot syve! Salla jonë e bukur u ndërtua vetëm për tetë ditë dhe s’mungon asnjë gjë. Kjo u arrit falë bekimit të Jehovait, falë masave të organizatës së tij dhe falë mbështetjes së vëllezërve tanë të shtrenjtë. Ky vend adhurimi është vërtet një dhuratë e vyer, një margaritar nga Jehovai. S’na mban vendi nga gëzimi.» A nuk të ngrohin zemrën shprehje të tilla mirënjohjeje për Sallat e reja të Mbretërisë dhe kur e di se të njëjtin gëzim po e provojnë edhe vëllezër të tjerë në mijëra vende të botës? Jehovai po e bekon këtë vepër, pasi me të mbaruar këto Salla Mbretërie, shpesh mbushen me njerëz të sinqertë që duan të mësojnë më shumë për Krijuesin tonë të dashur.Psal. 127:1.

12. Si mund të bësh pjesën tënde në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë?

12 Mjaft vëllezër e motra që kanë marrë pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë janë gëzuar pa masë. Pavarësisht nëse kemi mundësi të ndihmojmë në një kantier ndërtimi apo jo, të gjithë mund të shijojmë privilegjin që t’i përkrahim këto projekte me anë të kontributeve. Në kohët biblike projektet teokratike për adhurimin e pastër u financuan nga shërbëtorë të zellshëm, dhe kjo është e vërtetë edhe sot. Gjithçka bëhet në lavdi të Jehovait.Dal. 25:2; 2 Kor. 9:7.

PASTRIMI I SALLËS SË MBRETËRISË

13, 14. Cilat parime biblike zbatohen për sa i përket pastrimit e rregullsisë së Sallave të Mbretërisë?

13 Pasi përfundon ndërtimi i një Salle Mbretërie, ajo duhet mbajtur e pastër dhe e rregullt që të pasqyrojë cilësitë dhe personalitetin e Perëndisë që adhurojmë—Perëndisë së rregullit. (Lexo 1 Korintasve 14:33, 40.) Bibla e lidh shenjtërinë dhe pastërtinë frymore me pastërtinë fizike. (Zbul. 19:8) Ndaj, nëse duam të jemi të pranueshëm nga Jehovai, duhet të mbajmë edhe higjienë të mirë.

14 Në përputhje me këto parime, kurrë nuk duhet të ndihemi në siklet kur i ftojmë të interesuarit në mbledhje. Duhet të jemi të sigurt se gjendja e mirë e sallës do t’ia rritë vlerën lajmit të mirë. Ata do të kuptojnë qartë se adhurojmë një Perëndi të shenjtë që së shpejti do ta shndërrojë tokën në një parajsë plotësisht të pastër.Isa. 6:1-3; Zbul. 11:18.

15, 16. (a) Pse mund të mos jetë kollaj të mbahet e pastër Salla e Mbretërisë, por pse është e domosdoshme kjo? (b) Çfarë programi për pastrimin e sallës ka në kongregacionin tënd, dhe ç’privilegj ka secili prej nesh?

15 Disa janë më tepër meraklinj për pastrimin sesa të tjerë. Perceptimi i nivelit të pastërtisë ndikohet nga mënyra si jemi rritur dhe nga faktorë të tillë, si balta, pluhuri, gjendja e rrugëve dhe nëse ka sasi të mjaftueshme uji dhe detergjentë. Sido që të jenë qëndrimi a rrethanat e vendësve, Salla jonë e Mbretërisë duhet të jetë shembull kur vjen puna te mirëmbajtja, sepse mban emrin e Jehovait dhe është një vend i adhurimit të pastër.Ligj. 23:14.

16 Pastrimi i Sallës nuk duhet t’i lihet rastësisë. Çdo trup pleqsh duhet të sigurohet që të ketë një program, si edhe pajisje e detergjentë për ta bërë xixë vendin e adhurimit të kongregacionit. Kërkohet bashkëpunim dhe mbikëqyrje e mirë për t’u siguruar që asgjë të mos anashkalohet, sepse disa punë që lidhen me pastrimin duhen bërë pas çdo mbledhjeje, kurse të tjera më rrallë. Të gjithë pjesëtarët e kongregacionit kanë privilegjin të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

TË MIRËMBAJMË VENDIN TONË TË ADHURIMIT

17, 18. (a) Çfarë shembujsh biblikë kemi për mirëmbajtjen e vendeve të adhurimit të pastër? (b) Pse duhen mbajtur mirë Sallat e Mbretërisë?

17 Gjithashtu, shërbëtorët e Jehovait bëjnë çmos t’i mirëmbajnë vendet e adhurimit. Mbreti Jehoas i Judës i urdhëroi priftërinjtë të përdornin kontributet që ishin bërë në shtëpinë e Jehovait për ‘të meremetuar plasat e shtëpisë kudo që të kishte të tilla’. (2 Mbret. 12:4, 5) Më se 200 vjet më vonë, edhe mbreti Josia përdori kontributet e tempullit për meremetimet e nevojshme.Lexo 2 Kronikave 34:9-11.

18 Disa zyra dege raportojnë se në vendet e tyre njerëzit nuk e vrasin shumë mendjen për mirëmbajtjen e godinave ose të pajisjeve. Ndoshta pak veta në vende të tilla kanë përvojën ose të ardhurat për këtë lloj pune. Por, nëse Salla e Mbretërisë nuk do të mirëmbahej, godina do të prishej para kohe dhe kjo s’do të ishte dëshmi e mirë për zonën ku ndodhet. Nga ana tjetër, kur pjesëtarët e kongregacionit bëjnë gjithë sa munden për ta mbajtur mirë Sallën e Mbretërisë, Jehovai lëvdohet dhe kontributet e bashkëbesimtarëve kursehen.

Pastrimi dhe mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë nuk duhen lënë pas dore (Shih paragrafët 16, 18.)

19. Çfarë je i vendosur të bësh kur vjen puna te godinat tona të adhurimit të pastër?

19 Salla e Mbretërisë është godinë e kushtuar Jehovait. Prandaj, pavarësisht se kush është regjistruar si pronar në shtet, nuk mund të thuhet se godina i përket ndonjë individi ose kongregacioni. Parimet biblike na udhëzojnë të bashkëpunojmë plotësisht për t’u siguruar që kjo godinë të jetë në lartësinë e qëllimit për të cilin u ndërtua. Të gjithë në kongregacion mund të japin një dorë në këtë drejtim nëse tregojnë respektin e duhur për vendet e adhurimit. Këtë e bëjnë qoftë duke dhënë kontribute për godinat e reja, qoftë duke shpenzuar vullnetarisht kohën dhe energjinë për t’i pastruar e për t’i mirëmbajtur siç duhet Sallat e Mbretërisë që tashmë kemi. Kështu tregojmë zell për vendin e adhurimit të pastër të Jehovait, ashtu si Jezui.Gjoni 2:17.

^ par. 2 Edhe pse ky artikull bën fjalë kryesisht për Sallat e Mbretërisë, të njëjtat parime vlejnë edhe për Sallat e Asambleve apo për ambiente të tjera që përdoren për adhurimin e pastër.