Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes nga shoqëria e keqe në këto ditë të fundit!

Kujdes nga shoqëria e keqe në këto ditë të fundit!

«Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 KOR. 15:33.

KËNGËT: 73, 119

1. Në ç’periudhë po jetojmë?

JETOJMË në kohë tejet të vështira. Periudhën që nisi më 1914 Bibla e quan «ditët e fundit». Kushtet e këtyre ‘kohëve kritike’ janë ku e ku më të rënda se çfarëdo gjëje që ka përjetuar njerëzimi para këtij viti të shënuar. (2 Tim. 3:1-5) Veç kësaj, bota do të katandiset gjithnjë e më keq sepse profecia biblike thotë se «njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq».2 Tim. 3:13.

2. Nga se karakterizohet zbavitja e kësaj bote? (Shih figurën hapëse.)

2 Për t’u zbavitur, shumë veta shohin ose praktikojnë gjëra që Bibla i quan të dhunshme, imorale, spiritiste ose që tregojnë mungesë respekti për Perëndinë në mënyra të tjera. Për shembull, Interneti, programet televizive, filmat, romanet dhe artikujt e revistave shpesh i paraqitin në dritë pozitive dhunën dhe imoralitetin seksual. Madje në disa vende janë bërë të ligjshme sjellje që dikur shiheshin si të papranueshme. Por kjo s’do të thotë se sjellje të tilla janë të pranueshme për Perëndinë.Lexo Romakëve 1:28-32.

3. Si shihen zakonisht ata që jetojnë sipas normave biblike?

3 Dishepujt e Jezuit në shekullin e parë ishin shënjestër shpifjesh e përndjekjesh, sepse u rrinin larg zbavitjeve të fëlliqura dhe jetonin sipas normave të Perëndisë. Apostulli Pjetër u shkroi të krishterëve: «Meqë nuk vazhdoni të vraponi me ta në këtë udhë, drejt të njëjtit batak shfrenimi, atyre u vjen çudi dhe vazhdojnë t’ju shajnë.» (1 Pjet. 4:4) Edhe sot bota i sheh si të çuditshëm ata që jetojnë sipas normave të Perëndisë. Për më tepër Bibla thotë: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.»2 Tim. 3:12.

«SHOQËRITË E KËQIJA PRISHIN ZAKONET E DOBISHME»

4. Çfarë na paralajmërojnë Shkrimet për sa i përket botës?

4 Shkrimet i paralajmërojnë ata që dëshirojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë të mos e duan këtë botë dhe praktikat e saj. (Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.) Elementët fetarë, politikë dhe tregtarë të botës—bashkë me mediat e tyre—janë nën ndikimin e ‘perëndisë së kësaj bote’, Satana Djallit. (2 Kor. 4:4; 1 Gjon. 5:19) Prandaj, si shërbëtorë të Jehovait duhet të bëjmë kujdes kur zgjedhim shoqëritë. Në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë gjejmë këtë të vërtetë themelore: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»1 Kor. 15:33.

5, 6. Shoqërinë e kujt duhet të shmangim, dhe pse?

5 Që të mos prishim zakonet e dobishme, s’duhet të kemi shoqëri të ngushtë me ata që praktikojnë të keqen. Kjo vlen jo vetëm për shoqërinë me jobesimtarë të tillë, por edhe me ata që pohojnë se adhurojnë Jehovain, ama i shkelin me dashje ligjet e tij. Nëse këta të fundit kryejnë mëkate serioze dhe nuk pendohen, e ndërpresim shoqërinë me ta.Rom. 16:17, 18.

6 Po të shoqërohemi me njerëz që nuk u binden ligjeve të Perëndisë, mund të kemi prirjen të sillemi si ata vetëm e vetëm që të na pranojnë. Për shembull, nëse lidhemi ngushtë me njerëz imoralë, mund të tundohemi të bëjmë imoralitet seksual. Tamam kështu u ka ndodhur disave që iu kushtuan Jehovait, dhe një pjesë e tyre u përjashtuan se nuk u penduan. (1 Kor. 5:11-13) Po të mbeten të papenduar, mund të katandisen në gjendjen që përshkruan Pjetri.Lexo 2 Pjetrit 2:20-22.

7. Cilët duhet të zgjedhim si miq të ngushtë?

7 Ndonëse tregohemi mirëdashës edhe me njerëz që nuk i respektojnë ligjet e Perëndisë, nuk duhet të zëmë miqësi ose shoqëri të ngushtë me ta. Ndaj do të ishte e gabuar që një Dëshmitar i Jehovait që është beqar të njihet me dikë të seksit tjetër që nuk është i kushtuar dhe besnik ndaj Perëndisë e nuk respekton normat e Tij të larta. Të mbajmë integritetin ndaj Jehovait është ku e ku më e rëndësishme se të fitojmë admirimin e njerëzve që nuk jetojnë sipas ligjeve të tij. Miqtë tanë të afërt duhet të jenë ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë. Jezui tha: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.»Mar. 3:35.

8. Si ndikoi tek izraelitët e lashtë shoqëria e keqe?

8 Izraelitët i hoqën në kurriz pasojat shkatërrimtare të shoqërive të këqija. Kur i çliroi nga skllavëria në Egjipt dhe u priu drejt Tokës së Premtuar, Jehovai u tha për marrëdhëniet me banorët e atyre viseve: «Mos u përkul para perëndive të tyre dhe mos u shërbe. Mos bëj asgjë të ngjashme me veprat e tyre, por do t’i rrëzosh dhe do t’i thyesh kolonat e tyre të shenjta. Shërbejini Jehovait, Perëndisë tuaj.» (Dal. 23:24, 25) Por, përfundimisht shumica e izraelitëve nuk iu bindën udhëzimeve të Perëndisë. (Psal. 106:35-39) Ngaqë nuk i qëndruan besnikë Perëndisë, vite më vonë Jezui u tha: «Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mat. 23:38) Jehovai e flaku tej Izraelin dhe zgjodhi të bekonte si popullin e vet kongregacionin e krishterë të sapoformuar.Vep. 2:1-4.

KI KUJDES SE ÇFARË LEXON E ÇFARË SHEH

9. Pse mund të jetë e rrezikshme media e kësaj bote?

9 Një pjesë e mirë e asaj që paraqet media mund t’i rrezikojë frymësisht shërbëtorët e Jehovait. Materiale të tilla nuk kanë si qëllim të forcojnë besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij. Përkundrazi, janë pasqyrë e botës së ligë të Satanait dhe e synimeve të saj. Prandaj duhet të tregojmë jashtë mase kujdes të mos zgjedhim materiale që do të na ngjallnin «dëshirat e botës».—Titit 2:12.

10. Ç’do të ndodhë me materialet e dëmshme që ofron media për të parë dhe për të lexuar?

10 Së shpejti, s’do të ekzistojnë më materialet e dëmshme që ofron media për të parë dhe për të lexuar. Të gjitha do të zhduken kur të asgjësohet bota që përfaqësojnë, pra bota e Satanait. Fjala e Perëndisë thotë qartë: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjon. 2:17) Po ashtu, psalmisti këndoi: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Për sa kohë? «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»Psal. 37:9, 11, 29.

11. Si po i siguron Perëndia ushqim frymor të shëndetshëm popullit të tij?

11 Krejt ndryshe nga materialet që nxjerr kjo botë, ato që nxjerr organizata e Jehovait në këto ditë të fundit na nxitin të jetojmë në një mënyrë që do të na çojë drejt jetës së pafund. Jezui i tha në lutje Jehovait: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Me anë të organizatës së tij, Ati ynë qiellor na siguron me bollëk ushqim frymor të shëndetshëm. Çfarë bekimi që kemi revista, broshura, libra, video dhe faqe Interneti që çojnë përpara adhurimin e vërtetë! Organizata e Perëndisë siguron edhe mbledhje që mbahen rregullisht në mbi 110.000 kongregacione përqark botës. Në këto mbledhje, si edhe në asamble e kongrese, studiojmë materiale të bazuara në Bibël që na çelikosin besimin te Perëndia e te premtimet e tij.Hebr. 10:24, 25.

MARTOHU «VETËM NË ZOTËRINË»

12. Shpjegoni drejtimin e Biblës për t’u martuar «vetëm në Zotërinë».

12 Dëshmitarët beqarë që duan të martohen duhet të tregojnë akoma më tepër kujdes kur zgjedhin shoqërinë. Fjala e Perëndisë thotë shkoqur: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?» (2 Kor. 6:14) Bibla i nxit të martohen «vetëm në Zotërinë» ata shërbëtorë të Perëndisë që kërkojnë shokun a shoqen e jetës. Kjo do të thotë të martohen vetëm me një adhurues të Jehovait të kushtuar e të pagëzuar që jeton sipas mësimeve biblike. (1 Kor. 7:39) Duke u martuar me bashkëbesimtarë, do të kenë në krah një shok a shoqe të kushtuar ndaj Jehovait që do t’i ndihmojë t’i qëndrojnë besnikë Atij.

13. Çfarë urdhri u dha Perëndia izraelitëve për martesën?

13 Jehovai e di se ç’është më e mira për shërbëtorët e vet dhe nuk e ka ndryshuar kurrë pikëpamjen për martesën. Urdhri që i dha Izraelit nëpërmjet Moisiut ishte i qartë si drita e diellit. Ai u tha izraelitëve për banorët e kombeve përqark, të cilët nuk i shërbenin Jehovait: «Mos lidh krushqi me ta. Bijat e tua mos ua jep bijve të tyre dhe bijat e tyre mos i merr për bijtë e tu, sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera. Atëherë Jehovait do t’i ndizej zemërimi kundër jush dhe do t’ju shfaroste menjëherë.»Ligj. 7:3, 4.

14, 15. Ç’pasoja pati Solomoni ngaqë shpërfilli drejtimin e Jehovait?

14 Nga fillimi i mbretërimit, i riu Solomon, biri i Davidit, u lut për mençuri, dhe Perëndia i dha me bollëk. Kështu, mbreti Solomon mori famë si qeveritari i mençur i një vendi të begatë. Në fakt, kur vajti ta vizitonte, mbretëresha e Shebës u shpreh: «Nuk u besova fjalëve, derisa erdha vetë e i pashë me sytë e mi, dhe ja, nuk më kishin treguar as gjysmën. Mençuria dhe begatia jote ua kanë kaluar gjërave që kam dëgjuar.» (1 Mbret. 10:7) Por më vonë Solomoni u bë një shembull i mjerueshëm se ç’mund t’i ndodhë dikujt që shpërfill urdhrin e Perëndisë për të mos u martuar me një jobesimtar.Ekl. 4:13.

15 Pavarësisht nga gjithë sa kishte bërë Perëndia për të, Solomoni e shpërfilli urdhrin hyjnor për të mos u martuar me gra të kombeve përreth, të cilat nuk e adhuronin Jehovain. Solomoni «dashuroi shumë gra të huaja» dhe me kohë pati 700 gra e 300 konkubina. Me ç’pasoja? Në moshë të thyer, gratë pagane ‘ia kthyen zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. . . . Solomoni filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait’. (1 Mbret. 11:1-6) Shoqëritë e këqija ia rrënuan mençurinë dhe e larguan nga adhurimi i vërtetë. Çfarë paralajmërimi i fortë për një vëlla a motër që i shkon mendja të martohet me dikë që nuk e do Jehovain!

16. Çfarë këshille i jep Bibla një motre a vëllai që është i martuar me një jobesimtar?

16 Po nëse dikush bëhet adhurues i Perëndisë ndërkohë që është i martuar me një jobesimtar? Bibla thotë: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj.» (1 Pjet. 3:1) Këto fjalë u drejtohen grave të krishtere, por vlejnë edhe për një burrë që bëhet adhurues i Jehovait ndërsa është i martuar me një jobesimtare. Këshilla e Biblës është e qartë: ji bashkëshort i mirë dhe jeto në lartësinë e standardeve fisnike të Perëndisë për martesën. Shumë bashkëshortë jobesimtarë kanë përqafuar të vërtetën ngaqë vërejtën si ndryshoi burri a gruaja e tyre teksa u bindej kërkesave të Perëndisë.

SHOQËROHU ME ATA QË E DUAN JEHOVAIN

17, 18. Pse i mbijetuan fundit të sistemit të tyre Noeja dhe të krishterët e shekullit të parë?

17 Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme, kurse shoqëritë e mira sjellin fryte të shkëlqyera. Të mendojmë për Noenë, që jetoi mes një bote plot me të ligj, por nuk kishte pikë dëshire të lidhte miqësi me ta. Në atë kohë, «Jehovai pa që e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». (Zan. 6:5) Ndaj, Perëndia vendosi ta fshinte tej me një përmbytje globale atë sistem të lig me gjithë ata që e përkrahnin. Sidoqoftë, «Noeja ishte njeri i drejtë. Ai ishte i patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë».Zan. 6:7-9.

18 S’do mend që ai nuk kërkonte shoqërinë e njerëzve të paperëndishëm. Bashkë me shtatë pjesëtarët e familjes së tij u dha pas veprës që i caktoi Perëndia, ku përfshihej ndërtimi i një arke. Ndërkohë, Noeja ishte edhe ‘predikues i drejtësisë’. (2 Pjet. 2:5) Predikimi, puna për ndërtimin e arkës dhe shoqëria me familjarët e mbajtën të zënë me gjëra të mira që e kënaqnin Perëndinë. Si rrjedhojë, bashkë me familjen i mbijetoi Përmbytjes. Duhet t’i jemi mirënjohës asaj familjeje që i shërbeu Jehovait—Noesë besnik, gruas së tij, bijve dhe grave të tyre, sepse janë paraardhësit e të gjithëve ne. Njësoj si ata, edhe të krishterët besnikë e të bindur në shekullin e parë qëndruan të ndarë nga njerëzit e paperëndishëm dhe i mbijetuan shkatërrimit të Jerusalemit e të sistemit judaik në vitin 70 të e.s.Luka 21:20-22.

Kur shoqërohemi me bashkëbesimtarë, shijojmë paksa jetën e botës së re (Shih paragrafin 19.)

19. Ç’duhet të bëjmë nëse duam miratimin e Perëndisë?

19 Si adhurues të Jehovait duhet të imitojmë Noenë dhe familjen e tij, si edhe të krishterët e bindur të shekullit të parë. Duhet të qëndrojmë të ndarë nga sistemi i lig që na rrethon dhe të kërkojmë shoqëri inkurajuese mes miliona motrave e vëllezërve besnikë. Nëse vazhdojmë të ecim me ata që udhëhiqen nga mençuria e Perëndisë, do ta kemi më të lehtë ‘të qëndrojmë të patundur në besim’ në këto kohë tejet të vështira. (1 Kor. 16:13; Prov. 13:20) A e përfytyron dot ç’e ardhme fantastike na pret? Personalisht mund t’i mbijetojmë fundit të këtij sistemi të lig dhe të kalojmë direkt në botën e re të drejtë të Jehovait që tani është te dera. E gjitha kjo vetëm nëse bëjmë kujdes nga shoqëria e keqe në këto ditë të fundit.