Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Qëndroni të patundur në besim»

«Qëndroni të patundur në besim»

«Qëndroni të patundur në besim, . . . bëhuni të fuqishëm.»1 KOR. 16:13.

KËNGËT: 60, 64

1. (a) Çfarë i ndodhi Pjetrit gjatë një tufani në detin e Galilesë? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse nisi të fundosej Pjetri?

APOSTULLI Pjetër dhe dishepuj të tjerë po rropaten ta vozitin barkën përmes një tufani natën në detin e Galilesë. Befas shohin Jezuin tek ecën mbi det. Pjetri i thërret Zotërisë së tij dhe e pyet nëse mund të shkojë tek ai përmes ujit. Kur Jezui i thotë të vejë, Pjetri zbret nga barka dhe me anë të një mrekullie ecën drejt Jezuit mbi ujërat e trazuara. Por disa çaste më vonë Pjetri nis të fundoset. Pse? Sepse u përqendrua te stuhia dhe u frikësua. Kur Pjetri i thërret Jezuit për ndihmë, ai menjëherë shtrin dorën, e kap e i thotë: «Besëpak, përse të mposhti dyshimi?!»—Mat. 14:24-32.

2. Ç’do të shqyrtojmë tani?

2 Le të ndalemi te tri pika nga përvoja e Pjetrit që lidhen me besimin: (1) si tregoi Pjetri në fillim besim se Perëndia do ta mbështeste, (2) pse Pjetri filloi ta humbte besimin dhe (3) çfarë e ndihmoi Pjetrin ta rifitonte besimin. Nga shqyrtimi i këtyre pikave mund të kuptojmë si ‘të qëndrojmë të patundur në besim’.1 Kor. 16:13.

BESIM TE MBËSHTETJA E PERËNDISË

3. Pse zbriti nga barka Pjetri, dhe si kemi bërë edhe ne diçka të ngjashme?

Pjetri u motivua nga besimi kur zbriti nga barka që të ecte mbi ujë. Jezui e thirri, dhe Pjetri pati besim se fuqia e Perëndisë do ta mbështeste ashtu siç po mbështeste Jezuin. Kur iu kushtuam Jehovait e u pagëzuam, edhe ne u motivuam nga besimi. Jezui na thirri të bëheshim dishepujt e tij, të ecnim në gjurmët e tij. E lamë veten në duart e Jezuit dhe të Perëndisë, plot besim se ata do të na mbështetnin në mënyra të ndryshme.Gjoni 14:1; lexo 1 Pjetrit 2:21.

4, 5. Pse besimi është një pasuri e çmuar?

4 Besimi është vërtet një pasuri e çmuar. Ashtu si Pjetri që falë besimit arriti të ecte mbi ujë, edhe ne falë besimit bëjmë gjëra që ndoshta duken të pamundura nga pikëpamja njerëzore. (Mat. 21:21, 22) Për shembull, shumë prej nesh i kemi ndryshuar kaq rrënjësisht qëndrimet dhe zakonet, sa ata që na njihnin më parë pothuaj nuk na njohin më. Jehovai i mbështeti përpjekjet tona ngaqë i hodhëm këta hapa të nisur nga besimi tek ai. (Lexo Kolosianëve 3:5-10.) Pasi besimi na nxiti t’i kushtoheshim Jehovait, u bëmë miq me të—diçka që nuk do ta arrinim dot kurrë me forcat tona.Efes. 2:8.

5 Besimi vazhdon të na japë forcë. Falë tij ia dalim t’u bëjmë ballë sulmeve të armikut tonë mbinjerëzor, Djallit. (Efes. 6:16) Veç kësaj, mbështetja te Jehovai na e lehtëson ankthin mes tallazeve të jetës. Kur vëmë në vend të parë interesat e Mbretërisë të shtyrë nga besimi, Jehovai premton se do të na sigurojë gjërat e nevojshme materiale. (Mat. 6:30-34) Për më tepër, falë besimit do të marrim diçka që asnjeri s’e fiton dot me forcat e veta: dhuratën e jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.

HUMBJA E PËRQENDRIMIT MUND TË SJELLË HUMBJE TË BESIMIT

6, 7. (a) Me çfarë mund t’i krahasojmë stuhinë dhe dallgët përreth Pjetrit? (b) Pse duhet ta marrim seriozisht rrezikun që besimi mund të na pakësohet?

6 Era dhe dallgët që rrethonin Pjetrin ndërsa ecte mbi ujë mund të krahasohen me sprovat e tundimet që hasim si shërbëtorë të kushtuar të Perëndisë. Edhe kur këto janë të rënda, mund të qëndrojmë të patundur falë mbështetjes së Jehovait. Të mos harrojmë se Pjetri nuk u fundos nga një shkulm ere ose nga një dallgë gjigante. Le të sjellim ndër mend si rrodhën ngjarjet: «Kur pa stuhinë, u frikësua.» (Mat. 14:30) Pasi humbi përqendrimin dhe nuk i mbajti sytë te Jezui, besimi i Pjetrit u lëkund. Edhe ne mund të nisim të fundosemi po të fillojmë ‘të shohim stuhinë’, pra po të përqendrohemi te fuqia e saj e të dyshojmë se Jehovai do të na mbështetë.

7 Duhet ta marrim seriozisht rrezikun që besimi mund të na pakësohet, sepse Bibla e quan dobësimin ose humbjen e besimit ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebr. 12:1) Siç e tregon përvoja e Pjetrit, nëse përqendrohemi aty ku s’duhet, shpejt besimi mund të na dobësohet. Si ta dallojmë nëse ka rrezik të na ndodhë kështu? Të shohim disa pyetje nëpërmjet së cilave mund të shqyrtojmë veten.

8. Si mund të na duken më pak reale se më parë premtimet e Perëndisë?

8 A më duken më pak reale se më parë premtimet e Perëndisë? Për shembull, ai premton se do ta shkatërrojë sistemin e sotëm. Megjithatë, a po shpërqendrohemi nga zbavitjet pa fund që ofron bota? Nëse po, kjo na e dobëson besimin te premtimet e Perëndisë e mund të nisim të dyshojmë se fundi është vërtet afër. (Hab. 2:3) Ja një shembull tjetër. Perëndia premton se na fal në bazë të shpërblesës. Ama, nëse fiksohemi te gabimet e kaluara dhe ndihemi pareshtur fajtorë, mund të na lindë dyshimi në ‘i ka fshirë’ vërtet Jehovai gjithë mëkatet tona. (Vep. 3:19) Si pasojë, mund të humbim gëzimin në shërbim të Perëndisë e të bëhemi joaktivë.

9. Ç’mund të ndodhë nëse përqendrohemi tek interesat personale?

9 A jam po aq i zellshëm sa më parë në shërbim të Perëndisë? Apostulli Pavël tregoi se po të punojmë pa përtuar për Jehovain, do ta kemi «deri në fund sigurinë e plotë të shpresës». Por, ç’mund të ndodhë nëse fillojmë t’i derdhim gjithë energjitë dhe vëmendjen tek interesat personale, si për shembull, nëse pranojmë një punë me rrogë të mirë që na pengon në adhurim? Besimi mund të na dobësohet dhe mund ‘të bëhemi të plogësht’, duke i dhënë Jehovait më pak nga ç’na e lejojnë rrethanat.Hebr. 6:10-12.

10. Si tregojmë besim te Jehovai kur falim të tjerët?

10 A e kam të vështirë të fal dikë që më ka fyer? Kur dikush na fyen ose na lëndon, mund të përqendrohemi te ndjenjat tona, dhe pastaj mund të na vijë t’i tregojmë vendin ose të mos i flasim fare me gojë. Nga ana tjetër, nëse falim, tregojmë besim te Jehovai. Si vallë? Ata që mëkatojnë kundër nesh na kanë një borxh, ashtu siç na futin ne në borxh mëkatet tona me Perëndinë. (Luka 11:4) Kur falim, na duhet të jemi të bindur se ka më shumë vlerë të fitojmë pëlqimin e Perëndisë sesa t’i bëjmë të tjerët të na e paguajnë. Dishepujt e Jezuit e kuptuan qartë se duhet besim për t’i falur të tjerët. Kur Jezui u tha të falnin edhe ata që mëkatonin vazhdimisht kundër tyre, dishepujt iu përgjëruan: «Na jep më shumë besim.»Luka 17:1-5.

11. Pse mund të mos përfitojmë nga këshillat e bazuara te Shkrimet?

11 A acarohem kur më japin këshilla të bazuara te Shkrimet? Nëse po, ka rrezik që po kapemi te ndonjë e metë e këshillës ose e këshilltarit, në vend që të gjejmë ndonjë mënyrë si të nxjerrim dobi prej saj. (Prov. 19:20) Kështu mund të mos përfitojmë nga një mundësi e mirë për t’i vënë mendimet tona në harmoni me ato të Perëndisë.

12. Ç’problem ka dikush që ankohet pareshtur kundër atyre që përdor Perëndia për t’i prirë popullit të tij?

12 A murmuris kundër vëllezërve të emëruar në kongregacion? Kur u përqendruan te raporti negativ i dhjetë zbuluesve besëpakë, izraelitët nisën të murmuritnin kundër Moisiut dhe Aaronit. Atëherë Jehovai e pyeti Moisiun: «Deri kur nuk do të kenë besim tek unë?» (Num. 14:2-4, 11) Murmuritjet e izraelitëve faktikisht tregonin mungesë besimi te Perëndia, tek ai që kishte emëruar Moisiun dhe Aaronin. Ta zëmë se edhe ne e kemi zakon të ankohemi kundër atyre që po përdor Perëndia për t’i prirë popullit të tij. A nuk është kjo një shenjë se në realitet na është dobësuar besimi te Perëndia?

13. Pse s’duhet të na lëshojë zemra nëse diktojmë ndonjë dobësi te besimi ynë?

13 Sidoqoftë, s’ka pse të të lëshojë zemra nëse vetëshqyrtimi nxjerr në pah pika të dobëta te besimi yt. Edhe Pjetrin, që ishte një apostull, e mposhti frika dhe dyshimi. Në fakt, hera-herës Jezui u hoqi vërejtje të gjithë apostujve sepse u treguan «besëpakë». (Mat. 16:8) Të mos harrojmë: një mësim i rëndësishëm që nxjerrim nga përvoja e Pjetrit është ajo që bëri pasi iu lëkund besimi dhe filloi të fundosej në det.

FORCO BESIMIN DUKE I MBAJTUR SYTË TE JEZUI

14, 15. (a) Çfarë bëri Pjetri kur zuri të fundosej? (b) Si mund ‘ta mbajmë shikimin të ngulur’ te Jezui përderisa nuk e shohim dot?

14 Kur zuri të fundosej ngaqë u përqendrua te stuhia, Pjetri mund të përpiqej të kthehej te barka me forcat e veta. Ai qe notar i zoti, prandaj ky mund të ishte reagimi i natyrshëm. (Gjoni 21:7) Por në vend që të mbështetej te vetja, i ktheu prapë sytë te Jezui dhe pranoi ndihmën e tij. Nëse e ndiejmë se besimi po na dobësohet, duhet të imitojmë shembullin e Pjetrit. Por si?

15 Ashtu si Pjetri i ktheu prapë sytë nga Jezui, edhe ne duhet ‘ta mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui’. (Lexo Hebrenjve 12:2, 3.) S’diskutohet, nuk mund ta shohim vërtet Jezuin ashtu si Pjetri. Ama «e mbajmë shikimin të ngulur» tek ai kur shqyrtojmë mësimet dhe veprimet e tij, e pastaj i ndjekim me kujdes. Të shohim disa hapa që mund të hedhim në bazë të modelit që na la Jezui. Duke ndjekur ato, do të marrim ndihmën e nevojshme që ta bëjmë të patundur besimin tonë.

Mund të bëhemi të patundur në besim po të përqendrohemi te shembulli i Jezuit e po të ndjekim me kujdes gjurmët e tij (Shih paragrafin 15.)

16. Si mund ta studiojmë Biblën në një mënyrë që na ndërton besimin?

16 Forco besimin te Bibla. Jezui s’kishte pikë dyshimi se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe se siguron drejtimin më të mirë në jetë. (Gjoni 17:17) Që të kemi të njëjtin besim si Jezui, duhet ta lexojmë Biblën çdo ditë, ta studiojmë e të meditojmë për atë që mësojmë. Përveç kësaj, duhet të gërmojmë thellë për ato argumente që kemi të paqarta. Për shembull, mund ta forcojmë bindjen se fundi i këtij sistemi është vërtet afër, duke studiuar me hollësi provat biblike se jetojmë në ditët e fundit. Ta bëjmë të patundur besimin te premtimet e Biblës për të ardhmen, duke hetuar profecitë e shumta që tashmë janë plotësuar. Ta përforcojmë sigurinë se Bibla ka vlerë praktike, duke shqyrtuar shembuj se si ua ka përmirësuar jetën mjaft vetave. *1 Sel. 2:13.

17. Pse Jezui arriti të qëndronte besnik edhe në sprovat më të tmerrshme, dhe si mund ta imitosh?

17 Përqendrohu te bekimet që premton Jehovai. Duke i ngulur sytë te ‘gëzimi që iu vu përpara’, Jezui arriti të qëndronte besnik edhe në sprovat më të tmerrshme. (Hebr. 12:2) Nuk u shpërqendrua kurrë nga gjërat që i ofronte bota. (Mat. 4:8-10) Edhe ti mund ta imitosh Jezuin duke bluar në mend premtimet e mrekullueshme që të bën Jehovai. Përfytyroje veten në botën e re. Si? Mund të shkruash a të vizatosh se çfarë shpreson të bësh pasi Perëndia ta ketë fshirë tej këtë sistem të lig. Ose bëj një listë të njerëzve që mezi pret t’i takosh pasi të ringjallen dhe se çfarë do të kishe qejf të bisedoje me ta. Shihi këto si premtime që Perëndia t’i bën ty personalisht dhe jo thjesht njerëzve në përgjithësi.

18. Si të ndihmon lutja të forcosh besimin?

18 Lutu për më shumë besim. Jezui i mësoi dishepujt t’i kërkonin Jehovait frymën e shenjtë. (Luka 11:9, 13) Teksa bën edhe ti kështu, lutu për më shumë besim, që është një aspekt i frytit të frymës. Bëj kërkesa specifike. Ndoshta ke pikasur ndonjë tipar që tregon se po të dobësohet besimi, si për shembull, e ke të zorshme të falësh. Atëherë kërkoji Perëndisë që t’i mposhtësh tipare të tilla.

19. Si mund të zgjedhësh miq të mirë?

19 Shoqërohu me njerëz besimplotë. Jezui i zgjidhte me kujdes miqtë, sidomos ata që pranonte në rrethin e ngushtë. Miqtë e tij më të afërt, apostujt, kishin dhënë prova besimi dhe besnikërie duke iu bindur urdhërimeve të tij. (Lexo Gjonin 15:14, 15.) Prandaj, kur zgjedh miqtë, kërko edhe ti ata që tregojnë besim duke iu bindur Jezuit. E mos harro se një shenjë e miqësisë së mirë është komunikimi i hapur, madje edhe atëherë kur duhen dhënë ose marrë këshilla.Prov. 27:9.

20. Çfarë dobish nxjerrim ne vetë kur ndihmojmë të tjerët të forcojnë besimin?

20 Ndihmo të tjerët të forcojnë besimin. Jezui ua ndërtoi besimin dishepujve qoftë me fjalë, qoftë me vepra. (Mar. 11:20-24) Duhet të ndjekim shembullin e tij sepse, kur i ndihmojmë të tjerët të ndërtojnë besimin, forcojmë edhe besimin tonë. (Prov. 11:25) Tek predikon e mëson të tjerët, thekso provat se Perëndia ekziston, se merakoset për ne dhe se Bibla është Fjala e tij e frymëzuar. Ndihmo edhe vëllezërit e motrat të kalitin besimin e tyre. Nëse ndokush shfaq shenja dyshimi, mbase duke u ankuar për vëllezërit e emëruar, mos nxito ta shmangësh. Në vend të kësaj, me takt ndihmoje të ndërmarrë hapa që ta përtërijë besimin. (Jud. 22, 23) Nëse je në shkollë dhe hapet tema e evolucionit, mbroje me guxim besimin tënd te krijimi. Ka të ngjarë që reagimi i të tjerëve të jetë një surprizë e këndshme.

21. Çfarë premtimi i bën Jehovai secilit nga ne në lidhje me besimin?

21 Me ndihmën që i dha Perëndia nëpërmjet Jezuit, Pjetri mposhti frikën e dyshimet dhe u bë një shtyllë besimi mes të krishterëve të hershëm. Po njësoj, Jehovai na ndihmon të gjithëve të qëndrojmë të patundur në besim. (Lexo 1 Pjetrit 5:9, 10.) Ia vlen çdo përpjekje për të ndërtuar besimin, sepse shpërblimet që sjell një besim i fortë s’kanë të krahasuar.

^ par. 16 Për shembull, shih rubrikën «Bibla të ndryshon jetën» në botimin për publikun të Kullës së Rojës.