Ta shprehim mirënjohjen për bujarinë e Jehovait
JEHOVAI është Perëndi bujar. (Jak. 1:17) Që nga qielli plot yje deri te qilimi i gjelbër që vesh tokën, krijimi i Jehovait i këndon bujarisë së tij.
Kaq e thellë ishte mirënjohja e psalmistit për Krijuesin e tij, sa u nxit të kompozonte një këngë që u thurte lavde veprave të Jehovait. Lexo Psalmin 104 dhe me siguri do të bashkohesh me ndjenjat e psalmistit, që tha: «Gjithë jetën do t’i këndoj Jehovait; sa të jem gjallë do të luaj melodi për Perëndinë tim.» (Psal. 104:33) A nuk ke edhe ti të njëjtën dëshirë?
NJË SHEMBULL I PAPARË BUJARIE
Jehovai do që të imitojmë shembullin e tij të bujarisë. Gjithashtu, na jep arsye të forta që të jemi bujarë. Ja çfarë shkroi apostulli Pavël i frymëzuar prej tij: «Ata që janë të pasur në këtë botë, urdhëroji të mos jenë kryelartë e të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë. Të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, që të vënë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë.»
Kur Pavli i shkroi kongregacionit të Korintit letrën e dytë të frymëzuar, theksoi cili është qëndrimi që duhet të kemi kur japim. Ai tha: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Kor. 9:7) Më tej Pavli përmendi cilët nxjerrin dobi nga dhënia me bujari: ata që marrin e u plotësohen nevojat dhe ata që japin, e kështu pasurohen me bekime frymore.
Pavli e mbylli këtë pjesë të letrës së tij duke përmendur provën më të fortë të bujarisë së Perëndisë. Ai shkroi: «Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!» (2 Kor. 9:15) Patjetër që dhurata e Jehovait përfshin gjithë mirësinë që i tregon popullit të tij me anë të Jezu Krishtit. Ajo është kaq e mrekullueshme sa nuk ka fjalë për ta përshkruar plotësisht vlerën e saj.
Si mund ta shprehim mirënjohjen për gjithë sa kanë bërë e do të bëjnë akoma për ne Jehovai dhe Biri i tij? Një mënyrë është duke dhënë me bujari nga koha, energjitë dhe të ardhurat tona për të mbështetur adhurimin e pastër të Jehovait, qoftë shumë a pak ajo që japim.