Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si bëheshin rrotullat në kohët biblike dhe si përdoreshin?

Rrotulla të vonshme lëkure dhe pergamene velini të librit biblik të Esterës, shekulli i 18-të i e.s.

Ungjilli i Lukës përmend Jezuin që hap rrotullën e Isaisë, lexon një pjesë të saj dhe më pas e mbështjell sërish. Edhe Gjoni foli për një rrotull në fund të ungjillit të tij, duke thënë se nuk ishte në gjendje të përfshinte në këtë rrotull të gjitha shenjat që kishte kryer Jezui.​—Luka 4:16-20; Gjoni 20:30; 21:25.

Si bëheshin rrotullat? Pjesë të materialeve të tilla, si lëkurë, pergamenë ose papirus ngjiteshin së bashku për të formuar një rrotull. Më pas, ato mbështilleshin përreth një shkopi, me anën e shkruar nga brenda. Teksti shkruhej në kolona të shkurtra vertikale në gjithë gjerësinë e rrotullës. Nëse rrotulla ishte e gjatë, kishte shkopinj në të dyja anët e saj, ku me njërën dorë lexuesi e çmbështillte rrotullën, kurse me dorën tjetër e mbështillte, derisa arrinte te pjesa që kërkonte.

«Avantazhi i rrotullës ishte se, ndonëse mjaft e gjatë [shpesh ishte rreth 10 metra], kur mbështillej, mund të mbante një libër të tërë në një vëllim të vogël»,​—thotë fjalori biblik The Anchor Bible Dictionary. Për shembull, është llogaritur se për Ungjillin e Lukës nevojitej një rrotull rreth 9,5 metra e gjatë. Në disa raste, cepat e sipërm dhe të poshtëm të rrotullës i prisnin, i lëmonin me gur shtufi dhe i lyenin.

Kush mund të kenë qenë «krerët e priftërinjve» që përmenden në Shkrimet e Krishtere Greke?

Që nga fillesat e priftërisë izraelite, si kryeprift shërbente vetëm një burrë në një periudhë të caktuar. Fillimisht, kjo periudhë zgjaste derisa kryeprifti vdiste. (Numrat 35:25) Aaroni ishte i pari që shërbeu në këtë caktim. Më pas, privilegji si kryeprift zakonisht kalohej nga babai te djali i madh. (Dalja 29:9) Shumë nga pasardhësit meshkuj të Aaronit shërbyen si priftërinj, por relativisht pak veta shërbyen si kryepriftërinj.

Kur Izraeli u vu nën zgjedhë të huaj, kryepriftërinjtë judenj caktoheshin dhe hiqeshin sipas dëshirës nga sundimtarët joizraelitë. Megjithatë, nga sa duket, të gjithë ata që caktoheshin si kryepriftërinj zgjidheshin pothuajse gjithnjë nga disa familje të privilegjuara, kryesisht nga linja gjenealogjike e Aaronit. Shprehja «krerët e priftërinjve» me sa duket u referohet anëtarëve kryesorë të priftërisë. Ndër krerët e priftërinjve mund të kenë qenë krerët e 24 ndarjeve të priftërisë, anëtarë me peshë të familjeve kryepriftërore dhe ish-kryepriftërinj që i kishin hequr nga ky caktim, siç ishte Hanai.​—1 Kronikave 24:​1-​19; Mateu 2:4; Marku 8:31; Veprat 4:6.