Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nxirr dobi plotësisht nga të mirat që siguron Jehovai

Nxirr dobi plotësisht nga të mirat që siguron Jehovai

«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»​—ISA. 48:17.

KËNGËT: 117, 114

1, 2. (a) Si ndihen Dëshmitarët e Jehovait për Biblën? (b) Cili është fragmenti yt i preferuar nga Bibla?

DËSHMITARËT E JEHOVAIT e duan Biblën. Ajo jep udhëzime të besueshme dhe na ndihmon të gjejmë ngushëllim e shpresë. (Rom. 15:4) Ne nuk e shohim Biblën si një koleksion mendimesh njerëzore, por «siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë».​—1 Sel. 2:13.

2 Pa dyshim, të gjithë kemi fragmentet tona të preferuara nga Bibla. Disave u pëlqejnë në veçanti ungjijtë, ku shpaloset një tablo e bukur e personalitetit të Jehovait të pasqyruar te Biri i tij. (Gjoni 14:9) Të tjerë kanë shumë qejf ato pjesë të Biblës që përmbajnë profeci​—ndoshta Zbulesën, ku shohim një pamje paraprake të gjërave «që do të ndodhin së shpejti». (Zbul. 1:1) E kush prej nesh nuk ka gjetur ngushëllim nga Psalmet ose nuk ka nxjerrë mësime praktike nga libri i Proverbave? Bibla është vërtet një libër për çdo njeri.

3, 4. (a) Si ndihemi për botimet tona? (b) Cilat botime që u drejtohen grupeve të veçanta marrim?

3 Përderisa e duam Biblën, duam edhe botimet tona që bazohen tek ajo. Për shembull, e çmojmë ushqimin që na serviret në formën e librave, broshurave, revistave a çdo literaturë tjetër. E dimë se këto të mira që siguron Jehovai na ndihmojnë të qëndrojmë syçelë, të jemi të ushqyer mirë dhe të mbetemi «të shëndoshë në besim».​—Titit 2:2.

4 Përveç botimeve për Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi, marrim edhe materiale të bazuara në Bibël që u drejtohen grupeve të veçanta. Disa materiale janë bërë posaçërisht për të ndihmuar të rinjtë; të tjera ndihmojnë prindërit e tyre. Një pjesë e mirë e materialit të shtypur dhe në sitin tonë është përgatitur duke pasur në mend publikun, pra ata që s’janë Dëshmitarë. Gjithë ky ushqim i bollshëm na kujton se Jehovai e ka mbajtur premtimin që «të shtrojë për të gjithë popujt një gosti me gjellë plot yndyrë» ose të zgjedhura.​—Isa. 25:6.

5. Çfarë vlerëson pa dyshim Jehovai?

5 Ka shumë të ngjarë që shumica nga ne do të donte të kishte më tepër kohë për të lexuar Biblën dhe botimet e bazuara në të. Mund të jemi të sigurt se Jehovai i vlerëson përpjekjet tona që ‘të blejmë kohën e duhur’ për leximin e rregullt të Biblës dhe studimin personal. (Efes. 5:15, 16) Realiteti është se mund të mos jemi gjithnjë në gjendje t’i kushtojmë të njëjtën vëmendje tërë ushqimit që kemi në dispozicion. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes nga një rrezik tinëzar. Cili është?

6. Për ç’arsye mund të mos përfitojmë plotësisht nga disa të mira që siguron Jehovai?

6 Ekziston rreziku të mos përfitojmë plotësisht nga gjërat e mira që siguron Jehovai, sepse mendojmë se disa prej tyre nuk kanë lidhje me ne. Për shembull, ç’të themi nëse duket se një fragment i Biblës nuk vlen për situatën tonë? Apo ç’ndodh nëse nuk jemi pjesë e auditorit kryesor për të cilin është përgatitur një botim? A kemi prirjen t’i kalojmë përciptas informacione të tilla, apo ndoshta as i lexojmë fare? Nëse po, mbase po i privojmë vetes informacione që mund të na sjellin shumë dobi. Si mund ta shmangim këtë grackë? Mbi të gjitha, secili nga ne duhet të mbajë në mendje se Burimi i këtyre të mirave është Perëndia. Ai tha nëpërmjet profetit Isaia: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.» (Isa. 48:17) Do të na bëjë mirë të shqyrtojmë tri sugjerime se si të nxjerrim dobi nga të gjitha fragmentet e Biblës dhe nga ushqimi i shumëllojshëm që na serviret.

SUGJERIME PËR NJË LEXIM DOBIPRURËS TË BIBLËS

7. Pse duhet ta lexojmë Biblën me mendje të hapur?

7 Lexo me mendje të hapur. Bibla e thotë qartë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». (2 Tim. 3:16) Vërtet, disa pjesë të Biblës fillimisht i drejtoheshin një individi të vetëm a një grupi të caktuar. Prapëseprapë, duhet t’i lexojmë Shkrimet me mendje të hapur. Një vëlla thotë: «Ndërsa lexoj Biblën, përpiqem të kujtoj se nga një fragment mund të nxirren disa mësime.» Pastaj shton: «Kur e mbaj në mend këtë, nxitem të shoh përtej asaj që duket.» Para se të lexojmë Fjalën e Perëndisë, bëjmë mirë të lutemi që të kemi një mendje të hapur dhe mençurinë për të dalluar mësimet që dëshiron Jehovai të nxjerrim.​—Ezd. 7:10; lexo Jakovin 1:5.

A po përfiton sa më shumë nga leximi i Biblës? (Shih paragrafin 7.)

8, 9. (a) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes kur lexojmë Biblën? (b) Ç’na tregojnë për Jehovain kualifikimet për pleqtë e krishterë?

8 Bëj pyetje. Teksa lexon një fragment nga Bibla, lër kohë të ndalesh e t’i bësh vetes pyetje të tilla, si: «Ç’më tregon kjo për Jehovain? Si mund ta zbatoj këtë informacion në jetën time? Si mund ta përdor për të ndihmuar të tjerët?» Kur bluajmë në mendje pyetje të tilla, pa diskutim që do të përfitojmë më shumë nga leximi i Biblës. Le të marrim një shembull. Mendo për kualifikimet biblike për pleqtë e krishterë. (Lexo 1 Timoteut 3:2-7.) Meqë shumica prej nesh nuk shërbejmë si pleq, në fillim mund të mendojmë se ky fragment nuk vlen edhe aq për jetën tonë. Gjithsesi, pse të mos shqyrtojmë disa nga përgjigjet e shumta që mund t’u jepen pyetjeve të mëposhtme? Kështu do të shohim se nga kjo listë kualifikimesh të gjithë ne mund të nxjerrim dobi në një sërë mënyrash.

9 Ç’më tregon kjo për Jehovain? Duke dhënë këtë listë kualifikimesh, Jehovai tregon se ka një standard të lartë për ata që shërbejnë si burra të emëruar. Ai pret të lënë një shembull të mirë dhe do t’u kërkojë llogari për mënyrën si e trajtojnë kongregacionin, «të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet». (Vep. 20:28) Jehovai do që të ndihemi të sigurt nën kujdesin e nënbarinjve të emëruar. (Isa. 32:1, 2) Kur i shohim nga ky këndvështrim, kualifikimet biblike për pleqtë e krishterë na sjellin ndër mend sa shumë kujdeset Jehovai për ne.

10, 11. (a) Kur lexojmë kualifikimet për pleqtë, si mund ta zbatojmë në jetën tonë këtë informacion? (b) Si mund ta përdorim këtë informacion për të ndihmuar të tjerët?

10 Si mund ta zbatoj këtë informacion në jetën time? Një burrë i emëruar duhet ta shqyrtojë veten herë pas here nën dritën e këtyre kualifikimeve biblike, duke kërkuar pika ku mund të përmirësohet. Një vëlla që «synon detyrën e mbikëqyrësit» duhet t’i analizojë me vëmendje këto kualifikime, pasi duhet të bëjë çmos t’i plotësojë sa më mirë të mundet. (1 Tim. 3:1) Në të vërtetë, çdo i krishterë mund të mësojë nga kualifikimet e renditura në këto vargje, sepse shumica prej tyre janë gjëra që Jehovai i pret nga të gjithë ne. Për shembull, të gjithë duhet të jemi të arsyeshëm dhe me mendje të shëndoshë. (Filip. 4:5; 1 Pjet. 4:7) E ndërsa pleqtë janë «shembuj për kopenë», mund të mësojmë nga ata dhe ‘të imitojmë besimin e tyre’.​—1 Pjet. 5:3; Hebr. 13:7.

11 Si mund ta përdor këtë informacion për të ndihmuar të tjerët? Mund ta përdorim listën e kualifikimeve për mbikëqyrësit që t’i ndihmojmë të interesuarit dhe studentët e Biblës të kuptojnë në ç’mënyra ndryshojnë pleqtë e krishterë mes Dëshmitarëve të Jehovait nga kleri i krishterimit. Gjithashtu, kur lexojmë këtë listë, mund të na vijnë në mend përpjekjet që bëjnë pleqtë e kongregacionit për të mirën tonë. Kur meditojmë se si japin nga vetja pa u kursyer, na thellohet ‘vlerësimi për ata që po punojnë pa u lodhur mes nesh’. (1 Sel. 5:12) E sa më shumë e tregojmë vlerësimin ose respektin e sinqertë për këta mbikëqyrës të palodhur, aq më shumë ua shtojmë gëzimin.​—Hebr. 13:17.

12, 13. (a) Ç’lloj kërkimesh mund të bëjmë me anë të mjeteve që kemi në dispozicion? (b) Jepni një shembull se si informacionet që përbëjnë sfondin historik nxjerrin në pah mësime që nuk dallohen menjëherë.

12 Bëj kërkime. Me anë të mjeteve që kemi në dispozicion, mund të kërkojmë informacione të tilla, si:

  • Kush e shkroi këtë pjesë të Shkrimeve?

  • Ku dhe kur u shkrua?

  • Cilat ngjarje domethënëse ndodhën në kohën kur u shkrua një libër i caktuar i Biblës?

Informacione të tilla që japin sfondin historik mund të nxjerrin në dritë mësime që nuk dallohen menjëherë.

13 Për shembull, të ndalemi pak tek Ezekieli 14:13, 14, ku thuhet: «Në qoftë se një vend mëkaton kundër meje dhe vepron me pabesi, unë do ta shtrij dorën kundër tij, do t’ia thyej shkopinjtë ku varen bukët në formë unaze, do të dërgoj zinë e bukës kundër tij dhe do të shfaros njerëzit e kafshët. Edhe sikur atje të ndodheshin këta tre burra: Noeja, Danieli dhe Jobi, për shkak të drejtësisë së tyre, do të shpëtonin vetëm shpirtin e vet,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.» Kur bëjmë ca kërkime, mësojmë se kjo pjesë e Ezekielit u shkrua rreth vitit 612 p.e.s. Në atë kohë, Noeja dhe Jobi kishin vdekur prej shekujsh, dhe besnikëria që kishin treguar gjatë jetës ishte në kujtesën e Perëndisë. Mirëpo Danieli ishte ende gjallë. Në fakt, ai mund të ketë qenë nga fundi i adoleshencës ose në fillim të të 20-ave kur Jehovai tha se ishte po aq i drejtë sa Noeja dhe Jobi. Mësimi? Jehovai e vëren dhe e çmon integritetin e gjithë adhuruesve të tij besnikë, edhe të atyre që janë relativisht të rinj.​—Psal. 148:12-14.

NXIRR DOBI NGA BOTIMET E SHUMËLLOJSHME

14. Si i ndihmojnë të rinjtë materialet e botuara për ta, dhe si mund të nxjerrin dobi edhe të tjerët prej tyre? (Shih figurën hapëse.)

14 Ashtu siç nxjerrim dobi nga studimi i të gjitha pjesëve të Fjalës së Perëndisë, mund të nxjerrim dobi edhe nga gjithë ushqimi që na siguron Jehovai dhe organizata e tij. Të marrim disa shembuj. Materialet për të rinjtë. Vitet e fundit, një pjesë e mirë e literaturës sonë është botuar për të rinjtë. [1] Disa nga këto materiale kanë si synim t’i ndihmojnë që t’u bëjnë ballë presioneve në shkollë ose sfidave të adoleshencës. Si mund të nxjerrim dobi të gjithë ne nga materiale të tilla? Kur i lexojmë, kujtojmë se çfarë po përballojnë të rinjtë tanë besnikë. Si rrjedhojë, jemi më të aftë t’i ndihmojmë e t’u japim zemër.

15. Pse duhet t’u interesojnë të krishterëve të rritur informacionet për të rinjtë?

15 Shumë nga problemet e trajtuara në këto materiale për të rinjtë s’janë probleme që i kalojnë vetëm ata. Të gjithëve ne na duhet ta mbrojmë besimin, të mbajmë nën kontroll ndjenjat, të mos dorëzohemi para presionit të dëmshëm të të tjerëve e të shmangim shoqëritë dhe zbavitjet e papërshtatshme. Këto çështje dhe mjaft të tjera trajtohen në materialet për adoleshentët. A duhet të mendojnë të krishterët e rritur se u ulet dinjiteti po të lexojnë botimet që u drejtohen të rinjve? Aspak! Vërtet, materiali paraqitet në mënyrë tërheqëse për të rinjtë, ama informacioni bazohet te parimet biblike që vlejnë për çdo kohë, dhe të gjithë ne mund të nxjerrim dobi nga këto të mira që siguron Jehovai.

16. Për çfarë tjetër i ndihmojnë botimet tona të rinjtë?

16 Botimet tona i ndihmojnë të rinjtë jo vetëm t’u bëjnë ballë problemeve, po edhe t’i afrohen Jehovait dhe të forcojnë miqësinë me të. (Lexo Eklisiastiun 12:1, 13.) Të krishterët e rritur mund të nxjerrin dobi edhe në këtë pikë. Për shembull, në revistën Zgjohuni! të prillit 2009 gjendej artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës?» Artikulli jepte një sërë sugjerimesh dhe kishte një kuti që mund ta prisje e ta mbaje brenda Biblës për t’iu referuar. A kanë përfituar edhe të rriturit nga ai artikull? Një bashkëshorte dhe nënë shkroi: «Gjithmonë mezi ia dilja ta lexoja Biblën. Por ua vura veshin sugjerimeve të artikullit dhe po e përdor mirë kutinë që ishte atje. Tani mezi pres ta lexoj Biblën. Dalloj si harmonizohen e lidhen me njëri-tjetrin librat e saj, si pjesët e një mozaiku të bukur. Kurrë më parë nuk jam ndier kaq entuziaste për leximin e Biblës.»

17, 18. Si mund të nxjerrim dobi nga materialet e shkruara për publikun? Jepni një shembull.

17 Materialet për publikun. Që nga viti 2008 jemi kënaqur me botimin për studim të Kullës së Rojës, që shkruhet para së gjithash për Dëshmitarët e Jehovait. Po ç’të themi për revistat tona që janë kryesisht për publikun? A mund të nxjerrim dobi edhe prej tyre? Të marrim një shembull. Përfytyro sikur një ditë, para fjalimit publik, vëren se në Sallën e Mbretërisë ka ardhur dikush që e ke ftuar ti. Natyrisht që s’të mban vendi nga gëzimi. Ndërsa oratori bën fjalimin, ka shumë të ngjarë që po mendon për vizitorin. Ç’është e vërteta, fjalimin po e dëgjon si të ishe në vend të tij. Si rezultat, pas fjalimit të është përtërirë çmueshmëria për atë temë.

18 Kur lexojmë materialet e shkruara për publikun, mund të përjetojmë diçka të ngjashme. Për shembull, në botimin për publikun të Kullës së Rojës, temat biblike shtjellohen me një gjuhë që mund ta kuptojë një lexues që s’është Dëshmitar. E njëjta gjë ndodh te shumë artikuj që dalin në jw.org, si ata në pjesët «Përgjigje për pyetje biblike» dhe «Pyetje që bëhen më shpesh». Kur lexojmë këto informacione, na thellohet çmueshmëria për të vërtetat që i njohim aq mirë. Veç kësaj, mund të mësojmë mënyra të reja interesante për t’i shpjeguar bindjet tona kur jemi në shërbim. Në mënyrë të ngjashme, Zgjohuni! na forcon vazhdimisht besimin se ekziston Perëndia i vërtetë dhe na ndihmon të mësojmë si t’i mbrojmë bindjet tona.​—Lexo 1 Pjetrit 3:15.

19. Si mund t’ia shprehim mirënjohjen Jehovait për të mirat që na siguron?

19 Është e qartë se Jehovai na ka dhënë gjëra të mira me bollëk për të na plotësuar ‘nevojën që të mësojmë për të’. (Mat. 5:3) Le të vazhdojmë të përfitojmë nga gjithë këto të mira që na siguron. Kështu do t’i shprehim mirënjohjen Atij që na mëson si të nxjerrim dobi për vete.​—Isa. 48:17.

^ [1] (paragrafi 14) Materiale të tilla përfshijnë Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimet 1 dhe 2, si edhe serinë «Të rinjtë pyesin», që tani del vetëm online.