Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj»

«Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj»

PËRFYTYRO sikur po ecën në rrugë natën vonë. Papritur ndien se dikush po të ndjek. Kur ndalon, edhe hapat pas teje ndalojnë. Kur shpejton, kështu bën edhe ai që të është qepur pas. Ti ia kris vrapit për te shtëpia e një miku aty afër. Kur ai të hap derën dhe të mirëpret në shtëpi, merr frymë i lehtësuar.

Ndoshta nuk je gjendur ndonjëherë në këtë situatë, por mund të kesh ankthe të tjera në jetë që të frikësojnë. Për shembull, mos po lufton me një dobësi që dëshiron ta mposhtësh, por vazhdon të biesh në të njëjtin gabim? A ke kohë që nuk po arrin të gjesh punë, sado që përpiqesh? A të fut ankthin plakja dhe problemet me shëndetin që mund të kesh në të ardhmen? Apo ndoshta je në merak për diçka tjetër?

Cilido qoftë problemi, a nuk do ta vlerësoje po të kishe dikë që mund t’i hapeshe për ankthet e tua dhe që do të të ndihmonte kur të kishe nevojë? A ke një mik të tillë të ngushtë? Pa diskutim! Ky mik për ty është Jehovai, ashtu siç ishte edhe për patriarkun Abraham. Kjo shihet qartë tek Isaia 41:8-13. Në vargjet 10 dhe 13, Jehovai u premton shërbëtorëve të tij: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë. Sepse unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»

«UNË DO TË TË MBAJ FORT»

A nuk të japin siguri këto fjalë? Zëre se je ti vetë brenda kësaj tabloje që ka përshkruar Jehovai. Sipas përshkrimit, ti nuk po ecën dorë për dorë me Jehovain, ndonëse edhe ky është një mendim i bukur. Po të ecnit dorë për dorë, dora e tij e djathtë do të kapte dorën tënde të majtë. Por, shkrimi thotë se Jehovai zgjat ‘të djathtën e tij të drejtësisë’ dhe kap ‘dorën tënde të djathtë’, sikur po të nxjerr nga një situatë stresuese. E ndërsa të tërheq, të jep forcë me këtë premtim: «Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.»

A e sheh Jehovain si një Atë dhe Mik të dashur që do të të vijë në ndihmë kur ta kesh punën pisk? Ai interesohet për ty, ka merak dhe do që të jesh mirë. Është i vendosur të të ndihmojë. Kur has vështirësi, Jehovai do që të ndihesh i sigurt, sepse ka një lidhje të fortë e të përzemërt me ty. Ai është vërtet një «ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve».​—Psal. 46:1.

NDJENJAT E FAJIT PËR MËKATET E SË KALUARËS

Disa e torturojnë veten duke bluar në mend sjelljen e tyre në të kaluarën dhe hamenden nëse Perëndia i ka falur. Nëse ndodhesh në këtë situatë, mendo për Jobin besnik, i cili e pranoi se kishte bërë ‘faje në rini’. (Jobi 13:26) Edhe psalmisti David provoi ndjenja të ngjashme dhe iu përgjërua Jehovait: «Mos i kujto mëkatet e rinisë dhe shkeljet e mia.» (Psal. 25:7) Meqë jemi të papërsosur, të gjithë ‘kemi mëkatuar dhe nuk e kemi arritur lavdinë e Perëndisë’.​—Rom. 3:23.

Në fillim, fjalët e ngrohta të kapitullit 41 të Isaisë iu drejtuan popullit të lashtë të Perëndisë. Ata kishin mëkatuar aq shumë, sa Jehovai vendosi të ekzekutonte gjykimin ndaj tyre duke lejuar që t’i çonin robër në Babiloni. (Isa. 39:6, 7) E megjithatë, Perëndia foli me largpamësi për kohën kur do t’i çlironte ata që do të pendoheshin e do të ktheheshin tek ai. (Isa. 41:8, 9; 49:8) Jehovai shfaq të njëjtën zemërgjerësi sot ndaj atyre që duan me gjithë shpirt të jenë të denjë për miratimin e tij.​—Psal. 51:1.

Mendo pak për rastin e Takujës, * që po përpiqej të mposhtte dy vese të papastra: shikimin e pornografisë dhe masturbimin. Si ndihej kur binte herë pas here në këto vese? Ai vetë thotë: «Ndihesha krejt i pavlerë. Por kur i përgjërohesha Jehovait të më falte, ai më ngrinte nga ajo gjendje e mjerë.» Si e bënte Jehovai këtë? Pleqtë e kongregacionit e ftuan Takujën t’u telefononte kurdoherë që e mposhtnin ato vese. Ai pranon: «Nuk ishte e lehtë t’u telefonoja, por sa herë veproja kështu, merrja forcë.» Pastaj, pleqtë morën masa që mbikëqyrësi qarkor t’i bënte një vizitë baritore Takujës. Mbikëqyrësi qarkor i tha: «Nuk erdha rastësisht këtu. Erdha sepse pleqtë donin që të isha këtu. Të zgjodhën ty për këtë vizitë baritore.» Takuja sjell ndër mend: «Unë po mëkatoja, e prapëseprapë Jehovai më zgjati dorën për të më ndihmuar përmes pleqve.» Takuja përparoi dhe me kohë nisi shërbimin si pionier i rregullt. Tani shërben në një zyrë dege. Tamam siç bëri me këtë vëlla, Perëndia do të të ngrejë edhe ty nga një gjendje e mjerë.

ANKTHI PËR SIGURUAR JETESËN

Papunësia është burim ankthi për shumë veta. Disa humbin punën dhe e kanë të vështirë të gjejnë një burim tjetër të ardhurash. Imagjino si do të ndiheshe nëse disa punëdhënës njëri pas tjetrit nuk të marrin në punë. Në këtë situatë, mjaft njerëz humbin respektin për veten. Si mund të të ndihmojë Jehovai? Mbase nuk të siguron tak-fak ndonjë punë ideale, por mund të të ndihmojë të kujtosh këto fjalë të mbretit David: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psal. 37:25) Vërtet, për Jehovain je i vyer, dhe me ‘dorën e tij të djathtë të drejtësisë’ ai mund të të ndihmojë të sigurosh gjërat e nevojshme që të vazhdosh t’i shërbesh.

Si mund të të ndihmojë Jehovai nëse humbet punën?

Sara, që jeton në Kolumbi, e provoi vetë sa fuqi ka Jehovai që të na shpëtojë. Ajo bënte një punë që i hante shumë kohë dhe energji, por merrte rrogë goxha të mirë dhe ishte në një kompani prestigjoze. Megjithatë, donte të bënte më shumë për Jehovain, prandaj e la punën dhe filloi shërbimin si pioniere. Mirëpo, nuk e pati të lehtë të gjente punë me orar të reduktuar. Hapi një dyqan të vogël akulloresh, por dalëngadalë i mbaruan fondet dhe iu desh ta mbyllte. Sara thotë: «Kaluan tri vite të gjata, por falë Jehovait, ia dola mbanë.» Gjatë asaj kohe mësoi të dallonte gjërat luksoze nga ato të nevojshme dhe të mos ishte në ankth për të nesërmen. (Mat. 6:33, 34) Më vonë, ish-punëdhënësi i telefonoi dhe i ofroi të njëjtën punë që kishte pasur. Ajo iu përgjigj se do të pranonte vetëm punë me orar të reduktuar që do t’i linte mjaft kohë për shërbimin dhe për mbledhjet. Edhe pse nuk fiton sa dikur, Sara vazhdon të shërbejë si pioniere. Siç thotë ajo vetë, gjatë gjithë asaj përvoje, ‘ndjeu dorën e dashur të Jehovait’.

MERAKU PËR AFRIMIN E PLEQËRISË

Një merak tjetër i madh është plakja. Kur arrijnë moshën e pensionit, shumë veta vrasin mendjen nëse do të kenë para mjaftueshëm për të bërë një jetë të rehatshme. Gjithashtu kanë merak për problemet shëndetësore që mund të hasin ndërsa u afrohet pleqëria. Ka të ngjarë të ishte Davidi ai që iu përgjërua Jehovait me këto fjalë: «Mos më flak në kohën e pleqërisë. Mos më lër pikërisht kur më priten fuqitë.»​—Psal. 71:9, 18.

Si mund të ndihen të sigurt shërbëtorët e Jehovait në moshë të thyer? Duke vazhduar të ushqejnë besimin te Perëndia, të bindur se Ai do t’u sigurojë gjërat e nevojshme. Patjetër, nëse ndër vite kanë gëzuar disa gjëra luksoze, ndoshta do t’u duhet ta thjeshtojnë jetën e të kënaqen me më pak nga ana materiale. Madje mund të provojnë se «një pjatë me perime» është e shijshme, e ndoshta edhe më e shëndetshme për ta, sesa «një dem i majmur». (Prov. 15:17) Po të përqendrohesh si t’i pëlqesh Jehovait, ai do të të sigurojë patjetër gjërat e nevojshme edhe në moshë të shkuar.

Hozeja dhe Roza me Tonin dhe Uendin

Mendo për rastin e Hozesë dhe të Rozës, të cilët kanë mbi 65 vjet që i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë. Gjatë viteve u është dashur të kujdesen për të atin e Rozës, i cili kishte nevojë për vëmendje ditë e natë. Veç kësaj, Hozesë i është dashur të bëjë operacione dhe kimioterapi për të luftuar kancerin. A ia ka zgjatur dorën e djathtë Jehovai këtij çifti besnik? Po. Si e ka bërë këtë? Me anë të një çifti në kongregacion, Tonit dhe Uendit, të cilët u vunë në dispozicion një apartament. Toni dhe Uendi donin t’ua ofronin pa qira apartamentin atyre që shërbejnë në kohë të plotë. Vite më parë, nga një dritare e gjimnazit të tij, Toni kishte vënë re Hozenë dhe Rozën që dilnin rregullisht në shërbim. I donte shumë për zellin që shfaqnin, dhe shembulli i tyre kishte ndikuar pa masë tek ai. Ky çift i moshuar i kishte dhënë gjithë jetën Jehovait, prandaj Tonit dhe Uendit u erdhi nga zemra t’u hapnin dyert e shtëpisë. Ata kanë 15 vjet që i ndihmojnë Hozenë dhe Rozën, që tani janë në mes të të 80-ave. Këta të moshuar e shohin ndihmën e çiftit të ri si dhuratë nga Jehovai.

Perëndia po të zgjat edhe ty ‘dorën e tij të djathtë të drejtësisë’. A do ta pranosh ndihmën, duke zgjatur edhe ti dorën drejt Atij që të premton: «Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.»

^ par. 11 Disa emra janë ndryshuar.