Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaje të fortë marrëdhënien me Jehovain ndërsa shërben në fushë të huaj

Mbaje të fortë marrëdhënien me Jehovain ndërsa shërben në fushë të huaj

«Si thesar i ruaj në zemër fjalët e tua.»​—PSAL. 119:11.

KËNGËT: 142, 92

1-3. (a) Çfarë duhet të ketë përparësi për ne, pavarësisht nga rrethanat ku ndodhemi? (b) Çfarë sfidash të veçanta ndeshin ata që mësojnë një gjuhë tjetër, dhe cilat pyetje lindin nga kjo? (Shih figurën hapëse.)

MIJËRA Dëshmitarë të Jehovait sot po marrin pjesë aktivisht në plotësimin e vegimit për t’i shpallur lajmin e mirë «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 14:6) A je mes atyre që po mësojnë një gjuhë tjetër? Mos po shërben si misionar ose ke shkuar të ndihmosh në një shtet ku ka më shumë nevojë? Apo ndoshta ke filluar të ndjekësh mbledhjet në një kongregacion të gjuhës së huaj në vendin tënd?

2 Si shërbëtorë të Perëndisë, të gjithë ne duhet t’i japim përparësi marrëdhënies së ngushtë që duhet të mbajmë me Perëndinë ne vetë dhe familja jonë. (Mat. 5:3) Veçse hera-herës mund ta kemi të vështirë të bëjmë një studim personal domethënës për shkak të programit të ngjeshur. Ama, ata që shërbejnë në një fushë të huaj ndeshin edhe sfida të tjera.

3 Përveç mësimit të një gjuhe tjetër, kush shërben në një fushë të huaj duhet të sigurohet edhe që të ushqejë rregullisht zemrën me ushqim të fortë nga Fjala e Perëndisë. (1 Kor. 2:10) Si mund ta bëjë këtë, nëse nuk arrin ta kuptojë plotësisht gjuhën që flitet në kongregacion? Veç kësaj, pse prindërit e krishterë duhet të sigurohen që Fjala e Perëndisë t’u depërtojë fëmijëve në zemër?

NJË RREZIK PËR MARRËDHËNIEN TONË ME JEHOVAIN

4. Çfarë mund ta vërë në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain? Jepni një shembull.

4 Kur s’jemi në gjendje ta kuptojmë Fjalën e Perëndisë në një gjuhë të huaj, kjo mund ta vërë seriozisht në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain. Në shekullin e pestë p.e.s., Nehemia shprehu merak kur mori vesh se disa fëmijë mes judenjve të kthyer nga Babilonia nuk mund të flitnin hebraisht. (Lexo Neheminë 13:23, 24.) Ata fëmijë në të vërtetë po humbnin identitetin si shërbëtorë të Perëndisë, sepse nuk mund ta kapnin plotësisht kuptimin e Fjalës së Tij.​—Neh. 8:2, 8.

5, 6. Çfarë kanë vërejtur disa prindër që shërbejnë në një fushë të gjuhës së huaj? Pse ka ndodhur kjo?

5 Disa prindër të krishterë që shërbejnë në një fushë të gjuhës së huaj kanë vërejtur se fëmijëve u është zbehur interesi për të vërtetën. Ngaqë nuk e kuptonin plotësisht atë që thuhej në mbledhje, nuk i prekte programi që paraqitej në Sallën e Mbretërisë. Pedroja, [1] që u transferua me familjen nga Amerika e Jugut në Australi, thotë: «Kur flitet për të vërtetën, duhen përfshirë zemra dhe ndjenjat.»​—Luka 24:32.

6 Kur lexojmë në gjuhë të huaj, zemra mund të mos përfshihet aq shumë sa në gjuhën tonë. Përveç kësaj, nëse nuk arrijmë të komunikojmë mirë në një gjuhë tjetër, kjo mund të na sfilitë mendërisht dhe mund të ndikojë për keq tek adhurimi ynë. Kështu, ndërsa mbajmë gjallë dëshirën për t’i shërbyer Jehovait në një fushë të gjuhës së huaj, bëjmë mirë të mbrojmë marrëdhënien tonë me Të.​—Mat. 4:4.

ATA E MBROJTËN MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN

7. Si u përpoqën babilonasit ta integronin Danielin në kulturën dhe në fenë e tyre?

7 Kur Danielin dhe shokët e tij i çuan në mërgim, babilonasit u përpoqën t’i integronin në kulturën e tyre duke u mësuar «gjuhën e kaldeasve». Gjithashtu, zyrtari i oborrit që ishte ngarkuar t’i stërviste, u vuri emra babilonas. (Dan. 1:3-7) Emri që i vunë Danielit lidhej me Belin, perëndinë kryesor të Babilonisë. Ka të ngjarë që mbreti Nabukodonosor donte t’i nguliste Danielit idenë se Perëndinë e tij, Jehovain, e kishte nënshtruar perëndia babilonas.​—Dan. 4:8.

8. Çfarë e ndihmoi Danielin ta mbante të fortë marrëdhënien me Jehovain ndërsa jetonte në dhé të huaj?

8 Danielit i ofruan të hante nga ushqimet e zgjedhura të mbretit, mirëpo ai «ishte i vendosur në zemër» që «të mos ndotej». (Dan. 1:8) Ngaqë vazhdoi t’i studionte «librat e shenjtë» në gjuhën amtare, Danieli e mbajti të fortë marrëdhënien me Jehovain ndërsa jetonte në dhé të huaj. (Dan. 9:2, shën., NWT, botimi 2013) Kështu, afro 70 vjet pasi kishte vajtur në Babiloni, atë e njihnin ende me emrin e tij hebraik.​—Dan. 5:13.

9. Siç e shohim nga Psalmi 119, si ndikoi Fjala e Perëndisë te shkrimtari i këtij psalmi?

9 Shkrimtari i Psalmit 119 mori forcë nga Fjala e Perëndisë që të dallohej si i ndryshëm nga të tjerët. Atij iu desh të duronte qëndrimin përbuzës të disa pjesëtarëve të oborrit mbretëror. (Psal. 119:23, 61) Prapëseprapë, lejoi që fjalët e Perëndisë ta preknin thellë në zemër.​—Lexo Psalmin 119:11, 46.

MBAJE TË FORTË MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN

10, 11. (a) Cili duhet të jetë synimi ynë ndërsa studiojmë Fjalën e Perëndisë? (b) Si mund ta arrijmë këtë synim? Ilustrojeni.

10 Ndonëse mund të jemi goxha të zënë me përgjegjësitë teokratike e me përgjegjësi të tjera, të gjithë duhet të gjejmë kohë për studimin personal dhe adhurimin familjar. (Efes. 5:15, 16) Gjithsesi, synimi ynë nuk duhet të jetë thjesht të lexojmë një numër të caktuar faqesh ose vetëm sa të përgatitim komente për të marrë pjesë në mbledhje. Duam të sigurohemi se po e lejojmë Fjalën e Perëndisë të na depërtojë në zemër dhe të na forcojë besimin.

11 Për ta arritur këtë synim, duhet të gjejmë ekuilibrin që, nga njëra anë, të mbajmë ndër mend nevojat e të tjerëve kur studiojmë dhe nga ana tjetër të meditojmë për nevojat tona. (Filip. 1:9, 10) Duhet të pranojmë se kur përgatitemi për shërbimin, për mbledhjet ose për një fjalim, nuk e lidhim medoemos me veten tonë atë që lexojmë. Le ta ilustrojmë: një kuzhinier duhet ta provojë një gatim para se ta shërbejë, por ai s’mund të jetojë thjesht me ushqimet që provon. Nëse do që të ruajë shëndetin, duhet të përgatitë vakte të shëndetshme për veten. Po njësoj, ne duhet të bëjmë çmos ta ushqejmë zemrën me ushqim nga Fjala e Perëndisë që plotëson nevojat tona personale.

12, 13. Pse shumë nga ata që shërbejnë në një fushë të gjuhës së huaj vërejnë se është e dobishme të studiojnë rregullisht në gjuhën amtare?

12 Shumë nga ata që shërbejnë në një fushë të gjuhës së huaj vërejnë se është e dobishme ta studiojnë Biblën rregullisht «në gjuhën e vet amtare». (Vep. 2:8, Diodati i Ri) Madje edhe misionarët e kuptojnë se për të qëndruar të fortë në caktimin e tyre në vend të huaj, s’mund të mbështeten thjesht te kuptueshmëria bazë për ushqimin që marrin në mbledhje.

13 Alani, i cili ka afro tetë vjet që mëson gjuhën perse, pranon: «Kur përgatitem për mbledhjet në persisht, kam prirjen të përqendrohem te gjuha. Ngaqë mendja është përfshirë kryesisht në një ushtrim intelektual, ajo që lexoj nuk më prek medoemos në zemër. Ja pse rezervoj kohë rregullisht që ta studioj Biblën dhe botime të tjera në gjuhën e nënës.»

PREKUNI ZEMRËN FËMIJËVE

14. Për çfarë duhet të sigurohen prindërit, dhe pse?

14 Prindërit e krishterë bëjnë mirë të sigurohen që Fjala e Perëndisë të depërtojë dalëngadalë në mendjen dhe në zemrën e fëmijëve. Pasi shërbyen për më se tre vjet në një fushë të gjuhës së huaj, Serzhi dhe e shoqja, Mjuriela, vërejtën se djali i tyre 17-vjeçar nuk ndiente gëzim në aktivitetet teokratike. Mjuriela thotë: «E kishte shumë bezdi të dilte në shërbim në një gjuhë tjetër, kurse më parë vdiste të predikonte në gjuhën amtare, në frëngjisht.» Serzhi shpjegon: «Kur e kuptuam se kjo situatë e kishte penguar djalin të përparonte në të vërtetën, vendosëm të ktheheshim në kongregacionin ku ishim më parë.»

Sigurohu që e vërteta të depërtojë në zemrën e fëmijëve (Shih paragrafët 14, 15.)

15. (a) Cilët faktorë mund t’i ndihmojnë prindërit të vendosin nëse do të kthehen në një kongregacion ku flitet gjuha që kuptojnë më mirë fëmijët? (b) Çfarë nxitje u jep prindërve Ligji i përtërirë 6:5-7?

15 Cilët faktorë mund t’i ndihmojnë prindërit të vendosin nëse do të kthehen në një kongregacion ku flitet gjuha që kuptojnë më mirë fëmijët? Së pari, duhet të përcaktojnë nëse kanë vërtet mjaft kohë dhe mundësi që t’u rrënjosin fëmijëve dashurinë për Jehovain, ndërkohë që u mësojnë edhe një gjuhë të huaj. Së dyti, ata mund të vënë re se fëmijët nuk kanë interes për aktivitetet teokratike ose për fushën e gjuhës së huaj ku po shërbejnë. Në rrethana të tilla, prindërit e krishterë mund të peshojnë mundësinë që të kthehen në një kongregacion ku flitet gjuha që kuptojnë më mirë fëmijët, derisa ata të bëhen të patundur në të vërtetën.​—Lexo Ligjin e përtërirë 6:5-7.

16, 17. Si ia kanë dalë disa prindër t’i stërvitin fëmijët që të kenë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, ndërsa shërbejnë në fushë të huaj?

16 Nga ana tjetër, disa prindër kanë gjetur mënyra që t’i mësojnë fëmijët në gjuhën amtare ndërkohë që i ndjekin mbledhjet në një kongregacion ose grup të gjuhës së huaj. Çarlsi, i cili ka tri vajza të moshave 9 deri 13 vjeç, shkon në një grup të gjuhës lingale. Ai shpjegon: «Vendosëm që studimin dhe adhurimin familjar me fëmijët t’i zhvillojmë në gjuhën tonë. Por njëkohësisht praktikohemi dhe bëjmë lojëra në gjuhën lingale, që ato ta mësojnë këtë gjuhë ndërsa zbaviten.»

Përpiqu të mësosh gjuhën e vendit dhe të marrësh pjesë në mbledhje (Shih paragrafët 16, 17.)

17 Kevini ka dy vajza 5 dhe 8 vjeçe, e meqë ato nuk i kuptojnë mirë mbledhjet që mbahen në gjuhë të huaj, ka marrë masa që ta kompensojë këtë. Ai shpjegon: «Unë dhe gruaja i bëjmë studim secilës prej vajzave në gjuhën amtare, në frëngjisht. Gjithashtu, vumë si synim të ndjekim një herë në muaj një mbledhje në frëngjisht. Veç kësaj, shfrytëzojmë pushimet për të shkuar në kongrese që mbahen në gjuhën tonë.»

18. (a) Si mund t’ju ndihmojë parimi që gjendet te Romakëve 15:1, 2 për të vendosur se ç’është më e mira për fëmijët tuaj? (b) Çfarë sugjerimesh kanë dhënë disa prindër të tjerë? (Shih shënimin.)

18 Natyrisht, çdo familje e ka në dorë vetë të vendosë çfarë është më e mira për fëmijët e tyre që të kenë marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. [2] (Gal. 6:5) Mjuriela, që u citua më sipër, pranon se asaj dhe të shoqit iu desh të sakrifikonin preferencat e tyre që ta ndihmonin djalin të forconte dashurinë për Jehovain. (Lexo Romakëve 15:1, 2.) Kur hedh vështrimin pas, Serzhi mendon se morën vendimin e duhur. Ai thotë: «Që nga koha kur u kthyem në një kongregacion të gjuhës frënge, djali ynë lulëzoi në të vërtetën dhe u pagëzua. Tani shërben si pionier i rregullt, e madje po mendon të kthehet në një grup të gjuhës së huaj.»

LEJOJE FJALËN E PERËNDISË TË TË PREKË ZEMRËN

19, 20. Si mund ta tregojmë dashurinë për Fjalën e Perëndisë?

19 Nga dashuria, Jehovai e ka vënë në dispozicion Fjalën e tij, Biblën, në qindra gjuhë që ‘njerëz të çdo lloji të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës’. (1 Tim. 2:4) Ai e di se njerëzit mund ta plotësojnë më mirë nevojën që të afrohen me të kur i lexojnë mendimet e tij në gjuhën e zemrës.

20 Sidoqoftë, në çfarëdo rrethanash të ndodhemi, duhet të jemi të vendosur ta ushqejmë zemrën me ushqim të fortë nga Fjala e Perëndisë. Kur i studiojmë rregullisht Shkrimet në gjuhën e zemrës, ne vetë dhe familja jonë do ta mbajmë të fortë marrëdhënien me Jehovain dhe do të tregojmë se i çmojmë si thesar fjalët e Tij.​—Psal. 119:11.

^ [1] (paragrafi 5) Emrat janë ndryshuar.

^ [2] (paragrafi 18) Shih artikullin «Të rritësh fëmijët në një vend të huaj: Vështirësitë dhe shpërblimet» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 2002, ku trajtohen disa parime biblike që mund ta ndihmojnë familjen tuaj.