Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po ‘e ruan mençurinë praktike’?

A po ‘e ruan mençurinë praktike’?

GOJËDHËNA thotë se në një fshat të thellë jetonte një djalë i varfër. Njerëzit mendonin se ishte pak i trashë nga mendja dhe talleshin me të. Kur shkonin vizitorë, disa fshatarë e vinin në lojë para miqve të tyre. I zgjatnin dy monedha, një të madhe prej argjendi dhe një të vogël prej ari që vlente sa dyfishi i monedhës së argjendtë, e i thoshin: «Zgjidh njërën.» Djali zgjidhte monedhën prej argjendi dhe ia mbathte me vrap.

Një ditë, një vizitor e pyeti: «A nuk e di vallë se monedha e artë ka vlerë dy herë më të madhe?» Djali buzëqeshi dhe tha: «Po, e di.» «Atëherë pse merr monedhën prej argjendi? Po të marrësh të artën, do të kesh dy herë më shumë pará.»​—i tha vizitori. Djali ia ktheu: «Por, nëse marr monedhën e artë, njerëzit nuk do ta bëjnë më këtë lojë me mua. E di sa shumë monedha argjendi kam grumbulluar unë?» Djali i vogël në këtë histori shfaqi një cilësi që mund të jetë e dobishme për të rriturit​—mençurinë praktike.

Bibla thotë: «Ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar. Atëherë do të ecësh udhës sate i sigurt, madje këmba jote nuk do të takojë në asgjë.» (Prov. 3:21, 23, shën.) Pra, duhet të dimë çfarë është ‘mençuria praktike’ dhe si ta vëmë në punë, se bëhet fjalë për sigurinë tonë. Kjo na ndihmon të mos pengohemi, të mos na merren ‘këmbët’.

ÇFARË ËSHTË?

Mençuria praktike ndryshon nga njohuria dhe nga aftësia për të kuptuar. Njeriu që ka njohuri grumbullon informacione ose fakte. Dikush që ka aftësi për të kuptuar mund të dallojë si lidhet një fakt me një tjetër. Ai që ka mençuri arrin ta ndërthurë njohurinë me aftësinë për të kuptuar dhe t’i vërë në punë në mënyrë praktike.

Për shembull, dikush mund të arrijë ta lexojë e ta kuptojë brenda një kohe relativisht të shkurtër librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Gjatë studimit të Biblës, mund të japë përgjigje të sakta. Mbase edhe ndjek mbledhjet e kongregacionit, e madje bën komente të mira. E gjithë kjo mund të tregojë se po përparon në të vërtetën. Por, a do të thotë se ka fituar mençuri? Jo medoemos. Ndoshta thjesht ka mendje të shkathët. Ama, kur e vë në praktikë të vërtetën, duke i përdorur siç duhet njohurinë dhe aftësinë për të kuptuar, atëherë po bëhet i mençur. Nëse vendimet që merr, dalin me sukses, duke treguar kështu se i ka peshuar gjërat mirë para se të veprojë, atëherë bëhet e qartë se ka treguar mençuri praktike.

Te Mateu 7:24-27 gjejmë ilustrimin e Jezuit për dy veta që ndërtuan nga një shtëpi. Njëri prej tyre përshkruhet si «i matur». Ai mendoi qysh më parë për pasojat dhe e ndërtoi shtëpinë në shkëmb. U tregua largpamës dhe praktik. Nuk arsyetoi se po ta ndërtonte shtëpinë në rërë, do t’i kushtonte më lirë ose do të mbaronte punë më shpejt. Me mençuri, mendoi për pasojat afatgjata të veprimeve të tij. Prandaj, kur shpërtheu stuhia, shtëpia e tij ishte e sigurt. Pyetja që lind tani është: si mund ta fitojmë dhe ta ruajmë këtë cilësi të çmuar​—mençurinë praktike?

SI TA FITOJ?

Së pari, vër re se Mikea 6:9 (shën.) thotë: «Njerëzit që kanë mençuri praktike do t’i frikësohen emrit [të Perëndisë].» T’i frikësohesh emrit të Jehovait nënkupton të respektosh atë vetë. Do të thotë të kesh nderim të thellë për çka përfaqëson ky emër, përfshirë edhe normat e Tij. Po që ta respektosh dikë, duhet të dish si mendon. Pastaj mund t’i besosh dhe të mësosh nga ai, duke imituar veprimet e tij të mençura e të suksesshme. Nëse meraku ynë është se ç’ndikim afatgjatë do të kenë veprimet tona te marrëdhënia me Jehovain dhe nëse i bazojmë vendimet te normat e tij, po fitojmë mençuri praktike.

Së dyti, Proverbat 18:1 (shën.) thotë: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë praktike.» Po të mos bëjmë kujdes, mund të shkëputemi nga Jehovai dhe nga populli i tij. Që të mos izolohemi, duhet të kalojmë kohë me të tjerë që i frikësohen emrit të Perëndisë dhe që respektojnë normat e tij. Nëse është e mundur, duhet të jemi të pranishëm vetë në Sallën e Mbretërisë, duke u shoqëruar kështu rregullisht me kongregacionin. Gjatë mbledhjeve, duhet të hapim mendjen e zemrën dhe të lejojmë të na prekë ajo që dëgjojmë.

Veç kësaj, nëse i zbrazim zemrën Jehovait në lutje, do të afrohemi më shumë me të. (Prov. 3:5, 6) Kur hapim mendjen e zemrën ndërsa lexojmë Biblën dhe literaturën që siguron organizata e Jehovait, dallojmë rezultatet afatgjata të veprimeve tona dhe mund të veprojmë duke mbajtur parasysh këtë. Gjithashtu, duhet t’i presim me zemër të hapur këshillat që na japin vëllezërit e pjekur. (Prov. 19:20) Kështu, nuk ‘do të tërbohemi kundër gjithë mençurisë praktike’, pra nuk ‘do ta hedhim poshtë’, po përkundrazi, do ta forcojmë këtë cilësi të rëndësishme.

SI DO TA NDIHMOJË AJO FAMILJEN TIME?

Mençuria praktike mund ta mbrojë familjen. Për shembull, Bibla e nxit gruan të ketë «respekt të thellë» për burrin e saj. (Efes. 5:33) Si mund ta fitojë burri respektin e thellë? Po ta kërkojë me detyrim ose me ashpërsi, do të ketë vetëm rezultate afatshkurtra. Gruaja mund t’i tregojë njëfarë respekti kur është i pranishëm, që të shmangë sherrin. Por, a do t’i vijë natyrshëm ta respektojë kur të mos jetë? Ka shumë të ngjarë që jo. Ai duhet të shqyrtojë se ç’duhet të bëjë që të ketë rezultate afatgjata. Nëse mediton për frytin e frymës, sesi të tregojë dashuri dhe mirëdashje, do të fitojë respektin e saj të thellë. Natyrisht, gruaja e krishterë duhet të tregojë respekt për të shoqin, pavarësisht nëse ai e fiton apo jo respektin e saj.​—Gal. 5:22, 23.

Veç kësaj, Bibla thotë se burri duhet ta dojë gruan e tij. (Efes. 5:28, 33) Për të siguruar dashurinë e të shoqit, një grua mund të arsyetojë se është më mirë t’ia mbajë fshehur ca gjëra të pakëndshme që ai ka të drejtë t’i dijë. Por, në të vërtetë, a tregon kjo mençuri praktike? Cili do të jetë rezultati kur ai ta marrë vesh më vonë atë që i ishte fshehur? A do ta dojë më shumë të shoqen? Mund ta ketë të vështirë. Në vend të kësaj, nëse ajo gjen një moment të përshtatshëm për t’ia shpjeguar qetësisht gjërat e pakëndshme, ka të ngjarë që i shoqi ta vlerësojë sinqeritetin e saj. Në atë rast, do t’i shtohet dashuria për gruan.

Mënyra si i disiplinon fëmijët sot do të ndikojë te komunikimi me ta në të ardhmen

Fëmijët duhet t’u binden prindërve dhe duhet të disiplinohen në udhët e Jehovait. (Efes. 6:1, 4) A do të thotë kjo se prindërit duhet të sigurohen që fëmija të ketë një listë të gjatë me gjëra që duhen e që s’duhen bërë? Kërkohet shumë më tepër sesa thjesht të dijë rregullat e shtëpisë ose çfarë ndëshkimi do të marrë nëse sillet keq. Prindi që ka mençuri praktike do ta ndihmojë fëmijën të kuptojë përse duhet të bindet.

Për shembull, ta zëmë se fëmija i flet pa respekt prindit. Një përgjigje e ashpër ose një ndëshkim impulsiv mund ta turpërojë fëmijën ose mund ta detyrojë të mbyllë gojën. Ama, në zemër mund të ketë mllef, e si pasojë mund të ftohet me prindërit.

Prindërit që zhvillojnë mençuri praktike do të mendojnë si t’i disiplinojnë fëmijët dhe si do të ndikojë kjo te fëmijët në të ardhmen. Ata nuk duhet të reagojnë rrëmbyer nga sikleti i momentit. Ndoshta veçmas, mund të arsyetojnë qetësisht dhe me dashuri me fëmijën, duke i shpjeguar se Jehovai pret që t’i nderojë prindërit për të mirën e tij të përhershme. Pastaj, kur fëmija të tregojë respekt për prindërit, do të ndihet i kënaqur që po nderon Jehovain. (Efes. 6:2, 3) Ky disiplinim me dashamirësi mund t’i prekë zemrën fëmijës. Ai e ndien merakun e sinqertë të prindërve dhe i shtohet respekti për ta. Kështu krijohet atmosfera e duhur që fëmija të kërkojë ndihmë kur të lindin çështje të rëndësishme më vonë.

Disa prindër mund të ndihen keq kur mendojnë se mund t’i lëndojnë ndjenjat fëmijës, prandaj nuk e ndreqin. Mirëpo, ç’do të ndodhë kur fëmija të rritet? A do t’i frikësohet Jehovait dhe a do ta kuptojë sa e mençur është të pranojë normat e Tij? A do të jetë i gatshëm t’i hapë mendjen e zemrën Jehovait apo do të izolohet nga Ai?​—Prov. 13:1; 29:21.

Një skulptor i mirë planifikon që më parë për veprën që po përpiqet të krijojë. Nuk është që thjesht bën ca gdhendje me daltë duke shpresuar për më të mirën. Prindërit me mençuri praktike kalojnë orë të tëra për të mësuar e për të zbatuar normat e Jehovait, duke iu frikësuar kështu emrit të tij. Ata nuk izolohen nga Jehovai dhe nga organizata e tij, e si rrjedhojë fitojnë mençuri praktike dhe e përdorin për të forcuar familjen.

Çdo ditë përballemi me vendime që mund të ndikojnë në jetën tonë për vite me radhë. Në vend që të reagojmë nxitimthi dhe të marrim një vendim tak-fak, pse të mos ndalemi e të mendojmë? Të peshojmë pasojat afatgjata. Të kërkojmë drejtimin e Jehovait dhe të veprojmë sipas mençurisë së tij. Kështu do të ruajmë mençurinë praktike, dhe ajo ka për të qenë jetë për ne.​—Prov. 3:21, 22.