Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

«Lajmëtarë të Mbretërisë në Britani: Zgjohuni!!»

«Lajmëtarë të Mbretërisë në Britani: Zgjohuni!!»

ÇFARË thirrje kumbuese: «Lajmëtarë të Mbretërisë në Britani: Zgjohuni!!» (Njoftuesi, * dhjetor 1937, botimi i Londrës) Nëntitulli që të vinte në mendime shtonte: «Dhjetë vjet pa ndonjë rritje domethënëse.» Raporti i shërbimit të dhjetë vjetëve, nga 1928-a deri më 1937, që gjendej në faqen e parë, e vërtetonte këtë.

PAK SI SHUMË PIONIERË?

Pse e kishte humbur vrullin vepra e predikimit në Britani? Me sa duket kongregacionet kishin rënë «në një rutinë», duke vazhduar me ritmin e shumë viteve më parë. Veç kësaj, dega kishte vendosur që territori ishte i mjaftueshëm vetëm për rreth 200 pionierë, të cilët predikonin në territore të izoluara dhe jo me kongregacionet. Kështu, dega u kishte thënë pionierëve të ardhshëm se në territorin e Britanisë s’kishte më vend dhe i nxiti të shërbenin në shtete të tjera të Evropës. Është për t’u lavdëruar që një vërshim i vazhdueshëm pionierësh u transferuan nga Britania për në shtete të tilla si Franca, ndonëse e dinin pak ose aspak gjuhën.

«NJË THIRRJE PËR AKSION»

Artikulli te Njoftuesi i vitit 1937 vuri një synim sfidues për 1938-n: një milion orë. Synimi mund të arrihej kollaj nëse lajmëtarët do t’i kushtonin shërbimit 15 orë në muaj dhe pionierët 110 orë. Ndër të tjera, artikulli sugjeronte të organizoheshin grupe shërbimi që të bënin pesë orë shërbim në ditë të caktuara të javës, si edhe të bëheshin rivizita, sidomos gjatë mbrëmjeve të javës.

Pionierë entuziastë të përqendruar dhe të zellshëm në shërbim

Stimuli i ri dhe rëndësia më e madhe që iu dha shërbimit entuziazmoi shumë veta. Hilda Paxheti kujton: «Ishte një thirrje për aksion nga selia botërore që shumë prej nesh e kishim pritur me zjarr dhe që shumë shpejt solli rezultate të shkëlqyera.» * Motër Uollisi tregon: «Sugjerimi për ditët pesë orëshe ishte fantastik. Çfarë mund të të sjellë më shumë gëzim vallë se të kalosh gjithë ditën në shërbim të Zotërisë? . . . A ktheheshim të lodhur, ama të gëzuar? Absolutisht po!» Djaloshi Stivën Mileri e kuptoi ndjenjën e urgjencës dhe iu përgjigj thirrjes. Donte ta bënte këtë për sa kohë të kishte mundësi. Ai kujton grupe me lajmëtarë hipur në biçikleta që kalonin gjithë ditën në shërbim dhe gjatë verës në mbrëmje luanin fjalime të regjistruara. Merrnin pjesë me zell në marshimet informuese me pankarta dhe në dëshminë rrugore me revista.

Njoftuesi bënte edhe këtë thirrje nxitëse: «Kemi nevojë për një ushtri me 1.000 pionierë.» Sipas drejtimit të ri për territorin, pionierët nuk do të predikonin më të ndarë nga kongregacionet por bashkë me to, duke i mbështetur e duke i forcuar. Xhojs Elisi (më parë Barber) sjell ndër mend: «Shumë vëllezër po bëheshin të vetëdijshëm se duhej të shërbenin si pionierë. Edhe pse në atë kohë isha vetëm 13 vjeçe, tamam këtë doja të bëja: të shërbeja si pioniere.» Ajo e arriti synimin e saj në korrik të 1940-s, në moshën 15-vjeçare. Piteri, që më vonë u martua me Xhojsin, dëgjoi thirrjen «zgjohuni» dhe kjo e nxiti «të fillonte të mendonte për shërbimin si pionier». Në qershor të 1940-s, në moshën 17-vjeçare, bëri 105 kilometra me biçikletë për në Skaborou që të niste caktimin e tij të ri si pionier.

Sirili dhe Kiti Xhonson ishin rasti tipik i pionierëve të rinj vetëmohues. Ata vendosën të shitnin shtëpinë dhe të mirat materiale që të kishin pará për të shërbyer në kohë të plotë. Sirili la punën dhe brenda një muaji ishin gati të nisnin shërbimin si pionierë. Ai kujton: «Ishim shumë të sigurt për atë që po bënim. E bëmë me gatishmëri dhe me gëzim.»

HAPEN SHTËPITË E PIONIERËVE

Teksa numri i pionierëve shtohej ndjeshëm, vëllezërit me përgjegjësi menduan për mënyra praktike si të mbështetnin këtë ushtri që sa vinte e rritej. Xhim Kerri, që në vitin 1938 shërbente si shërbëtor zone (ose siç quhet tani, mbikëqyrës qarkor), ndoqi sugjerimin për të hapur shtëpi për pionierë në qytete. Grupe pionierësh u nxitën të jetonin e të predikonin së bashku, duke ulur kështu shpenzimet. Në Shefild, morën me qira një shtëpi të madhe që do të mbikëqyrej nga një vëlla përgjegjës. Kongregacioni vendës kontribuoi me pará dhe mobilie. Xhimi tha: «Të gjithë bënë pjesën e tyre që kjo masë të kishte sukses.» Atje jetonin dhjetë pionierë të palodhur që mbanin një rutinë të mirë frymore. «Çdo mëngjes në tavolinën e ngrënies shqyrtohej shkrimi [i ditës]» dhe «pionierët shkonin çdo ditë në territorin ku ishin caktuar, në pjesë të ndryshme të qytetit».

Pionierë të rinj vërshuan në shërbim në Britani

Si lajmëtarët, edhe pionierët iu përgjigjën thirrjes dhe e arritën synimin për një milion orë në vitin 1938. Në fakt, raportet tregojnë se pati rritje në të gjitha aspektet e predikimit. Brenda pesë vjetësh numri i lajmëtarëve në Britani pothuajse u trefishua. Stimuli i ri dhe rëndësia më e madhe që iu dha shërbimit të Mbretërisë e forcoi popullin e Jehovait për të përballuar vitet e vështira të luftës që do të vinte.

Sot, teksa afrohet lufta e Perëndisë, Harmagedoni, numri i pionierëve në Britani po rritet sërish. Dhjetë vitet e fundit janë arritur maksimume të reja në numrin e pionierëve. Në tetor të 2015-s numri i pionierëve vajti 13.224. Ata e dinë fare mirë se shërbimi në kohë të plotë është një nga mënyrat më fantastike për të jetuar.

^ par. 3 Më vonë u quajt Shërbimi ynë i Mbretërisë.

^ par. 8 Jetëshkrimi i motër Paxhetit gjendet në Kullën e Rojës të 1 tetorit 1995, f. 19-24, anglisht.