Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A DO TA PRANOSH DHURATËN MË TË MADHE TË PERËNDISË?

Si ta tregosh mirënjohjen për dhuratën më të madhe të Perëndisë?

Si ta tregosh mirënjohjen për dhuratën më të madhe të Perëndisë?

«Dashuria që ka Krishti, na detyron. . . . Ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta.»2 Korintasve 5:14, 15.

NJË dhuratë e jashtëzakonshme duhet të na nxitë të shfaqim mirënjohje. Jezui e theksoi këtë pasi shëroi dhjetë burra nga një sëmundje ligështuese që në atë kohë nuk kurohej. Vetëm njëri «u kthye dhe i dha lavdi Perëndisë me zë të lartë». Jezui tha: «A nuk u pastruan dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?» (Luka 17:12-17) Çfarë kuptojmë nga kjo? Mund t’i harrojmë shumë shpejt të mirat që na bëjnë të tjerët.

Shpërblesa është një dhuratë unike. Pa diskutim, dhurata më e madhe që është bërë ndonjëherë. Atëherë, si ta tregosh mirënjohjen për çfarë ka bërë Zoti për ty?

  • Njih Dhuruesin. Shpërblesa nuk u sjell automatikisht jetë të përhershme të gjithë njerëzve. Ja pse Jezui i tha Perëndisë në lutje: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Nëse të thonë se dikush të ka shpëtuar jetën kur ishe fëmijë, a nuk do të doje të dije më shumë për të, si edhe arsyen pse të shpëtoi? Perëndia Jehova, i cili dha dhuratën jetëshpëtuese të shpërblesës, ka dëshirë jo vetëm ta njohësh, por edhe të krijosh një miqësi të ngushtë me të. Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»Jakovi 4:8.

  • Trego besim te shpërblesa. «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme.» (Gjoni 3:36) Ç’do të thotë të tregosh besim? Do të thotë të veprosh, ta tregosh me vepra besimin te shpërblesa. (Jakovi 2:17) Ç’lloj veprash? Një dhuratë bëhet jotja vetëm kur zgjat dorën dhe e pranon. Po njësoj, duhet të bësh diçka që ta pranosh shpërblesën. Çfarë? Mëso ç’lloj jete dëshiron Zoti që të bësh dhe vepro në përputhje me këtë njohuri. * Lutju Perëndisë për falje dhe për një ndërgjegje të pastër. Afroju Atij me besim të plotë se shpërblesa u garanton një të ardhme të përhershme në paqe, siguri dhe begati të gjithë atyre që tregojnë besim tek ajo.Hebrenjve 11:1.

  • Merr pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Jezui themeloi një ngjarje të përvitshme për të na kujtuar masën e shpërblesës. Duke folur për përkujtimin e kësaj ngjarjeje, ai nxiti: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Dëshmitarët e Jehovait do ta përkujtojnë vdekjen e Jezuit të martën, më 11 prill 2017, pas perëndimit të diellit. Programi që zgjat rreth një orë, do të përfshijë një fjalim i cili shpjegon domethënien e vdekjes së Jezuit dhe dobitë e saj tani dhe në të ardhmen. Vjet në Përkujtim ishin të pranishëm rreth 20 milionë njerëz në mbarë botën. Të ftojmë përzemërsisht të bashkohesh me ne për të treguar mirënjohje ndaj dhuratës më të madhe të Perëndisë.

^ par. 7 Mënyra më e mirë për të njohur Zotin dhe për t’u bërë miq me të, është duke studiuar Fjalën e tij, Biblën. Mëso si bëhet kjo, duke pyetur një nga Dëshmitarët e Jehovait ose duke vizituar sitin tonë www.pr418.com.